Intervistoi: Besnik Gjonbrataj
Ashtu si pothujase në të gjitha fshatrat e Labërisë e sidomos ato të Lumit të Vlorës, edhe në Kallarat, takimet e brazave janë kthyer në traditë, të cilat zhvillohen në çdo vit gjatë periudhës së verës. Takimet e brezave shprehin ndjesi, emocion dhe përcjellin vlera pozitive te brezi i ri për të njohur e respektuar historinë, kulturën dhe traditat e vendlindjes. Këto takime shprehin dhe përcjellin mesazhin, se pamvarsisht ku ndodhesh, ku punon e banon, brenda e jashtë atdheut, dashuria për vendlindjen, për atdheun e flamurin mbeten të patjetërsueshme. Në këto takime njerëzit vinë nga çdo skaj i vendit, ku bie në sy ardhja e emigrantëve, e atyre që dashuria për vendlindjen, nostalgjia për origjinën e të parëve merr përmasa akoma më të mëdha.
Mblidhen, çmallen me njëri tjetrin, këndojnë labçe e kërcejnë valle nën tingujt e muzikës live. Gatimet e pijet tradicionale, si mishi i pjekur, byreku, revania, arapashi dhe rakia bio i bëjnë këto takime edhe më të bukura.
Për herë të parë në takimet e brezave, organizuar në Kallarat, këtë vit më 12 gusht, mori pjesë një këngëtare e madhe e muzikës popullore, kryesisht asaj të jugut, një këngëtare, muzika e së cilës është e pranishme në çdo event familjar e shoqëror, në çdo udhëtim, në çdo ambient privat e publik, në çdo sallë e shesh, Maya Aliçkaj “Mjeshtre e Madhe”. Pjesëmarrja e saj i dha një tjetër dimension takimit të brezave në Kallarat. Ajo me zërin e saj të fuqishëm e ngriti peshë sheshin në qendër të fshatit. Përherë të parë pothuajse i gjithë fshati, të moshuar, të rinj e fëmijë u ngritën fshatçe në valle. Ajo gjatë gjithë këngëve të kënduara me zërin e saj, të ëmbël e plot sharm, u shoqërua nga një grup i vogël fëmijësh që e admironin pa masë Mayën dhe e shoqëronin atë gjatë gjithë këngës. Maya, duke mbetur e mahnitur nga kjo pritje e fëmijëve do të shprehej: “Ju jeni të mrekullueshëm, më emocionuat pa masë “I love You”. Shihemi vitin tjetër”. Tani që takimi ka përfunduar dhe Maya është larguar dhe vijon angazhimet e saj artistike të verës, edhe pse kohën e ka të limituar, mundëm t’i merrnim asaj intervistën e mëposhtme për gazetën “Kallarati”.
1. Si e pritët ftesën për të qenë këngëtare në “Takimin e Brezave” në Kallarat?
Maya: Përhëndetje së pari dhe faleminderit që po krijojmë këtë mundësi bashkëbisedimi. Ftesën e kam pritur me shumë kënaqësi, edhe pse realisht kam qenë në një muaj shumë intensiv dhe impenjativ, sa i takon aktiviteteve. Por, kjo ftesë më intrigoi shumë, sepse bëhej fjalë për takim brezash dhe për mua organizime të tilla flasin shumë dhe kanë shumë emocion brenda tyre. E ndaj, e pranova me kënaqësi. Gjithsesi, kjo u bë e mundur edhe falë organizimit korrekt, në kohën dhe mënyrën e duhur.
2. Çfarë dinit deri në atë moment për Kallaratin?
