Kallarati. Fshat i K. Poshtëm, pjesë e komunës së Vranishtit të rrethit të Vlorës (JP), në të dy anët e rrjedhjes së sipërme të Shushicës. Kufizohet nga lindja me Bolenën, nga jugu me Kuçin, nga perëndimi me Pilurin dhe Himarën, kurse nga veriu me Vranishtin. Kallarati ka një sipërfaqe me gjithë tokat bujqësore dhe kullotat prej 30 km².
Tokat e bukës shtrihen kryesisht në të dy anët e lumit të Shushicës dhe në zonën kodrinore. Kodrat zënë rreth 50% të sipërfaqes së territorit të tij. Është fshati më i ulët i gjithë Kurveleshit, në në lartësinë mesatare 354 m mbi nivelin e detit. Si rrjedhim, ka një klimë jo të ashpër, që ftohet vetëm kur fryjnë era e lindjes ose garbia nga qafa e Shëngjergjit.
Emri i fshatit përmendet për herë të parë në defterin osman të vitit 1432 në trajtën Ka(l)lojrat e më 1507 Kiljorat, pastaj Calojerates në dy letra, njëra dërguar papës më 1581 dhe tjetra careshës së Rusisë më 1759. Prapashtesa -at, një prapashtesë e vjetër iliro-shqiptare për emra fisesh, ka pushuar së përdoruri qysh prej kohësh shumë të vjetra. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një fshat të fillimit të mijëvjeçarit të dytë, të një moshe me Zhulatin e Papa Zhulit apo Progonatin e Progonit. Sa i përket pjesës tjetër kallar-, kjo sot nuk ngjan me ndonjë fjalë të shqipes. Por trajta Calojerates e dokumentit italian, e cila përsëritet edhe në dokumentin grek të 1759-ës, të shpie te rrënja kallojer. Në Kallarat, me këtë emër quhen larvat e zeza me bisht të bretkosës; por tek arbëreshët e Italisë kjo rrënjë del si emër personi dhe si mbiemër. Pra, Kallarat do të thotë pasardhës i Kallojerit, që është themeluesi i fshatit.
Fillimisht, fshati ka qenë i vendosur në Kunjovë (shih), çka dëshmohet nga toponime të tilla, si Qafa e Kallarate dhe Arat e Gjokone. Sipas një kënge të vjetër, ka qenë një fshat i madh, me dyqane e me xhami. Më vonë, u shpërngul në rrëzë të malit të Bogonicës (shih), në vendin e quajtur rrëza e Pelingrisë, në lartësinë 423 m mbi nivelin e detit. Gërmadhat e shtëpive të ndërtuara në një shpat mali me formën e një gjysmë sfere që sheh nga lindja, i formuar nga rrëshqitjet malore. Braktisja e vendbanimit të vjetër dhe vendosja rrëzë të malit të Bogonicës është bërë rreth viteve 1660 dhe 1720 nga shkaku i sëmundjes së kolerës. Atëherë shumë banorë të tij u shpërngulën edhe në fshatra të tjera, si në Pilur, Borsh, Piqerras, Sasaj, Lukovë, Shën-Vasil e gjetkë. Pasi u dogj nga grekët në vitin 1914 (89 shtëpi të djegura, me popullsi 567 banorë), banorët e braktisën fshatin, nga i cili sot ruhen rrënojat e shtëpive dhe toponimi “Fshati i Djegur”, dhe u vendosën pranë arave, në të dy krahët e lumit. Por në vitet ’60–’80, banorët e krahut të djathtë i braktisën shtëpitë dhe u vendosën në krahun e majtë të lumit, nga Morreza në Qafën e Ubavit, përgjatë rrugës automobilistike Vlorë–Kuç.
