Nga Prof. dr. Rami Memushaj
Mumin Selami erdhi në jetë më 25 dhjetor 1923 në Kallarat të Kurveleshit të Poshtëm, në një familje të varfër fshatare që mbahej me prodhimet e tokës dhe me të ardhurat që siguronte i ati, Selam Hasani, si hoxhë i fshatit. Familje e varfër, si shumica e familjeve kurveleshase, po me tradita të hershme atdhetare. Stërgjyshi i Muminit, Bilbil Hasani, qe një ndër krerët e Kurveleshit në Kryengritjen e Tanzimatit dhe pas shuarjes së kryengritjes, u kap nga turqit dhe u ekzekutua me varje në Janinë . Babai i tij qe i njohur në krahinë dhe një ndër krerët e fshatit në kryengritjet kundërosmane në prag të Pavarësisë, në luftën me grekët më 1914 e me Italinë më 2920.
Në moshën 4-vjeçare Muminit i vdes i ati dhe me rritjen dhe edukimin e tre fëmijëve – Hasanit, që ishte më i madhi, të Muminit dhe të së motrës – u mor nëna e tyre, Duzja. Megjithëse mbeti e ve, me tre fëmijë jetimë dhe pa asnjë ndihmë, ajo bëri të pamundurën për shkollimin e tyre. Vëllai madh, Hasani, e bëri filloren në shkollën e fshatit, që atë vit që lindi Mumini, u mbyll. Kështu që nënë Duzja e dërgoi në fshatin fqinjë, në Vranisht, ku kreu filloren. Në moshë aq të vogël i duhej të bënte çdo ditë mbi tri orë rrugë vajtje-ardhje, duke kaluar përmes pyjesh e duke kapërcyer dimrave rrëke e përrenj malorë. Megjithatë, shkollën nuk e braktisi. Pas mbarimit të fillores, nënë Duzja i rregulloi një bursë për në Sarandë, ku kreu qytetësen (uniken).
Mumini u rrit me dashurinë për vendlindjen dhe për njerëzit e saj. Kallarati i kohës së tij i ngjante një muzeu historik, me objekte dhe ciceronë. Fshatit i Djegur nga grekët në vitin 1914, gërmadhat e të cilit dëshmonin shumë më mirë se fjalët për luftën e bërë me ushtrinë greke dhe me bandat e Spiro Milos, ishte një muze i vërtetë në natyrë. Ciceronë të këtij muzeu ishin pjesëmarrësit e luftërave me turqit, me grekët e italianët dhe ata që i kishin vuajtur pasojat e dy luftërave të fundit: gjyshërit dhe gjyshet, etërit dhe nënat, vëllezërit dhe motrat më të mëdha. Me rrëfimet e tyre, ata u mësonin brezave të rinj historinë e fshatit dhe të krahinës së tyre, duke u mëkuar ndjenja të forta atdhetare.
Të gjitha këto nuk kishte se si të mos linin gjurmë në mbrujtjen e karakterit të tij. Ata që e patën njohur Muminin, tregojnë se ishte një fëmijë tepër i gjallë e i shkathët dhe shumë i zgjuar e i vëmendshëm. I etur për të njohur të kaluarën e fshatit, dëgjonte rrëfimet e të mëdhenjve për ngjarjet e së shkuarës. Sa për leximet, nuk linte libër që i binte në dorë pa kënduar.
Pas mbarimit të qytetëses, Mumini kthehet në vendlindje. Nuk dihet a qëndroi një vit në shtëpi, po në vjeshtën e vitit 1936 regjistrohet në Medresenë e Tiranës. Duket se e drejta e studimit iu sigurua me përpjekjet e të vëllait, që kishte mbaruar edhe ai Medresenë dhe jepte lëndën e anglishtes në klasat e ulëta. Ditën e vajtjes së Muminit në Medrese, e përshkruan me hollësi Vexhi Buharaja, i cili më pas krijoi shoqëri me të. «Ishte andej nga mbarimi i tetorit të vitit 1936, – shkruan Vexhiu, – kur një ditë, në të perënduar të diellit, përpara shkollës sonë qëndroi një karrocë. Pamë të zbriste nga ajo me një valixhe të vjetër prej dërrase e me një trastë me plaçka një djalosh, ose, më drejt, një fëmijë 12-13 vjeç me gjatësi shtati nën mesataren, i pakët nga trupi, me një xhaketë bojë hiri prej rrobe të hollë e shumë të lirë, që i mbulonte vetëm dy të tretat e kurrizit e që ishte arnuar në dy bërrylat, dhe me një palë pantallona të zbërdhuqura, që vinin shumë të ngushta nga fundi e që mbërtheheshin me pulla në dy faqet e jashtme të kërcinjve.»
