KEQARDHJA PËR MËSUESIN, TREGIM

PetritQejvani

  

Shumë vite më parë, në fëmini, midis ciklit të ulët dhe të lartë të shkollës 8-vjeçare, ose më saktë, aty nga fillimi i klasës së pestë, më kishte lindur dhe më kishte shoqëruar një ide e çuditshme, absurde, por shumë e sinqertë. Ajo herë shfaqej fort dhe ëmbëngulëse e herë zbehej e shuhej faren në thellsitë e ndërgjegjes sime të turbulluar. Bile mund të them se shfaqja e saj, sa më shkaktonte kënaqësinë e një zbulimi origjinal, aq dhe shqetësim e keqardhje për mësuesin tim të gjuhës. Dhe mua më dukej se shkaktari i keqardhjes ishte vet mësuesi im i mirë. Kjo më bënte të vuaja. Për disa kohë pas shfaqjes së parë kjo ide imja u zhduk, ose më saktë, atë e largoja vet se më dukej e pistë, e pamoralshme, poshtëruese për atë, që për mua, si për shokët e mi të klasës, ishte një shenjt.

Këtë ide apo zbulim nuk kisha guxuar t’ia thoshja askujt prej shokëve të mi. Por shpesh isha në dilemë: t’ua thosha apo të mos ua thosha shokëve, të paktën sho kut më të ngushtë, që ishte edhe ai nxënës i mirë?! Jo, jo , e pse t’ia thoshja?! Apo të ndryshonte dhe ai mendim për mësuesin! Po sikur t’i tregonte mësuesit dhe pastaj të bëhej mbledhje për mua dhe të më përjashtonin nga shkolla si vagabond?!Të turpëroja dhe familjen! Më në fund vendosa të mos t’i tregoja asnjerit, sepse më shkoi mendja që edhe të tjerët mund ta kenë menduar një gjë të tillë, por nuk tregonin dhe , sidomos, se më vinte keq për mësuesin…Deri atëherë kisha parë te mësuesi vetëm idhullin, shenjtorin, një qenie hibride: gjysmë njeri, gjysmë perëndi, edhe njeri edhe perëndi, edhe njeri, edhe mësues, sidomos mësues.

Gjer këtu gjithçka shkonte normalisht. Ai ishte mësuesi, ne ishim nxënësit. Herë-herë më vinte keq që ai lodhej kaq shumë me ne, mbushte drrasën plot me shembuj, nënvizonte, lexonte shembullin disa herë, thoshte rregullin përkatës, godiste me gishtit tregues fjalët e nënvizuara, pastaj hidhte shkumësin e zvogëluar mbi tavolinë dhe merrte frymë thellë, dyllë i verdhë në fytyrë, duke parë në mënyrë të papërcaktuar nga klasa. Ai kërkonte si gjithë mësuesit e botës që ne të bëheshim të mirë, të ndershëm. Këshillat e tij për mësimin dhe rëndësinë e shkollës pothuaj i kuptonim, se ai i përsëriste shpesh e me përkushtim, si rregullat e çdo mësimi. Në përfytyrimin tonë ai, çdo ditë që kalonte, lartësohej e hyjnizohej si sinonim i së mirës, së moralshmes, njerëzores Dhe nuk kisha menduar ndonjëherë që, krejt papritur, do zbuloja sekretin e çshenjtërimit të mësuesit tim.

Duhet të isha në klasën e pestë, më duket në radhën e mesit, në bangën e dytë, kur, duke ndjekur me vëmendje mësimin e gjuhës, trokiti dera dhe dezhurni i tha mësusit se e kërkonte djali. Në çast m’u errën sytë dhe për herë të parë mendova diçka të paimagjinueshme, anormale, gjithsesi të pamoralshme dhe të papranueshme për mua atëhere si nxënës: mësuesi im,veç të tjerash ishte dhe prind(!)domethënë kishte grua! Kjo cilësi e “zbuluar”rastësisht më trishtoi pa masë. Dhe ky trishtim imi kishte një shpjegim: ai lidhej me këshillën e tij të herëpashershme që ne të ishim të ndershëm. Dhe unë që e arsyetja ndershmërinë ndryshe, mbeta i zhgënjyer nga mësuesi im. Që nga ai moment, të cilin unë turbull e kisha imagjinuar, por nuk mund ta pranoja për arsye morale, diçka krisi në përfytyrimin tim ideal për atë njeri. Tani idhulli im kishte një të metë të madhe: ai ishte si gjithë të tjerët…Pra ai, veç që ishte mësues, ishe dhe njeri, bile edhe prind! Zhgënjimi si një valë e nxehtë më ngushtoi brinjët dhe ndjeva të djersitem. Për herë të parë, ajo që kisha frikë ta imagjinoja, pale ta besoja për mësuesin tim, doli e vërtetë. Natyrisht, dikush mund të mos besojë në ato