Kallarati përbëhet nga 7 mëhallë: Gjinaj, Gjokon, Gjëzes, Mërtigjin, Misërgjon dhe Qesëraj, të cilat degëzohen në vëllazëri të shumta. Në regjistrin osman të tokave të sanxhakut të Shqipërisë del me 43 shtëpi, pra si një nga fshatrat e mëdha të Kurveleshit. Më 1854 del me 150 banorë, më 1914 me rreth 100 shtëpi, kurse më 1927 me 552 banorë. Deri afër fundit të shek. XX, numri i shtëpive të fshatit ka qenë rreth 100 dhe i banorëve rreth 500. Por me hapjen e vendit dhe lëvizjen e lirë të popullsisë, pjesa dërrmuese e familjeve u largua duke u vendosur në qytete, sidomos në Vlorë e Tiranë, kurse të rinjtë emigruan në Greqi e Itali, duke tërhequr më vonë edhe familjet ose duke krijuar familje në dhe të huaj. Në fshat tani kanë mbetur rreth 20-30 familje me të moshuar.
Sa i përket besimit, nga një raport i viteve 1716–1720 i misionarëve bazilianë të Himarës, Kallarati mbetej ende një ndër 14 fshatrat e krishtera të krahinës së Himarës. Deri më 1759, po t’i besojmë letrës së krerëve të Himarës, në të cilën thonë se janë të krishterë të besimit ortodoks, familjet myslimane në Kallarat kanë qenë ende në pakicë. Islamizimi duhet të ketë marrë hov nga fundi i shek. XVIII dhe ka përfunduar në fillim të shek. XIX. Edhe duke numëruar brezat, emrat e krishterë dalin 8 breza më parë, dmth. afro 200–240 vjet më parë popullsia ka qenë e krishterë. Me ndërrimin e fesë, edhe Kallarati ngriti objekte fetare, si xhamia në qendër të Fshatit të Djegur dhe, pas djegies së fshatit, në vitin 1916 xhamia u ndërtua te burimi i Morrezës, po nuk u përdor për shërbime fetare, pasi u kthye në shkollë.
Në tërësi, shtëpitë janë prej guri dhe janë një- e dykatëshe. Fshati i vjetër ka pasu pamjen e një qyteze, me shtëpi dykatëshe dhe me rrugica që zbrisnin në fund të fshatit. Por në vitet e kolektivizimit, muret e mbetura u prishën dhe gurët u përdorën për ndërtimin e shtëpive në Morrez, kështu që sot rruhen vetëm fragmente muresh dhe themelet e shtëpive. Modeli i shtëpive të vjetra është ruajtur vetëm në shtëpinë dykatëshe të Qejvane, me portë, avlli, murin dhe rrethinat e saj, e cila ruhet ende. Për të lidhur fshatin, që ndahet në mes nga Shushica janë ndërtuar pasarela (vinxha), si ajo e Lëmëplakut, që është më e vjetra, vinxha e Gjone dhe e përroit të Brate, që janë më të reja. Kallarati ka pasur tre mullinj: i Toçe, i Bodeit dhe i Lëmëplakut, ku bluanin edhe nga fshatrat fqinjë. Kallarati që në shek. XVIII ka pasur edhe kovaçhanë.
Kallarati ka pasuri të shumta ujore. Lumi i Shushicës e përshkon territorin e tij në gjithë gjatësinë prej 6 km. Ujërat e tij është shfrytëzuar për ujitjen e fushave që ndodhen në të krahët. Që në shek. XIX janë ndërtuar disa kanale ujitëse dhe ura të vogla prej guri (akuadukte), si kanali i Fierit, i Lëmëplakut, i Rapetës dhe i Kurpicës. Nga fundi i shek. XX, në Varth, në Povël dhe në përruan e Gjorme u vendosën stacione elektropompash për ngritjen e ujit në lartësi dhe ujitjen e tokave mbi ujë.
Kallarati ka disa burime, si: burimi i Valit në Bogonicë, Ujët e Gurëve, burimi i Gurrës, Bashait, Qesarules, Morrezës, Nikolagjit, Gjone, Gjoçalit, përroit të Gjorme, Gropës së Muçe, Prodës dhe pusi i Toçe në Morrez (tani jashtë përdorimit).
