Intervistë me Kujtim Hysin, dhënë për gazetën “Kallarati”
Kujtim Hysi, ose më saktë siç njihet nga të gjithë Kujtim Dautaj, i rritur mes vështirësive si gjithë fëmijët kallaratas të viteve të mbas luftës, i arsimuar fillimisht për mësues, duke shërbyer për edukimin e brezit të ri në fshatrat e Tepelenës dhe më vonë në vendlindje në Kallarat, papritur ndryshon drejtimin e jetës duke iu përkushtuar një tjetër profesioni të vështirë, por edhe të bukur atij të ushtarakut. Pasi përfundon arsimin bazë ushtarak në degën e tankeve, në ish shkollën e Bashkuar, pas disa vitesh pune në repartet e garnizonit të Fierit, përfundon me rezultate të larta edhe studimet në Akademinë Ushtarake, kryen me përkushtim e pasion detyra të ndryshme drejtuese e shtabi të niveleve të ndryshme në ish divizionin e Fierit.
Në vitin 1994, në moshën 49 vjeçare, papritur dhe para kohe, në kulmin e njohurive dhe përvojës së tij ushtarake, për shkak të ashtuquajturës “Reformë”, ndërpret karrierën ushtarake, duke u kthyer në një “pensionist” i parakohshëm.
Dashuria dhe respekti për miqtë, shokët, familjen, bashkëfshatarët dhe në veçanti për vendlindjen, Kallaratin nuk i kanë munguar asnjëherë, të cilat e bëjnë atë sot tepër të njohur e të respektuar nga kushdo që e njeh apo të ketë punuar me të. Aktualisht, edhe pse pensionist, nuk e pengon asgjë të kontribuojë në mbarëvajtjen e shoqatës “Kallarati” e në veçanti ndaj degës së saj në Fier.
Me këmbënguljen e redaksisë, pasi siç shprehet ai: “Në jetën time nuk ka ndonjë gjë të veçantë, nga ajo e bashkëfshatarëve të mi dhe bashkëmoshatarëve, që lindën dhe u rritën në Kallaratin tonë të mrekullueshëm”, mundëm t’i merrnim intervistën e mëposhtme.
1. Duke ju falënderuar që pranuat për këtë intervistë, së pari a mund të na thoni diçka për prindërit, familjen, por edhe për veten tuaj?
Para së gjithash, më duhet të falënderoj redaksinë e gazetës ‘Kallarati”, që kërkon të pasqyrojë në faqet e saj një pjesë nga jeta ime. Në jetën time nuk ka ndonjë gjë të veçantë, nga ajo e bashkëfshatarëve të mi dhe bashkëmoshatarëve, që lindën dhe u rritën në Kallaratin tonë të mrekullueshëm. U linda në fillim të viteve të pasluftës nacionalçlirimtare në vitin 1945, si fëmija i vetëm i prindërve Shaban e Begzo Dautaj (Hysaj). Kur linda unë, babai im duhet të ketë qenë rreth të gjashtëdhjetave, ndërsa nëna afër të dyzetave. Të dy prindërit e mi kishin pasur në jetë shumë peripecia të pakëndshme. Babai u martua me nënën time aty nga fundi i vitit 1944, pasi kish pasur më parë edhe gjashtë martesa të tjera, por nga asnjëra nuk kishte fëmijë, ndërsa nëna që ishte nga Vranishti, nga fisi Jonuzaj, kishte qenë e martuar edhe dy herë të tjera. Nga martesa e parë në fisin Micaj në Vranisht kishte tre vajza, më të voglën e të cilave, Farfurinë, e solli me vete në Kallarat. Të dy prindërit ishin të lodhur së tepërmi nga jeta plot vështirësi e të papritura, që kishin kaluar.