Maya: Në fakt, kisha dëgjuar deri diku për fshatin Kallarat dhe në aq informacion sa kisha, më vinte në memorie si një fshat me tradita dhe që kishte gjurmët e veta në histori. Por nuk kujtoja ndonjë gjë konkrete të madhe. E ndaj, iu futa kërkimit, kryesisht në internet dhe nga aty u njoha me shumë histori, ngjarje e njerëz të shquar nga ky fshat. Kallarati ka nxjerrë njerëz të ndritur e me kontribut në shumë fusha, figura historike, kulturore, artistike, si Heroi i Popullit Mumin Selami, luftëtarin e epopesë së Topanasë, shkrimtarin e dëgjuar Neshat Tozaj, shkrimtarin Hiqmet Meçaj, gjuhëtarin e dëgjuar prof.dr. Rami Memushaj, etj. Por edhe nga fusha e sportit, ky fshat ka patur sukses të padiskutueshëm me kampionen e Europës në qitje me pistoletë, në mos gaboj Elisabeta Karabolli, fituesin e çmimit Guinness Saimir Strati, futbollistin e kombëtares Ledian Memushaj. Me një pëfaqësim dinjitoz në shumë festivale të Gjirokastrës, me emra të njohur këngëtarësh, Zeqo Hoxhaj, ku mësova se ishte zëri i këngës aq të njohur popullore “Ç’u këput një këmbë mali”, e Evgjeni Jonuzaj me këngën “Djepi ynë burim flori”, bilbilin e labërisë, këngëtarin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Hyso Xhaferaj etj.
3. Si u ndjeve kur shkelët në Kallarat dhe sidomos kur dole në skenë para një publiku të veçantë?
Maya: Ka qenë një emocion shumë i veçantë dhe shumë shpirtëror. Nuk e mendova aq të bukur, por sa shkela në Kallarat, ende pa zbritur nga makina, nuk më mbeti kohë të mendoja sepse u rrethova që në makinë nga shumë njerëz. Në momentin që zbrita, të gjithë, me shumë dashamirësi, donin të bënin foto e të flisnin me mua. Kanë qenë të jashtëzakonshme ato momente. E më pas, kur dola në skenë, emocionet qenë më të veçanta se në çdo skenë tjetër, pasi atje u ndjeva si në një shtëpi të madhe me oborr gjigand, me shumë familjarë dhe e rrethuar me ngrohtësinë e tyre, ngrohtësi e cila më ka mbetur në mendje dhe më fal një ndjesi dhe energji kaq pozitive sa herë e kujtoj.
4. Çfarë të bëri përshtypje nga pjesëmarrja dhe pritja e publikut në përgjithësi?
Maya: E para, më bëri përshtypje mirëorganizimi dhe pjesëmarja e lartë. Me një mori të ftuarish, me një gjallëri të tillë të pjesëmarrësve, është e shumëfishtë adrenalina e duartrokitjeve, është i shumëfishtë emocioni pozitiv që të dërgon publiku, pra çdo gjë shumëfishohet. Nuk e prisja një pjesëmarrje të tillë, referuar dhe faktit që bëhej fjalë për një takim brezash brenda fshatit Kallarat. Por pavarësisht kësaj, aty kishte pjesëmarrës edhe të fshatrave të tjerë të rrethit dhe shumë personalitete gjithashtu. Pra ishte vlerësuar nga të gjithë si një takim brezash që i tejkalonte kufijtë e zakonshëm shpirtëror të brezave të një fshati dhe ishin mbledhur nga shumë vende të Shqipërisë ose jashtë saj. E kjo ishte një meritë e padiskutueshme e organizatorëve. Në këtë kontekst, më bëri shumë përshtypje fakti që sheshi ishte mbushur me tavolina të zbukuruara, ambient shumë mikpritës dhe me një ndricim fantastik. Tavolinat, ashtu siç është zakon, përveç njerëzve të gëzuar, ishin mbushur dhe me mish të pjekur, me pije dhe raki, siç e kemi traditën ne të Labërisë. Ky ishte me të vërtetë një takim brezash shumë i veçantë, krahasuar me evente të tjerë të ngjashëm, sepse ishte një super organizim, një super pjesëmarrje dhe një superatmosferë e krijuar prej tyre, ku të gjithë njerëzit ishin në këmbë, të gjithë kërcenin dhe kjo më gëzonte pa masë.
5. Fëmijët besoj se ishin e veçanta e këtij takimi, gjë të cilën ju e shprehët edhe në skenë para publikut, a mund të thoni diçka më tepër për ata fëmijë, që presin diçka nga e ardhmja e tyre?
