Hiqmet Meçaj me dy libra të rinj: KUJTESË E SHPIKUR DHE ÇIKPAKU

Hiqmet Mecaj

1. KUJTESË E SHPIKUR

(Botim i kolanës së zgjedhur të poezisë shqipe, prill 2009,me redaktor prof Agim Vincën, shoqëruar me një studim të gjerë të tij.)

Lloji: Poezi të zgjedhura

Shtëpia Botuese: Toena

ISBN: 978 – 99943 – 1 – 476 – 8

Formati: 14 x 20

Faqe: 356

Çmimi: 600 lekë (5 euro)

___________________________________________________________________________________

2. ÇIKPAKU, roman

(Botim i ri i shtëpisë botuese Mësonjëtorja, Tiranë 2009.Ky roman është përfshirë në programet mësimore të Ministrisë së Arsimit.)

Shtëpia Botuese: Mësonjëtorja

ISBN: 978 – 99943 – 35 – 95 – 4

Formati : 14 x 21

Faqe: 168

Çmimi: 500 lekë (4 euro)

___________________________________________________________________________________

Vlerësime për poezinë e autorit

Agim Vinca

Hiqmet Meçaj në poezinë e sotme shqipe është një zë i qartë e origjinal. Meçaj është poet me kulturë e përkushtim krijues, që e ndien pulsin e jetës dhe ndjek zhvillimet aktuale të poezisë, por nuk flirton me trillet e modës. Poezia e Hiqmet Meçajt ka larmi temash dhe formash shprehëse. Ai është poet që arrin të vendosë baraspeshën ndërmjet fjalës dhe idesë, formës dhe përmbajtjes, intimes dhe shoqërores, lokales dhe universales, modernes dhe tradicionales. Ritmi dhe mendimi tek ai janë po ashtu në harmoni. Ritmi ndjek mendimin; mendimi përcakton ritmin.

Moikom Zeqo

“Poeti i vërtetë mbetet poet i vërtetë në të gjitha kohërat. Shkruan shumë mirë në prozë, gjë që e dëshmon me romanin e fundit.”

Visar Zhiti

Hiqmet Meçaj është emër i njohur në poezinë bashkëkohore shqiptare. Ritmet e emocioneve të tij, sa qytetare aq dhe me frymë origjinale labe, gjithmonë duke rënduar drejt lirisë së individit, sa i veçantë aq dhe universal, kanë marrë ngjyrime të reja, bashkë me atë të dheut-amë dhe të një qielli gjeneral dhe prapë të një qielli tjetër, përplasja e të cilëve jep dritë të beftë.

Mihallaq Qilleri

Duhet të pohoj se është një kënaqësi për lexuesit të ketë në dorë një libër me poezi të vërteta. “Vetëvrasja e qirinjve” është jo vetëm një vlerë kombëtare në letërsi, por po të lexohet me kujdes, faqeve të tij do të ndihet gjithë diagrama e tentativave novatore të viteve të fundit. Hiqmet Meçaj është jo vetëm një poet i lindur, por edhe një intelektual klasi që analizën e viteve të tranzicionit shqiptar e bën si rrallëkush, pa ripërsëritjen tragjike të ithtarëve të luftës së klasave, që ia hodhën atë shoqërisë shqiptare mbi shpinë, kur ajo qe plagosur keqas.

Robert Goro

Poezia, dhe tash së fundi proza e Hiqmet Meçajt, është nga letërsitë më të bukura në shqip që kam lexuar në vitet pas ndryshimit të sistemit. Hiqmet Meçaj është një nga provat e pakta të ndryshimit, sado që të rrudhin buzët me mospajtim kritizerët e grafomanët e dështuar, të cilëve shqipja nuk u ka asnjë faj.Poet i mirënjohur, simbol i letërsisë vlonjate.

Marash Mëhilli

Hiqmet Meçaj mund të renditet më së miri në ajkën e poetëve tanë bashkëkohorë. Kjo shpjegohet me prezencën në tekste shkollore e antologji, me çmimet e fituara në rrafsh kombëtar, me vëmendjen e tendosur të kritikës e kryesisht me ndikimin e gjerë te lexuesit.