Nga fëmijëria ime mbaj mend mirë, në moshën 5-6 vjeç, dhe më ka mbetur në mendje dhe e kujtoj me shumë dhimbje, varfërinë e madhe, jo vetëm në familjen tonë, thuajse në të gjitha familjet e fshatit, që unë njihja në atë moshë. Bëhej fjalë për mungesën e bukës së misrit, leri pastaj të tjerat, që nuk bëhej fjalë. Jetonte disi më mirë ndonjë, që ishte i punësuar në ndonjë punë shteti, pasi atyre u jepeshin ca ushqime e veshmbathje siç quheshin atëherë “të garantuar”. Do të duheshin vite të tëra pune të çdo familjeje, por edhe të grupuar në kooperativë, që jeta të ndryshonte disi edhe në fshatin tonë.
2. Mesa dimë jeni njohës i mirë i historisë së fshatit, i fiseve, mëhallëve, i zakoneve dhe traditave të Kallaratit, ç’mund të thoni në përgjithësi për to dhe në veçanti për fisin dhe mëhallën tuaj?
Po është e vërtetë që unë di, jo vetëm përbërjen e mëhallës tonë, por në përgjithësi mëhallët dhe fiset e Kallaratit. Ndoshta të qenurit djalë i vetëm, afërsia me burra të vjetër e të mençur të asaj kohe kanë ndikuar në ngulitjen në mendjen time të shumë ngjarjeve dhe historive të vjetra të fshatit, në këtë kontekst edhe të mëhallëve dhe fiseve.
Dhe tani të ndalemi direkt te pyetje juaj. Familja jonë i takonte mëhallës “Mërtirgjin”, që përbëhej nga fiset: Petanaj (Begaj), Rjepaj, Ribaj, Haxhiaj e Meçaj, një mëhallë shumë kompakte, ku unë ndihesha si në shtëpinë time në të gjitha familjet e mëhallës. Të gjithë burrat dhe gratë e mëhallës tonë ishin shumë të dashur dhe shkonin shumë mirë me njëri tjetrin dhe ndanin bashkë të mirat dhe të ligat. Nga të moshuarit e mëhallës mbaj mend mirë Ruzhdi e Sinan Petanin, Hyso Isanin (Begaj), Tafil, Muslli, Ahmet, Manxhar e Rrapo Ribaj, Ramadan, Qerim e Velo Rjepaj, Lato e Binjar Lulo (Haxhiaj), Hasan e Skënder Shametaj (Meçaj), Fuat Petanin, nga të cilët kujtoj, se sa të dashur dhe sa të gatshëm ishin të ndihmonin njëri tjetrin në rast nevoje.
Por, po aq të dashura ishin të gjitha gratë e mëhallës tonë, Pajamja, Behua, Fëzja, Hasimeja, Bena, Kalemja, Pashakua, Melaizja, Hairja, Telja, Velide Ribaj e Rjepaj, që dinin të nxirrnin vetëm mjaltë nga goja. Nuk diskutoj teto Selimenë (Dautaj), që e kisha edhe më të afërtën e fisit.
Vlerat e vërteta të këtyre njerëzve i njoha më së miri më vonë, pas vitit 1968, ku u ktheva të punoja në Kallarat, për gati dy vjet si mësues. Kuptohet që kisha një moshë të mjaftueshme për të vlerësuar marrëdhëniet në mëhallë e me bashkëfshatarët. Unë mund të flasë fare mirë edhe për mëhallët e tjera të fshatit, por do të ishte e tepërt, pasi ato tashmë dihen. Atë që doja të theksoja, harmonia dhe bashkëjetesa e mirë brenda mëhallës tonë, ekzistonte edhe në mëhallët e tjera të fshatit, ku nuk ka pasur asnjëherë kontradikta të thella që të çonin në qejfmbetje e hasmëri, siç mund të ketë ndodhur gjetkë. Kjo është një gjë shumë e mirë e fshatit tonë, si në të kaluarën, ashtu gjatë viteve të kolektivizimit, pra gjatë sistemit njëpartiak, por edhe sot në kushtet e demokracisë e të ekonomisë së tregut. Gjithsecili ka parë dhe shikon punën e vet dhe kjo është një anë tepër pozitive që duhet mbajtur në çdo kohë.
