Nga Krijimtaria e Rapsodit Popullor, Veliko Murat Breshani (1888–1944)

U lind në Kallarat më 1888. Mbaroi shkollën e mesme turke në Janinë. Mori pjesë në luftimet kundër bandave të andartëve grekë më 1914 dhe kundër pushtuesve italianë në Luftën e Vlorës më 1920. Me mbarimin e Luftës, u dërgua nga Ismail Qemali në Himarë, ku qëndroi dy muaj, së bashku me Gani Iliazin e Meçan Selamin, për të punuar kundër grekofilëve të Bregut. Ka qenë për shumë vite kryeplak i fshatit. U bashkua me Lëvizjen Antifashiste dhe në mars 1943 u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist të krahinës. Më vonë, u largua nga radhët e Lëvizjes dhe u lidh me Ballin Kombëtar. U dënua me pushkatim në qershor 1944.

Rapsod i njohur në Kurvelesh e Labëri për këngët e ndjera patriotike kushtuar luftërave të krahinës kundër pushtuesve grekë e italianë.

Marre nga libri “Enciklopedia e Kurveleshit”

Disa nga krjimet e tij jane:

Këngë per Lame Sinanin.

… Treqind burra të helmuar

me cigare nën duar

gratë me leshra të lëshuar

Koha vin ‘ e uthulluar

Mali me mjegull mbuluar

Lumi shkon i turbulluar

Vin ‘ në det duke rënkuar

Shtëpia në breg kundruall

 

Pashë xhenazen te duall

E muar duar më duar

Me tre qilima mbuluar

E vunë si krushk kaluar

Sikur vin ‘ në dasmë i ftuar

 

Zonja Peno jashtë dual

U mbet faqeve i çuarrr

Djali im puska mbaruar

S ‘del në fshat për të gjykuar

Me kanunore në duar

Moj Peno t ‘u faltë imani

Thuajna ligjet e djalit

Histori si të Qemalit

I nipi i Lame Qejvanit…

 

 Ç’gjet Veliko Muratnë

Ç’gjet Veliko Muratnë

Pse nuk e kemi dëgjuar

Ka vdekur a është gjallë

Mo po ish dhe vjershëtuar

Pse s’vajton rrëzën e malit

Ata ujë të kulluar

Kalibaq deri në Thanë

Jemi vrarë e jemi shuar

Me grekun që na vu  zjarrë

Jemi djeg e përvëluar

Qivuret radhë-radhë

Gjithmonë për të kujtuar.

 

 Më ‘ 32 të vitit

Më ’32 të vitit

Majë e Begos roiti

Top i madh Bolenë kërciti

Në mes të fshatit goditi

Sofrën e madhe gremisi

Zotin Aliko Shaipi

Me nam si Sulltan Hamiti

Hasani zinë se prishi

0 Hasan të kam vëlla

Kjo na ka gjetur dhe na

Na ka vdekur Lamja.

 

Deput e ministra

Dëgjoni këngët e mia

Punoni për Shqipërinë

Ju bekoftë perëndia

Se vendet që kemi ne

Nuk i ka as Arabia.

 

0 Sazun të keqen unë

 

0 Sazun të keqen unë

Pse rënkon kaq shumë

Apo sheh Vlorën për lumë

Shqipëria të ka humbë

Sos të humb vetëm tyja

Po Kosova, Çamëria

I ka Greku e Serbia.

 

 Ngreu Mesaplik me derte

Ngreu Mesaplik me derte

se ta erdhi greku mbi vete

na luftë me dyfek u trete

digju, vritu e nuk epe…

 

Ç’ka Harca e Madhe që qa

Tymi si mjegull u  ça

U tund  Bogonicë e s’ra

Mavrova kundreq e pa

Kallarat u bë hata

Bini o burra në ta

Se greku në qafe na ra

Luftojnë burra e gra’

 

Jam një djalë nga Kallarati

Dyzet vjeç  njeri

Rrofsh o Zogu ynë rrofsh

Rrofsh o madhëri

Ditë e natë nëpër male

Me dhen e me dhi

Shtruar nëpër përralle

Me libra në gji

Duam të na hapet shkolla

Duam  dituri.


  Veliko Murati (1888-1944)

Botuar në Gazetën Kallarati, Nr 26, Mars –Prill 2006

 


Next Post

Me rastin e 65 vjetorit të rënies së dëshmorit kallaratas, Ormën Boro Ribaj

Pre Qer 29 , 2012
. Emri i dëshmorit Ormen Boro Ribaj lidhet me një sere betejash te përgjakshme te luftës Nacionalçlirimtare si ajo e Portopalermos, Borshit, Libohovës, Suhës, Kiçokut, Mesaplikut, derisa bie heroikisht dëshmor në Sopik më 8 Korrik 1944, duke qenë pjesëtar i Brigadës VIII Sulmuese. Ormëni, pat lindur me 1916 ne fshatin […]

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt