KUJTOJMË SIHAT TOZAJN NË 20 VJETORIN E NDARJES NGA JETA.

Sihat Tozaj u lind më 10 shtator 1926 në fshatin Kallarat të rrethit të Vlorës, në një familje me ndjenja të theksuara patriotike e atdhetare, nga prindërit Xhemil e  Xhevo TOZAJ, ku së bashku me vëllezërit, Sinanin, vëllain e madh “Hero i Punës Socialiste”, Hysniun, Mersinin, Neshetin, dy motrat Sartabeja e Saliheja, krahas shumë pjesëtarëve të tjerë të fisit TOZAJ dhe bashkëfshatarëve të tyre kallaratas e më gjerë, dhanë një kontribut të rëndësishëm në lëvizjen Nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit dhe më pas në rindërtimin e tij në sektorë të ndryshëm të jetës.

Më 1 nëntor 2021 mbushen plot 20 vjet nga ndarja nga jeta të SIHAT TOZAJ, njërit prej bashkëfshatarëve më në zë kallaratas, një nga personalitetet më të shquara të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, me kontribute të jashtëzakonshme në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, fillimisht në çetën territoriale “Mumin Selami” në Kallarat e më pas partizan në Brigadën e Tetë Sulmuese”,  duke marrë pjesë në të gjitha betejat dhe luftimet e zhvilluara brenda e jashtë vendit, në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, në ushtrimin e kryerjen e mjaft detyrave të rëndësishme partie e pushteti në shkallë vendi, si në jug dhe në veri, duke filluar me punë partie në Mirditë nga viti 1946-1949 për formimin e administratës shtetërore e të organeve të pushtetit vendor, siç ishin këshillat popullore dhe për krijimin dhe formimin e organizatave politike – shoqërore, si organizatat e frontit nacionalçlirimtar, të partisë, rinisë dhe gruas.

Në vitin 1949 i përcjellë me shumë dashuri e respekt nga drejtuesit dhe banorët e Mirditës, për kontributin e dhënë së bashku për konsolidimin e pushtetit popullor të pas luftës, Sihati, kthehet në krahinën e vendlindjes, Kallarat, Kuç, Bolenë e Vranisht deri në vitin 1952 për formimin e organizatave të partisë dhe organizatave të tjera shoqërore të krahinës së tij, ku si rezultat i njohjes së njerëzve e kishte më të lehtë kryerjen e detyrës së ngarkuar nga partia.

Në vitin 1952 Sihati u caktua të punonte në Komitetin e Partisë të rrethit të Vlorës, ku drejtoi sektorin e bujqësisë, duke qenë njëkohësisht edhe nëndrejtor politik i Stacionit të Makinave dhe Traktorëve.

Në vitin 1954 Sihati transferohet në rrethin e Sarandës në detyrën e Drejtorit të SMT-së rrethit me qendër në Finiq të Delvinës. Si kudo edhe në rrethin e Sarandës, Sihati punoi me përkushtim e devotshmëri, ku la përshtypje të punëtor e drejtues i aftë, i shkathët i mençur, i urtë e i komunikueshëm me të gjithë njerëzit që e lidhte puna.

Për rritjen e njohurive teorike e praktike në fushën e bujqësisë, së cilës si ishte përkushtuar, në vitin 1956 Sihati shkon në Tiranë për kryerjen e arsimit të lartë në Institutin e Lartë Bujqësor dhe në vitin 1959 përfundon me rezultate të larta në Fakultetin e Agronomisë, duke u diplomuar “Agronom i Lartë”.

Me mbarimin e arsimit të lartë, më 1959, Sihati emërohet fillimisht Drejtor i SMT-së në Roskovec të Fierit,  ku qëndroi shumë pak dhe transferohet në rrethin e Krujës, në detyrën e Drejtorit të SMT-së të Fushë – Krujës, ndërsa në vitin 1961 emërohet Drejtor i Ndërmarrjes Bujqësore Shtetërore të Thumanës, një nga ekonomitë më me peshë më rrethin e Krujës.