3. Në kohën që jetuat në fshat si mësues, rrinit shpesh me burra të vjetër e të dëgjuar të fshatit, duke biseduar, luajtur, pse jo edhe duke pirë ndonjë gotë raki, a mund të na kujtoni diçka më tepër nga ajo kohë?
Para se të përgjigjem kësaj pyetje desha të theksoj se unë shkollën fillore e kreva në Kallarat dhe atë 7 vjeçare në Vranisht, pasi ne nuk kishim. Në vitin 1959 mua më dhanë të drejtën të vazhdoja studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike në Berat. Me mbarimin e saj në vitin 1963 me gjithë dëshirën që kisha për të qenë mësues në vendlindje, nuk qe e mundur. Më caktuan në Tepelenë në zonën e Krasit, ku shërbeva për afro 4 vjet, 1963-1968, ku ruaj kujtimet më të mira. Më pas për arsyet familjare që unë kisha më transferuan duke m’u plotësuar dëshira në vendlindjen time, Kallarat. Megjithëse edhe në Kallarat nuk ndenja gjatë, por ato gati dy vjet që punova në Kallarat, janë ndoshta mbresat më të bukura të jetës time. Aty kuptova se sa e rëndësishme është të jetosh e punosh me njerëzit e fshatit ku je lindur e rritur.
Edhe për shkak të një përvoje pune pesëvjeçare në Tepelenë, larg njerëzve të fshatit, por mendoj edhe për shkak të moshës më të pjekur (23 vjeç), isha në gjendje të dalloja tek secili nga fshatarët e mi cilësitë më të spikatura. Aty njoha nga afër urtësinë e Velo Nuro Hysaj, bujarinë e Muslli Birçe Ribaj, zgjuarsinë e lindur të Qerim Rjepit, kulturën e gjerë të Shahin Osmënit, dashurinë për njerëzit të Muço Xhevitit, natyrën gazmore të Mato Zigurit, mençurinë e Tafil Boros, Salo Rexhepit, Bajram Lelos, Ferik Tozaj, Rizo Xhaferit, Ahmet Shakos, Gani Stratit, Veip Balilit, Selman Qejvanit, Xhelal Breshanit e plot bashkëfshatarëve të tjerë të asaj moshe.
Aty njoha edhe shumë nga bashkëfshatarët tanë që jetonin larg Kallaratit, që vinin me pushime dhe nuk rrinin pa e bërë një pushim në vapë te Burimi i Morrezës mes rrapeve shekullorë, ku mblidheshin e kalonin vapën në verë shumë nga djemtë e fshatit. Aty njoha Dalan Memushin, Hasan Shamon, Abaz Shakon, Mevlan Habilin, Micol Haxhinë, Xhemal Gjonin, Nexhip Memushin, Esat Breshanin, Xhafer Hysin, Tahir Gjonbratin, Namik Abazin, Mersin Tozaj etj, që të gjithë njerëz që më kanë lënë mbresa të rralla, që flisnin me shumë dhembshuri për fshatin ku ishin rritur.
Edhe pse i ri në moshë, bashkëfshatarët më futën në shoqërinë e tyre dhe thuajse çdo pasdite e kalonim bashkë me shokët e fshatit më të mëdhenj me Sulo Hoxhën, Zybi Jonuzin, Magrip Mehmetin, Besim Jonuzin, Balil Xhaferin, pa harruar për asnjë çast mësuesit e Kallaratit, Bilal Breshanin, Hamit Muharremin, Çize Xhaferin, Namik Mehmetin, Jazo Davacin, por edhe mësuesit e huaj që punonin në Kallarat, Nevzat Velajn, Lefter Beqirin, Lumturi Godaj, Naxhie Bisha, etj. Kishim me të vërtetë një kolektiv të mrekullueshëm e një shoqëri që e kujtoj shpesh, sidomos kur shkonim në mal për të ndërtuar tendat e bagëtive me të rinjtë, Namaz Tozaj, Zeqo Hoxha, Njazi Xhaferi, Lefter Ribaj, Neki Rjepaj, Bexhet Jonuzi, Fadil Qamili, Fadil Azbiu etj.