Territori i Kallarati ka qenë shumë i pasur me pyje e kafshë të egra. Pyjet me lisa të Trapit të Fiqe, të Vanrës, të Shelqit e Ramanait etj., pylli me rrepe në Morrëz, pylli në Brinjën e Ilqes zinin 40% të sipërfaqes së territorit të fshatit. Ruhen drurë të veçantë disa qindravjeçarë, si rrapi mbi 300-vjeçar i xhamisë së Konjiveshe, prralli mbi 250-vjeçar i Reçe në qafën e Ubavit, arra mbi 200-vjeçare e Golloshe në Basha, fiku i Fatos në Ubav mbi 150-vjeçar. Brigjeve të lumit dhe të përrenjve mbizotërojnë rrapi e shelgu, mareja, mretja, në kodrat e krahut të djathtë prralli, mbretja e dëllinja, kurse kodrat në krahun e majtë të lumit janë të mbuluara me mare e shqopë, dhe më pak mbrete, prrall e dëllinjë. Në pyjet rrëzë malit rritet ilqja, qelbësi e dëllinja etj. Gjenden edhe murrizi, thana, frashri etj. Kati i dushkut shtrihet nga kodrat buzë lumit e deri afër rrëzës së malit dhe ka dushqe të llojeve të ndryshme, si të butë, shpardh, qarr etj., të përzier me panjë, dhe ilqe; kati i halorëve, që ngrihet mbi të, ka bredh, krekëz, mëllezë e rrobull, që gjenden në shpatin lindor të Bogonicës. Në lartësinë 1400–1500 m shtrihet zona e kullotave verore, që përfshijnë majën e Bogonicës, Gjothanasin, Valet, majën e Zogut, ku dominon bimësia barishtore dhe me drurë të rrallë, si murrizi, kumbulla e egër dhe shkurre arithi. Në territorin e Kallaratit ka edhe bimë të shumta me vlera industriale dhe mjekësore, si dafina në Bogonicë, dëllinja, çaji i malit, rigoni, trumza, dafina, bari i bletës etj. Si rrjedhim i shfrytëzimit pa kriter të mbulesës bimore, i prerjes për dru zjarri, qymyr e shtylla për minierat, por edhe i djegies për t’i kthyer në kullota ose tokë arë, kanë pësuar dëme të mëdha jo vetëm pyjet, por edhe kafshët egra dhe zogjtë e shumtë. Sot në pyjet e Kallaratit mund të ndeshesh me ujkun, dhelprën, lepurin, kunadhen dhe më pak derrin e egër. Deri në prag të L2B ka pasur edhe sorkadhe. Nga shpendët, përveç grabitqarëve dhe shpendëve të vegjël, gjenden edhe pëllumbi i egër dhe thëllëza: pëllumbi i egër zbret dimrit me tufa të mëdha në pyjet e Shelqit dhe të Ramanait për lënde; thëllëza e egër gjendet në Gjothanas e Bogonicë, por dimrit zbret edhe më poshtë.
Ndër monumentet natyrore të Kallaratit janë mali i Bogonicës (sllav. bog “zot”) (shih), i quajtur kështu nga sllavët mbështetur në traditën vendëse, që e mbante këtë mal si vendin e zotave. Midis Bogonicës dhe malit të Skëndolleshit (1382 m) ndodhet Lëmi i Lejlerëve (shih), ose Lëmi i Shenjtorëve. Në këtë vend, të cilin tradita popullore e krahinës e mban si të shenjtë, deri para myslimanizimit të Labërisë bënin pelegrinazhe si fshatrat në rrjedhjen e sipërme të lumit të Shushicës edhe ato të Bregut të Detit. Monumente të tjera janë Honi, një çarje e madhe në faqen lindore të Bogonicës, vend shumë i përshtatshëm për ngjitje alpinistike dhe Guri i Hijes, një shkëmb masiv në formë paralelpipedi, i cili përdorej nga barinjtë e fshatit si pikë orientimi për të nxjerrë bravaret në kullotë mbasdite gjatë stinës së verës.
