1. Është një dëshirë e imja, por edhe një kërkesë e mjaft bashkëfshatarëve kallaratas për një intervistë për gazetën “Kallarati”. Si do ta prisnit ju?
Ndonëse nuk më pëlqen të flas për veten, se është më mirë të flasin të tjerët për ty, për të respektuar dëshirën tuaj dhe kërkesën e bashkëfshatarëve, po ju përgjigjem.
2. Jeni i njohur jo vetëm për lexuesit kallaratas, por shumë më gjerë, megjithatë diçka më tepër për ju e familjen tuaj?
Po ju përgjigjem shkurt. Jam fëmija i tretë i familjes së Veip Balil Memushajt. Fëminia e brezit tim ka qenë e vështirë, pa shumë gëzime. Që të vegjël shkonim me bagëti, jo vetëm gjatë pushimeve, po edhe pasditeve sa ktheheshim nga shkolla. Luanim vetëm lojëra popullore ose me topa lecke. Për herë të parë top futbolli të vërtetë kemi parë më 1953, kur mësuesi ynë i dashur Enver Golloshi solli një të tillë nga Vlora. Për ndriçim përdorej kandili ose pisha, nën dritën e tyre i bënim edhe mësimet. Lajmet njerëzit i merrnim vesh nga gazetat. Radioja e parë në Kallarat erdhi diku aty nga viti 1960, një radio ruse me vajguri, që u vendos në vatrën e kulturës në Qafë të Ubavit, por që u prish pa u vënë në punë dhe nuk u ndreq më.
Në Kallarat shkolla 7-vjeçare është hapur shumë vonë, ndonëse godina ishte gati që kur shkonim në fillore. Kështu që dy klasat e para të shtatëvjeçares i bëra në Vlorë, te motra e mesme, kurse klasën e shtatë në Vranisht. Atëherë edhe në qytet jeta ishte e varfër, po prapë qyteti kishte gjallëri, kishte kinema, kush kishte të holla, mund të blinte ndonjë radio të vjetër.
Arsyen pse ndoqa shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë dhe jo shkollën ushtarake “Skënderbej”, që e ëndërronim, e kam mësuar shumë vonë: tim eti, për shkak të përvojave të hidhura që kishte pasur në jetë, nuk i pëlqente jeta ushtarake.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, u emërova mësues i matematikës në shkollën 7-vjeçare të Gjormit, vitin tjetër në Vranisht dhe në vitin shkollor 1963-64 u caktova drejtor shkolle në Bolenë. Ky ka qenë viti më i bukur i punës. Ishim një grup djemsh 20-vjeçarë, që punonim me pasion. Bota jonë ishin mësimi, kurse mbasditeve futbolli, peshkimi e gjuetia. Fshatarët na donin. Unë isha stërnip në Bolenë nga babai, po trajtimi që më bënin nuk buronte aq nga kjo, sesa ngaqë bolenasit, si njerëz të ndershëm e të drejtë, i respektonin të huajt, sidomos ata që shihnin punën.
3. Me përfundimin e shkollës së lartë, ju punuat si mësues për disa vjet në rrethin e Vlorës. Si i kujtoni ato vite?
Në vitet 1964-1968 ndoqa studimet e larta në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë të Universitetit të Tiranës. Pas diplomimit u ktheva sërish në rrethin e Vlorës, ku punova si drejtor shkolle në Vajzë, Vranisht dhe Llakatund. Të them të drejtën, rikthimin në fshatra pas diplomimit e prita me zemër të thyer, pasi kisha qenë studenti më i mirë i kursit. Por nuk kishte zgjidhje tjetër, se ashtu ishin politikat e kohës, veç që unë, si rebel që isha, qeshë përfshirë në ca konflikte me organizatën e partisë në fakultet. Dhe ndonëse dërgohesha nga një fshat në tjetrin, nuk pranova të punoja si inspektor në seksionin e arsimit, duke ushqyer një shpresë të turbullt, që nuk ia thoja askujt, se një ditë do të kthehesha në Universitet.