Kallaratasit gjithnjë u kanë qëndruar afër njerëzve në raste fatkeqësish. Më ka mbetur në mendje solidariteti i fshatit në rastin e rënies në krye të detyrës së Shamet Jonuzaj. Çdo natë shtëpia e Shahinit në Qesarule ishte plot me bashkëfshatarë, për t’ua lehtësuar sadopak dhimbjen familjarëve, një traditë shqiptare, që e kisha vënë re edhe në Tepelenë, por jo në këto përmasa.
4. Më pas ju iu përkushtuat një tjetër profesioni, atij të ushtarakut, çfarë ndodhi, një rastësi, detyrim apo dëshirë e juaja?
Profesionin e mësuesit, ose më saktë të edukatorit, e pëlqeja shumë. Aq më tepër shërbimi në këtë profesion në fshatin tim ma shtonte akoma më shumë dashurinë për të, por kuptohet edhe përgjegjësinë. Ndryshimi i profesionit nuk qe ndonjë detyrim a ndonjë dëshirë e madhe, më tepër do ta quaja një rastësi, që pastaj u kthye në dëshirë. Në ato vite njerëzit që kishin një lloj arsimimi, aq më tepër mësues, kërkoheshin nga ushtria, pasi edhe profesioni i ushtarakut në një farë mënyre kishte të bënte me edukimin, por të një brezi tjetër, që kishte përfunduar minimalisht shkollën 8 vjeçare ose që kishte moshën mbi 18 vjeç. Ky shans m’u krijua edhe mua si shumë të tjerëve, përfshi edhe bashkëfshatarë të mi. Në atë kohë isha martuar dhe kisha dy vajzat e mëdha, nënën dhe gruan, Shefon. Mendova që të ndërtoja shtëpi të re në fshat, pasi sapo kishte filluar grumbullimi i fshatit, por edhe me ndikimin e shokëve dhe shoqeve të mi mësues, gjykova që largimi në ushtri ishte një mundësi më e mirë jetese, sidomos për fëmijët, prandaj vendosa t’i futesha karrierës ushtarake.
E vërteta është, që në atë kohë jeta në qytete ishte më e lehtë e me më shumë mundësi. Pra në një farë mënyre ishin kushtet që më detyruan të largohesha nga Kallarati për t’u marrë me një tjetër punë, si ajo e oficerit, për të cilën sot po të më pyesësh do të thosha se nuk jam penduar aspak për këtë zgjedhje. Edhe pse u largova nga profesioni aq fisnik i mësuesit, më vonë atë ia përcolla vajzës sime Luizës, e cila e ushtron sot po me aq përkushtim e dashuri aq sa edhe unë 50 vite më parë.
Largimi nga vendlindja për këdo nuk është e lehtë. Fillimisht nuk e kuptoja ose nuk e besoja që unë isha larguar, pasi edhe për disa vite familja ime vazhdoi të qëndronte në Kallarat dhe në këtë mënyrë nuk e ndjeja edhe aq shumë mungesën e shokëve dhe të bashkëfshatarëve me të cilët isha rritur. Mungesën dhe emocionet e largimit tamam nga Kallarati i ndjeva në vitin 1975, kur unë u shpërngula familjarisht për në Fier. Por për fatin tim të mirë në Fier gjeta një Kallarat të “vogël” me një komunitet rreth 15 familje kallaratase, me të cilat herë pas here kujtojmë ndonjë copëz jete nga fshati ynë.
5. Po si ushtarak çfarë detyrash keni kryer dhe si i vlerësoni ato vite të jetës ushtarake, vetëm stërvitje, gatishmëri, stërmundime të pafundme, apo edhe krenari, satisfaksion, vlerësim e respekt ndaj profesionit sa të bukur aq edhe të vështirë të ushtarakut?
Pas mbarimit të Shkollës së Bashkuar u caktova të punoj në garnizonin e Fierit si oficer tankist. Në fakt para meje në armën e tankeve kish qenë Hasan Hysaj dhe u shtuam si tankistë unë dhe Vasil Xhaferi. Arma e tankeve ku unë shërbeva për rreth 22 vjet, ishte ndër krenaritë e ushtrisë për kohën, krahas aviacionit e flotës detare që quheshin armë të rënda. Në vitin 1980-1982 mbarova edhe Akademinë Ushtarake, çka vlejti edhe më shumë në kompletimin tim profesional e më gjerë.
Jeta ushtarake, aq sa e vështirë që është si profesion, është edhe e bukur. E bëjnë të bukur atë vetë ushtarakët. Mendoj se shoqëria dhe solidariteti midis ushtarakëve të kohës që unë shërbeva në ushtri ishte në nivelet më të larta, që rrallë gjendej në sektorë të tjerë të jetës. Me të vërtetë që përballonim stërvitje të pafundme ditën e natën, shërbim e gatishmëri të jashtëzakonshme të vetë kohës dhe ekzistencës së luftës së ftohtë, stërmundime patjetër, qëndrime për ditë të tëra larg shtëpisë e familjes.
Megjithatë ndjeje kënaqësi që i shërbeje vendit tënd, pavarësisht disa tejkalimeve të kohës, që duhen pranuar që ishin edhe të tepërta. Por duke lënë mënjanë të gjitha sakrificat, profesioni i ushtarakut të bënte të ndjeheshe edhe i lumtur, edhe krenar edhe i vlerësuar në raport me shtresat e tjera të popullsisë. Të gjitha këto verboheshin nga respekti që populli shprehte dhe demonstronte në rrugë, qytet, lagje a kudo tjetër ku ushtaraku ballafaqohej me jetën civile. Këtë respekt e kam ndjerë edhe unë nga afër, kudo ku punova në rrethin e Fierit, sidomos në Shkollën e Lirë të asaj kohe në Levan, ku çdo ditë për shkak edhe të detyrës isha midis dhe krahë për krahë me pjesën civile.
Në punën time si oficer, nuk ka pasur ndonjë gjë të veçantë. Kam kryer vetëm detyrën me devotshmëri sipas kërkesave të asaj kohe. Jam munduar të jem sa më korrekt me vartësit, kolegët dhe eprorët, por besoj se kaq ka qenë e mjaftueshme për të fituar respektin e njerëzve me të cilët ke punuar.
Sot pas shumë vitesh si ushtarak, kujtoj me shumë nostalgji atë kohë. kujtoj marshimet, stërvitjet me fushim e ato shtabi dhe me trupa, mbledhjet, takimet, aksionet e ndryshme dhe ndjej kënaqësi kur njerëzit me të cilët kam punuar më ndalin në rrugë, më flasin, bile më ftojnë për kafe. Kjo për mua është shumë e rëndësishme. Burrëria dhe respekti për njeriun provohen, jo kur je me pushtet, sado i vogël, por kur je njeri i lirë. Për mua kjo vlen shumë.
6. Nga viti 1994 e deri më sot “pensionist”, a nuk ju duket si shumë herët që ju të konsideroheshit i tillë, në një kohë që mund të jepnit akoma, përveçse në ushtri, të paktën në një sektor civil?
Siç ju thashë edhe më lart në vitin 1994 dola në rezervë, kuptohet shumë para kohe. Dola në një kohë që ekonomikisht familja kishte shumë nevojë. Dola në një kohë që mund të jepja shumë më tepër për ushtrinë, si për kualifikimin, përvojën, por edhe moshën, akoma pa mbushur 50 vjeç. Dola në një kohë që nuk mund të sistemoheshe në një sektor tjetër të jetës.
Të them të drejtën daljen në lirim e përjetova shumë keq, jo se e mendoja veten të përjetshëm në ushtri, por për faktin se ajo që u quajt atëherë ‘reformë” në ushtri, nuk qe gjë tjetër veçse një “luftë klasash” edhe më e keqe se ajo e komunizmit që u kritikua aq ashpër. Kontributet e dhëna në kohë të ndryshme nga kushdo e kudo ku ka punuar, shteti s’ka asnjë të drejtë t’i mohojë, e aq më tepër t’i përbaltë.
