Siç njoftohemi nga fshati, si në të gjithë vendin edhe në Kallarat u përkujtua me homazh e nderime 5 Maji-dita e dëshmorëve të atdheut. I gjithë populli u grumbullua në qendër të fshatit, përballë lapidarit të dëshmorëve, ku në krah të tij është sjellë kohët e fundit edhe busti i Heroit të Popullit Mumin Selami. Kallaratasit në këtë veprimtari përkujtimore për të nderuar bijtë e fshatit të rënë në luftëra për liri e pavarësi kishin ardhur pa dallim bindjesh politike, sepse dëshmorët i përkasin të gjithë fshatit e atdheut.
Ata nuk janë dëshmorë partie, por dëshmorë të atdheut. Ata me aktin e tyre nderuan e ngritën lart emrin e të gjithë fshatit tonë. Prandaj kallaratasit meritojnë përgëzime që në raste të tilla gjenden bashkë të gjithë, pa dallim. Për të nderuar dëshmorët kishin ardhur me mësuesit e tyre edhe nxënësit kallaratas që ndjekin shkollën në Vranishtin fqinj, për shkak të mbylljes së shkollës në Kallarat. Pranë lapidarit të dëshmorëve, në të cilin janë gdhendur emrat e bijve kallaratas të rënë në luftën e 1914-s për mbrojtjen e fshatit të tyre nga sulmet e andartëve grekë, në luftën e Vlorës të 1920-s për shporrjen e imperialistëve italianë nga Vlora dhe rrethinat e saj dhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të viteve 1939-1945 për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, që përbëjnë edhe numrin më të madh të dëshmorëve të Kallaratit, u vendosën kurora e u bënë homazhe në emër të organizatës së veteranëve të fshatit, të organizatës së familjeve të dëshmorëve, të kryesisë së fshatit, si dhe në emër të komunës. Gjithashtu u vendosën buqeta lulesh edhe te busti i Heroit Mumin Selami. Pastaj Lefter Qejvanaj bëri hapjen e ceremonisë.
Fjalën e rastit kushtuar kësaj dite përkujtimore të dëshmorëve para të pranishmëve e mbajti Bejo Xhaferaj. Ceremonia pranë lapidarit u mbyll me një program të bukur artistik nga nxënësit e shkollës. Veprimtaria vazhdoi, si zakonisht, me vizita në familjet e dëshmorëve.
Më poshtë po japim fjalën e mbajtur nga Bejo Xhaferaj,
Të nderuar pjesëmarrës!
Të nderuar mësues dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare e të mesme të Vranishtit!
Si në të gjithë vendin edhe ne jemi mbledhur para këtij lapidari madhështor të dëshmorëve dhe bustit të Heroit të Popullit sot më 5 Maj, ditën e Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të Dëshmorëve të tjerë të Atdheut për t’i kujtuar e nderuar ata. Duke kujtuar e nderuar ata që shkruan me gjakun e tyre faqe lavdie në historinë e fshatit tonë e të gjithë vendit, ne dhe brezat e ardhshëm frymëzohemi nga atdhetarizmi dhe shembulli i tyre. Lapidari i dëshmorëve që kemi ngritur këtu në mes të fshatit është simbol që shënon një faqe të ndritur të histories së fshatit tonë dhe më gjerë, e cila lexohet e do të lexohet në vite nga brezat. Kallaratasit në breza i janë përgjigjur me armë çdo armiku që ka shkelur fshatin tonë, krahina të tjera apo mbarë vendin. Kudo e kurdoherë ata janë dalluar për atdhetarizëm e trimëri.
Më 1914 ata u ngritën të gjithë në këmbë, burra e gra, në qëndresën kundër bandave shoviniste greke që sulmuan e dogjën fshatin tonë të bukur. Për mbrojtjen e tij ranë trimërisht në fushën e betejës, duke luftuar me atdhetarizëm të pashoq Hyso Balili, Murat Demiri, Ramadan Hoxha, Çelo Boshi e Dervish Maçi. Ndërsa Muço Barjam Karabollaj, Yzeir Medin Ribaj e Sali Maçaj u kapën nga andartët dhe u burgosën në ishullin grek të Korfuzit, ku u torturuan deri në vdekjen e tyre.