Shumë shpejt spikati si djalë i sjellshëm e i çiltër, i shkathët e mendjemprehtë, po dhe shumë i ndjeshëm ndaj padrejtësive. Pa kaluar 4-5 muaj, në shkurt të vitit 1937 Mumini u përfshi në një “grevë” të nxënësve të klasave të ulëta, të cilët braktisën mësimin, në shenjë pakënaqësie ndaj mungesës së kujdesit të drejtorisë së shkollës për shokët e sëmurë nga gripi. Ai u cilësua si një nga organizatorët e “grevës” dhe për këtë u thirr në drejtori, ku e qortuan se kishte “dhunuar” rregulloren e shkollës dhe kishte vepruar “ala bolshevikçe” dhe u paralajmërua se, në rast përsëritjeje, do të përjashtohej menjëherë nga shkolla.
Nga lëndët mësimore i pëlqenin më shumë historia dhe letërsia. Naim Frashëri ishte poeti i tij i zemrës, dinte përmendsh shumë vargje të veprës “Bagëti e bujqësia” dhe “Lulet e verës” nuk i ndante nga dora. Studionte gjithfarë veprash letrare dhe në një bllok shënonte gjithçka të bukur dhe interesante që ndeshte gjatë leximit: vargje, aforizma, fjalë të urta, sentenca morale.
Megjithëse jo më i madh se 15 vjeç, kishte një rreth shumë të gjerë interesash kulturorë që nuk i kishin moshatarët e tij. Leximi i veprave letrare dhe, domosdo, edhe talenti i tij e ndihmonin të shkruante hartime të bukura. Çfarëdo karakteri të kishte tema e hartimit që jepte profesori, thotë Vexhiu, Mumini e shtjellonte atë në mënyrë që të kishte mundësi të shfaqte ndjenjat e tij patriotike. Këtë e pat bërë sidomos pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste dhe për këtë mësuesi i gjuhës dhe i letërsisë e pat këshilluar të ishte «më i kujdesshëm e më i përmbajtur».
Tre vjetët e parë në Medrese i kaloi me studime e lexime, duke zgjeruar horizontin e vet kulturor. Po vitin e fundit të shkollës jeta e Muminit u trazua e u trondit nga retë e zeza që zunë qiellin e Shqipërisë. Megjithëse qeveria e Ahmet Zogut ishte përpjekur t’i mbante të fshehta presionet dhe kërcënimet e Musolinit, planet e Italisë fashiste u morën vesh dhe kjo ngjalli zemërimin e popullit, që u ndie i tradhtuar. Rinia shkollore, e para u ngrit në protesta e demonstrata. Kështu, mbrëmjen e 3 prillit 1939, nxënësit e Medresesë iu bashkuan nxënësve të Shkollës Teknike dhe të Gjimnazit në protestën e parë të madhe kundër pushtimit fashist dhe kundër klasës sunduese të vendit, që e kishte shitur Shqipërinë tek Italia. Mumini dhe shumë nxënës të tjerë të Medresesë, pa pyetur për rregulloren e shkollës, që e ndalonte daljen jashtë saj pa leje dhe për kujdestarin e turnit të natës, iu bashkuan protestës. Mumini, thotë Vexhiu, duke çarë përpara, thërriste me grushtin lart: «Poshtë Italia fashiste!», «Poshtë Duçja!», «Poshtë të shiturit!», «Rroftë Shqipëria!»
Dhe gjithë ato ditë para e pas pushtimit nuk reshti së bëri propagandë kundër fashizmit. Fill pas 7 prillit, urrejtjen e tij do ta shprehte me shënimin në kapakun e një libri: «Mbi kockat e martirëve ngrihet atdheu», që ishte një thirrje për t’u ngritur në luftë dhe një zotim i tij për t’u bërë theror për çështjen e kombit.
Në tetor të vitit 1939, në Medrese filloi një veprimtari e thekshme antifashiste. Këndoheshin këngë patriotike e recitoheshin vjersha patriotike, mbaheshin fjalime të shkurtra, u shtuan edhe lidhjet me nxënësit e shkollave të tjera. Në gjithë këtë veprimtari Mumini mori pjesë në mënyrë aktive, duke u përpjekur të krijonte lidhje të nxënësve me të rinj të qytetit që ishin përfshirë në një lloj lëvizjeje klandestine kundër fashizmit dhe bashkëpunëtorëve të tij vendas, me qëllim për të bashkërenduar veprimtarinë propagandistike e politike kundër pushtuesit fashist.