Maya: Ooooo, sinqerisht nuk ka fjalë që mund ta përshkruaj atë ndjesi dhe lumturi që kam marrë aty, nga fëmijët. Ishin…. si qershia mbi tortë, apo nuk di… nuk gjej fjalë të përshtatshme për të shprehur gjithë atë energji pozitive, gjithë atë dashuri, gjithë atë pasion që pashë tek sytë e tyre, te të kënduarit e tyre bashkë me mua, tek dëshira për të më përqafuar… tek gjithçka. Ata ishin talent i gjallë, në mënyrë të veçantë një vajzë e vogël, të cilës për momentin nuk ia mbaj mend emrin, ndonëse më ka shkruar dhe në rrjetet sociale (shënimi im, Elda Besmir Hoxhaj). Ajo ishte ishte një talent i lindur, interpretonte dhe këndonte aq bukur. Të gjithë fëmijët më shoqëronin gjatë këngëve, por ajo spikaste shumë. Mendoj që njeriu lind së bashku me veçoritë e tij, me talentet e tij, e ndaj mendoj se disa nga ata fëmijë aty do shkëlqejnë një ditë në fushën e muzikës, e ndoshta jo vetëm. Uroj që prindërit e tyre ta vënë re këtë cilësi, këtë veçori që kanë, sidomos vajza që përmenda. Ndoshta jeta do t’iu buzëqeshë në përgjithësi, por mund të bëhen edhe yje të skenës…, kjo ishte ndjesia ime. Gjithsesi, dua të theksoj se, sigurisht fëmijët të gjithë i duam, por personalisht kam një dobësi të theksuar, e jam nga njerëzit që i dua më së shumti, janë adrenalina ime… Tek ata shoh veten time dikur, me të gjitha ëndrrat dhe pasionet, tek ata shoh të ardhmen. Nuk është rastësi që i kam fansat e mi më të zjarrtë dhe është lumturi shumë e madhe që duan këngët e mia, që me duan mua, është një ndjesi reciproke shpirtërore, shumë e pafajshme, si vet bota e tyre. Gjithashtu, më vjen mirë që duan edhe traditën tonë, folklorin tonë, këngën tonë popullore, si një nga veçoritë që identifikon kombin tonë. Faleminderit prindërve të tyre që i edukojnë dhe rrisin me kulturën tonë të bukur.
6. Ndoshta pa e ditur, por ju aty u surprizuat, kur e pranishme në këtë takim, jo e ftuar si këngëtare, por si nuse e këtij fshati, ishte edhe këngëtarja e njohur e seranatave korçare, shoqja juaj Ermira Kola (Strati). Si u ndjetë kur kënduat së bashku?
Maya: Kjo ishte një tjetër surprizë e bukur që më mbushi shpirtin. Takimi me këngëtaren dhe miken time Mira Kolën. Mira, përveç se është një këngëtare brilante, e shkëlqyer, është edhe mikja ime, bashkë me bashkëshortin e saj. Unë nuk e dija që bashkëshorti i Mirës ishte nga Kallarati me origjinë. E natyrshëm, kur Mira u çua të këndonte si e ftuar nderi, si nuse e atij fshati, duke sjellë tingujt e serenatave, të cilat janë dashuri edhe për mua, nuk rezistova dot…, u çova dhe e shoqërova. Sinqerisht u ndjeva shumë mirë, sepse këndova me një artiste të mirëfilltë, nxorra mallin me të. Ishte kënaqësi e dyfishtë.
7. I pranishëm ishte edhe këngëtari, djali i fshatit, Gjergji Leskaj, me të cilin kënduat edhe labçe, megjithëse ai nuk është profesionist, por është një marrës i mirë i këngës labe dhe kohët e fundit ka tentuar të shfaqet edhe si këngëtar i muzikës popullore me motive të jugut, ku sapo ka nxjerrë albumin e parë “Jam bir nga Labëria”, ç’mendin keni për të, ndoshta edhe për ta inkurajuar?
