Kur bëheshin bashkë Saraja me Hatikën, dy bijat e Zhulate (kështu thirreshin muhaxhirët e ardhura nga Zhulati në vitin 1913 të ikura nga përndjekja e andartëve grekë, për të shpëtuar kokën), pa harruar historitë e tyre pse kishin ardhur në Luginën e Lumit te Vlorës, gjithnjë tregonin historinë e Myrto Zanit.
Ky Myrtua, edhe kur erdhi greku në Zhulat e Fushëbardhë, pasi vrau e preu e iku, nuk kishte luajtur nga konaku i tij, po ama e kishte pësuar. Kishte pasur një kope të madhe me dhenë e dhi dhe i ruante me çoban.
E ato të dyja sa herë takoheshin, vetëm për këmborët e zilet e Myrtos, bënin muhabet, se Myrton e kishte marrë predha nga të gjitha anët e kishte ngelur birbo vetëm. Tregonin se kjo kope, i ka këmborët e deshve dhe zilet e cjepve si këmborët e zilet e kopesë se Myrto Zanit.
Po Myrto Zanin e kishte marrë predha tej e përtej. Gruan ja kishin therur, dy djemtë binjakë ja kishte vrarë greku. Dhëndrin po e po. I kishin shpëtuar dy vajza. Njëra kishte dy djem jetim. Vajza tjetër ishte në prag të martesës. Myrtua për ti shpëtuar të dy këto vajza dhe dy nipërit, kishte gjetur mundësinë, i nxori nga fshati dhe u tha: “Ikni ku t’ju shpien këmbët, shpëtoni dhe këta dy fatzest pa babe. Unë do rri vetëm këtu, do bëj roje varreve, do flas e të çmallem me të vdekurit”.
Dhe të dy vajzat u nisën, dolën në Kuç dhe vazhduan udhën drejtë, pas një karvani muhaxhirësh në luginën e Lumit Shushicë, rrugë e pa rrugë, se rrugë atëherë nuk kishte dhe u strehuan në Vranisht. Nuk dihet sa qëndruan në Vranisht, po aty u ndodhi një fatkeqësi. Ra një sëmundje si epidemi që mori shumë jetë njerëzish. Vdiqën dhe dy djemtë e Tullës, (kështu quhej vajza e madhe e Myrto Zanit). Vdiq dhe vajza tjetër, beqare. Ngeli vetëm Tulla fillikat.
Kaluan vite dhe fshatarët i kishin bërë strehë Tullës në një kasolle fshati dhe jetonte si ti vinte, në vetminë e saj, shikonte nga jugu nga kish ardhur, i kujtoheshin ngjarjet, por, shpesh i krijohej iluzion optik sikur para syve të saj shihte ushtarë grekë që thernin njerëz sikur të ishin bagëti.
Dhe kështu kaluan vite. Ne Kallarat jetonte Islam Qejvani, babai i Çunes, kush e ka njohur, burrë i mirë e me të gjitha të mirat, po nuk i bënte gruaja fëmijë. Tulla kishte ngelur fillikat në Vranisht dhe vetëm nuk jetohej jeta. E kërkoi Islami ta merrte si grua të dytë për të bërë fëmijë me qenë se gruaja që kishte nuk i bënte fëmijë, dhe e mori. Tulla lindi Çunen, Dermishin dhe dy vajza. Po Islami, gruan e parë nuk e ndau, e mbajti singerë.
Islam Qejvani, dhëndëri i Myrto Zanit, ishte burrë i nderit e i lezetit, e dinte se Myrto Zani jetonte vetëm dhe një ditë, kur i ishin rritur fëmijët i thotë Tullës: “Ec e merre Myrto Zanin të rrijë ca kohë te neve. Si ta shoh ai, fundja le të rrijë për fare këtu se i ka ardhur edhe pleqëria, se në Fushëbardhe, apo në Zhulat, nuk ka me kë të rrijë”.
Dhe Tulla shkoi e mori babën, Myrto Zanin, në shtëpinë e saj në Kallarat.
Tregojnë se kur ish larguar nga fshati, Myrto Zani kishte ngarkuar në kafshë zilet e cjepve dhe këmborët e deshve se ato nuk u ishin dashur grekëve. Grekët donin vetëm mishin e gjësë së gjallë. Dhe kur ecte kafsha rrugës tundeshin ato të shkreta zile e këmborë dhe dukej sikur shkonte ndonjë kope për në Vlorë. Po ishin zilet e këmborët e Myrto Zanit.
Myrto Zani e kishte merak. Donte ti dëgjonte nja dy tre herë në ditë zilet dhe këmborët se kur i dëgjonte, tregonte vetes se zilen e kish blerë në Janinë, për cjapin larash dhe pas larashit, e mbajti një mushkash. E me vonë, i u bënë pajë dreqit, i hëngrën ushtarët grek. Dhe për këmborët tregonte historia të ndryshme. Këtë punë bënte Myrto Zani. Kush vinte te shtëpia e dhëndrit, tregonte historitë e këmborëve dhe zileve. Nuk i a jepte njeriut zilet e këmborët ai. Ishte pasuria e vetme që kishte mbetur. Kujtim nga jeta. Po e shikonte se kur tundte zilet e këmborët qe i kishte vënë varg në një tel, bezdiste dynjanë. Kush ja kish qejfin Myrto Zanit! Nuk ja dinin hallin e dertet atij.
Një ditë u mërzit. Nuk i pëlqente të qëndronte në shtëpinë e dhëndrit dhe i thotë Islam Qejvanit: “More më është mbushur mendja të shkoj në Kunjovë. Atje do mbaj një bisht berra. Nuk qëndroj dot këtu. Dhe iku. I mori dhe këmborët e zilet ngarkuar në mushkë e u vendos në Kunjovë, diku në periferi të fshatit Kuç, në mes të një pylli. Lidhi një tel në dy trungje lisi dhe kur i mbushej mendja, luante telin dhe këmborët e zilet kumbonin sa tundej lugina e grykat e maleve përplasnin jehonën. Kur pushonte kumbimi i tyre nëmte grekët që e lanë pa grua,djem,vajzë e nipër. Po kope nuk vuri më. E kishte lënë mosha, e kish zënë pleqëria.
Dhe atje vdiq. Atje e ka dhe varrin. Dhe zilet e këmborët duket sikur kumbojnë dhe sot, të varura në atë telin që tundte dikur Myrto Zani, pasojë e një historie që është e freskët.
Idajet Hoxha
Botuar ne Gazetën “Ndryshe”
E Mërkurë, 27 Qershor 2007