Por veprimtaria e tij kishte rënë në sy të agjenturës fashiste, e cila ishte vënë në ndjekje të tij dhe priste rastin që ta arrestonte. Dhe rasti u erdhi. Nga agjentët e tyre njoftohet se më 28 Nëntor 1939, në një miting të rinisë shkollore në varrin e Naim Frashërit, Mumini kishte mbajtur një fjalë të zjarrtë dhe në fund të fjalës së tij kishte nderuar me grusht. Për këtë, aty nga data 10 dhjetor e arrestojnë në rrugë dhe e mbyllin në burgun e vjetër të Tiranës. Arrestimi i tij ishte pjesë e një vale arrestimesh që kishte nisur kuestura ndaj kundërshtarëve të pushtimit. Hetuesit fashistë shkuan në shkollë dhe morën në pyetje shokët e tij, duke u përpjekur të mësonin prej tyre çdo gjë për Muminin: çfarë vjershash e skeçesh kishte shkruar dhe kush i kishte këto, çfarë fjalimesh kishte mbajtur, cilët ishin bashkëpunëtorët e tij në shkollë dhe jashtë saj. Por nuk nxorën asgjë prej tyre për ta pasur si material kundër tij, megjithatë nuk e liruan. Drejtoria e shkollës, nga ana e vet, po atë ditë i preu bursën dhe e përjashtoi nga shkolla. Sipas vendimit të saj, kur të dilte nga burgu, ai “nuk duhej të shkelte në territorin e shkollës” .
Sipas deklarimit të bërë më 1968 nga Rasim Guri, anëtar i Grupit komunist të Shkodrës, në demonstratën e madhe të 28 Nëntorit 1939, ku të rinjtë protestonin për heqjen e shpatave të Liktorit nga flamuri ynë kombëtar, Mumini debatoi me priftin fashist Dom Lazër Shantoja, i cili «iu drejtua të rinjve studentë në mënyrë kërcënuese me këto fjalë: “Ju studentë që jeni grumbulluar këtu, mos derdhni lotë krokodili, se shpatat e fashizmit nuk do të shuhen kurrë, vetëm në qoftë se do të shuhet Roma dhe gjithë bota mbarë; prandaj hiqni dorë!” Mumini, i revoltuar, iu përgjigj priftit fashist me këto fjalë: “E gjithë bota e shtypur do të fitojë dhe fashizmi do të varroset përgjithmonë!”»
Rasim Guri, shok i tij i burgut, tregon: «Në burg kemi qëndruar deri në shkurt 1940; aty na u bënë tortura nga më çnjerëzoret, por nga goja e Muminit nuk doli asgjë…» Duke qenë se agjentura fashiste nuk gjeti prova komprometuese, po edhe falë zgjuarsisë së Muminit, e lirojnë nga burgu, por duke e mbajtur nën vëzhgim. Në prill e internojnë në fshatin e lindjes, në Kallarat, ku duhet të paraqitej dy herë në javë në postëkomandën e karabinierisë së komunës në Kuç, e cila e kishte urdhëruar që të mos shkonte tek asnjeri për vizitë dhe asnjë të mos vinte në shtëpinë e tij. Mumini paraqitej rregullisht në postën e karabinierisë, ku e keqtrajtonin, po nuk u tërhoq aspak nga veprimtaria antifashiste. Ai punoi me të rinjtë e fshatit, si dhe të fshatrave të tjera përreth Kallaratit, duke nxitur urrejtjen ndaj pushtuesve fashistë italianë dhe nevojën e mosnënshtrimit e të ngritjes kundër tyre.
Kjo veprimtari e tij qe marrë vesh nga armiku, prandaj, sa herë paraqitej në postën e karabinierisë në Kuç, e keqtrajtonin. Lidhur me këto keqtrajtime, një kushëri i Muminit tregon se një pasdite vere të vitit 1940 Mumini u kthye nga Kuçi i gjakosur në fytyrë. Nënë Duzja u shtang, iu hodh në qafë, e puthi dhe lotët nuk i pushonin, duke e pyetur: «Ç’të kanë bërë kështu, të keqen nëna?!» Muminin e kishin rrahur, e kishin goditur në fytyrë dhe në trup kishte shumë plagë. Pasi u shtri në krevat dhe pushoi pak, i thotë nënë Duzes: «Nënë, nënë, mos u mërzit! Të gjitha këto që bëjnë ata do t’i paguajnë shtrenjtë ujë ditë.»
Dimri i vitit 1940–1941 qe për Kallaratin më i vështiri i viteve të Luftës së Dytë. Pas thyerjes së forcave italiane nga ushtria greke, kjo, në ndjekje të tyre, kaloi kufirin shtetëror të Shqipërisë dhe më 23 dhjetor 1940 zuri Kallaratin. Territori i fshatit u bë vija e parë e luftimeve midis dy ushtrive. Komanda greke e pushtimit e shpalli fshatin zonë lufte dhe i detyroi banorët e tij të largoheshin në drejtim të Kuçit. Familja e Muminit (nëna, Mumini dhe e motra) u strehua te një familje kuçjote.