Shteti duhej të krijojë strategji të tilla që ushtarakët kur largohen nga Forcat e Armatosura për shkak të reformave, por edhe të plotësimit të viteve sipas ligjit, të aktivizohen në administratën shtetërore, pasi kanë eksperiencën, përkushtimin dhe besnikërinë. Por kjo gjë nuk ndodhi as në kohën time, por shoh që nuk ndodh as në ditët e sotme. Le të shpresojmë të bëhet ndonjë gjë në të ardhmen.
Pavarësisht këtyre mos vlerësimeve, të cilat nuk janë në dorën tonë, ne na ngelet të kënaqemi me atë që shprehin ndaj nesh ata që na kanë njohur, por që s’kanë gjë në dorë (nuk janë shtetarë), ish ushtarët, ish oficerët, ish rezervistët që na respektojnë edhe më shumë se dikur, besoj se kjo mjafton.
7. Le t’i kthehemi edhe njëherë familjes, prindërve të tu, bashkëshortes, fëmijëve sa i kënaqur ndjehesh për ta sot?
Duke qenë djalë i vetëm dhe prindërit në një moshë jo të re, kënaqësia e tyre ishte të martonin djalin sa më parë. Dhe kështu ndodhi, jam martuar në vitin 1965 me Shefon, bijë në Kallarat vajzë e Sabri dhe Trëndafile Demiraj, njerëz shumë të nderuar. Fillimisht pas martese qëndrova në Kallarat me shtëpi në Rapeta. Pastaj për arsyet që thashë më lart u vendosa në vitin 1975 në Fier, ku banoj edhe sot.
Profesioni i ushtarakut të detyronte që shpesh të mungoje në shtëpi për shkak të shërbimit, stërvitjeve apo gatishmërisë disa ditore, kështu që barra e rëndë për çdo familje ushtarakësh i bie bashkëshortes. Unë falënderoj dhe vlerësoj punën dhe përkushtimin e bashkëshortes time, Shefos në rritjen e fëmijëve, sidomos në pritjen e përcjelljen jo vetëm të njerëzve tanë, por të çdo kallaratasi që ka trokitur në derën tonë, e cila edhe pse invalide, ka ditur t’i presë e përcjellë me çfarë i ndodhej dhe me buzëqeshje e fjalën e saj të ëmbël.
Në mënyrë të veçantë do ta falënderoja për respektin dhe trajtimin që i bëri nënës time Begzos, që për të gjithë mbahet mend si një grua zonjë, tepër fisnike, por edhe si një grua e “hekurt”, apo më saktë nga karakteri i saj si një grua “burrë”. Por Shefua diti të gjente në çdo kohë gjuhën e përbashkët atë të komunikimit.
Së bashku me Shefon jemi krenar dhe shumë të kënaqur për fëmijët, tre vajzat dhe djalin, të cilët u rritën edhe ata jo pa vështirësi dhe sot kanë ndërtuar jetën e tyre të rregullt familjare. Në mënyrë të veçantë si gjyshër jemi të gëzuar për tre nipërit dhe tre mbesat, të cilët na rinojnë dhe na zbavitin pa masë.
8. Për shumë vite keni jetuar dhe vazhdoni të jetoni në një qytet mjaft të mirë e të bukur, siç është Fieri, ku përveç juve ka pasur dhe ka një komunitet të madh bashkëfshatarësh kallaratas, ndoshta i renditur pas Vlorës dhe Tiranës, sa afër njëri tjetrit keni qëndruar dhe qëndroni?
