LAVDI DËSHMORËVE TË KALLARATIT, nga Bejo Xhaferraj

Lapidari kushtuar deshmoreve ne KallaratSi në të gjithë vendin, edhe në Kallarat u përkujtua me homazhe e nderime dita e dëshmorëve. Paraditën e 5 Majit, populli i fshatit u grumbullua në Morrëz, para lapidarit të dëshmorëve dhe bustit të Heroit të Popullit Mumin Selami. Shënojmë se, për të nderuar dëshmorët, njerëzit erdhën aty pa dallim bindjesh politike, sepse  të gjithë janë të ndërgjegjshëm se dëshmorët e fshatit tonë dhe të mbarë vendit, të rënë në luftë për mbrojtjen apo çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, u përkasin të gjithëve, sepse ata e dhanë jetën për atdheun e jo për parti politike, prandaj dhe quhen “Dëshmorë të Atdheut”. Për të nderuar dëshmorët kishin ardhur me mësuesen e tyre, Fiqo Qejvanaj, edhe nxënësit kallaratas që ndjekin mësimet në shkollën e mesme të Vranishtit.

Pas vendosjes së kurorave tek lapidari i dëshmorëve dhe buqetave me lule tek busti i Heroit të Popullit Mumin Selami nga organizata e veteranëve të luftës, nga organizata e familjeve të dëshmorëve, nga pushteti vendor i fshatit dhe i komunës dhe nga nxënësit e shkollës, autori i këtyre radhëve mbajti fjalën e rastit kushtuar kësaj dite përkujtimore për dëshmorët. Në këtë fjalën e mbajtur theksohej se Kallarati ka dëshmorë në të gjitha luftërat që janë bërë në tërë vendin tonë për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut, madje edhe përtej kufijve shtetërorë. Dhe as në kohën e sotme nuk ka pushuar së shtuari numri I dëshmorëve kallaratas. Fshati ynë është krenar që, në krahasim me popullatën, si dje dhe sot ka më shumë dëshmorë se sa fshatrat fqinjë përreth me popullsi më të madhe.

Kallarati dha dëshmorë në luftën e 1914-s për mbrojtjen e fshatit nga sulmet e bandave shoviniste greke, në Luftën e Vlorës të 1920- s për shporrjen e imperialistëve italianë nga Vlora dhe rrethinat e saj, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë italianë e nazistë gjermanë, si dhe në kohën e sotme për mbrojtjen erendit publik nga keqbërësit. Rapsodi popullor veprën e dëshmorëve e ka përjetësuar në vargje këngësh, siç janë edhe vargjet e e mëposhtme:

 Çdo t’u them për Kallaranë,

Në atë luftën me gjermanë

Vanë djemt’ e fshatit vanë.

Do t’u them emrat me radhë

Dhe vendet ku janë vrarë…

Në fjalën e mbajtur përmendej me hollësi secili dëshmor, vendi ku ishte vrarë, formacioni partisan ku bënte pjesë etj. Në vazhdim, u tha se ky aktivitet sot zhvillohet në kuadrin e shumë ngjarjeve të tjera, siç janë 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, 70-vjetori i rënies së Heroit të Popullit Mumin Selami, 70-vjetori I Konferencës së Pezës, 55-vjetori i krijimit të Organizatës së veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare etj. Këto ngjarje jubilare na ngarkojnë me shumë detyra që ne në fshat të kemi e të forcojmë unitetin, të ruajmë e të propagandojmë vlerat e luftës për të cilën dëshmorët dhanë jetën, të ruajmë e të kujdesemi për mirëmbajtjen e lapidarëve, pllakave përkujtimore e simboleve të tjera historike të luftërave që ka bërë fshati ynë dhe bijtë e tij.

Pas këtij fjalimi, veprimtaria përkujtimore vazhdoi me një program artistik të bukur me këngë e recitime kushtuar dëshmorëve nga nxënësit e shkollës. Pastaj u vijua me vizita me grupe të veçanta për çdo lagje në ato familje dëshmorësh që kanë mbetur në fshat. Kështu, vizita u bënë në familjen e Bejo Xhaferajt me dy dëshmorë të luftës së vitit 1914: gjyshi nga i ati, Hyso Balili dhe gjyshi nga e ëma, kuçjoti Fejzo Gjini; në familjen e Kamber Hysajt për xhaxhain e tij dëshmor, Nelo Nazër Hysaj të vrarë në luftë me nazistët gjermanë në tokat jugosllave më 20 janar 1945; në familjen e Hekuran Ribajt për xhaxhain dëshmor, Ormën Boro Ribaj, rënë në luftë me ushtrinë gjermane në Sopik të Gjirokastrës më 8 qershor 1944; në familjen e Hetem Ribajt për xhaxhain dëshmor, Ali Birçe Ribaj, rënë më 15 janar 1946 në mbrojtje të kufirit shtetëror të Bilisht nga provokacionet monarkofashiste greke; në familjen e Sali Memushajt për vëllain e tij dëshmor, Ali Memushaj që sakrifikoi jetën më 1943 në interes të çlirimit të vendit, si pjesëtar i çetës territorial  “Mumin Selami”. Këto vizita u mirëpritën nga familjarët e dëshmorëve dhe kaluan në një atmosferë të ngrohtë e me fjalë të mira për organizimin e veprimtarive të tilla.

Bejo Xhaferraj

Botuar ne Nr. 63 te gazetes Kallarati, Maj-Qershor 2012

 

Next Post

SALO REXHEP MATAJ BIR I NDERUAR I KALLARATIT, nga Enver Golloshaj

Sht Gus 11 , 2012
Më 6 maj 2007 u mbushën 5 vjet që Familjes Mataj i mungon Salua, por edhe neve bashkëmoshatarëve të tij na mungon ky burrë i nderuar i Kallaratit, ashtu siç i mungon gjithë fshatit. Meqë ne vërsnikët e tij rrojmë dhe e kujtojmë, themi se na iku para kohe. Në […]
Salo Mataj