Pasojat e Luftës Italo-Greke për fshatin tonë Mumini do t’i përshkruante kështu në ditarin e tij: «Trojet tona janë bërë sterra gjylesh, kasollet tona janë bërë gurë-gurë duke u përvëluar në to pasuria e jetës sonë e mbledhur me djersë e me o-he.» Dhe në shënimin e datës 17 mars 1941, do të na japë një tablo të gjallë të vuajtjeve e të fatkeqësive të kallaratasve të strehuar në Kuç gjatë atij dimri: «Mbemë me plaçka më krahë e gjithënjë me vuajtje, se buka është e paktë, gjella mungon fare. Krypës, që është gjëja kryesore,… nuk i mbahet mënd as emëri, po njeriu duron.»
Me tërheqjen e ushtrisë greke nga fshati, më 19 prill 1941 familja e Muminit kthehet në Kallarat. Shtëpinë e gjetën të shkatërruar nga predhat e artilerisë, megjithatë u përpoqën të rregulloheshin disi në pjesën që kishte mbetur e paprishur. Me gjithë vështirësinë e madhe për të siguruar bukën, ndiheshin të qetë, se nuk do të përjetonin më tmerrin e bombardimeve nga toka dhe nga ajri.
Për gjithë këto të zeza që hoqën Mumini s’reshtte së mallkuari pushtuesit fashistë. Urrejtjen e tij të madhe për ta e shfaqte me zë të lartë kudo e me këdo, para të afërmve të tij, para të rinjve dhe para çdo moshe. Këto shprehje e qëndrime tregonin antifashizmin e tij të vendosur.
Një ditë, aty nga fundi i prillit 1941, kur ushtria italiane po rikthehej, Mumini, ndërsa po ndiqte nga oborri i shtëpisë së kushëririt të tij, Barjam Toçajt, një kolonë ushtarësh që lëvizte në drejtim të Kuçit, u shpreh me urrejtje të thellë: «Ah, more qenër, këtu do u mbeten kockat edhe juve». Mos fol kështu, të keqen motra, e qortoi me drithërimë e zonja e shtëpisë, nga frika se mos e dëgjonin ushtarët fashistë dhe e vrisnin. Ai iu përgjigj: «Ah, moj Hane, unë mezi pres ditën që t’i hedhim në det këta këmishëzinj. Jam i lumtur që jam në moshë për të luftuar për çlirimin e Shqipërisë nga këta barbarë».
Mumini e kishte vendosur rrugën që do të ndiqte. Dy-tri javë më parë kishte shkruar kështu në ditarin e tij: «Lufta asht rrënuesja e njerëzimit, asht mkat i madh të vrasë njeriu njeriun, po kur lufta bëhet për liri asht ma se e shenjtë… Çdo popull duhet të luftojë për lirin e tij…, ta dëgjojnë dëshmorët e kombit se ka bij pas që vijojnë punën e të parëve…» . Dhe do të ishte ndër të parët bij që do të ndiqte rrugën e martirëve të kombit.
Pasi qëndroi pak ditë në fshat, Mumini largohet për në Vlorë. Aty zë punë si punëtor në Ujë të Ftohtë të Vlorës, në shoqërinë italiane “ÇELPA”, që merrej me ndërtime ushtarake. Kur shfaqeshin avionët anglezë për bombardime, jepej alarmi që të gjithë punëtorët dhe ushtarët italianë të futeshin në tunel. Në një nga këto raste, tregonte Bexhet Kreshpa nga Brataj, që punonte bashkë me të, Mumini, duke shfrytëzuar errësirën, i ngjiti në kurriz një koloneli italian një trakt antifashist. Pas largimit të avionëve, koloneli bashkë me punëtorët dhe ushtarët dolën nga tuneli. Kur e panë çfarë kishte nga prapa koloneli, ushtarët nisën ta tallnin me shprehjen “Il colonnelo fascista oggi mattina e nato comunista” (Koloneli fashist sot në mëngjes lindi komunist).
Në Vlorë nuk qëndroi gjatë. Qershori i vitit 1941 e gjen në Tiranë, ku zë punë si shkrues në zyrën e Suat Asllanit, avokat pranë gjykatës ushtarake në Tiranë. Takohet me shokët e vjetër të shkollës, ndër ta edhe me Vexhiun, që shkruan se Mumini «ishte pjekur mjaft politikisht, kishte zgjeruar horizontin e tij kulturore dhe kishte përvetësuar një varg konceptesh politike e filozofike». Në të njëjtën kohë, rivendosi lidhjet e vjetra, duke e vijuar veprimtarinë antifashiste, që ia ndërpreu internimi dhe Lufta Italo-Greke, më me vendosmëri dhe duke u bërë një nga propagandistët e flaktë të thirrjes së PKSh për luftë të armatosur. Në Tiranë ai ishte shok me Emin Durakun, Misto Mamen, Nazmi Rushitin, Sabaudin Gabranin, Sadik Bekteshin, Xhorxhi Martinin dhe me shumë të tjerë me të cilët kishte qenë në burg.
