Në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë mediat e ndryshme po mundohen të japin kontributin tyre për ndriçimin e disa ngjarjeve dhe personaliteteve historike deri tani të pandriçuar qartë ose të vlerësura negativisht nga historiografia komuniste. Do të ishte një gjë e dobishme sikur ky mision të ishte i pandikuar nga era politike. Por jo në pak raste disa gazetarë bien në grackën e politikës së ditës.. Në vend të analizës bazuar në fakte dhe argumunte, ata bëhen përjetues të dëshmive shpesh subjektive dhe emocionale të personazheve të përzgjedhur, duke u njesuar me ta dhe duke humbur objektivitetin. Veçanërisht kjo dukuri bie në sy kur është fjala për përsonazhe të kohës së Luftës së Dytë Botërore.
Nisur nga pozicioni që vjen prej inercisë antikomuniste, disa herë ndriçimi i fakteve dhe figurave historike bëhet nën një dritë të rreme dhe denigrimit komunist, me ose pa të drejtë, i ka zënë vendin zbukurimi antikomunist, pra një falsifikim i ri. Sidomos në modë eshtë kthyer rehabilitimi i disa krerëve të krahinave të ndryshme që iu kundëvunë Luftës Nacinal-çlirimtare të popullit shqiptar, të ashtuquajtur nacionalistë, të cilët gjatë dhe pas Luftës morën ndëshkime të ashpra për shkak të kolaboracionizmit të tyre.
Një rast tipik në këtë drejtim në kuadër të rishkrimit të historisë, i nënkuptuar si përmbysje, ishte dhe ai për familjen e Gjon Marka Gjonit, bajraktarit të Mirëditës, një kolaboracionisti të njohur, që iku prej Shqipërisë bashkë me pushtuesit në prag të çlirimit dhe ardhjes së komunistëve në pushtet. Gazetarja e një televizioni serioz pyet pinjollen e familjes së njohur feudale në mënyrë që ajo të tregojë sagën e familjes së saj pas ardhjes në pushtet të komunistëve. Dhe ajo tregon natyrshëm për familjen e vet të pasur, për babanë e saj, për jetën e lumtur që bënin si familje, për miqtë e shumtë e të fuqishëm që kishin, për shërbëtorët gjithashtu të shumtë, për rojat me pushkë, që i shoqëronin kur dilnin shetitje në Shkodër, për shkollimin në një kolegj të shtenjtë murgeshash në Itali etj. Dhe nuk kishe pse të mos e besoje. Ajo u tregua e sinqertë kur tha se ne nuk mendonim që komunistët do të fitonin. (ky ishte mendimi i gjithë nacionalistëve antikomunistë kolaboracionistë). Njëherësh ky ishte dhe gabimi i tyre fatal dhe drama e tyre. Deri këtu nuk ka asgjë që nuk shkon. Përgjigjet e saj qenë të besueshme. Por gazetarja që bëri plot pyetje të drejta “harroi” të bënte edhe një pyetje jo pak të rëndësishme: pse ju burgosën dhe ju përndoqën politikisht si familje komunistët? Do ishte e rëndësishme të dëgjonim përgjigjen e saj, sido që të ishte. Mirëpo kjo s’i ka pëlqyer gazetares, sepse do ta zbehte synimin e emisionit. Se, sado irracional të jetë një regjim, nuk mund të marrë nga shtëpia një vajzë të re e ta rrasë në burg kot së koti. Gazetarja vet në tekstin e saj sqaroi se Gjon Markagjoni la dy djem në Shqipëri të luftonin për përmbysjen e qeverisë komuniste dhe ata u vranë nga forcat e regjimit komunist. Dhe kjo është normale për filozofinë e kohës. Gazetarja duket se nuk e ka fare parasysh kontekstin politik të ngjarjeve dhe i sheh ato nga qetësia e ditëve tona. Pra ajo krijon një tekst të ri për të shpjeguar një kontekst të vjetër. Ë kaluara nuk gjykohet me logjikën e sotme, pasi kështu cdo e kaluar tingëllon pa kuptim ose tigëllon keq, pavërtetësisht.
Nëse në planin njerëzor keqardhja për fatin e pinjollëve të pafajshëm ( si në rastin konkret vajzës së Gjon Marka Gjonit) është diçka normale, shtrirja e saj për krejt familjen, edhe për babanë e saj kolaboracionist apo djmtë e tij, është një humanizëm abstrakt, që del përtej realitetit dhe nocionit të fajësisë. Në politikë nuk mund të flitet si në kishë. Gazetarja duhet ta dijë që edhe në vendet e mëdha demokratike si Franca p.sh. apo dhe Italia kolaboracionistët u dënuan me vdekje apo me burgime, sipas peshës së fajit. Për këtë u dënua me vdekje edhe gjenerali Peten, heroi i Francës gjatë Luftës së Parë Botërore, paçka se për shkak të moshës iu kthye në burgim të përjetshëm. Mesa duket është fryma “antikomuniste” që qorrollis disa njerëz të medias, edhe kur nuk kanë afinitete shpirtërore me kolaboracionizmin. Dhe më në fund, antikomunizmi për çdo gjë nuk është një çertifikatë apo shkop magjik që kolaboracionizmin e shndërron në patriotizëm. Kështu misioni i këtyre gazetarëve komprometohet. Kështu nuk informohet, por dezinformohet. Në rastin e nacionalistëve kolaboracionistë shfajësimi i tyre është një mision i pasuksesshmëm dhe i padrejtë. Është njëlloj si të kërkosh t’i zbardhësh pendët korbit…
Nëntor 2012.
Marre nga blogu “Fjala ime”