Nga këto vite pune kam kujtime të bukura, sidomos nga Llakatundi, ku arritëm që brenda vitit t’i ndërronim fytyrën shkollës dhe ta bënim fitimprurëse bazën prodhuese të saj. Për këto, fituam zemrat e nxënësve, të mësuesve, midis të cilëve kishte shumë të përkushtuar ndaj punës, dhe të banorëve.
Gjatë këtyre viteve, u njoha dhe krijova lidhje të ngushta shoqërore me shumë mësues që punonin në luginën e lumit të Vlorës, midis të cilëve po përmend Nasip Xhelilin nga Sevasteri, Bedo Bishën e Qebir Demirin nga Kuçi, Petrit Stefën nga Vlora e Mëno Gjolekën nga Dukati. Lidhje të ngushta kisha me kushërinjtë e mi, Ibro Jonuzin, Zubi Jonuzin e Bajram Karabollin. Ditët e takimit me ta i prisja me padurim, sepse ishin njerëz që lexonin e prej të cilëve gjithnjë mësoje diçka. Pas vrasjeve të mëdha të 73-shit filluam të bënim më shumë biseda politike, si të thuash bëheshim “disidentë” shtëpie apo rruge, se në klube e restorante kishim frikë të flisnim. Kur ndonjëherë mblidheshim në shtëpi, nëna na dëgjonte dhe të nesërmen më thoshte: “Kujdes, more bir, mos i bëni këto muhabete jashtë, se edhe muret kanë veshë.”
Kam qenë shumë i dashuruar pas natyrës dhe më pëlqente të shëtisja e të vrapoja. Kur isha mësues, rrugën nga Hunda e Xhepe apo nga Qafa e Zezë për në shtëpi e bëja duke vrapuar, aq sa ndonjë kalimtar që ndeshej me mua trembej. Mbaja edhe një pushkë sportive që ma jepte Besim Jonuzi dhe me të në krah u bija kryq e tërthor pyjeve nga përroi i Bodeit e gjer në Ramana. Verës ngjitesha edhe në mal, në Gjothanas e Bogonicë, te çobanët që të prisnin me çfarë kishin. Më mahniste sidomos Bogonica, nga maja e së cilës të shfaqej një pamje madhështore, nga çdo anë që të ktheheshe. Aty më mbante im kushëri Gjoleka, që kishte tufën e shqerrave të kooperativës, kurse unë bridhja sa më këputeshin këmbët shpateve gjer mbi Hon.
Gjatë kohës që punova në Vajzë e Vranisht shkela pothuaj të gjithë Labërinë, nga Gumenica në Kardhiq e nga Dhërmiu në Lekdush. Herë duke mbledhur emrat e vendeve, herë gjatë stërvitjeve të shtabit të brigadës të Vranishtit, të cilat i prisja me padurim, si ditë aventurash e shkëputjeje nga shqetësimet e punës. Aty bëheshim një grup i mirë, me të ndjerin Muhamet Boçi e Gjolekën (radistë të shtabit), me Zubiun, me Qebir Demirin dhe të ndjerët Shyqo Ferro nga Brati e Mëno Gjoleka. Këto ishin nga ditët më të bukura për të gjithë ne, ku secili tregonte ç’kish lexuar e dëgjuar.
Kurveleshin e kam shëtitur pastaj edhe vetëm, duke shkelur në të gjitha fshatrat e tij, përveç Kaparjelit, për të mbledhur materiale për historikun e krahinës.
4. Që nga viti 1974 jeni pedagog në departamentin e gjuhësisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Ç’do të thotë kjo për ju?
Dëshira për t’u kthyer në Fakultet m’u realizua, falë interesimit të prof. Shaban Demirajt, të prof. Hasan Dumës apo nuk di të kujt tjetër. Kështu, në shtator 1974 fillova punën pranë katedrës së gjuhës shqipe. Me përmbushjen e kësaj ëndrre, m’u hapën shtigje në jetë, të cilat i kam çarë jo pa vështirësi. Periudha nga ’74-a deri më 1989 kanë qenë vite të një pune të madhe e të lodhshme, me lloj-lloj ngarkesash e tensionesh, po edhe vështirësish të mëdha familjare. Megjithatë, me vullnet të fortë dhe durim të madh, i kam kapërcyer të gjitha dhe me forcat e mia. Veç ndershmërisë dhe përkushtimit në punë nuk kam pasur asnjë përkrahje tjetër, pasi nuk më ka pëlqyer kurrë t’i zgjat dorën për ndonjë favor apo t’i servilosem ndokujt. Kjo më ka bërë të pavarur në qëndrimet dhe gjykimet dhe për këtë jam respektuar e respektohem.