-2-

që them ose ta quajë stisje të mëvonshme, por unë ngul këmbë në atë që them.Unë kisha kohë që e hetoja psikologjikisht mësuesin tim, pothuaj çdo orë mësimi. Por më besoni: unë nuk doja që ai të ishte mëkatar, që edhe ai të ishte si të tjerët, që edhe ai të kafshonte mollën e ndaluar të Adamit, që kaq shumë e ngatërroi jetën njerëzore…Për fat të keq edhe mësuesi im nuk i kishte shpëtuar tundimit adamian, këtij ceni esencial të natyrës njerëzore. Zhgënjimi ishte i madh. Tani mësuesi im i dinte të gjitha, i bënte të gjitha!..Ai nuk dinte vetëm të shpjegonte mësimin. Ai dinte dhe bënte dhe gjëra të turpshme…Ma kishte thyer përgjithmonë statujën e qelqtë të respektit, që kisha për të. Ai, që vazhdimisht na porosiste të ishim të ndershëm, vet nuk ishte i tillë…Ishte koha kur ne të vegjlit, nga edukata e rreptë familjare si dhe nga tabuja shoqërore, mendonim se dobësia më e madhe e njeriut ishte seksi. Jo më kot fjalët që lidheshn me të ishin të huaja, kurse fjalët popullore ishin të ndaluara.Vet shoqëria ndjente me sa dukej një lloj faji apo turpi, gjersa i quante me emra të tjerë, shkencorë, për t’i larguar sadopak nga origjina dhe thelbi natyror. Ne, ose unë të paktën, kur mësuesi përmendte sjelljen e mirë ose ndershmërinë, automatikisht e lidhja me mohimin e seksit. Ndërsa edhe mësuesi mëkatonte!..Kjo më kisht shkaktuar një tronditje të thellë. Atë ditë, kur pashë djalin e tij, më lindi dhe një ndjenjë e çuditshme, përveç asaj të zhgënjimit dhe mërzisë.Tani mësusin e shihja me dyshim, kur pyeste ndonjë shoqen time të klasës , duke u përpjekur të dalloja në vështrimin e tij jo vetëm mësuesin, por dhe mashkullin. Ju mund të mos ta besoni këtë, por kështu ka ndodhur dhe unë vite të tëra e kam mbartur këtë ide në thellësi të kujtesës, duke m’u dukur edhe vet absurde, dhe , për këtë shkak, nuk doja ta bëja publike si të pabesueshme dhe të stisur. Ndërkohë asnjë shënim nuk kam hedhur në asnjë copë letër, duke dashur ta harroj atë që kam menduar naivisht ose djallëzisht. Në të vërtetë, dhembja dhe shqetësimi im buronin nga respekti që kisha për mësuesin e gjuhës si një njeri i rreptë, por i drejtë sipas meje. Për mësuesit e tjerë nuk do të më vinte aspak keq për një gjë të tillë. Pëkundrazi, disa prej tyre, sidomos ata të botanikës dhe të zoologjisë më dukeshin si mësues të dyshimtë të një lloji tjetër, ose më thjesht, ata më dukeshin të pamoralshëm, sepse ata shpjegonin fekondimin e ca gjëra të tjera të turpshme, që nuk e di si bëheshin në shkollë…Për ata nuk kisha shumë respekt, megjithëse ishin mësues, sepse ata dinin ca gjëra që, si rregull, mësuesit nuk duhet t’i dinin…

Që nga ajo ditë diçka ishte thyer përfundimisht në mekanizmin tim të respektit për të gjithë mësuesit, duke mos përjashtuar as ato, mësueset, që hiqeshin më të turpshme se mësuesit. Bile ato fillova t’i urreja më shumë, sepse, kur ndonjë nga ne djemtë zihej me ndonjë vajzë, mësueset hidheshin përpjetë, bërtisnin e kërcënonin duke thënë “t’ju vijë turp që ngacmoni vajzat”, kurse vet ato, mësueset ngacmonin fshehurazi burrat e tyre….Atëhere unë mendoja se të gjitha sekretet e botës i mbajnë femrat. Edhe turpin dhe gjërat e turpshme me ato i lidhja më shumë.

