DUKE KUJTUAR RAZIP GOLLOSHIN

Me rastin e 1 vjetorit të vdekjes

Razip Nelo  Golloshaj ishte një  prej atyre kallaratasve që për vendlindjen e tij kishte shumë dashuri dhe gjatë gjithës jetës së tij u mundua të shkruajë, të shpalosë e të kontribuojë  vlerat më të mira për Kallaratin dhe kallaratasit. Po bëhet gati një vit që ai i mungon familjes, por edhe neve kallaratasve, pasi më 13 Dhjetor 2010,  pas një sëmundje të rëndë ai u nda para kohe nga jeta.

Razipi lindi në Kallarat të Vlorës më 13 Qershor 1938 në një familje të varfër ekonomikisht, por e pasur me ndjenja atdhedashurie e arsimdashëse.

Në çastet historike për atdheun, fisi Golloshaj, brez pas brezi ka luftuar kundër pushtuesve të huaj osmanë, grekë, italianë etj. Më 1920-tën në Luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë, Xhevair Golloshi, xhaxhai i Razipit, bie heroikisht, sot dëshmor i Atdheut.

Edhe në Luftën nacionalçlirimtare, fisi Golloshaj do të rreshtohej përkrah saj në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit italianë e gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Katër vetë nga ky fis,  Xhebrua, Nelua e Ferik Golloshi (ky i fundit Dëshmor i Atdheut) u rreshtuan  në Çetën Territoriale “Mumin Selami” në Kallarat, ndërsa Sarta Xhebro Golloshaj mori pjesë në Brigadën e Tetë Sulmuese duke zëvendësuar bashkëshortin e saj Ormën Ribaj, rënë dëshmorë i Atdheut.

Edhe Razipi, i lindur dhe rritur në një ambient të tillë familjarë liridashës, pas mbarimit të shkollës 7-vjeçare në vendlindjen e tij në Kallarat, vazhdoi studimet në Shkollën Ushtarake Skënderbej e më vonë Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë  dhe në vitin 1958 titullohet oficer i Ushtrisë Popullore me gradën Nëntoger. Pas katër vitesh punë në repartet e Leskovikut, për të rritur aftësitë e tij ushtarake në dobi të mbrojtjes së vendit, kryen Akademinë Ushtarake në Tiranë, të cilën e përfundon me rezultate të shkëlqyera. 

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra të ndryshme komanduese e shtabi deri në nivel njësie, në Garnizonin e Gjirokastrës. Kudo ku Razipi ka punuar është shquar për korrektësi, profesionalizëm e përkushtim në kryerjen e detyrave të ngarkuara dhe marrëdhënie korrekte e vëllazërore me shokët dhe eprorët, duke u dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme.

Në vitin 1992 në kuadrin e reformës në Forcat e Armatosura  del në pension në Gjirokastër me gradën e Nënkolonelit.

Razipi gjatë gjithë kohës ka shprehur e treguar një dashuri të madhe për bashkëfshatarët dhe vendlindjen e tij Kallaratin dhe gjithë Labërinë. Duke qenë në Gjirokastër, disi larg bashkëfshatarëve dhe të afërme të tij, pas daljes në pension vendoset familjarisht në Tiranë dhe merr kontakte me të gjithë të njohurit e tij e të familjes.

Si pasardhës veterani të Luftës nacionalçlirimtare u aktivizua në mbrojtje   të vlerave të saj, duke dhënë kontributin e tij modest.

Me krijimin e Shoqatës Kulturore e Atdhetare “Kallarati” me qendër në Vlorë në vitin 2002, për vlerat e tij morale e patriotike, Razipi zgjidhet Nënkryetar i saj dhe Kryetar për  Degën e Tiranës.

Gjatë gjithë kësaj kohe ai tregoi përkushtim maksimal në propagandimin e vlerave historike, patriotike e kulturore të vendlindjes së tij Kallaratit. Janë me dhjetëra shkrime të tij  në gazetën “Kallarati”, në atë të “Labërisë” dhe “Kushtrim Brezash”, që pasqyrojnë me vërtetësi kontributin e kallaratasve dhe të Labërisë për liri e përparim shoqëror. Ishte i papërtuar për të organizuar takime me bashkëfshatarët e tij në Tiranë, për të shpërndarë gazetën apo për të organizuar takime e vizita në raste gëzimesh, sëmundjesh apo vdekjesh, ashtu edhe për  të nxitur më të rinjtë për të shkruar e aktivizuar në Shoqatë.

Kontribut të jashtëzakonshëm Razipi patë dhënë në evidentimin e figurave dhe ngjarjeve më të rëndësishme të kallaratasve në “Enciklopedinë e Kurveleshit”, si dhe në organizmin e mjaft takimeve  të brezave në Kallarat. Me siguri që për shkak të ndarjes para kohe nga jeta, shumë kujtime e shkrime të tij të shtypura me makinën  shkrimit për familjen dhe Kallaratin, kanë ngelur sirtarëve të shtëpisë si amanet, por që fëmijët e tij dhe ne duhet t’i botojmë në gazetën Kallarati, për të cilën ai punoi e sakrifikoi aq shumë vitet e fundit të jetës.

Kudo ku punoi dhe jetoi, Razipi si në Gjirokastër dhe në Tiranë, ai ishte edhe një veprimtar i shquar  në  bllok, lagje e në qytet, duke treguar e manifestuar virtytet e njeriut të kulturuar e qytetëruar,

Përveçse një ushtarak i zoti e veprimtar shoqëror i dalluar, Razipi ishte mbi të gjitha një prind  dhe bashkëshort shembullor. Me bashkëshorten e tij Hizen nga Kuçi i Vlorës, babai i së cilës ishte vrarë  në Brataj më 1944-trën nga nazistët gjermanë, lindën, rritën dhe edukuan me sakrificë e në mënyrë shembullore 5 fëmijë me arsim të lartë.

Vdekja e Razipit trishtoi, jo vetëm familjen e tij, bashkëshorten, fëmijët, të afërmit, miqtë, por të gjithë  shokët  e tij, që e njohën nga afër në çdo cep të Shqipërisë ku ai punoi e jetoi dhe në veçanti bashkëfshatarët e tij që i deshtë aq shumë në Vlorë, Tiranë a gjetkë.

Sot, Razipi fizikisht i mungon familjes, të afërmeve, shokëve e bashkëfshatarëve të tij, por ai do të kujtohet për herë, për atë çfarë ai la prapa, emrin e tij të mirë, si bashkëshort, prind, kuadër dhe veprimtar  shembullor.

I paharruar Kujtimi i Tij

 Besnik Gjonbrataj

Botuar ne Nr. 60 te Gazetes Kallarati, 2011

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Next Post

DUKE KUJTUAR SAMI KARABOLLIN

Sht Gus 11 , 2012
-Me rastin  e 1 vjetorit të vdekjes- Nuk i besohet askujt se afërsisht një vit më parë pushoi së rrahuri zemra e njërit  prej bashkëfshatarëve tanë më të nderuar, Sami Karabollit. Nuk e besojnë këtë familja e tij, bashkëshortja Drita dhe vajza Entela, por nuk e beson as edhe një […]