Ndryshimi në karrierën time nis nga vjeshta e vitit 1989, kur u dërgova si lektor i gjuhës shqipe pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, ku qëndrova deri në korrik 1991. Para kësaj kohe, kontaktet me botën e jashtme kishin qenë ose nëpërmjet kallëzimeve të dajo Shahinit për Zvicrën e Italinë apo nga shoqërimi i kolegëve të huaj e kosovarë që vinin pranë Fakultetit tonë. Në Pekin u njoha me shumë profesorë të huaj, amerikanë, anglezë, francezë dhe nga vendet e Lindjes. Në shtëpi kisha vetëm një libër gjuhësor të huaj. Edhe në librarinë e Universitetit të Pekinit kishte pak libra gjuhësie të huaj, po biblioteka ishte pasur, kështu që fotokopjoja gjithçka gjeja. Ditët që nuk kisha mësim shkoja me biçikletë në Bibliotekën Kombëtare të Pekinit, e cila ishte shumë e pasur në libra. Edhe miqtë e huaj më ndihmuan shumë: një çift profesorësh anglezë më dhuruan një fjalor dhe një gramatikë shumë të mirë të anglishtes, kurse kur ikën me pushime, më sollën kompjuterin; gjithashtu, gjatë verës, një kolege franceze më la çelësin e apartamentit të saj, duke më lejuar të fotokopjoja me makinën e saj fotokopjuese dhe letrën e saj çdo libër që të doja. Kështu që nga Kina u ktheva me një arkë të madhe me libra, të cilat më hapën sytë.
Pas kthimit nga Kina, aplikova dhe fitova një bursë 8-mujore “Fullbrajt” në Amerikë. Këtu pashë se sa larg kishte shkuar bota në gjuhësi. Për t’u bërë i besueshëm, po ju tregoj vetë një fakt të thjeshtë. Në një nga leksionet e morfologjisë që ndiqja, pedagogia, pasi shpjegoi jo më shumë se 25 minuta, u dha studentëve të vitit të parë nga një dyfletësh me ushtrime. E mora dhe unë një të tillë, po ushtrimet e saj nuk i bëra dot, ndonëse kisha botuar libra gjuhësie. Kurse pjesa më e madhe e studentëve i zgjidhi ushtrimet. Kjo më vuri në sedër dhe nuk lashë libër gjuhësie pa blerë në libraritë e Berklit dhe të San Fanciskos, aq sa shitësi i një librarie të librave të përdorur më pyeti: “Zotëri, pse po blen kaq shumë libra klasikë gjuhësie?”. Iu përgjigja se isha i huaj dhe këta libra më mungonin. Po ashtu fotokopjova edhe shumë libra në bibliotekën e Universitetit të Berklit. Kështu, u ktheva nga Amerika me një valixhe e tri arka me libra, që më kushtuan nja 1500 USD. Këtë punë bëra edhe në Danimarkë, ku shkova fill pas kthimit nga Amerika dhe dy vjet më vonë në Bremen të Gjermanisë, pastaj edhe gjatë viteve 1998-2001, kur punova në Universitetin e Palermos. Pas kthimit nga Amerika e deri në vitin 2002, iu vura leximit të gjithë kësaj literature. Fryt i këtyre leximeve janë një varg artikujsh si dhe “Hyrja në gjuhësi” e 2002-shit dhe “Gjuhësia gjenerative”, me të cilat kam ndikuar për njohjen e drejtimeve të reja në gjuhësinë botërore nga një pjesë e kolegëve, nga studentët dhe nga studiuesit e rinj që kualifikohen pranë Universitetit të Tiranës. Kjo më bën të ndihem krenar, se jo vetëm kam shlyer një borxh moral ndaj shtetit amerikan, që më dha bursën, po edhe kam çelur një drejtim të ri kërkimesh, që po konkretizohet me botime artikujsh, tekstesh e monografish gjuhësore.