Kësaj lufte heroike rapsodi i kohës i thuri vargjet e mëposhtme:
Ç’ka Harca e madhe që qa
Tymi si mjegull u ça
Mavrova kundrejt e pa
Kallarat u bë hata
Luftojnë burra e gra.
Edhe në Luftën e Vlorës më 1920 kundër imperialistëve italianë që mbanin të pushtuar Vlorën e rrethinat e saj, kallaratasit me çetën e tyre treguan trimëri të rrallë, ku dha jetën trimi Xhevair Golloshaj.Në Luftën Nacionalçlirimtare populli dhe djemtë e vajzat e Kallaratit morën pjesë dhe luftuan trimërisht që nga jugu në veri të vendit, deri edhe përtej kufijve veriorë të Shqipërisë në ndjekje këmbakëmbës të pushtuesve, në radhët e brigadave partizane ku ishin rreshtuar. Dhe në këtë luftë çlirimtare ranë trimërisht në fushën e betejave djemtë e Kallaratit që u bënë pjesë e 28000 dëshmorëve të LANÇ nga i gjithë vendi.
Dëshmorët e fshatit tonë rapsodi popullor i ka përjetuar në vargjet:
Çdo t’u them për Kallaranë
Në atë luftën me gjermanë
Vanë djemtë e fshatit vanë
Do t’ua them emrat me radhë
Dhe vendet ku janë vrarë.
Dëshmori i parë i fshatit tonë dhe një nga të parët e krahinës ishte djaloshi Mumin Selami që me tre shokët e tij më 18 tetor 1942 ranë heroikisht në lagjen Topana në një luftë të pabarabartë me forca të shumta karabinierësh e milicësh fashistë. Rrugën dhe shembullin e Muminit e të shokëve të tij e ndoqën bijtë e tjerë Kallaratit e të të gjithë vendit. Pas Muminit ranë në fushën e nderit edhe 19 djem të tjerë kallaratas.
Kështu, më 20 janar 1944 në Protopapë të Korçës ra trimërisht në përpjekje me nazistët gjermanë Lilo Dine Habilaj, ndërsa më 1 shkurt po të atij viti në Mavrovë ra Hamdi Shaipi dhe më 4 shkurt të 1944-s në Salari të Tepelenës vritet edhe i vëllai, Nexhipi, të dy vëllezër dhanë jetën për çlirimin e vedit nga nazistët gjermanë. Kurse më 8 dhe 14 shkurt vriten edhe dy djem kallaratas në përleshje me gjermanët: më 8 shkurt në Qesorat të Lunxhërisë partizani I Brigadës së 6 Sulmuese, Hamza Malo Qejvanaj dhe më 14 shkurt në Qarrishtë të Elbasanit kapet e pushkatohet partizani trim i Brigadës së Parë Sulmuese Nuredin Breshanaj. Më 3 prill 1944 në Qafën e Gjarpërit të Skraparit ra, duke luftuar trimërisht kundër nazistëve, partizani i Brigadës së Parë Sulmuese, djaloshi Tare Çelo Gjonaj dhe po nga kjo brigadë, më 20 maj bie në fushën e betejës me nazistët në Polis të Elbasanit Adil Petanaj. Kurse në luftime të përgjakshme me forcat gjermane që po hynin në Shqipëri nga ana e Greqisë , ranë në Sopik të Gjirokastrës më 8 qershor 1944 luftëtarët kallaratas të Brigadës së 8 Sulmuese Ormën Boro Ribaj e Shuko Ramo Karabollaj.
