Këtu poshtë në një faqe të veçantë do të radhit tre katër këngë të vjetra historike, të mbëledhura prej meje dhe që i përkasin trimave të kryengritjes vitit 1847 dhe që nukë i kam parë të përmëndenë as në një shkrim, as në ato të mbëledhura nga Mexhit Kokalari të shkruara në revistën “Studime Historike”.
(shën. i Hasan Kallaratit)
NJE FERMAN NXORRI SULLTANI
Një ferman nxorri Sulltani,
të zihet Lame Petani,
Meçija* e Dervish Qejvani,
Bazija e Birbil Hasani,
janë murtat të Divanit,
murtatë të osmënllisë,
të mbëretit të Turqisë,
hainë të Kombësisë,
hainë na kanë dalë,
me Gjolekënë në ballë,
Çelua me Rrapo Hekalë.
Me shumë shokë të tjerë,
në Picar janë mbëledhë,
Kanunë na kanë nxjerrë,
Kuranin me këmbë e shkelë,
urdhëroj Mehmet Pasahanë,
bashkë me ordhin e parë,
të nisetë sa më parë,
që të zërë çpejt Beranë,
se Isuf bejnë e vranë,
së bashku me të vëllanë,
të pa fetë shqipëtarë,
të këqinj e zëmër zjarrë.
Të nisen ca pamporë,
që nga Preveza në Vlorë,
për Kurvelesh të marshojnë,
vëndin me forcë ta shtrojnë.
Të zihetë kryesia,
tu merretë pasuria,
të shtrohetë vegjëlia,
tu digjetë dhe shtëpia,
lidhur në këmbë t’i çoni,
në Stamboll të mi dërgoni.
*Gjyshi im, Meçe Haxhiu. (shën. i Hasan Kallaratit)
GJEMITE NE DET PO VIJNE
Gjemitë në det po vijnë,
për të lidhë Parësinë,
e zunë që në Kaninë,
Laton e Dalan Seinë,
Në Kudhë Imer Alinë,
Mustafa Begë birbilë,
në Brataj Metan Haxhinë
Lilo Qëndro nishanllinë,
në Tërbaç Beqir Selimnë,
edhe Dulo Kokë trimnë,
Haxhi Hoxhënë Cmokthinë,
dhe në Vajzë dy nishanë
Meten e Sadik Çobanë,
Leskodukajtë Bolenë,
Kallarat ata që qenë,
Lamenë me Dervish bejnë,
Birbil Hasani e Meçenë,
vanë në Sudan e mbenë,
Kallarat katër nishanë,
Lamja me Dervish Qejvanë,
Meçja me Birbil Hasanë,
mu tek rrapi seç u varrë,
tre bolenasit që qenë,
me Sadikun e Birçenë,
me Birbil e me Meçen,
me Lamen e Dervish bejnë,
mu tek rrapi degë vjerrë,
të shtat si shqerra i therrë.
Ç’U ÇKULE NGA MANASTIRI
Ç’u çkulë nga Manastiri,
tre Pashallar’e Myshyri,
Bymbash Sulejman Tahiri,
përposh nga Berati hyri,
Gjolekënë të ma ziri,
rrathë në kokë t’i hidhi,
mase vjen ndërmënd qafiri,
u dogj Kuçi si Misiri,
gryk e kuçit, gryk e keqe,
njëmijëtreqint dyfeqe,
sos u përpoqe për vete,
po për gjithë vilajete.
VAJTIM PER BIRBIL DAUTIN MBETURE NE JEMEN USHTAR
U Birbili im o xhan,
të mori turku nizam,
shtatë vjet n’Arapistan,
nënë zeza rri e qan,
rri e qan e s’duron dot,
dhe nga mëndja se sis’lot,
prit sivjet e prit dhe mot,
e lava jetën me lot,
rri e qan e zeza grua,
rri e qan krua më krua,
o Birbili im dragua,
shtatë vjet pse s’u digjua,
motër korba për vëllanë,
po të qan majë më majë,
qyqja që kërkon evlanë,
kërkon motra të vëllanë!
Mblodhi: Hasan Kallarati
Përgatiti Andi Meçaj