Krijime e botime të autorëve kallaratas

Te nderuar kallaratas!

Historia e fshatit tonë, veç dokumenteve të shkruara historike gjen pasqyrim edhe nëpërmjet krijimtarisë së vjershëtorëve popullorë, të cilët nëpërmjet vargjeve të goditura pasqyrojnë jetën, hallet, përpjekjet e kallaratasve për liri e zhvillim shoqëror. 

Në të përshkruhen ngjarje historike, personazhe, zakonet e fshatit. Fjala e lëmuar me një ëmbëlsi të pashoqe i bën edhe sot këto vjersha të këndshme për tu lexuar. Tematika që ato trajtojnë u japin vlerën e dokumenteve historike të pazëvendësueshme. Fjala e gdhendur bukur në vargjet e Xhebro Muços, Isan Sejdiut, Veliko Muratit, Elmaz Çerçizit, Barxhul Musait, Hasan Shamos, Mehmet Karabollit e plot të tjerëve deri në ditët e sotme, është pjesë e kujtesës historike të fshatit tonë.

 Stafi drejtues i uebsaitit www.kallarati.com u bën thirrje gjithë bashkëfshatarëve që të kontribuojnë në grumbullimin e krijimtarisë së këtyre vjershëtorëve popullorë, publikimin e tyre në këtë uebsait, pse jo dhe botimin e tyre në një të ardhme të afërt, duke kryer një shërbim të çmuar ndaj historisë së fshatit tonë.

Kjo rubrikë i kushtohet gjithashtu krijimtarisë së mirëfilltë letrare, artistike dhe shkencore e krijuesve dhe studiuesve kallaratas, si pjesë krijimtarisë mbarë shqiptare.

Ftojmë të bëhen pjesë e kësaj rubrike, krijuesit letrarë, kallaratas tashmë të njohur e të vlerësuar jo vetëm nga lexuesi e publiku shqiptar, por të vlerësuar nga kritika brenda e jashtë vendit, si Gafur Shametaj, Hiqmet Meçaj, Petrit Qejvani, Andi Meçaj etj, të cilët me krijimet e tyre kanë ngritur më lart jo vetëm emrin e tyre, por edhe lavdinë e krenarinë e Kallaratit.

Ftojmë familjarët e të ndjerit Neshat Tozaj, një nga shkrimtarët, publicistët dhe skenaristët më në zë në Shqipëri e jashtë saj, që të bëjnë pjesë të këtij uebsaiti, krijimet e tij të botuara ose dorëshkrime.

Ftojmë studiuesin Prof. Dr. Rami Memushaj, që krahas krijimtarisë së tij historike kushtuar Kallaratit e Krahinës së Labërisë, të bëjë pjesë të këtij uebsaiti edhe disa nga studimet dhe botimet e tij shkencore në fushën e gjuhësisë.

Gjithashtu, ftojmë edhe këdo tjetër kallaratas, që studimet dhe botimet e tyre në fusha të ndryshme të shkencës dhe diturisë t’i bëjë pjesë të këtij uebsaiti.

Përfshirja e krijimeve dhe studimeve të tyre në këtë uebsait, nuk do të ketë si qëllim më vete, reklamimin e tyre, por njohjen më nga afër me to nga kallaratasit dhe në veçanti nga brezi i ri.

Ju mirëpresim!

Next Post

Kujtime për “nënat dhe tetot” e Kallaratit, nga Farfuri Liskëndaj(Micaj)

Die Pri 22 , 2012
Shpesh mosha e bën çdo njeri të kthejë kokën pas e të kujtojë vitet e kaluara me të mirat e të këqijat e saj. E bën të kujtojë vuajtjet, por edhe gëzimet dhe lumturinë që kemi shijuar në këtë jetë të mundimshme. Secili ka kujtimet e veta nga vendlindja e […]
Farfuri Liskendaj