Të gjitha vitet e ushtrisë i kalova në Fier, ku pata fatin të njohë nga afër të gjithë bashkëfshatarët e mi si; Besim Kasëmi, Enver, Xhemal e Sinan Stratin, Shako Kokëvelej, Hajri e Rimo Zhibaj, Hamit Malo Qejvanin, Bilal e Mico Ribaj, Ahmet Memushin, Faik Qejvanin, Idajet Llanaj, por ca kohë edhe Dodo Tazajn, Nesim Gjonaj, Faslli e Pëllumb Breshanaj, Lilo Abazaj etj, me të cilët jemi bërë për gëzim e fatkeqësi, por edhe pa ndonjë shkak, thjesht për t’u çmallur me njëri tjetrin.
Pas viteve 90-të, mblidheshim thuajse çdo dite dhe pinim kafen bashkë, të gjithë kujtonim edhe toponimet e vendeve në fshat që ndonjëri i kish harruar.
Më vonë kjo “çerdhe e kallaratasve”, pothuajse u shpërbë, pasi shumë nga bashkëfshatarët u larguan në qytete të tjera, sidomos në Tiranë, por edhe jashtë vendit, për të tjerë mosha ka bërë punën e vet dhe tani ne që kemi ngelë në Fier takohemi më rrallë.
9. Flitet shumë për Shoqatën dhe gazetën “Kallarati”, ju vetë ç’mendim keni? A mendoni se diçka duhet përmirësuar?
Mendoj se shoqata “Kallarati”, që prej 2003-shit, që është krijuar, e ka justifikuar plotësisht veten e saj si një bashkim vullnetarësh për të kujtuar ngjarjet historike, për të ruajtur vlerat dhe zakonet e mira të të parëve tanë dhe si fshat. Edhe në Fier, edhe pse tani me një numër më të vogël, funksionon dega e kësaj shoqate, me një aktivitet të sajnë të admirueshëm.
Po kështu edhe gazeta, sidomos kohët e fundit e ka rritur së tepërmi cilësinë në përmbajtje dhe në formë. Vend për rregullim e përmirësime patjetër që ka. Më shumë kujdes duhet treguar afrimit të brezit të ri, i cili edhe pse duken si indiferentë kanë të ngulitur ndjenjën e atdhedashurisë dhe të vendlindjes. Duhet ditur se si t’i ofrojmë. Një gjë e tillë u pa në ceremoninë e organizuar në Kallarat më 16 gusht në përkujtim të qëndresës ndaj andartëve grekë.
10. Duke qenë se kohët e fundit jeni edhe një “lojtarë i mirë” i facebook-ut, shumë persona të identifikuar me emrin e fshatit apo të malit dhe mbi të gjitha uebsaiti www.kallarati.com, mendoni se i ka bashkuar më afër njëri tjetrit kallaratasit kudo që ndodhen?
Jo me kot i thonë që jetojmë epokën e “dicitalizimit”. Deri para disa vitesh të kishe një telefon fiks në shtëpi ishte gjë e madhe, do të thosha komoditet. Për ne që ishim të larguar nga fshati, ishte e pamundur që të flisje me familjen. Në atë kohë rrofshin vetëm letrat, telegramet, të cilat me rregullsinë e kohës pavarësisht vonesës një ditë do të mbërrinin patjetër. Ndërsa sot as që mund të imagjinohet komunikimi kaq i shpejtë. Dalja e celularëve, interneti, kanë krijuar kushtet e një komunikimi masiv e të shpejtë. Dikur ndonjë që kishte emigruar jashtë ose arratisur, do të kalonin vite të tëra dhe nuk kishe asnjë fjalë e as një lajm nëse ishte apo jo gjallë. Ndërsa sot të gjithë emigrantët anekënd botës komunikojnë e shikojnë njëri tjetrin më shumë se atëherë kur ishin në fshat.