Maya: Ishte kënaqësi edhe prania e Gjergjit, si djalë Kallarati. Unë mbërrita në festë, kur Gjergji ishte duke kënduar, së bashku me grupin e tij, live. U kënaqa pa masë për atmosferën e krijuar prej tij dhe gjithë grupit. Madje, siç e kemi zakon, kënduam së bashku labçe, më pas, në tavolinën e shtruar, me shumë dashuri. Një djalë që reflektonte shumë dashuri për këngën labe dhe atë popullore. Kur e dashuron dicka shumë, natyrisht që do ta bësh bukur. E ai ashtu këndonte. I uroj sa më shumë suksese me artin e tij, me këngën e tij, të jetë sa më pranë njerëzve dhe dëshirave të tyre me muzikën e tij, e natyrisht lartë e më lartë, sepse nuk ka gjë që nuk bëhet, nëse e dëshiron me zemër dhe punon shumë.
8. Ndonjë përshtypje a mendim për mënyrën e organizimit të takimit të brezave?
Maya: E them me bindje të plotë, se ishte me të vërtetë një takim brezash shumë i veçantë, krahasuar me evente të tjera të tilla ku kam marrë pjesë. E për këtë, merita kryesore lidhej me super organizimin që ishte bërë. Përgjithësisht, festat e takimeve të brezave janë të vecanta, sepse shprehin shumë. Por do të veçoja takimin e brezave në Kallarat, sepse ishte i mirë organizuar në gjithçka, në çdo detaj kishte shumë dashuri, ndjesi, respekt dhe energji pozitive. E mira nuk ka fund, por për mendimin tim ishte shumë shumë bukur. I përgëzoj me zemër organizatorët për këtë.
9. Moderimi i takimit nga gazetarja e News 24, Anila Ahmataj, a mendoni se ishte zgjedhje e duhur dhe a ia shtoi vlerat takimit?
Maya: E vërtetë, moderimi i gazetares i dha një tjetër vlerë të shtuar këtij aktiviteti. Ndërthurja aq bukur e fjalëve të saj, me rrjedhën e skenarit, natyrshmëria me të cilën i lidhte ngjarjet, personazhet, të ftuarit dhe ecurinë e skaletës, ishin për t’u admiruar. E dukej sikur edhe me publikun ishte në sinfoni. Përgëzimet e mia edhe për gazetaren Anila Ahmataj.
10. Dy fjalë për ata që e bënë të mundur ardhjen Tuaj, biznesmeni Ylli Breshanaj dhe më herët, bashkëpunimin që keni patur me Bujar Muço, si dy djem të këtij fshati që e duan vendlindjen?
Maya: Një falënderim i veçantë shkon nga ana ime për djalin Kallaratas dhe biznesmenin e njohur Ylli Breshanaj, i cili bëri të mundur ardhjen time në Kallarat. E këtë e them me shumë respekt, shumë dashamirësi nga ana ime, për mënyrën e bashkëpunimit që patëm dhe gatishmërinë e tij për të mbështetur prezencën time në këtë aktivitet.
Një nga djemtë që është gjithashtu nga Kallarati, është bashkëpunëtori im i parë Bujar Muço dhe miku im natyrisht, i cili para 16 vitesh, kur unë kam dalë për herë të parë në ekran, ka qenë i pari menaxher që, ndonëse kisha vetëm një muaj në ekran (faleminderit Zotit, gjithë publikut, punës time dhe bashkëpunëtorëve të mi në krijimtarinë e këngëve), ai më fton në koncertin e madh të Vitit të Ri, duke besuar se unë do të bëja atë që realisht u bë, në atë koncert të mrekullueshëm.
Për të mos thënë më i bukuri. Bujarit i jam mirënjohëse tërë jetën, sepse ka qenë i pari që pati besim të plotë tek unë, për të mbajtur një koncert të atyre përmasave, siç di t’i organizojë veç ai. Sigurisht, nuk ka qenë i vetmi, por ka qenë i pari. E ashtu sic nisi aq bukur, bashkëpunimi ynë, vazhdoi shumë i suksesshëm ndër vite e do vijojë sigurisht. Një përshëndetje shumë e ngrohtë për Bujar Muçon.
