JE LARG DHE…

Hiqmet Mecaj

Sonte e mbolla një këngë,
po s’ishte këngë, po brengë,
as brengë nuk ishte, as dert,
atëherë çfarë është vërtet?

Në mallit i thua je këngë,
në këngës i thua je brengë,
në brengës i thua je dert,
atëherë çfarë është vërtet?

Kur nëna të vjen nëpër ëndërr, 
i thua brengë apo këngë,
i thua këngë apo dert,
atëherë çfarë është vërtet?

Kur vjen nëpër ëndërr e ikën,
as këngë nuk ndjen e as brengë,
po mbytesh në ankth e në dert,
atëherë çfarë është vërtet?

Je larg dhe dot nuk të puth,
kjo s’është këngë, po brengë,
as brengë nuk është, as dert,
atëherë çfarë është vërtet?

2000