Për aftësitë e tij  organizative e drejtuese dhe gatishmërinë e tij për të punuar ku kishte nevojë, Sihati shpesh caktohej në vende pune të vështira. Kështu në vitin 1964, Sihati kthehet në qytetin e tij të Vlorës, ku zgjidhet Sekretar i Komitetit të Partisë të rrethit për Bujqësinë. Sihati shkonte shpesh në ndërmarrjet dhe ekonomitë bujqësore të rrethit, sidomos në kooperativat bujqësore, të cilat kishin më shumë nevojë për ndihmë. Me përvojën e fituar, aftësitë organizative dhe përkushtimi e tij, ai i dha një shtytje të dukshme bujqësisë në rrethin e Vlorës.

Në vitin 1967 në kuadrin e politikave që ndiqte partia për qarkullimit e freskimin e kuadrove, Sihati emërohet Kryetar i Lokalitetit në Brataj, Vlorës. Në këtë zonë malore me shumë probleme e vështirësi, Sihati u prit mirë. Emri i tij ishte shumë i njohur për zonën, pasi ishte djalë fshati. Sihati për aq kohë sa qëndroi në atë detyrë punoi me mish e me shpirt për gjallërimin dhe zhdërvjellësimin e administratës së lokalitetit dhe përballimin dhe zgjidhjen e problemeve nga më të ndryshmet që kishin fshatrat dhe ekonomitë e tyre, por edhe të halleve të fshatarëve.

Për punën e tij të mirë disa vjeçare në vitin 1970 Sihati emërohet Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Vlorës, detyrë në të cilën qëndroi deri në vitin 1979, duke kontribuar me aftësitë e tij drejtuese në zhvillimin ekonomik, kulturor e arsimor të rrethit të tij. Gjatë kohës së kryerjes së kësaj detyre, Sihati, krahas punës për zhvillimin dhe përparimin e gjithë sektorëve të punës në Vlorë, në çdo skaj të rrethit  qytet, zonën e Lumit të Vlorës, Sevaster, Selenicë, zonën e Himarës,  Orikumit, Myzeqesë së Vogël, etj, u lidh edhe më ngushtë me vendlindjen, Kallaratin duke ndihmuar e dhënë ide si për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë, ashtu edhe në rindërtimin e fshatit me objekte social kulturore, ide e mendime të vlefshme pë hartimin e historikut të fshatit, si dhe në shkollimin e djemve e vajzave të fshatit.

Në nëntor të vitit 1979 Sihati zgjidhet Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Gjirokastrës, ku qëndroi për tre vjet rresht. Si sekretar i parë, Sihati u dha një shtytje përpara gjithë arritjeve në këtë rreth, si  dhe zgjidhje më të mirë problemeve që kishte rrethi, duke hyrë thellë në zemrat e gjirokastritëve. Ai ka mbetur i paharruar në kujtesën e tyre si një burrë shteti i thjeshtë, i mençur dhe i lidhur me popullin dhe me problemet dhe hallet e tij. Sihati qëndroi në Gjirokastër veç tre vjet, por gjurmët dhe mbresat e lëna kujtohen me dashamirësi edhe sot.

Krahas detyrave partiake e shtetërore, Sihati ka qenë i zgjedhur deputet në 5 legjislatura të Kuvendit Popullor në zonën nr. 243 të qytetit të Vlorës, në vitet 1970, 1974, 1978, 1982 dhe në vitin 1987.

Në nëntor të vitit 1982, Sihati caktohet në detyrën e lartë në karrierën e tij, Sekretar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, detyrë të cilën e kreu me nder brenda ligjeve të shtetit të atij sistemi.

Në vitin 1991, Sihati e mbylli karrierën e gjatë të tij në shërbim të atdheut dhe doli në pension pleqërie, duke mbajtur në gjoksin e tij shumë medalje e urdhra të luftës e të punës si: “Medalje e Kujtimit”, “Medalje e Trimërisë”, “Medalje e Çlirimit”, urdhri “Për Shërbime të Shquara Shtetërore e Shoqërore” i Klasit të Parë, urdhri “Flamuri i Kuq i Punës” i Klasit të Parë, etj.

Dalja e tij në pension përkoi edhe me ndryshimin e sistemit. Forcat politike që erdhën në pushtet u munduan  të hakmerreshin ndaj figurave të tilla si Sihati, deri në burgosje, por duke mos gjetur dot fakte e prova të nevojshme, nuk e burgosën dot.