11. Patjetër që si këngëtare ke marrë pjesë në shumë evente në fshatra të ndryshëm të Labërisë e më gjerë, si i vlerëson Maya organizimin e “Takimit të Brezave” në Kallarat, a i vlejnë këto takime rritjes së ndjenjës së patriotizmit dhe të dashurisë për atdheun dhe vendlindjen sidomos për brezin e ri?
Maya: Siç e theksova edhe më lartë, përgjithësisht, festat e takimeve të brezave janë të veçanta, sepse shprehin shumë ndjesi, emocion dhe përcjellin shumë vlera.
Së pari, teksa sheh alternimin e brezave, njihesh me kontributin e përcjellë nga çdo etapë e historisë së një zone a komuniteti, duke ndërthurur nostalgjinë dhe krenarinë për të kaluarën, duke përjetuar ndjenjat patriotike, sakrificën e brezave të tërë dhe atdhedashurinë e tyre, në periudha historike jo të lehta dhe shumë vendimtare ndoshta për idetitetin e zonës, apo atë kombëtar.
Së dyti, japin mundësinë t’u gëzohesh zhvillimeve të brezit aktual, atij brezi që në një farë mënyre, i di sakrificat e gjyshërve e stërgjyshërve të tij dhe bën përpjekje të mbajë gjallë e të çojë para traditën.
Së treti, por ndoshta më e rëndësishmja, kanë shumë vlerë edukative, duke edukuar dhe mëkuar gjithashtu brezin më të ri, duke nisur qysh nga fëmijët e deri tek të rinjtë që jetojnë kryesisht larg atdheut, me dashurinë dhe respektin për të kaluarën dhe vendin e origjinës. T’i motivojnë e t’u tregojnë atyre konkretisht se, duke ndjekur gjurmët e të parëve, duke mos harruar rrënjët e tyre, ndërtojnë një të ardhme bazuar në vlera, kudo qofshin nesër, në vorbullën dhe intensitetin e globalizimit të jetës.
12. Me çfarë përshtypjesh u largua Maya nga Kallarati, nga mikpritja, entuziazmi, publiku, organizimi i festës dhe a do jetë përsëri e pranishme, ashtu siç u premtove fëmijëve në skenë?
Maya. Në përgjithësi, kryesisht në festa që përkojnë me sezone të ngarkuara me punë, shkoj në koncert, përpiqem të jap gjithçka, jap gjithë shpirtin tim aty për të kënaqur sa më shumë artdashësit pjesëmarrës, përfundoj dhe largohem. Por sinqerisht, këtë herë, doja që festa të mos mbaronte. Aq shumë më pëlqeu dhe aq mirë u ndjeva, aq energji pozitive kishte gjithçka aty. Ishte e gjitha e veshur me dashuri. Një mikpritje e jashtëzakonshme, një publik që reflektonte entuziazëm, dashuri e pafajshme dhe e pafundme fëminore, një natyrë e mrekullueshme, gatime të mrekullueshme. E sigurisht organizim aq serioz dhe vlerësues. E ndjeva se isha në abitatin tim më të mirë shpirtëror e njerëzor. Siç e thashë dhe aty, doni apo nuk doni, mua këtu do më keni përsëri. E do të rikthehesha me shumë dëshirë, sa herë të krijohej rasti… (meqë edhe rruga ishte e shtruar, një mrekulli, e besoj do më sjellë vet makina). Shumë respekt për të gjithë kallaratasit, për të gjithë organizatorët dhe bashkëpunëtorët që bënë të mundur që unë të isha aty, për kryeplakun e zonës gjithashtu. Faleminderit që më zgjodhët mua për këtë takim kaq të rëndësishëm dhe kaq domethënës,”Takimi i Brezave”.
Faleminderit gjithashtu edhe ty për këtë bashkëbisedim kaq të natyrshëm dhe komod.
Faleminderit Juve Maya dhe suksese! Të këndoftë shpirti e zemra kurdoherë!
Intervistoi: Besnik Gjonbrataj