5. Është i njohur kontributi juaj në fushën e gjuhësisë, megjithatë mund të na njihni me disa nga punimet e botimet tuaja në këtë fushë?
Njeriu nuk kënaqet kurrë me atë që ka bërë dhe kjo është ajo që e shpie botën përpara. Edhe unë nuk jam i kënaqur me ç’kam bërë deri tani dhe, meqë kam arritur një moshë të madhe, më ka zënë frika se a do të mund t’i realizoj ato që kam në mendje.
Pa ndonjë ndjenjë vetëkënaqësie, mund të them se diçka kam bërë. Kam mjaft artikuj për çështje të gjuhës në revista gjuhësore të vendit dhe të huaja; kam shkruar edhe në shtypin e përditshëm për çështje të gjuhës, nganjëherë edhe për çështje të politikave ndaj arsimit të lartë, po duke bërë shumë kujdes për të mos lënë profesionin për t’iu kushtuar politikës. Veç artikujve, kam botuar edhe tekste e monografi. Nga tekstet, po përmend “Hyrje në gjuhësi (bashkautor 1986, 1990 dhe autor 2002) dhe Shqipja standarde (2002) etj.; kurse monografitë janë: “Morfonologji e eptimit të gjuhës së sotme shqipe” (1989), “Gjuhësia gjenerative” (2003) dhe “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnografike” (2003).
6. Cilat janë gradat shkencore që keni fituar dhe koha e marrjes së tyre?
Kam marrë të gjithë titujt shkencorë. Gradën “Doktor i shkencave” në gjuhësi e kam marrë në vitin 1985, titullin “Profesor i asociuar” më 1995 dhe titullin “Profesor” më 2004. Siç shihet, ka një shkëputje pak të madhe nga shkalla në shkallë, po kjo ka ardhur edhe për arsye normale të maturit, edhe për shkak të lëvizjeve të mia të shumta në periudhën e fundit.
7. Në opinion njiheni si pedagog i zoti, po edhe mjaft i “vështirë” në lëndën tuaj. Ç’mendim keni?
Gjuha është afër matematikës. Ashtu si në matematikë 2 + 2 bëjnë 4, edhe në gjuhë emri nuk mund të jetë folje. Këto veçori të lëndëve të vështira janë nënvlerësuar që në kohën e socializmit, kur të dalluar shpalleshin mësuesit e fizkulturës, të muzikës, të punës praktike apo të historisë e të biologjisë, që kishin kalueshmëri 100%. Kjo psikologji vijon, për fat të keq, edhe sot e gjithë ditën. Përveç kësaj, sëmundja tjetër që e ka pushtuar shkollën tonë që nga viti 1980 e këndej janë ndërhyrjet për notë të pamerituar. Përpjekja për të fituar diçka të pamerituar është bërë pjesë e psikologjisë sonë kombëtare, që na pengon të kemi cilësi dhe të integrohemi në Europë. Unë kurrë nuk i kam pranuar ndërhyrjet, sepse të kalosh ose të vësh një notë të lartë të pamerituar, do të thotë të abuzosh me detyrën e shenjtë të mësuesit, ta shpërdorosh atë, ashtu si ai nëpunësi i korruptuar që merr ryshfet për një shkresë apo favor që bën. Pra, dembelët, ata që gjithë jetën janë rritur me biberon, më gjykojnë si të ashpër; po shumica e studentëve, kur shohin se ai që nuk ka mësuar merr notë pozitive ose më të mirë se ata, më respektojnë për trajtimin e njëjtë që u bëj dhe respekti i tyre mua më mjafton.
8. Kohët e fundit keni filluar t’i kushtoheni edhe historisë. Sapo keni botuar dy libra historikë mjaft të lexuar, “Histori e Kurveleshit” dhe “Himara”. Është kjo fusha e dytë që doni t’i kushtoheni, apo një detyrim moral si bir i Labërisë?