Romanin “Kukullat e pyllit”, mund ta quaj “stoli artistike”, krahas librit me tregime “Për askund”.

Vasil Vasili

Një nga zërat më përfaqësues të poezisë sonë moderne, është rregulluar aq bukur në tempullin e fjalës, sa asnjëherë s’më kishte shkuar nëpër mend se do të kishte gjetur edhe një ngastër ku do të lëronte tokën e ashpër të romanit.

Ridvan Dibra

Kam lexuar poezitë dhe tregimet e Hiqmetit. Më kanë bërë përshtypje të thellë sidomos tregimet: është një prozator i mrekullueshëm. Sinqerisht ndihem disi në faj që s’e kam lexuar më herët…

Murat Aliaj

Pa asnjë dyshim që lexuesi do të ketë fatin të marrë në dorë një libër mjaft serioz, i cili ka nderin të qëndrojë hijerëndë përkrah autorëve më të mirë shqiptarë. Librin me poezi të zgjedhura “Kujtesë e shpikur” e lexova dy herë. Këtë ma imponoi vetë lënda, e bollshme, e larmishme dhe mbi të gjitha cilësore.

Myslim Maska

Kur mbaron së lexuari librin “Kujtesë e shpikur”, bie befas në një gjendje hutimi e turbullimi, ashtu si na ndodh të habitemi për një çast para të bukurës. Kjo bukuri tronditëse estetike na mbërthen e na bën për vete, jo vetëm për strukturën apo mënyrën e kompozimit si një dantellë e brishtë, por edhe për përzgjedhjen, nëntekstin dhe aftësinë sugjestionuese për të depërtuar dhe zhbiruar në thellësi të mistereve të njeriut. Poezia e tij buron natyrshëm, pa shtrëngim e sforcim, plot figura të freskëta e befasuese, si në rininë e hershme, ashtu dhe në vazhdim, me një problematikë tjetër “të padukshme”, me një sintaksë elastike dhe origjinale.

Novruz Abilekaj

Nëpër fletën e bardhë të këtij vëllimi (pra, jashtë e përtej shkronjave), lëviz një filozofi unike, e cila i përket Hiqmetit dhe rrezatohet nga dielli që ekziston vetëm brenda tij.

Mendoj se kjo përzgjedhje, “Kujtesë e shpikur”, do të mbetet dinjitoze në letërsinë shqiptare, posaçërisht në biografinë e poezisë shqipe.

Odise Goro

Poeti emërndritur vlonjat, me thellësinë dhe qartësinë e ideve që përcjell, ia shprish qetësinë lexuesit, i ngjall atij shqetësimin.

Mirësia e zemrës dhe kthjelltësia e mendjes janë guri i themelit të krijimtarisë së tij të begatë. Me zgjuarsinë dhe intuitën karakteristike zhbiruese, poeti Hiqmet Meçaj thur vargje të fuqishme, njerëzore, me elegancë dhe finesë të papërsëritshme, që s’janë gjë tjetër veçse shkallë ngjitjeje fisnike në udhën gati pesëdhjetëvjeçare të muzës së tij poetike.

Vargjet e tij kanë një thjeshtësi mahnitëse. Ato u ngjajnë gurëve të rëndë e me peshë, të skalitur në qoshe e qemerë, që ruajnë gjatë e të paprekur bukurinë, qëndrueshmërinë, madhështinë e përsosmërinë brez pas brezi.

Përgatiti: Andi Meçaj

E Diele, 12 Korrik 2009

Next Post

SAIMIR STRATI, FITUES PER HERE TE GJASHTE I ÇMIMIT GUINNESS

Die Maj 27 , 2012
Tashmë Saimiri me gjashtë çmime të Guinness është një rast i rrallë jo vetëm për vendin tonë po e po, por edhe në botë.. Por kush është Saimiri? Saimiri, i biri i Sinanit dhe Zilos, është lindur më 11 Prill 1966, në qytetin e Vlorës, rritur në Fier dhe banues […]
Saimir Strati