Përmendja e Kallaratit në dokumente duke filluar që nga shek. XV, do të thotë se ka qenë një pjesëmarrës aktiv në të gjitha lëvizjet kundër pushtimit osman. Banorët e tij kanë marrë pjesë në të gjitha kryengritjet e mëdha, duke filluar me kryengritjen e Gjergj Arianitit më 1432, në kryengritjet e përgjakshme të viteve 1481–1537, që e bënë të njohur krahinën e Himarës në Europë, deri në shpalljen e Pavarësisë. Çipini i Bolenës, në këmbë të cilit ishte Kallarati i vjetër, gjatë kryengritjes së vitit 1492 shërbeu si një nga malet ku popullsia dhe luftëtarët e krahinës u bënë një qëndresë heroike hordhive të sulltan Bajazitit, duke e detyruar të tërhiqej me turp dhe t’i njihte krahinës venomet.
Kallarati, krahas Kuçit, Vishatit, Çorrajt, Vakajt dhe Istariçes, është një ndër 26 fshatrat e sanxhakut të Vlorës për të cilat në një dokument osman të 15 majit 1507 thuhet se “në defterin e haraçit janë shënuar si kryengritëse dhe kokëforta”. Ky fshat ka kontribuar jo vetëm duke marrë pjesë me armë në të gjitha kryengritjet e Himarës (Labërisë), por edhe duke u përfaqësuar me pleqësinë e tij në kuvendet e krahinës të viteve 1577 e 1581, të cilat iu drejtuan për ndihmë papës së Romës, dhe në kuvendin e 1579-ës, që i kërkoi ndihmë careshës Elisabeta të Rusisë.
Kallarati nuk pati marrëdhënie të mira as me Ali Pashë Tepelenën. Kjo vërtetohet nga një fragment i një dokumenti të kohës, në të cilin thuhet se në Korfuz ishte bërë “një marrëveshje midis shqiptarëve dhe grekëve për të kundërshtuar shtypjen feudale të Ali Pashës”. Pjesë e kësaj marrëveshjeje qe edhe miratimi i një shume të hollash që do t’u jepej si ndihmë fshatrave pjesëmarrëse në kryengritje, nga të cilat Kuçit i jepeshin 7000 piastra, Kallaratit 4500 dhe Gusmarit 6300.
Kur nisi vala e kryengritjeve të mëdha të gjysmës së parë të shek. XIX, Kallarati mori pjesë masive në to. Në kryengritjen e vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit luftëtarët e Kallaratit u prinë nga Dervish Alikua (Kallarati), Lame Petani, Meçe Haxhiu e Birbil Hasani, emrat e të cilëve dalin në letrën e 15 gushtit 1847 me të cilën 89 krerët e kryengritjes iu drejtuan për ndihmë mbretit Oton të Greqisë. Kallaratasit, bashkë me bolenas e kuçjotë, zhvilluan luftime të ashpra në brigjet e Shushicës me forcat e mëdha turke që synonin të dilnin në Kurvelesh të Sipërm përmes grykës së Shurit. Po armiku e theu qëndresën e tyre dhe, për t’u hakmarrë, dogji fshatin dhe u vuri zjarrin të mbjellave. Ndër udhëheqësit e kryengritjes që u varën në Janinë, ishin dhe katër krerët kallaratas. Megjithatë, edhe pas reprezaljeve të mëdha, Kallarati, ashtu si gjithë Kurveleshi e Labëria, nuk u nënshtrua. Djemtë e tij Boro Ribi e Alim Delua u bashkuan me çetën e Mehmet Hysenit nga Kuçi; Remzi Janji me çetën e Sali Vranishtit etj.; brenda në fshat, u vra kryeplaku që po shkonte të spiunonte tek autoritetet turke. Në prag të pavarësisë, Kallarati kishte çetën e tij.