Dhe gjaku që derdhej për çlirimin e atdheut vazhdonte. Më 25 korrik 1944 bie trimërisht në Dukaj të Tepelenës,duke luftuar kundër forcave gjermane, partizani I Brigadës së 6 Sulmuese Avdul Demiraj.
Krahas bijve të Kallaratit që luftonin duke qenë të rreshtuar në formacione të rregullta partizane, për çlirimin e vendit luftonin të gjithë kallaratasit e aftë për përdorim arme, të cilët sa herë që jepej kushtrimi, rreshtoheshin në çetën territoriale “Mumin Selami”, e cila në shumë luftime e aksione dha një kontribut të vyer për çlirimin e vendit. Dhe ja, në luftimet e kësaj çete kundër gjermanëve për çlirimin e Himarës, më 25 gusht 1944 u vra në Gjonostaf të Vunoit luftëtari Ferik Golloshaj, ndërsa i riu Ali Sulo Memushaj, po ashtu sakrifi koi jetën e tij të re si pjesëtar i çetës territorial të Kallaratit qysh në shtator të vitit 1943.
Dhe lista e bijve të Kallaratit që po ia falnin jetën atdheut po shtohej me të tjerë. I riu Islam Tasim Janjaj, partizan i Brigadës së 12 Sulmuese, bie në zonën e Radhimës më 17 shtator 1944 në luftë me nazistët gjermanë. Filo Faslli Breshanaj, partizan i Brigadës së 14 Sulmuese, u vra më 20 shtator 1944 në Shevasi të Sarandës dhe po në këtë datë, në luftë
me mercenarët e kriminelit Halil Alia, u vra në Lusen të Kuksit partizani trim i Brigadës së 5-të Sulmuese Hasan Laze Qejvanaj. Kurse më 20 janar 1945 në Turvjak, pranë qytetit jugosllav Vishegrad, duke luftuar trimërisht për çlirimin e këtij qyteti nga nazistët, u vra partizani i Brigades 22 Sulmuese, Nelo Nazër Hysaj.
Pavarësisht se lufta kish përfunduar dhe vendi qe çliruar, atdheu kërkonte përsëri sakrifica, duhej mbrojtur fi torja e arritur në luftë dhe kufi jtë e Shqipërisë. Prandaj, më 15 janar 1946 në mbrojtje të kufi rit shtetëror të sektorit të Bilishtit nga provokacionet e monarkofashistëve grekë dha jetën Ali Birçe Ribaj, ndërsa Zyber Shaipi ra në fushën e nderit më 17 shtator 1946 në ndjekje të diversantëve në Gjikmano të Mavrovës. Dhe po në mbrojtje të kufi rit, në sektorin e Kapshticës, në luftën frontale kundër mësymjes së ushtrisë monarkofashiste greke kundër vendit tonë, më 13 gusht 1949 ra trimërisht ofi ceri Ferik Teslim Strataj. Megjithëse gjeografi a e derdhjes së gjakut të kallaratasve në të gjitha luftërat për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut shtrihet në të gjithë hapësirën e vendit, madje edhe përtej kufi jve shtetërorë, as në kohët e sotme nuk pushon së shtuari numri i dëshmorëve. Oficeri Elham S. Elezaj, me origjinë nga Kallarati, më 1998 dha jetën në krye të detyrës në mbrojtje të institucioneve shtetërore nga bandat dhe keqbërësit.
Kallarati dhe kallaratasit janë krenarë që në krahasim me popullatën, si dje dhe sot, kanë më shumë dëshmorë se sa fshatrat fqinjë përreth që kanë popullsi më të madhe. Prandaj, në këtë përvjetor të Ditës së Dëshmorëve, ne të gjithë përulemi me nderim para tyre dhe të gjithë dëshmorëve të vendit. Në shënjë respekti ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.
Lavdi dëshmorëve dhe e paharruar qoftë vepra e kujtimi i tyre!
Pergatiti per botim, Seit Jonuzaj
Botuar ne gazeten Kallarati,