Prezenca e ndërkombëtarëve në jetën politike shqiptare ka qenë e ndjeshme këto dy dekada të paskomunizmit. Ata me një gjuhë herë direkte dhe herë tërthore e me mesazhe të ambalazhuara diplomatikisht kanë ndikuar jo pak në rrjedhën politike në Shqipëri. Po cili është statusi i tyre? Kjo pyetje për disa mund të tingëllojë e tepërt, por në të vërtetë nuk është kështu. Dihet, thonë ata, se ndërkombëtarët janë këtu me statusin e arbitrit. Dhe ata vetë me këtë kostum paraqiten. Mirëpo paanësia e arbitrit në ndeshjet e përleshjet e ashpra politike në Shqipëri, ku shpesh është dashur të” ndërpritet loja”, nuk i ka shpëtuar kompromentimit me gjithë kujdesin dhe delikatesën me të cilë ata janë përpjekur të mbulojnë njëanësinë e tyre “të pamandatuar”. Ë keqja është se në një lojë të ashpër në kufijtë e armiqësisë e jo të garës, anësia dhe, sidomos animi i plotë nga lojtarët që shkaktojnë fazhdimisht faulla, është jo vetë i padrejtë dhe i pandershëm, por edhe i mbarsur me deformime dhe rreziqe të riciklueshme, që burojnë prej largimit nga e drejta. Në fakt është shtruar herëpashere, sipas rastit, me zë të ulët apo me zë të lartë, se me kë janë ndërkombëtarët në sherret e vazhdueshme në Shqipëri. Disa pohojnë se ata janë fiks fare të paanshëm, të tjerë se nuk janë të tillë dhe gjithkush “gërmon” për të gjetur prova e fakte në mbështetje të argumenteve të tij, ndonse provat janë në sipërfaqe. Ndërkohë që “mëkëmbësit” e Europës dhe ShBA-ve këtu janë edhe arbitra, edhe tifozë, pozicione që dukshëm përjashtojnë njeri-tjetrin. Por, përtej deklaratave të tyre, ata me veprimet e mosveprimet e tyre kanë treguar, edhe për një sy të zakonshëm, pale të specializuar, pozicionet e tyre “pro” dhe “kundër”në favor të njerit dhe në dëm të tjetrit. Më konkretisht, së paku që nga 2009 e këtej, ata janë hepuar dukshëm djathtas, pra, nga Berisha, ndonëse herë pas here i shkelin syrin djallëzisht edhe Ramës, si për t’i thënë “mos u shqetëso, jemi në “mes”. Le të shohim rastet më elokuentë.
Rasti i parë: është qëndrimi ndaj kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të votimit (që përfshihej edhe në kodin zgjedhor) në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës për të verifikuar dyshimin e bazuar se zgjedhjet ishin manipuluar (rasti skandaloz “Ruzhdie”, ku kishin votuar qindra emigrantë, që nuk ishin atë ditë në Shqipëri). Por komuniteti ndërkombëtar e vështroi me “syze dielli” këtë kërkesë legjitime të opozitës. Tensionimi i situatës dhe ngritja e temperaturës politike shtuan ecejaket e emisarëve të Europës dhe Amerikës këtu, por pa rezultat. As paradat groteske të ambasadorëve të trojkës sa nga selia blu në atë rozë nuk e lëkundën Berishën, i cili po i bënte karshillëk edhe Europës ,edhe Amerikës, nëse ata e kishin seriozisht…U organizuan edhe darka si ajo te “Krokodili”, por Berisha nuk u tremb prej tij…Insistues e këmbëngulës si ai, i “lodhi” ndërkombëtarët, të cilët, kur e panë që “muri” Berisha nuk binte, gjetën më të bindurin, Ramën, i cili uli kokën dhe hoqi dorë nga një e drejtë e pamohueshme, aq më tepër që kishte një kampion të vjedhjes spektakolare të zgjedhjeve (Ruzhdien e famshme), që të lindte dyshimin e arsyeshëm se kjo dukuri nuk kishte pse të ishte e vetme. Por dihet që në garë humbet ai, që lodhet më shpejt, dhe ky ishte Edi Rama. Përballë “shkëmbit” Berisha ndërkombëtarët i kërkuan PS, pra Ramës të tërhiqej. Kështu, aksioni i fuqishëm opozitar, që ishte dhe një prove force midis pozitës dhe opozitës dhe e sikletosi jo pak Berishën, dështoi edhe falë kontributit të ndëkombëtarëve. Tani e tutje çdo aksion i opozitës e kishte fundin të sigurtë. U pa qartë që ata ishin me Berishën ose, së paku, nuk ishin me Ramën, i cili, kësaj here, kishte edhe të drejtën me vete.
Fakti i dytë: zgjedhjet vendore të 2011.Tensioni u ngrit sërish. Si gjithmonë protagonist Berisha, që në konflikte gjen shprehjen e plotë të unit të tij politik. Kulmi arriti në Tiranë, ku u rrëmbye mandati i kryetarit të bashkisë live në mënyrën më spektakolare. Por me …procedurë! PS-se iu grabit pa të drejtë bashkia e Tiranës (mjaftojnë 600 fletë votimi tepër për një rezultat aq të ngushtë, që procesi të delegjitimohej). Kesaj here ndëkombëtarët, si në një teatër absurd, perveshin menget dhe marrin rolin e numëruesit të votave, duke e shndërruar në një farsë atë numërim dramatik pikërisht në epilogun e tij, për të “qetësuar” atë që do të humbiste dhe që ishte projektuar që do të ishte Edi Rama.
Si përfundim u thanë ca fjalë as mish as peshk për procesin me nje gjuhë të alambikuar, të pakuptueshme për ballkanasit e sidomos per ne shqiptarët. Njëlloj si t’i thoshnin Edi Ramës “të rrosh vet”. Kështu, ndërkombëtarët e bënë “kurban” kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe njëherësh kryetar i opozitës.
Prova e tretë: 21 janari për të cilin është folur shumë dhe nuk po zgjatem.
Dhe e fundit fare: seanca e Kuvendit për zgjedhjen e anëtarit të ri të KLD, ku u shkelën procedurat në çastin e fundit dhe ambasadori amerikan Arvizu, edhe një herë në rolin e “arbitrit”, tha pak a shumë se fajtorë janë të dy palët, njëlloj si teto Naja e novelës së Kadaresë “Sezoni dimëror i “Kafe Rivierës”, që në mbledhjen e kolektivit ku po kritikohej një djale i ri tha :”Ene drejtori ka të drejtë, ene çuni ka të drejtë…” Pra, sërish në anën e Berishës.
Pas gjithë këtyre provave, besoj, duket se ndërkombëtarët nuk janë në mes, por djathtas. Dhe këtë mendoj se e kuptojnë të gjthë, por nuk e di a e kupton Edi Rama. Gjer tani nuk ka ndonjë shenjë (me veprimet e tij) se e kupton. Dhe më e rëndësishmja: a e di ai pse ndërkombëtarët mbështesin Berishën?! Pa i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje viti 2013 ( jo per shkak te 13 –es) ka gjasa të jetë ters për opozitën…
Nga Petrit Qejvani
Botuar me 21/05/2012 ne “Shekulli” i shkurtuar per shkak te formatit te faqes.