Kallarati ishte fshati i parë që u gjakos në përpjekje me bandat e andartëve grekë në nëntor 1912. Barinjtë kallaratas që ndodheshin me bagëtinë e tyre në Vumlo të Himarës, luftuan për disa orë me forcat greke, të cilat zunë Muço Karabollin, Yzeir Ribajn dhe Dervish Maçin dhe dy të tjerë,…. të cilët i internuan në Kalanë e Korfuzit, ku nga torturat shtazarake të Korofillaqisë tre prej tyre, vdiqën, veç djaloshit Dervish Maçi, që u arratis. Për të përballuar situatën e krijuar, fshatarët krijuan një komision, të përbërë nga Alem Totua, Lame Sinani e Hodo Kalemi, Murat Cane dhe Selam Bajrami. Komisioni i kërkoi Qeverisë së Përkohshme armë dhe armatosi me to mbi njëqind burra, që luftuan me forcat greke në malin e Gjothanasit, ku u vranë Murat Avduli e Çelo Boshi. Ndërkohë, komisioni dërgoi Birçe Guxhë Ribin te Spiro Milua në Himarë për t’i bërë të qartë se në territorin e Kallaratit nuk do të lejonin të shkelte këmbë andarti apo ushtari grek. Më 14 korrik 1914, ditën kur u zbraz Kurveleshi i Sipërm, Kallarati luftoi kundër një force greke prej 300 andartësh e ushtarësh, të cilat sulmuan fshatin nga disa drejtime. Burrat e fshatit e pritën me zjarr armikun, duke vrarë kapedan Cullaqisin, një nga komandantët grekë. Në këtë përpjekje të fundit u vranë Hyso Balili, Ramadan Hoxha e Dervish Maçi. Duke mos mundur t’i bënin ballë armikut të shumtë në numër, fshatarët u tërhoqën bashkë me familjet e tyre, duke u strehuar në Mesaplik.
Fshatarët u kthyen në shtëpitë e tyre në shtator të vitit 1916. Përpara i priste një dimër i vështirë: fshati ishte bërë shkrumb dhe, bashkë me të, e gjithë pasuria që kishin; bagëtia ishte shfarosur; pemët frutore ishin prerë e djegur. Duke qenë se shtëpitë ishin bërë të pabanuara, fshatarët e braktisën fshatin dhe u vendosën buzë lumit e përrenjve, aty ku kishin tokat, duke ngritur kasolle e duke u marrë me bujqësi, që në këto rrethana mbetej për ta i vetmi burim i jetesës. Vështirësitë e rifillimit të jetës nga e para nuk i penguan kallaratasit të mendonin edhe për luftimin e plagëve të pushtimit shumëshekullor. Më 1916, Telha Durua organizoi të parin kurs në gjuhën shqipe që u pasua nga hapja e shkollës po atë vit, ku shërbyen si mësues ai vetë dhe atdhetari Meçan Selami, i shkolluar në Korfuz.
Luftës me dimrat e egër dhe epideminë e gripit spanjoll, që mori shumë jetë njerëzish, iu shtua edhe rreziku i aneksimit nga Italia. Italianët, që në fillim u paraqitën si çlirimtarë, i nxorën shpejt në dritë qëllimet e tyre të vërteta, duke futur mësimin e italishtes në shkollën sapohapur dhe duke keqtrajtuar fshatarët. Revolta e fshatarëve kulmoi më 28 nëntor 1919, kur ulën flamurin italian dhe ngritën flamurin kombëtar, akt për të cilin italianët arrestuan disa fshatarë, ndër ta edhe gruan trime Dudë Hodaj. Thirrjes së Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare Kallarati iu përgjigj duke krijuar çetën e tij me 60 vetë, me komandant Fein Çelo Stratin (shih) e Habib Gjonin. Çeta mori pjesë në luftën e Gjormit dhe pastaj u aktivizua në mësymjen e përgjithshme të forcave kryengritëse më 11 qershor 1920. Në bashkëveprim me forcat e Dukatit, Gumenicës, Bolenës, Kaninës dhe Rrëzë, çeta e Kallaratit veproi në sektorin Uji i Ftohtë–Kaninë. Më 19 qershor çeta luajti rolin kryesor në thyerjen me sukses të kundërgoditjes së forcave italiane në afërsi të përroit të Kallafetit (në jug të Qishbardhës). Në këtë përleshje shkëlqeu përvoja luftarake dhe zgjuarsia e komandantit të Çetës, Fein Çelos, i cili e futi armikun në grackë duke e rrethuar nga të dy anët e grykës së Kallafetit dhe duke e asgjësuar krejtësisht. Në mësymjen e dytë të përgjithshme të forcave kryengritëse më 23 korrik çeta e Kallaratit mori pjesë në drejtimin Qishbardhë–m. e Vreshtave–Mesovun. Në këto luftime u vra Xhevair Golloshi dhe u plagos i riu Veip Balili. Krahas atyre që luftuan me armë kundër pushtuesit italian, bashkëfshatari i tyre Meçan Selami kreu gjatë Luftës së Vlorës detyrën e sekretarit të prefekturës me qendër në Drashovicë, në krah të prefektit Osman Haxhiu.