Pas njëfarë kohe, Mumini dërgohet në Vlorë për të punuar me rininë vlonjate dhe për të kryer veprimtari kundër pushtuesve. Aty u lidh në një miqësi të ngushtë që ua frymëzonte ideali i përbashkët, me Hajredin Bylyshin, Bajram Tushën e Hiqmet Buzin. Të katër kanë qëndruar katër muaj rresht mbi Ujë të Ftohtë, në një çadër ku kishin një shaptilograf për shtypjen e trakteve dhe të komunikatave gjatë ditës, të cilat natën i shpërndanin në qytet. Të katër ishin në radhët e para të rinisë vlonjate në demonstratën e 28 nëntorit 1941.
Kalendari i vitit 1942 për Muminin është shumë i ngjeshur me veprimtari propagandistike e pjesëmarrje në aksione. Ai mori pjesë në demonstratën e bukës më 9 mars 1942 në Vlorë; po në këtë muaj shkon fshehurazi nga Tirana në Kallarat për të për të biseduar me të rinj e patriotë për situatën politike dhe për nevojën për t’u ngritur në Luftë; në prill 1942 merr pjesë në aksionin për vrasjen e spiunit të rrezikshëm Ali Reçi në “Rrugën e Dibrës”; në maj 1942, sipas dëshmisë së dibranit Mexhit Çela, është i deleguar i KQ për të punuar disa materiale të Partisë në kinemanë “17 Nëntori”. Dhe, me gjithë këtë ngarkesë të madhe, Mumini gjente kohë edhe për të shkruar. Veç krijimeve letrare që mbetën në fletoren e vet, në muajt e parë të atij viti boton në revistën “Vatra shqiptare” artikullin “Përleshja e të vdekurve” .
Meqë qëndrimi i mëtejshëm i Muminit në Tiranë ishte bërë i pamundur, për arsye se veprimtaria e tij kishte rënë në sy të agjenturës fashiste, me urdhër të grupit ku bënte pjesë, në qershor 1942 dërgohet në Vlorë për të vazhduar veprimtarinë në atë qark. Aty lidhet përsëri me tre shokët e vjetër. Po, duke qenë në listën e zezë të shërbimit sekret italian, ndiqej nga agjentët e SIM-it. Diktohet nga agjentura fashiste dhe më 21 korrik 1942 bashkë me Maman Sali Vranishtin arrestohen dhe burgosen në burgun e Vlorës, të kallëzuar nga spiuni fierak Azem Spolata. Në kontrollin që iu bë në dhomën ku banonte, Muminit iu gjetën disa broshura me përmbajtje komuniste dhe një fletore me poezi. Duke shfletuar fletoren, marshallit i ra në sy fjalia “Torturoni, torturoni, o bisha të mallkuara të shekullit të njëzetë” dhe e pyet: Cilat janë këto bisha të mallkuara?” Mumini, pa iu dridhur syri, i thotë: “E kam fjalën pikërisht për ju, fashistë të ndyrë!” Pas hetimeve, kuestura e futi në burg, bashkë me Mamanin, dhe pas pesë ditë torturash, i transferoi në burgun e Tiranës. I liruan nga fundi i shtatorit pas ndërhyrjes së avokatit Suat Asllani, i cili zhduku nga dosja e Muminit dokumentet komprometuese .
Pas lirimit nga burgu, Mumini rikthehet në Vlorë, i ngarkuar nga Tirana për organizimin e Lëvizjes në krahinën e Kurveleshit. Por u ndalua nga Qarkori i Vlorës për të punuar në këtë qark dhe u ngarkua me detyra të ndryshme. Aty u rilidh më shokët e vjetër. Mirëpo, duke qenë se për veprimtarinë kundër pushtuesit ai dhe Hajredini, Barjami e Hiqmeti kërkoheshin nga policia fashiste, ishte me shumë rrezik të punonin në qytet, u ngarkuan të punonin në krahinën e Myzeqesë, ku do të ishin larg syve të spiunëve.