Në të vërtetë, kurioziteti për historinë nuk më ka munguar, pasi ne jemi rritur në një mjedis epik. Këngët e luftës, rrëfimet e prindërve për luftërat me turkun, grekun, italianin e gjermanin janë ato që na e kanë ushqyer interesin për historinë. Labëria është një nga krahinat e pakta të vendit ku flaka kombëtare nuk është shuar kurrë, kurse Kryengritja e Tanzimatit e shpërndau këtë flakë nëpër të gjitha trojet shqiptare, duke shërbyer si tharm për Lëvizjen Kombëtare për Pavarësi.
Po marrja ime me histori është rastësore. Në vitet ’60, me orientim të Komitetit Qendror të PPSH-së, kishte filluar puna për hartimin e historikëve të Luftës nacionalçlirimtare të fshatrave, që u pasua nga fundi i kësaj periudhe me projektet për historikët e krahinave. Qe krijuar edhe një komision për historikun e Kurveleshit, kryetar i të cilit ishte caktuar i ndjeri Bexhet Mema, atëherë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Farnave, me qendër në Tiranë. Nuk di pse na zgjodhën mua dhe Bedo Bishën për t’u marrë me këtë punë, ishim më të mirët apo të vetmit?! Ishim që të dy drejtorë shkollash, unë në Vranisht dhe Bedua në Kuç, po na zëvendësuan me të tjerë dhe na sollën në Tiranë, ku na u komunikua nga zoti Bexhet se do të punonim për hartimin e historikut Luftës nacionalçlirimtare të Kurveleshit. Pasi u pajisëm me vërtetime, filluam kërkimet në arkiva e biblioteka. Afati ishte tre muaj, por doli se kjo kohë ishte e pamjaftueshme. Mua më lejuan të qëndroja, kurse Bedon jo, kështu që gjithë puna më mbeti mua. Pasi e binda z. Bexhet se duhej përfshirë edhe periudha para Luftës, pasi Kurveleshi kishte luajtur një rol shumë të rëndësishëm në qëndresën kundërosmane, u lejova të vijoj punën deri në fund të vitit, gati 10 muaj. Gjatë kësaj kohe vola materiale nga arkivat dhe Bibliotekat në Tiranë, në muzetë e Gjirokastrës e në fshatrat e Kurveleshit dhe, në fund të vitit, kisha gati një dorëshkrim prej 300 faqesh. Nuk di pse materiali më mbeti mua (ishte një kopje e vetme e shkruar me laps) dhe nuk u diskutua, siç bëhej atëherë.
Ndërkohë u ktheva në arsim, pas dy vjetësh u transferova në Llakatund dhe pastaj në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku filluan obligime të tjera që nuk më linin të merresha me historikun, ndonëse herë pas here e hapja dorëshkrimin e në ndonjë rast edhe merresha me vjeljen e literaturës historike, që ishte shtuar shumë. Ngjarjet e vitit 1997 më shkaktuan një tronditje të thellë dhe më bënë ta lija për pak kohë gjuhësinë. Vitin tjetër u dërgova në Universitetin e Palermos si lektor i gjuhës shqipe. Atje pata mjaft kohë të lirë dhe iu rifuta punës për mbledhje materiali në bibliotekën e Universitetit dhe të komunës së Horës së Arbëreshëve, ndërsa gruaja e hodhi dorëshkrimin në kompjuter. Pas ca kohe, fillova rishkrimin, duke shtuar edhe pjesën për periudhën midis dy luftërave. Po përsëri nuk isha i kënaqur dhe nuk e quaja të përfunduar.
