KALLARATI (skicë-esse) Nga Petrit Qejvani

PetritQejvaniNë mes të Labërisë së thellë, në të dy anët e Lumit të Vlorës, sapo ai ka marrë startin, në këmbët e malit të Bogonicës, shtrihet Kallarati. Nga të rrallët fshatra të dyzuar, njëri përballë tjetrit, si ne legjendë: një i gjallë, tjetri i vdekur (i djegur), por me rrënojat thuaj 100-vjeçare ende në këmbë, mbresëlënëse.

Është një fshat i vogël, ” i paktë” siç thotë kënga popullore, por i vetmjaftueshëm në qenien tij, me njerëz të qetë e dinjitozë, që zënë vendin, që u takon në jetë dhe në shoqëri, modestë dhe të pagabueshëm në vlerësimin e vetes dhe të tjerëve. Që nuk e matin veten me hijen e mëngjesit, që nuk mburren e bëjnë zhurmë, kur bëjnë gjëra të çmuara, por bëjnë gjithçka bëjnë njerëzit e zakonshëm të kësaj bote.

Që zënë pozicionet e tyre kur kërcënohet liria dhe kur duhet thënë fjala. Ata nuk bënë asnjëherë teatër në jetën e tyre, për t’u dukur para të tjerëve, fqinjëve apo botës, sepse janë të natyrshëm. Një fshat mes malesh, me shpatulla mbështetur te mali i tij i bukur dhe bujar, Bogonica, një mal interesant, me dy maja gati simetrike dhe me një livadh të gjelbër në mes, si për të qetësuar rreptësinë e majave në krah të njëra-tjetrës. Duket sikur është projektuar njëherë nga njeriu, pastaj është realizuar, në trajtën e një w-je gjigande, si tek “wolksvageni”. Është një fshat, që nuk shfaqet menjëherë, por pjesë-pjesë për shkak të relievit të thyer dhe të kodrave, që fshihen njera pas tjetrës, me pemë rreth oborreve dhe me një prehër tokë para çdo shtëpie për shkak të terrenit të sertë prej guri e shtufi. Por i bukur, ndoshta më i bukuri i fshatrave përreth , i zbritur buzë rrugës automobilistike, me një lumë të kthjellët, që gjarpëron midis rrapeve, që e bën më poetik dhe romantik. Një fshat i vogël, por i veçantë, me mullirin e dikurshëm, me shkollën, me qendrën shëndetësore, me klubin e vogël ndanë xhadesë, me dyqanin në Qafën e Ubavit, me njerëz, që e kanë ditur me kohe se bota nuk fillon e mbaron me sinoret e fshatit, ndonëse pa emigracion të shënuar. Ndërsa pas vitit 1990 si gjithë të tjerët. Dhe nuk e rrahën ndonjëherë gjoksin se kishin bërë çudira…

Ka qenë fshat i madh dikur, thonë. Bile një këngë popullore flet për 42 dyqane!.Pak si shumë!..Gojëdhëna thotë se dikur një murtajë shoi fshatin dhe, mes lemerisë, ata që shpëtuan iknin ku të mundnin. Një pjesë e tij mbeti, për pamundësi largimi apo nga malli për vatrën,(ku i dihet?!) duke u zhvendosur pak më tej, aty ku sot është Fshati i djegur, një arkeologji e rrallë mbi tokë, një “Trojë e vogël” labe, shqiptare, djegur në fillim të shekullit XX (1914) nga po ata që dogjën Trojën e madhe. Këtë ndjesi më jep, sa herë e vizitoj, sidomos pasdite, në perëndim të diellit, kur nga rrezet e tij muret e rrënuar dhe pluhuri i shkatërrimit marrin një ngjyrë kafe të kuqërremtë. Ka dhe një pllakë në lapidarin simbolik atje. Sot fshati po braktiset sërish, por jo prej ndonjë fatkeqsie natyrore a pushtimi, por thjesht me dëshirë për një jetë më të mirë drejt qyteteve. Ndoshta kjo braktisje do të kthehet në një rilindje, në një pamje e funksion tjetër. Do të vijë koha, kur do të ndërtohen shtëpi të reja për efekt pushimi, sidomos në verë. Nuk është një ide fantastike. Besoj do të ndodhë kështu, bile jo larg, sapo ish fshatarët të “ngopen” me qytetin, gjë që e kanë bërë të tjerët para nesh. Sepse natyra në Kallarat është e bukur: mali, lumi, pylli i Morrezës me rrepe te lashtë, ajri i pastër, qielli i thellë…Duhet vetëm rruga e mirë për të shkurtuar kohën, pasi nga Vlora 50km nuk janë ndonjë distancë e madhe. Ndoshta një ditë një rrugë e mirë do të shkojë dhe atje…

5 mars 2012,Vlorë

Next Post

“Një variant mbi origjinën e emrit Kallarat”, nga Gafur Shameti

Sht Pri 28 , 2012
Mbi origjinën e emrit të fshatit tonë “Kallarat” deri më sot ekzistojnë disa variante, por më të lakueshmit janë dy: Varianti i parë jepet në Enciklopedinë e Kurveleshit, ku thuhet se emri “Kallarat” rrjedh nga një emër njeriu Kallojer që quhen disa larva bretkosash, duke u shndërruar në Kallojerat e […]
GafurShameti-1 1