Edhe pas daljes në pension, Sihati ishte mjaft aktiv në Organizatën e Veteranëve të luftës nacionalçlirimtare,  e në krejt jetën shoqërore të vendit, ku mbi të gjitha gjatë gjithë jetës së tij, spikati dashuria ndaj vendlindjes, Kallaratit, qytetit të Vlorës dhe Labërisë. Ai u mbeti besnik deri në fund idealeve për të cilat luftoi e punoi tërë jetën, duke mbrojtur me vendosmëri vlerat e epopesë së lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe arritjeve në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit pas çlirimit bashkë me mijëra shokë e bashkëpunëtorë të tij. Sihati ishte dhe mbeti idealist deri në fund të jetës së tij më 1 nëntor 2001.

Sihati gjatë gjithë jetës së tij, manifestoi vetitë dhe virtytet më të larta si njeri me familjen, bashkëpunëtorët, eprorët, vartësit e deri te njerëzit e thjeshtë, duke qenë gjithmonë pozitiv në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve edhe kur ato ndonjëherë ishin të pazgjidhme. Ai ishte njeri i dashur, i kudondodhur, i përkushtuar, i pakorruptuar, i besës, por edhe i humorit. Shtëpia e tij, kudo ku punoi e banoi ishte e hapur dhe e mirëpritur për të gjithë bashkëfshatarët e tij kallaratas por jo vetëm. Sot ndihemi krenarë për këtë figurë, pasi në çdo prezantim që bëjmë  e kur na pyesin nga je, nëse u themi nga Kallarati, menjëherë do të thonë: “Po qenke nga fshati i Sihat Tozaj”. Njerëz të tillë që me punën e sjelljen e tyre njerëzore arrijnë të simbolizojnë dhe identifikojnë fshatin e origjinës së tyre edhe pse të rrallë ekzistojnë, siç është edhe Sihat Tozaj.

Sihati ishte martuar me Shano Qejvani (ndarë nga jeta më 2018), të bijën e patriotit të njohur, një nga mësuesit e parë kallaratas, Meçan Selam Qejvanaj, me të cilën lindën, rritën e arsimuan pesë fëmijë  të denjë për veten e tyre dhe shoqërinë, Vaiden, Kastriotin, Manushaqen, Mirandën dhe Linditën.

Pas vdekjes, me propozim të Shoqatës “Kallarati”, Sihat Tozaj, Këshilli i Qarkut Vlorë, me Vendim Nr. 41, datë 29.08.2003, i ka dhënë  titullin pas vdekjes “Nderi i Qarkut Vlorë” me motivacionin: “Drejtues i spikatur i Organeve të Qeverisjes Vendore dhe Qendrore”.

Gjithashtu, me propozim të Shoqatës “Kallarati”, edhe Komuna e Vranishtit, i ka dhënë Sihatit më 9 prill 2011 titullin “Qytetar Nderi i Komunës dhe i Krahinës” me motivacionin “Për kontribut të veçantë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në zhvillimin e krahinës e të vendit pas çlirimit”

Po me propozim të Shoqatës “Kallarati”, kohët e fundit Këshilli Bashkiak i Vlorës ka emërtuar një sërë rrugësh  me emra të figurave të shquara, ku, ndër to është edhe rruga “Sihat Tozaj” në qytetin e Vlorës.

Në këtë përvjetor të 20-të të ndarjes nga jeta të Sihat Tozaj, krahas familjarëve e të afërmve, Kryesia e Shoqatës “Kallarati”, i bashkohet dhimbjes dhe kujtesës së tyre, duke shprehur edhe njëherë, Vlerësim e Mirënjohje për kontributet e Tij në luftë e në punë ndaj Atdheut dhe vendlindjes së tij Kallaratit.

Qoftë i paharruar kujtimi dhe emri i Sihat Tozaj!

Shënim: Në përgatitjen e këtij shkrimi u shfrytëzua libri i shkruar nga Seit Jonuzaj “Kujtime për Sihat Tozajn”, libri “Enciklopedia e Kurveleshit” dhe materiale e dokumente të tjera zyrtare.

Përgatiti për fb e Shoqatës “Kallarati”: BESNIK GJONBRATAJ

Besnik Gjonbrataj

Next Post

Gazeta Kallarati, 103

Sht Tet 30 , 2021