Mbrëmjen e 18 tetorit 1942 katër të rinjtë vendosën ta kalonin bashkë në një shtëpi përdhese të një simpatizanti të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, në lagjen Topana të Vlorës. Të nesërmen do të niseshin për në fshatrat e Myzeqesë ku ishin caktuar të shkonin. Por spiuni Azem Spolata, që i kishte diktuar, njoftoi kuesturën për vendndodhjen e tyre. U mobilizuan 400 karabinierë e milicë, që në errësirën e natës qarkuan lagjen, duke i bërë tri rrethime .
Katër shokët, pasi biseduan gjatë për punët që i pritnin, ranë të flinin se të nesërmen do të ngriheshin herët. Po rreth orës një heshtjen e zezë të natës e theu një zë që u thirri: «Hapeni derën, se jemi shokë!» E kuptuan menjëherë që ishin të rrethuar dhe rrëmbyen pistoletat e bombat e dorës. Thirrjes së fashistëve për t’u dorëzuar, iu përgjigjën me fjalët: “Komunistët nuk dorëzohen!” dhe hodhën mbi ta bombat e dorës. U ndez një luftë e pabarabartë, ku 4 trima me pistoleta e bomba dore luftonin kundër 400 armiqve të armatosur deri në dhëmbë. Krismat e armëve dhe shpërthimet e bombave zgjuan banorët e lagjes, që u ngritën nga gjumi të tmerruar. Lufta zgjati rreth katër orë, derisa të katër trimat, në përpjekje për të çarë rrethimin, ranë njëri pas tjetrit, duke dhënë me aktin e tyre heroik shembullin se si “mbi kockat e martirëve ngrihet Atdheu”. Mumini, thonë bashkëluftëtarë të tij në deklaratat e tyre, i çau dy rrethimet e para, po ra duke çarë rrethimin e tretë .
Populli i Vlorës i përcolli me respekt e me hidhërim të thellë katër trimat dhe dita e 18 tetorit u quajt ditë zie për popullin e Vlorës. Rënien heroike të tyre populli i Vlorës e ka përjetësuar me vargjet: «Përdhese e vogël në Topana/ kish mure kallamash, por qe kala,/ se zemra e trimit që di të vdesë,/ është më e fortë se çdo fortesë.»
Vrasja e tyre e shtoi edhe më shumë urrejtjen për fashistët e shërbëtorët e tij dhe vendosmërinë për t’i goditur. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Komiteti Qarkor i Vlorës i vuri detyrë njësitit gueril të qytetit të asgjësonte spiunët dhe, njëkohësisht, mori vendim t’i bëhej pritë autokolonës fashiste që kalonte në rrugën Vlorë–Tepelenë. Në dy prita më 19 dhe 20 tetor mbetën të vrarë 15 ushtarë fashistë, 29 të plagosur, u kapën 11 pushkë, një mitraloz, 3 pistoleta dhe dy mijë fishekë. Kurse më datën 21 tetor u vra spiuni i fëlliqur Azem Spolata, i cili kishte kallëzuar në kuesturë shumë komunistë e përkrahës të Lëvizjes.
Mumini u bë dëshmori i parë i Kallaratit dhe, bashkë me Bajram Tushën, Hajredin Bylyshin e Hiqmet Buzin, ndër dëshmorët e parë të Shqipërisë, pas Koci Bakos, Qemal Stafës, Perlat Rexhepit, Branko Kadisë, Jordan Misjes, Teli Ndinit, Misto Mames, Vojo Kushit, Xhorxhi Martinit e Sadik Stavilecit, të gjithë të rënë në vitin 1942.
* * *
Në Kallarat, lajmi i rënies së tij u prit me hidhërim jo vetëm nga nëna dhe motra e vet, po dhe nga të afërmit, fshati dhe tërë bashkëluftëtarët e tij. Nëna e Muminit, mëmë Duzja si filluan ta thërritnin në fshat, nuk u ligështua, por përmblodhi forcat dhe u bë një agjitatore e flaktë e Luftës Nacionalçlirimtare.
Ato ditë shtëpia e saj, atje majë bregut që sundon fshatin, nuk pushoi së prituri bashkëfshatarë e miq nga krahina që vinin për ngushëllim. Një nga ata që vajti për ngushëllim qe edhe Memo Metua, i cili gjeti të mëmë Duzja një grup burrash të fshatit që ishin duke lexuar të ngashëryer një libër shënimesh të Muminit . E mori edhe ai në duar fletoren dhe filloi të lexonte. Si qëndroi ca, u ngritën të gjithë bashkë dhe zbritën në Qafë të Ubavit, qendra e fshatit në kohën e Luftës. Aty, Memua, bilbili i Kurveleshit, ia mori këngës që e thuri në çast:
«Bogonica me Çipinë/ Ç’kanë që qajnë me lot?/ Qajnë me lot për Muminë, / Që s’e shohën këtu sot./ Të mblidhte djalërinë,/ Se kish për t’u thënë plot,/ Të bën grupe me rininë,/ Si bënte para një mot./ I lindur për Shqipërinë,/ Shënimet ia gjeta sot. / S’ka fat e shkreta krahinë, / Ju shokë qani me lot, / Kësish djem për Shqipërinë/ I kemi të rrallë sot…»
Kjo këngë që përjetëson veprën heroike të Muminit, u bë si një himn që burrat e fshatit e këndonin sa herë mblidheshin në Qafë të Ubavit apo në dasma e gëzime. Ajo është kënduar brez pas brezi e do të këndohet sa të jetë fshati i Kallaratit e sa të këndohet labërisht.