Revolucioni i Qershorit dhe ardhja e Nolit si kryeministër u prit me shpresa në fshat. Mjaft të rinj shërbyen në radhët e xhandarmërisë në këtë kohë, por, me rikthimin në fuqi të Zogut, u pushuan dhe u përndoqën. Fshati iu nënshtrua një dhune të egër, sidomos gjatë kohës së çarmatimit, kur famëkeqi Taf Kaziu me xhandarët gegë u lidhnin këmbët burrave me rripin e dyfekut dhe u kërkonin të dorëzonin armët që nuk i kishin, saqë disa u detyruan të blinin armë për të shpëtuar nga torturat. Gjatë viteve të Pavarësisë, gjendja ekonomike e fshatit ka qenë e mjeruar dhe përparimi ekonomik fare i parëndësishëm. Për të mbajtur familjet, shumë burra e të rinj shkuan si hyzmeqarë në Himarë ose në qytete, ku u punësuan në shoqëritë italiane të rrugëve në Vlorë dhe në puset e naftës në Kuçovë, ku disa prej tyre, si Feti Xhelo Tozaj etj. u përfshinë në lëvizjet greviste të kohës.
Lajmin për pushtimin fashist të vendit Kallarati e priti me indinjatë e zemërim të madh ndaj mbretit Zog, që e tradhtoi vendin. Shumë fshatarë shkuan në qendër të komunës në Kuç, ku kërkuan armë për ta pritura armikun me pushkë, siç kishte qenë tradita e Labërisë në shekuj. Në vitet e Luftës Italo-Greke, fshati u ndodh në vijën e parë të frontit dhe prandaj familjet u zhvendosën në pyjet e Kuçit, ku e kaluan dimrin e 1940-41 në kasolle. Edhe një herë grekët, që kishin hyrë si pushtues, e shkatërruan fshatin, aq sa në popull mbeti shprehja “sikur ka rënë greku”. Me largimin e ushtrive greke në prill 1941, banorët iu rikthyen dhe një herë nga e para punës për ringrijten e ekonomisë së shkatërruar. Ndërkaq urrejtja për pushtuesin, që u solli mjerim pas mjerimi, vinte duke u shtuar. Në ndërgjegjësimin e bashkëfshatarëve për luftë ndikoi edhe puna e të riut Mumin Selami, i cili për veprimtarinë e tij antifashiste në vitin 1941 u internua në vendlindje. Vrasja e Muminit nga forcat fashiste më 18 tetor 1942 në lagjen Topana të Vlorës e shtoi edhe më urrejtjen kundër fashizmit.