Këtë e kisha provuar për herë të parë në klasë të katërt. Gjithë thelbi i keqardhjes sime buronte ngaqë unë çdo njeri e doja të vinte në botë si Krishti dhe gratë të ishin të pastra si Maria. Mësuesja jonë ishte e re dhe e bukur dhe vishej me shije. Hidhte dhe erëra të mira, që të ngacmonin. Një ditë, aty nga fillimi i pranverës, duke kontrolluar dtyrat e shtëpisë, ajo u përkul shumë mbi mua, më ledhatoi flokët duke ma shtrënguar kokën te gjoksi i saj dhe për shkak të erës së mirë që kishte hedhur, përzier me erën e gruas, unë ndjeva diçka dehëse, të turbullt, që nuk kishte lidhje me mësuesen time, por që lidhej me diçka që më shkaktonte shoqja ime e bangës, kur vinte maji dhe çelnin lulet dhe ajo vishte një fustan të shkurtër e të hollë. Mësuesja e ndjeu hutimin tim, sepse , kur doli para klasës, më tërhoqi vëmendjen me buzë në gaz se, edhe pse po më lavdëronte për zgjidhjen e detyrës, unë s’e kisha mendjen aty.Të gjitha këto ishin gjëra të turpshme për mua dhe më e keqja ishte se unë ndoshta i keqkuptoja gjërat dhe s’qe aspak si mendoja unë. Kjo më shkaktonte një lloj droje. Po kurrë nuk i pyeta shokët, pasi mendoja se mos ata nuk i kuptonin si i kuptoja unë dhe kjo ishtë e rrezikshme. Pastaj shokët mund të mos thoshnin të vërtetën dhe unë do të zbulohesha dhe dënimi më i madh do të ishte kur mësuesit të merrnin vesh që unë, që isha dhe nxënës i mirë dhe ata më donin, isha një shpifës i keq, një ngatërrestar i rrezikshëm. Do të thërrisnin prindrit në drejtorinë e shkollës, do t’i kritikonin, do t’ detyronin të bënin autokritikë në lagje, mund t’i hiqnin dhe nga puna dhe mua do të më thyenin notën në sjellje dhe do të më përjashtonin si vagabond, nga ata që i bënin karikatura dhe i afishonin në mes të qytetit për t’i parë të gjithë. Kishte momente që e radhisja veten me mend midis disa prej këtyre vagabondëve, që i kisha në lagje dhe, të them të drejtën, nuk i doja.

Pastaj i thosha vetes se vagabond nuk mund të jetë një djalë i vogël që shkon në shkollë dhe merr nota të mira , por ca djem të rritur, që nuk shkojnë në shkollë dhe ngacmojnë vajzat . Sidoqoftë asgjë nuk ndodhi dhe kjo sepse unë nuk i thashë askujt se ç’mendoja për mësuesit e veçanërisht për mësuesin e gjuhës, i cili, me supet e mbledhur, kokën e vogël dhe flokët e rralluar më dhembsej e më dukej njeriu më i ndershëm në botë. Por tani ishte e kotë..Nuk mund të korrigjohej asgjë.Vetëm vazhdoja të habitesha sesi ai njeri-mësues nuk kishte mundur t’i rezistonte tundimit të Adamit dhe në përgjithësi si ishte e mundur që mësuesit të martoheshin!

Vonë, kur edhe vet u bëra mësues, një ditë në orën e mësimit, një nxënës më kishte ngulur shikimin sikur më pyeste: Po ti zoti mësues, e ke bërë mëkatin e Adamit?

Qetësinë e prishi trokitja e derës dhe dezhurni që më njoftoi se kishte ardhur djali dhe më kërkonte…

Petrit Qejvani,1994

                                         

Next Post

Naim Frashëri – Poeti dhe atdhetari

Hën Maj 28 , 2012
Të flasësh për Naim Frashërin, asnjëherë nuk është e tepërt, është aq e lehtë dhe e vështirë njëkohësisht. Ndërkohë, të shkruash diçka të re është një kurth që i ngreh vetes, pasi për Naimin është folur e shkruar shumë dhe ndoshta më shumë se për cilindo krijues tjetër, dhe të […]
PetritQejvani

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt