MITI I RREMË I BERISHËS NË KOSOVË

PetritQejvaniPo flitet e shkruhet këto ditë për “mitin” Berisha në Kosovë. Mitin në kuptimin e kampionit të patriotizmit! Shumë e dyshimtë kjo. Dhe këtë, pasi e marrin të mirëqënë, nisin pastaj ta shpjegojnë. Sipas tyre duket se një arsye e vetme e ka sajuar dhe po e mban në këmbë këtë mit: emri i tij krejtësisht mysliman Sali (në një Kosovë me shumicë myslimane) dhe mbiemri Berisha. Pra, përkatësia myslimane. Sikur të ishte njëmend kështu, do te ishte jo vetëm anakronike, por shumë e turpshme. Pa mundur ta dimë sa është Sali Berisha mysliman në besim,(megjithëse djali dhe vajza e tij gjenden rregullisht ne festat e Islamit) mund të themi se ky argument nuk është bindës për arsyen ë thjeshtë dhe themelore se një besimtari mysliman të vërtetë nuk i lejohen paudhësitë, që ka bërë Berisha. Kosovarët duhet të kuptojnë se Berisha është politikan dhe puna ia do të jetë ditën e Bajramit mysliman, ditën e Hashures bektashi, ditën e pashkëve katolik apo ortodoks dhe, po deshët ju, ai në Indi mund të shfaqet një hindu apo budist i apasionuar, sa t’i lërë pa mend ithtaret e Budës. Po ku çalon mendimi mbi ekzistencën e mitit “Berisha” ne Kosove? Pra qënia e tij mysliman (përveç emrit) është e pasigurtë. Për pasojë edhe miti i ngritur mbi të bie. Une po shtoj edhe një rrethanë tjetër, që artikulohet nën zë: qënien e tij nga veriu ( Berisha ka qejf ta thotë nga Gjakova. Kujtoni biografinë e tij të botuar në gazetat e kohës të nesërmen ë shpalljes president në vitin 1992, ku nuk përmendej fare fshati i lindjes, por thuhej nga malësia e Gjakovës). Dhe duhet te jemi realistë :edhe te popuj të civilizuar ekzistojnë ndjenjat lokaliste, krahinore si dhe prirja e natyrshme për të adhuruar njerëzit me emër të fshatit apo krahinës. Dhe e treta dhe më e rëndësishmja, fakti i të qënit Kryeminister i Shqipërisë , deri vonë shtetit amë për gjithë shqiptarët, që banonin jashtë Shqipërisë, pra edhe simbol i tyre. Dashuria dhe respekti për të parin e vendit është tradicionale, është dashuri dhe respekt për Shqiperinë, për shtetin shqiptar. Edhe kjo është e natyrshme dhe e kuptueshme. Nuk besoj që të ketë ndonjë faktor tjetër. Mitet zakonisht krijohen për ata që bejne bëma të mëdha. Berisha ka bërë më shumë gjëma se bëma. Me gjithatë, nuk ka asnjë testim që të tregojë, qoftë edhe afërsisht, se ai duhet nga të gjithë kosovarët. Me siguri ka njerëz që e duan, ashtu siç ka njerëz që nuk e duan, si dhe në Shqipëri. Po edhe nëse ka, ai eshte nje mit i rremë, i ngritur mbi manipulime, që shpejt do të bjerë. Ata që fryjnë këtë mit, një grusht intelektualësh, për ta bërë të besueshëm mitin e krahasojnë me Edi Ramën ,i cili nga emri nuk të thotë gjë, pasi nuk ështe një emër tipik shqiptar, as mysliman, as i krishterë, kurse mbiemrin e ka njëlloj si Berisha, sic përdoret në malësi Sali Rama. Por ata duan të thonë atë që Edi është i krishterë, është nga jugu dhe duhet te jetë progrek! Logjikë muxhahidinësh.E turpshme!..Si testim për adhurimin e Berishës mbeshtetësit e tij në Kosovë(disa intelektuale dhe jo populli) dëftojnë pritjen që iu bë Berishës atje, krahasuar me pritjen e Ramës. Nje krahasim që nuk qëndron, sepse Berisha është pritur në Kosovë si kryeministër i Shqipërisë dhe jo si mysliman apo tropojan. Nga Tropoja shkojne plot në Kosovë dhe nuk i pret njeri me ceremoni. Kjo do të shihet kur Berisha të bjerë nga kali. Ndërkohë që të gjithë e dinë sa e donin kosovarët të ‘krishterin” Pandeli Majko më 1999.

Dhe nëse ka mit “Berisha” kush e krijoi ate? Veç faktorëve të përmendur më lart, në “krijimin” e ketij miti ka kontribuar më së shumti Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Fatos Nano. Por edhe Edi Rama. Dhe të dytët: disa inetelektualë provinciale ne Kosove e në Shqipëri, që nuk përfaqësojnë ineligjencien kosovare apo shqiptare, edhe per shkak se nuk janë ndër më të shquarit. Pse them kështu? Le të shpjegohem:

Them PS e Shqipërisë për shkak të disa gafave politike të udhëheqësve të saj si :1-Deklarata e papërgjegjshme e Nanos në Kretë në takimin me Milosheviçin, i cili tha me një mendjelehtësi dhe miopi të plotë politike se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi!.( ndërkohë që Kosova po vlonte). Dhe Berisha e ka përmendur këtë, si e ka zakon ai, mijëra herë, sa të zinte rrënjë.

2-Mefshtësia politike dhe propaganda e mekur e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në dy plane. Ë para, në demaskimin ë demagogjisë se shfrenuar të Berishës, e cila nuk mund të mos jepte efekte (Berisha është i rrallë për këtë) dhe e dyta, deklaratat e pakujdesshme dhe te pa kontrolluara për rrugën Durrës-Kukës (Rruga e kombit e cilësuar bukur nga Berisha) me një ndjeshmëri shumë të lartë, jo vetëm për kosovarët, por për gjithë shqiptarët si dhe mosdenoncimi me zë dhe frekuencë të lartë i gafave të stërmëdha të Berishës në kundërshtim me intersat e Kosovës dhe Shqipërisë, duke filluar nga shkelja ë embargos së naftës me Serbinë ë Milosheviçit me justifikimin prej Nastradini të Berishës se do “ngroheshin kosovaret”(!)..,i thirrjes se Berishës për mosnënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë (këtë të vërtetë tronditëse kosovarët nuk e besojne për shkak se nuk ua merr mendja, që ai ta ketë thënë ( dhe Berisha thotë shpesh gjëra që s’t’i pret mendja), por, sidomos, për shkak të belbëzimeve foshnjore te liderit të opozites dhe mehmurëve të tij në luftën propagandistike me Berishën, i cili, jepi hakun, fajet e veta ua poston të tjerëve; duke vazhduar me shitjen e detit të Sarandes Greqise e tash së fundi të sabotimi i ndertimit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, duke lënë Kosovën në varësi të Serbisë…Që gabimet dhe mefshtësia e PS ka ndikuar në krijimin e këtij ‘miti”kjo provohet, vec të tjerash, edhe nga pyetjet që iu drejtuan Edi Ramës, kur shkoi në Kosovë për promovimin e librit të tij”Kurban”, kur gazetarët, fare açik, iu drejtuan me pyetje-akuzë: Pse PS nuk donte te ndërtohej “Rruga kombit”, dhe se në Kosove ekziston mendimi se PS është progreke dhe proserbe,etj. Dhe u desh të kuptojë në Prishtinë gabimet që kishte bërë në Tiranë se sa e zbehtë dhe aspak inteligjente ishte treguar deri atëhere PS dhe ai vet në luftën politike me Berishën në lidhje me çështjen kombëtare, ndërsa kishte në dispozicion nje mal me prova kundër Berishës dhe u kujtua t’i shqiptonte nga Prishtina, pas të vjelave, para gazetarëve, të tilla si: Berisha e ka quajtur UÇK-në terroriste, marksiste etj., se Berisha u bënte thirrje anëtarëve të delegacionit kosovar në Rambuje të mos nënshkruanin marrëveshjen historike me insistimin e miqve amerikanë, që garantonte lirinë e pavarësinë Kosovës, shkëputjen e saj nga Serbia; që Berisha i shiti detin Greqisë etj..(Te gjitha keto te verteta) Sikur këto t’i kishte bërë PS, Berisha me propagandën ë tij të parreshtur kudo dhe në cdo çast, do të bënte që jo vetëm t’i dinin kosovarët, por dhe fiset e egra të Polinezisë…

Dhe prandaj gazetarët u habitën dhe mbase dhe s’e besuan Ramën. Sepse gjërat duhen thënë ne kohën ë tyre.Të gjitha këto që tha në Prishtinë s’e ndalonte askush që lideri i opozitës t’i thoshte në kohën e duhur në Tiranë (i ka thënë do thonë disa. Po , i ka thënë një apo dy herë si gjëra të zakonshme) fort dhe ditë për ditë , siç bën Berisha, ky mjeshtër i propagandës, dhe jo si drapëri “një herë në mot”, se njerëzit e thjeshtë mendojnë për bukën e gojës dhe nuk të dëgjojnë po s’u fole ditë për ditë, sepse, tek e fundit, për atë “paguhesh”…Prandaj, nëse ka mit Berisha në Kosovë, meritën kryesore e ka PS dhe udhëheqësit e saj

Nga Petrit Qejvani

Botuar ne “Shekulli” me 23/04/2012 me shkurtime.

Next Post

ZGJEDHJA JONË, "E KEQJA MË E VOGËL"

Die Kor 8 , 2012
Midis alternativave “e mira më e madhe” dhe “e keqja më ë vogël”, zgjedhja jonë është kjo dyta. Historikisht ne kemi vepruar kështu. Është zgjedhje apo zgjedhje imponuar? Një popull i mësuar me pak liri për shkak të pushtimeve të gjata, me pak mirëqënie dhe prosperitet, me pak luftë për […]
PetritQejvani