Emrin e Muminit e mori çeta territoriale e Kallaratit, që u krijua dhe shkolla 8-vjeçare e këtij fshati.
* * *
Mumini u shqua për prirje letrare që në bankat e shkollës së mesme. Vexhi Buharaja na thotë se njëherë ai i kishte dhënë për të lexuar «4-5 poezi të shkurtra» të tij, të cilat «përshkoheshin nga dashuria e zjarrtë për atdhe dhe dëshmonin për talentin e padiskutueshëm të autorit, i cili herë hapur dhe herë në mënyrë alegorike shprehte urrejtjen për pushtuesit fashistë». Ai kishte shkruar edhe një dramë me përmbajtje patriotike, e cila nuk u arrit të vihej në skenë, ngaqë Muminin e arrestuan. Shokët e tij, që të mos ua gjenin agjentët e SIM-it, e fshehën. Kjo dramë, bashkë me krijime të tjera të tij të viteve të shkollës humbën . Një fletore me poezi ia sekuestruan dy vjet më vonë karabinierët në Vlorë, kur e arrestuan për herë të dytë . Edhe kjo fletore u zhduk. Prej tij kanë mbetur kopjet e daktilografuara të dy ditarëve: njëri i titulluar “Kujtime, shtator–nëntor 1940”, që në fund të faqes së parë të kapakut mban firmën e tij, dhe tjetri “Kujtime të vitit 1941”, si dhe një poezi lirike për dashurinë me pesë strofa katërshe, që mban datën 3 prill 41.
Në faqen e parë të kujtimeve të vitit 1940, daktilografuesi ka shkruar: «Në tjetër ditar me vlerë për kohën, vendin dhe kushtet në të cilën është shkruar nga Heroi i Popullit Mumin S. Kallarati, i cili bën fjalë për fqinjët tanë që na rrethojnë, siç janë: Greqia, Jugosllavia dhe Italia fashiste. Shkrimi ka filluar më 1 shtator dhe ka vazhduar ditë për ditë deri më 30 nëntor 1940, me titull: “Tragjedi e fshatarësisë Greke”.»
Kopja e ditarit të vitit 1940 përfundon në faqen 78, që nuk dihet a është faqja e fundit edhe e ditarit. Në të vërtetë, ky ditar, që, ndryshe nga ç’thotë daktilogarfuesi, nuk ka data të ditëve kur është shkruar, përmban një analizë të situatës politike dhe ekonomike të Greqisë, të Jugosllavisë e të Italisë në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe të gjendjes së mjeruar të popujve të këtyre vendeve.
Për ditarin e vitit 1941 poeti Agim Shehu në artikullin “Një ditar i ri i panjohur i Mumin Selamit”, të botuar në dy numra të gazetës “Zëri i Vlorës” (17 dhe 20 mars 1977), thotë se e ka shtënë në dorë ditarin, por nuk tregon se ku dhe si e zbuloi. Ai e përshkruan kështu: «Ditari është një nga ato katërshoret e atëhershme shkollore, mbushur në 48 faqe të saj, me një shkrim të kujdesur, nisur me bojë të kuqe, pastaj me laps kopjativ… Në krye të fletores është shkruar dukshëm “Kujtime të vitit 1941”. Poshtë saj është hedhur bukur e qartë me të kuqe firma e Muminit. Brenda fletës së parë ka skicime me laps të një peizazhi malor, shtëpi, pemë, male dhe dielli buzë tyre. Në kapakun e fundit të ditarit ka një vjershë të ngrohtë intime me 20 vargje.»
Pas vrasjes së Muminit, ky ditar ra në dorë të bashkëfshatarit të tij Abdyl Demiri, i cili në faqen e fundit, poshtë “E shtunë 20 prill 1941”, që nuk ka shënime të Muminit për këtë ditë, ka shkruar: «Këjo libërë ashtë e shokut Mumin Selam nga Katund K1, ashtë vrarë një dëshmorë i atdheut në vitin 1942… unë si një revolucionarë e gëzoj një vrasje të atillë me të gjithë vullnet.» Abdyli ra edhe vetë dëshmor në luftë dhe fletorja u ruajt nga dikush tjetër derisa i ra në duar Agim Shehut.
