NJE LAJM I FRIKSHËM DHE NJË SHOQËRI Ë SËMURË

·
 

                                                                                      

PetritQejvaniNjë pedagog i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës  u arrestua për korrupsion pasiv, domethënë për shitje notash me para, njoftonte një medie elektronike para pak kohe.Por ky nuk ishte ndonjë lajm kushedi. Bile nuk përbën  ndonjë lajm për terrenin shqiptar..Lajmi vinte më pas. Sipas një anketimi të bërë me studentët e atij universiteti, njoftonte po kjo medie, 3 ndër 4 studentë kanë pohuar se kanë paguar për të marrë provimet! Pikërisht ky është lajm,bile një lajm i bujshëm,por që kaloi në heshtje të plotë, megjithëse u pa edhe në ndonjë cep gazete. Me një fjalë për veshët e shqiptarëve s’kishte gjë të re, ndërkohë që do trondiste cdo shoqëri normale. Një heshtje e tillë ishte një lajm akoma më i rëndë, që tregon  se në shoqërinë tonë nuk bën përshtypje asgjë! Kjo është e frikshme. Kur anormalja bëhet normale do të thotë se shoqëria ka arritur një shkallë të tillë korruptimi e kalbëzimi, saqë shërimi është thuajse i pamundur. Është njëlloj si ai i sëmuri me kancer të avancuar ku metastazat kanë pushtuar krejt organizmin dhe shpëtimi i vetëm është vdekja..Korrupsioni është bërë si oksigjeni për shoqërinë tonë dhe, kur organizmi bën paqe me mikrobin, atëhere s’bëhet fjalë për shërim.

 

Shoqëria jonë është një shoqëri moralisht e  vdekur. Asnjë reagim, as nga ministria përgjegjëse, as nga qeveria, as nga kuvendi, as nga opozita (që ë ka humbur toruan), as nga shoqatat rinore (nesër prej këtyre do dalin qeveritarët e ardhshëm!) as nga prindrit, as nga e ashtuquajtura shoqëri civile, edhe kjo e infektuar! Vetëm heshtje, paqe me të keqen! Notojmë të gjithë në një kënetë. Si te drama e S. Beckettit: “O, sa ditë të lumtura!”Nëse në socilizëm u krijua “njeriu i ri” i socializmit, skemë e idealeve boshe, shoqëria e sotme shqiptare, kapitalizmi shqiptar, krijuan “njeriun e ri” fallco, njeriun me identitet të rremë profesional e moral, njeriun “dosje”.A nuk rendin të gjthë të “masterizohen” pas mbarimit të studimeve si kusht të vënë nga Ministria për të gjetur një vend pune?!Pastaj të doktorohen me të gjtha mënyrat dhe mjetet (dhe mjeti më i mirë është paraja, që e ka kënduar aq bukur Hasan Z.Kamberi.) e pastaj të “profesorizohen” për të arritur majën formale në përgatitjen shkencore, megjithëse (në shumicën e rasteve) pa një kontribut të mirëfilltë shkencor, me teza e makroteza që s’thonë asgjë,vec mbushjes së faqeve të kërkuara? Dhe këtu, hakun të mos ua hamë, një “kontribut” jo të vogël japin edhe komisionet e miratimit të këtyre leckave “shkencore”, në përbërje të të cilave ka dhe profesorë të vërtetë. Kjo vjen sepse te ne universitetet po trajtohen nga qeveritë si mall me shumicë. E kuptoj hallin e qeverive me të rinjtë! Shqipëria duhet të jetë ndër vendet e para në botë për numrin e universiteteve në raport me numrin e popullsisë. Nuk është cudi që ndonjë kryekomunar me paret e korrupsionit të hapë ndonjë universitet edhe në komunën e tij!  Dhe pikërisht një mall është i lirë, kur gjendet me shumicë.Prandaj në këtë rast gjen vend shprehja “shumë e për lumë”. Nuk di ndonjë qytet pa universitet (mund të ketë 2 apo 3 të tillë), ndërkohë që ka qytete (vec Tiranës) me disa universitete!..Pra, meritojmë lëvdata si sasi.Cilësia?Ah, kjo është thembra e Akilit.Këtu mos prekni: 3 ndër 4 studentë e blejnë “shkencën”! Dhe këtu duhet bërë një shënim: korrupsioni në universitete publike është më i madh se në ato private.Po kur nuk fitohet dot me djersë, të thonë, si mund të merret ndryshe? Kur studentët pa tjetër e duan një diplomë, kur prindrit e duan djalin apo vajzën me diplomë, sepse ashtu u ka thënë miku i partisë, pse universitetet të mos u japin një copë karton të qëndisur me siglën e tyre ?!Ndere bëjnë!Se mos japin vende pune! Një copë karton japin! Edhe studentin e kënaqin,edhe  ca (sa?) para i fusin në xhep. Dhe pas kësaj ministri flet per akreditime të universiteteve!Sa komike! Dikur Berisha thoshte për qeverinë Nano se është më e korruptuara e planetit (shprehje tipike të tij) dhe në thelb nuk gabonte. Tani, shumë vite pas Nanos, jo vetëm korrupsioni nuk u luftua, por plot fakte, një ndër të cilët dhe ky i mësipërmi, tregojnë se thënia e Berishës për qeverinë Nanon është po aq aktuale,vetëm duke zëvendësuar  emrin e Nanos me emrin e Berishës. Një shoqëri e sëmurë dhe një qeveri paradash,që suksesin më të madh ka prodhimin e njeriut të deformuar moralisht e profesionalisht, nuk mund të ketë një të ardhme të bukur. Kjo është katastrofë, që i jep frutet pas shumë vjetësh.Ky është një krim.Dhe, si shumë krime të tjera në Shqipëri, është dyfish krim, pasi është krim pa ndëshkim. A do shërohet shoqëria shqiptare nga epidemia e korrupsionit? Dhe kur? Deri atëhere do paguajmë një harac të madh.

   

Nga Petrit Qejvani

                  

Shkruar per “Shekullin”, 15  Korrik 2012  ( I pabotuar)

Next Post

Duze Barjami, gruaja labe, që u përball me Enver Hoxhën, shkruar ne gazeten Telegraf nga Zenepe LUKA

Mër Tet 3 , 2012
Kush është nëna e heronjve, deputetja e tre legjislaturave, që punoi për Vlorën dhe gruan shqiptare Mbushi plot një gjysmë shekulli që është ndarë nga jeta, deputetja e tre legjislaturave, që ndërroi jetë në fund të legjislaturës së tretë, në gjysmën e vitit 1961. Heroika e saj u përkujtua me […]