Në pranverë të vitit 1942 krijohet njësiti territorial i fshatit me 12-15 vetë, e cila në nëntor të po atij viti u riorganizua në çetën me emrin “Mumin Selami”, me komandant Veip Balilin dhe komisar Adil Petanin. Çeta e Kallaratit mori pjesë në çlirimin e nënprefekturës së Gusmarit më 28 Nëntor 1942; zhvilloi luftime të ashpra me forca italiane e mercenarët e Halil Alisë në betejën e Gjormit (dhjetor 1942–janar 1943); në shtator 1943 mori pjesë në çarmatosjen e trupave italiane në Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, Himarë si dhe në luftime me forcat gjermane pranë garnizoneve italiane; në nëntor–dhjetor 1943 zhvilloi luftime në bashkëveprim me forcat e Zonës së Parë Operative në qytetet Gjirokastër, Libohovë, Përmet, Këlcyrë, Kiçok, Gllavë si dhe në Kurvelesh e në Luginën e Mesaplikut. Gjatë Operacionit gjerman të Dimrit 1943–44, bashkëveproi me forcat e Br5, 6S. Luftimet e fundit çeta i kreu në korrik 1944 në qafën e Janostasit, midis Vunoit e Himarës, me forcat e R523 gjerman. Në vitin 1943, çeta u përfshi në përbërje të batalionit “Ismail Haki” (shih). Efektivi i çetës ndryshonte nga një luftim në tjetrin, në përputhje me traditën e vendit, po nuk e kaloi numrin prej 86 luftëtarësh. Ruajti organizimin e saj deri më 29 nëntor 1944.
Pas krijimit të çetës, në mars 1943 krijohet këshilli antifashist nacionalçlirimtar i fshatit dhe më 20 korrik 1943, pas një pune të gjatë sqaruese të militantët komunistë Mustafa Matohiti, Memo Meto e Bexhet Mema, kallaratasit lidhën besën duke shkuar lekun në gojë për luftë pa kompromis kundër pushuesve fashistë e bashkëpunëtorëve të tyre. Po në korrik të atij viti themelohet tek Ura e Memetes celula e PK për fshatin, me katër anëtarë. Pas tyre krijohen edhe organizata e rinisë dhe e gruas. Kallarati, me vetëm 100 shtëpi, rreshtoi në radhët e formacioneve partizane 120 djem e vajza (përfshi dhe çetën territoriale), nga të cilët 20 ranë dëshmorë, ndër ta një Hero i Popullit, dhe 11 u plagosën. Gjatë Luftës në Kallarat qëndruan e luftuan shumë nga figurat më të shquara të luftës Antifashiste, si Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Memo Metua, Kadri Hazbiu, Hysni Kapua etj.
Gratë e Kallaratit përballuan në këtë Luftë vështirësi të mëdha, sidomos gjatë operacioneve ndëshkimore gjermane, duke u kujdesur për shpëtimin e fëmijëve dhe të ekonomisë së familjes. Me gjithë varfërinë e madhe, ato pritën kuadra të lartë e partizanë të thjeshtë, duke i larë e ndërruar dhe duke ndarë me ta bukën e gojës. Ndër to shquhet sidomos nënë Duzja, nëna e Heroit të Popullit Munmin Selami, e cila u bë një agjitatore e palodhur e Luftës në krahinë. Ajo krijoi organizatën e gruas në fshat, u zgjodh anëtare e këshillit krahinor të Kurveleshit, mori pjesë në Kongresin e Parë të Gruas Antifashiste në Berat dhe u zgjodh deputete e Kuvendit Popullor në dy legjislatura.
Vlen të theksohet se, me përjashtim të pak individëve që u rreshtuan në formacionet e BK, kjo organizatë nuk pati ndonjë ndikim në Kallarat. Fshati nuk pati as vëllavrasje, as edhe viktima të luftës. Falë punës dhe vigjilencës së lartë të njerëzve që punonin në terren, sa herë që armiku ndërmerrte operacione ndëshkimore, gra, fëmijë e pleq strehoheshin në shpellat e Bogonicës, kurse burrat e aftë për luftë rrëmbenin armët dhe bashkoheshin me çetën për të kryer detyrat që u ngarkoheshin.
Edhe nga kjo luftë, Kallarati u dëmtua rëndë. Shumë shtëpi të tij u dogjën nga nazifashistët dhe ballistët, humbje pati edhe në gjë të gjallë. Por menjëherë pas çlirimit të krahinës më 25 qershor 1944, populli u mobilizua për ndërtimin me punë vullnetare të shtëpive të djegura nga lufta, duke filluar nga shtëpitë e familjeve të dëshmorëve. Krahas kësaj, shumë të rinj e të reja morën pjesë në aksionet vullnetare të rinisë për ndërtimin e rrugëve dhe të hekurudhave.