Nja dy vjet pasi u ktheva në Tiranë, ndodhën ngjarjet në zgjedhjet vendore të Himarës. Duke biseduar për to aty nga mesi i tetorit 2003 me botuesin Fatmir Toçi, e pyes: “Po sikur të shkruaj një libër për Himarën, e boton?” Ai pranoi dhe kështu iu vura punës për librin “Himara”, që e mbarova në fund të vitit, meqenëse një pjesë të çështjeve i kisha trajtuar në artikuj të botuar ose në dorëshkrimin për Kurveleshin. Pra, libri “Himara” lindi rastësisht, më shumë nga dëshira për të thënë të vërtetën për këtë krahinë, si bir i Labërisë. Po pas botimit të këtij libri, ishte Fatmiri ai që më shtyu edhe për botimin e historisë së Kurveleshit. Viti 2004 përkonte me 60-vjetorin e çlirimit të krahinës dhe ai më propozoi ta botoja me këtë rast. Lashë çdo punë tjetër dhe për pesë muaj e kalova edhe një herë materialin, duke bërë shumë ndryshime e plotësime dhe, aty nga fundi i majit 2004, e dorëzova për botim. Por botimi kushtonte katër milion lekë të vjetër dhe për këto kërkuam ndihmë nga kurveleshas. I vetmi që na u përgjigj, ishte i ndjeri Enver Guga nga Progonati, që merrej me biznesin e barnave mjekësore, i cli na ofroi gjysmën e shumës. Gjysmën tjetër, duke mos gjetur ndonjë sponsor, e ndamë me zotin Toçi.
Ndryshe nga i pari, ky libër është fryt i një pune më se 30-vjeçare dhe me ndihmesa serioze për ndriçimin e historisë së Kurveleshit dhe të Labërisë. Me përfundimin e tij, arrita të shlyej një detyrim edhe moral ndaj krahinës, por edhe material ndaj shtetit, që më pagoi gati një vit për këtë punë. Se sistemet dhe qeveritë ndërrohen, po shteti mbetet dhe i duhen shlyer borxhet. Pra, nga kjo anë jam i qetë. Po ajo që më shqetëson, është se ky libër ka qarkulluar pak, ndërkohë që për çdo familje kurveleshase duhej ta kishte në bibliotekën e vet. Aty kanë historinë e fshatit të tyre, të krahinës së tyre, emrat e të parëve dhe plot të dhëna të tjera për zakonet dhe traditat e krahinës. Vërtet, libri ka një çmim të lartë, por kostoja e tij është e lartë, paçka se me botuesin, kundër kërkesës së ekonomistit, që propozoi një çmim prej 1500 lekë të rinj, vendosëm çmimin aktual.
Sa për pjesën tjetër të pyetjes, them se do të merrem me histori vetëm në raste të rralla, pasi historia kërkon kërkime në arkiva dhe për këto nuk kemi më kohë e as moshë. Megjithatë, kam një dëshirë, që po ia them “vetëm gazetës”, për të shkruar diçka për Maqedoninë e vjetër. Nuk di a do ta bëj!
9. Si intelektual keni kontribuar mjaft për vendlindjen, megjithatë redaksia e gazetës tërheq vëmendjen për një angazhim më të madh të të gjithë intelektualëve kallaratas. Cili është mendimi juaj?
Tregojnë se njëherë te Kadiu shkoi dikush për t’u ankuar. Kadiu e dëgjoi me vëmendje dhe i dha të drejtë. Pas tij erdhi personi për të cilin u ankua ai që qe para tij. Edhe këtij kadiu i dha të drejtë. Djali i kadiut, që praktikohej pranë të atit, i tha: Po si, o baba, të dy kanë të drejtë?” Kurse kadiu iu përgjigj: “Edhe ti ke hak, biri i babait.” Pra, redaksia ka të drejtë, sepse mbahet me përpjekjet e një redaksie që shumicën i ka të moshuar dhe që nuk mund të bëjnë dot më shumë. Por edhe unë kam të drejtë, pasi, e para, kam shumë detyrime të tjera të punës, dhe, e dyta, nuk jam në Vlorë, gjë që do të më nxiste për t’u aktivizuar më shumë. Megjithatë, si shenjë autokritike, i ofroj gazetës librin tim Himara (në formë elektronike) për ta botuar pjesë-pjesë. Nëse pranojnë, jam gati.
10. Ç’mendim keni për veprimtarinë e deritanishme të shoqatës “Kallarati” dhe të gazetës së saj. Ku duhet të synojnë ato në të ardhmen?