Hapja e faqes së internetit www.kallarati.com i ka krijuar çdo kallaratasi, nip e stërnip të njihet me të gjitha ngjarjet në Kallarat e kudo. Sidomos rrjetet sociale si ai i facebook-ut kanë krijuar mundësinë që në moment të njihesh me zhvillimet në vend, në fshat, familje dhe të çdo individi. Edhe unë, edhe pse dikur facebook-un e quaja vetëm për rininë, kam hapur një adresë dhe aty kaloj kohën. Duke shfletuar atë njihem me ndodhitë e çdo njërit. Aty mësojmë se kush ka ditëlindjen dhe gjejmë rastin ta urojmë, aty gjejmë edhe ndonjë njoftim, edhe pse jo të këndshëm në rast ndarjesh nga jeta. Ulesh në mbrëmje para kompjuterit dhe para të del Myzafer Qekjvani, Kasëm Ferra e bashkëshortja e tij Loreta në Amerikë, Gjena në Angli, Lefter Qejvani e Dori Demiri në Kallarat, Kastriot Karabolli në Vlorë, Ramiu e Besniku në Tiranë, deputeti i zonës Fatmir Toci, Gjergj Dauti në Durrës, Dilaver Mati në Itali, Xhevdet Qejvani e Lavdosh Jonuzi në Greqi, Vangjel Ribi në majë të Bogonicës, nipër e mbesa pa fund anekënd botës, e shumë e shumë të tjerë miq, shokë të afërm e bashkëfshatarë. Aty gjej rastin të shohë fotografi e video për vendlindjen, të çmallem e të kaloj kohën. Pra për aq kohë sa gjendesh në kompjuter merr një informacion të gjerë e të shpejtë me të gjithë të afërmit e bashkëfshatarët e tu. Dhe këtë unë e quaj, jo luks, por arritje të kohës dhe tepër të domosdoshme.
11. Sapo festuam 100 vjetorin e qëndresë së kallaratasve ndaj andartëve grekë, ç’mendim keni për organizimin dhe zhvillimin e saj?
Do t’i përgjigjesha shumë shkurt. Ishte një festë e mirëorganizuar, që bëri që jo vetëm të kujtojmë atë qëndresë heroike të Kallaratasve në 1914-ën ndaj andartëve grekë, por të takoheshim e të çmalleshim me njëri tjetrin. Raste të tilla të bëjnë të takohesh me miq, shokë edhe bashkëfshatarë të të gjitha moshave, me dikë edhe të panjohur për arsyet e shpërnguljes anekënd botës.
Përkujtimi i ngjarjeve të tilla historike, por edhe takimi i brezave që organizohet në çdo dy vjet, bën që edhe brezi i ri, nipër e mbesa të lindur e rritur larg Kallaratit, të vinë me dëshirë të vizitojnë dhe njohin nga afër vendlindjen a prejardhjen e baballarëve të tyre. Edhe unë pata rastin që nipin dhe mbesën, që edhe pse të atin e kanë nga Fieri, të vinë dhe të shikojnë nga afër truallin në Rapeta, ku është lindur mamaja dhe gjyshërit e tyre. Dhe kjo është gjë shumë e mirë.
12. Mësuam shumë nga jeta e Kujtim Hysit, por çfarë bëni dhe me se merreni aktualisht?
Atë çfarë mund të bëjë një pensionist. Një kafe me shokët, lexim të gazetave, shikim të lajmeve, emisioneve televizive, sidomos futbollin, kompjuter dhe patjetër edhe ndihmë familjes, sidomos bashkëshortes.
Pjesë e veçantë e aktivitetit tim është edhe shëtitja me nipërit dhe mbesat e mia në Fier, të cilët më argëtojnë pa masë.
13. Cili do të ishte mesazhi që do të jepnit për kallaratasit kudo që ndodhen?
Së pari shëndet dhe jetë të gjatë familjarisht kudo që ndodhen. Ajo që i bashkon të gjithë është vendlindja, Kallarati, prandaj secilit do t’i sugjeroja të bëjë diçka për të, sado e vogël që të duket. Kallarati ka nevojë për të gjithë.
Duke ju falënderuar për intervistën, redaksisia e gazetës, ju uroj shëndet, jetë të gjatë e të lumtur familjarisht.
Redaksia e Gazetës “Kallarati”
Botuar ne gazeten Kallarati, nr. 77, shtator-tetor 2014