Nuk dihet a janë sot dhe, nëse janë, ku, kopjet origjinale me shkrim dore në fletore shkollore të këtyre dy ditarëve. Nuk dihet as kush i ka daktilografuar dhe as kush e ka fotokopjuar kopjen e ditarit të parë. Autori i këtij shkrimi ka në dorë fotokopjen e kopjes së daktilografuar të ditarit të parë dhe kopjen e daktilografuar të të dytit. Kopja e ditarit të vitit 1941 ka gjithsej 26 faqe të daktilografuara në format A5. Ditari fillon më 16 mars dhe mbaron më 20 prill 1941, kur ushtria greke është tërhequr dhe banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Ditari është shkruar në Kuç, ku familja e Muminit kaloi dimrin. Fillon më 16 mars 1941, ditë e shtunë. Banorët e Kallaratit janë larguar prej ushtrisë greke nga vija e parë e luftimeve dhe janë strehuar disa në kasollet e kuçjotëve e disa në qiell të hapur pyjeve të Kuçit. Fshati është kthyer në një poligon qitjeje, ku bombat e avionëve dhe predhat e artilerisë italiane që qëllonte nga Tërbaçi, i kanë mbushur arat e lëndinat me gropa të mëdha. Në ditar, ditë pas dite, Mumini përshkruan skena nga jeta e mjeruar dhe e pashpresë e bashkëfshatarëve, që e mbanin frymën me qull misri e me lakra të egra, skena të dhimbshme të vdekjes së fëmijëve e të pleqve, vrasjet e fëmijëve me bomba që i pandehnin lodra. Dhe këtu shpërthen urrejtja e tij për fashizmin: «Ah! I mallkuar qoftë ai që u bë shkaktar i kësaj fatkeqësie, Musolini e Hitleri…», që duan «që bota të rregullohet më mirë sipas mendimit të atyre: “Paqe, punë e drejtësi”. A kjo është Paqa fashiste që toka të mbruhet me gjak? A kjo është puna fashiste fabrikimi i mjeteve rrënuese? A kjo është drejtësia fashiste që të shkretohen me njerëz e qytete e shtete të vegjël?»
Teksti i fundit në ditar është i datës 19 prill dhe është shkruar në Kallarat, ditën kur familja e Muminit u kthye në fshat. Ja ç’thotë ai:
«E premte 19 prill 1941.
Sot ushtëria greke iku e gjithë. E liroi vendin e na u nismë për në shtëpira. Vajta në shtëpi. Shpëtuan prej gjyles ato të ndenjjes, vetëm një shtëpi tjetër më prishi. Ushtria greke ka bërë dëme të mëdha. Greku është natyral barbar edhe shkatërrues e pothuaj se gjithë ballkanasit kështu janë. Është popull serios (i pa punë) e tepër përtac. Kurdoherë duan që të rrinë mbi të tjerët. Të punojë populli i huaj e greku të rrijë në hie. Edhe për pabesi thonë se është i pa-besë, por unë nuk e kam provuar.
Nderi që është më kryesore e ne shqiptarëve nuk u cenua aspak. Dhe greku i ndershëm shum. Mundet që të kenë qenë betuar që të mos prekin në nder, nuk e dim, vetëm mund të themi që nuk qe ai greku i 14-ës, që bëri kaqë e kaqë barbarizma e të zeza. Populli grek e nderoi historin e tij, e është i lumtur edhe po të shuhet.»
Për moshën shumë të re të Muminit, që ra pa mbushur as 18 vjeç, kjo veprimtari krijuese nuk është pak. Po, mjerisht, pjesa letrare e saj ka humbur, me përjashtim vetëm të një poezie, e cila u përmend më sipër.
* * *
Kur kthehesh 80 vjet prapa, habitesh me guximin e këtyre të rinjve që nuk patën frikë të ngriheshin kundër bishave që i kishin futur tmerrin gjithë botës, dhe i damkosën me turp intelektualët e dhjamosur, të cilët, për hir të rrogave dhe të privilegjeve, u lidhën kokë e këmbë me fashistët e nazistët. Pa idealizmin dhe gjakun e këtyre të rinjve, Shqipëria do të ishte zhbërë.
Kjo e bën madhështore veprën e tyre dhe ata vetë i përjetëson në altarin e Lirisë. Prandaj brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, të çdo orientimi qofshin, kanë detyrimin ta nderojnë kujtimin dhe veprën e dëshmorëve të Atdheut. Kush prish lapidarët, kush përdhos bustet, statujat dhe monumentet e tyre, kush përpiqet të rehabilitojë tradhtarët e t’i shpallë ata martirë, është shqiptar gjakprishur.