Krijimi i shoqatës ka qenë një gjë shumë e mirë, sepse nëpërmjet saj bashkëfshatarët afrohen e lidhen më shumë me njëri-tjetrin. Po funksionimi i tyre kushtëzohet edhe nga rrethanat e sotme. Njerëzit janë të zënë me halle e probleme, kështu që jo gjithnjë janë gati të marrin pjesë në veprimtaritë e saj. Puna është të ketë veprimtari dhe disa të tilla të bukura janë organizuar si në Kallarat apo dhe në qytete. Për qytetet, problem është vendi ku mund të takohen, një pikë ku mund të takohen edhe rastësisht. Në Tiranë, p.sh., një pikë e tillë më duket se mund të jetë në klubin e Luan Jonuzit, diku aty afër 21 Dhjetorit. Biznesmenët kallaratas edhe në Tiranë, edhe në Vlorë do të ishte mirë ta shihnin mundësinë e hapjes së një lokali – kafene, restorant – ku njerëzit mund të shiheshin e të pinin një kafe bashkë.
Djemtë e rinj me shkollë, nëse kemi të tillë, do të ishte mirë të përpiqeshin për të hapur një faqe në internet, ku mund të hidhej së pari gazeta, po dhe materiale të tjera me vlerë, deri edhe njoftimet familjare, siç e bëjnë tani fterrjotët. Edhe unë do të ndihmoja me materiale për të drejtat e emigrantëve dhe konventat ndërkombëtare e europiane për të drejtat e njeriut, me materiale historike etj, nga të cilat kam shumë në kompjuter.
11. Ka nisur puna për hartimin e enciklopedisë së Kurveleshit. Ç’duhet bërë në këtë drejtim që Kallarati të zërë vendin që meriton në këtë enciklopedi?
Me sa kam dijeni, diçka po bëhet. Ku duhet bërë më shumë, është të pasqyrohen ngjarjet, zakonet, festat e fshatit dhe këtë mund ta bëjnë ata që kanë jetuar në fshat për një kohë të gjatë, të cilët ose mund të shkruajnë vetë për to, ose t’u merren tregimet e tyre nga djem me shkollë. Dhe në Vlorë, sidomos, të tillë ka. Llambro e Lefter Hysi janë dy prej atyre që mund të bëjnë më shumë, por edhe të tjerë që unë nuk i njoh. Platforma e enciklopedisë është botuar në gazetë.
12. A mund të na tregoni se cilat mund të jenë disa nga planet tuaja krijuese e shkencore në të ardhmen?
Plane kam, por e kam të vështirë të flas për to. Është më mirë të flas kur t’i realizoj.
13. Duke përfunduar intervistën, cili do të ishte mesazhi juaj për kallaratasit kudo që ndodhen?
Së pari, u uroj të gjithëve shëndet, lumturi familjare dhe suksese në punët që bëjnë. Së dyti, kam edhe një dëshirë. Kallarati ka qenë i dëgjuar nga jugu në veri si fshat i njerëzve trima e të ndershëm. Kjo nuk është furçë. Kam takuar shkodranë, mirditorë, krutanë, që, kur kanë marrë vesh nga jam, kanë recituar vargjet: “Kallarat, Kuç e Bolenë/ në lumë e zunë dyfekë…” dhe jam ndier krenar. Po sot kohët kanë ndryshuar ca dhe jo të gjitha vetitë kanë vlerën e dikurshme. Këshilla ime është që sot kallarat të shquhen për ndershmëri e dituri. Të kemi sa më pak të rinj në burgje për drogë e vjedhje; të mos kemi vrasës e të droguar. Dhe, për t’i pasur këto, fëmijët dhe të rinjtë duhen nxitur të shkojnë në shkollë dhe të mësojnë, sepse njeriu që ka tru, nuk ecën kuturu. Së fundi, megjithëse koha e trimërisë ka ikur, të tregohemi një çikë patriotë, duke ndihmuar për vepra publike e bamirësie për fshatin, sikurse bëjnë ca djem në Greqi, që paguajnë për mirëmbajtjen e varrezave etj. Dhe ata që kanë njohuri e para, të mos i lënë lëndina arat e fshatit, po të shohin ç’kultura apo ç’drurë frutorë me fitim mund të kultivohen.
Faleminderit për intervistën tepër interesante që dhatë dhe në emër edhe të lexuesve të gazetës u urojmë shëndet e suksese në realizimin e planeve tuaja të ardhshme.
Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ
Botuar ne gazeten Kallarati, 2004