Më shtator të vitit 1956 u krijua kooperativa bujqësore, me kryetar Salo Matajn, në të cilën u futën që në fillim shumica e familjeve. Në vitin 1965, kooperativa “Mumin Selami” e Kallaratit u bashkua me kooperativën e Bolenës, duke formuar kooperativën e bashkuar Bolenë-Kallarat, që u shpërbë në vitin 1985. Kallarati kishte si drejtim kryesor bujqësinë, kryesisht kultivimin e misrit, ku u arritën rendimente të larta, po edhe grurin e perimet. Duke filluar nga viti 1960, fshati siguroi bukën në vend për herë të parë. Në vitin 1970 u bë elektrifikimi i fshatit, që solli një rritje të nivelit të jetesës në fshat, duke u futur radioja në çdo shtëpi, po edhe televizori e lavatriçja. Që pas Luftës Kallarati ka pasur një infermier, por rreth viteve ’70 u ndërtua qendra shëndetësore me mjek, ndihmësmjek e mami. Fshati ka pasur shtëpi kulture që nga fundi i viteve ’50. Kurse shkolla fillore e fshatit, e hapur që pas L2B, në vitin 1975 u kthye në shkollë 8-vjeçare. Në to kanë mësuar dhjetëra e dhjetëra fëmijë të Kallaratit, po edhe të Kunjovës dhe të Lumit të Kuçit. Në vitet e para pas Clirimit mësuesit ishin të huaj, por dalëngadalë vendin e tyre e zunë mësues vendës, ndër të cilët të parët kanë qenë Enver Golloshi, Bilal Breshani, Hamit Muharremi e Çize Xhaferi. Djem e vajza kallaratas kanë punuar në rrethe të ndryshme të vendit e në fshatra të rrethit të Vlorës si mësues e si drejtorë shkollash; shumë të tjerë si oficerë e nënoficerë në radhët e Ushtrisë Popullore e të policisë, duke arritur deri në gradën e kolonelit; të tjerë si inxhinierë, mjekë e agronomë apo si drejtues ndërmarrjesh dhe njësish të pushtetit vendor. U shquan sidomos vëllezërit Sinan e Sihat Tozaj: i pari si drejtues i talentuar në sektorin e minierave, i dekoruar nga Presidiumi Kuvendit Popullor me titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”, kurse i dyti si kryetar komitetesh ekzekutive të rretheve dhe si sekretar i presidiumit të Kuvendit Popullor.
Bijtë dhe bijat e Kallaratit kanë kontribuar edhe në fushën e arsimit dhe të kulturës. Kallarati ka pasur gjithmonë rapsodë, këngëtarë e valltarë, si Veliko Murati, Elmaz Breshani e Llambro Hysi. Grupi polifonik i Kallaratit u vlerësua me çmim nga juria e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës më 1983; ka marrë pjesë edhe në festivale ndërkombëtare, si në atë të Kanës (Francë) në vitin 1989.
Kallarati ka një profesor doktor dhe një doktor shkencash, si dhe dy pedagogë universiteti. Shumë i njohur për romanet, novelat e filmat e tij është shkrimtari Neshat Tozaj. Në fushën e sportit janë shquar Çlirim Hysi, futbollist i ekipeve të 17 Nëntorit dhe të Dinamos dhe më pas drejtues i këtyre klubeve, si dhe “Mjeshtrja e Merituar e Sportit” Elisabeta Karabollaj, kampione e Europës (1999) në qitje me pistoletë. Në fushën e artit është bërë shumë i njohur emri i piktorit Saimir Sinan Strati, restaurues dhe autor mozaikësh të shumtë dhe here herë fitues i Çmimit “Guiness”. I njohur në Italinë e Jugut me punimet artistike prej guri është bërë Agim Mato Mataj. Shumë të rinj e të reja të tjera janë instrumentistë në orkestra të Greqisë dhe të Italisë.
Marrë nga libri “Enciklopedia e Kurveleshit”, botim i Shtëpisë Botuese “Toena”