Tashmë dhe militanti me fanatik e kupton dhe pranon që rezultati kaq i thellë i fitores së Aleancës së majtë dhe humbja po kaq e thellë e Aleancës së djathtë nga përmasat është një revolucion elektoral. Pra jo thjesht një rotacion , ndryshim pushteti rutinë në demokraci, por përmbysje.Pa dyshim ky është një nokaut politik për të djathtën, më saktë një nokaut politik per Berishën . Një rezultati te tillë është vështirë t’i gjesh “shokun” në historinë elektorale të vendeve demokratike. Dhe doemos e para gjë që të shkon ndër mend është pyetja: pse një rezultat kaq i thellë?
Për ata që kanë ndjekur me vëmendje dhe realizëm politikën shqiptare sigurisht që ndryshimi nuk është një gjë e papritur. Por e papritur është përmasa e ndryshimit. Disa shpejtuan ta quajnë“të frikshëm” këtë rezultat. Unë mendoj se ky ndryshim i firmosur nga qytetarët kërkohet të jetë i thellë dhe ka një domethënie të thellë dhe, më mirë se ata që e komentojnë, e dinë vet qytetarët,që e kërkojnë. Vota e qytetarëve duhet lexuar me kujdes: qytetarët duan një ndryshim radikal. Kjo është domethënia e këtij ndëshkimi elektoral.
Të ashtuquajturit analistë shetitës nga ekrani në ekran, teguan se sa larg së vërtetës ishin krahasuar me popullin,qytetarët e thjeshtë. Sofizmat e tyre nëpër studiot televizive dëshmojnë sa larg realitetit ishin ata. Ky ështe një ndëshkim shembullor i maxhorancës aktuale dhe një projeksion se një ndëshkim i tillë tashmë nuk do të kursejë asnjë maxhorancë, që nuk dëgjon zërin e popullit, që shpërfill qytetarin e thjeshtë. Dhe për çudi, shqiptarët e bënë këtë pa protesta dhe demonstrata, pasi qeveria arriti, pas 11 Janarit të 2011, të shuajë çdo protestë popullore. Arroganca e pushtetit ka qenë kaq e madhe sa që edhe greva e ish-tëpërndjekurve politikë u shpërfill nga qeveria dhe ata u dhunuan nga policia duke arritur deri në vetsakrifikimin e njerit prej tyre, që u dogj me benzinë publikisht në sytë e gjithë botës.
Pra, ka shumë arsye për këtë, por arsyeja e të gjitha arsyeve mendojmë është qeverisja e korruptuar dhe arrogante e kësaj maxhorance, ku hajdutëria u kthye në një sport masiv të zyrtarëve të shtetit dhe tallja e nëpërkëmbja e qytetarit të thjeshtë u bë modë. Sali Berisha ndertoi një regjim me fasadë demokratike, por represiv në kuptimin real dhe figurativ. Veçanërisht kërcënimi dhe ekzekutimi i opozitës me fjalë në parlament (ta bëj fytyrën si këpuca!!!) dhe vrasja e demostuesve në bulevard bënë që fryma e revoltës publike të shuhej dhe të akumulohej në shpirtrat e shqiptarëve. Kjo votë e madhe popullore ishte një duf, një shfryrje urrejtjeje kundër këtij njeriu problematik dhe të rrezikshëm. Dy ishin armët më efikase të regjimit demofashist të Berishës: demagogjia e shfrenuar dhe terrori psikologjik. Këtu ai ishte një usta i vërtete, një nxënësi zellshëm i Gebelsit. Por këto ia artikuloi vetëm opozita dhe një grusht njerëzish të medias. Ndërsa të tjerët, sahanlëpirës apo frkacakë të medias së shkruar apo elektronike i thurnin “hosana Barabait” deri më 22 qershor.Bile dhe tani që populli e përzuri.
Berisha ka meritën se instaloi gënjeshtrën dhe demagogjinë si mënyrë normale komunikimi, duke e shndërruar në një institucion. Ai krijoi një realitet virtual, si një prestidigjator profesionist, që nxjerr nga shamia mrekullira e që çuditërisht mashtroi përkohësisht shumë njerëz. Ndërsa Sovrani,me ketë rast, maxhorancës së re i ka sugjeruarse ç’duhet të bëjë. Ai i ka dhënë gjithë mundësinë qeverisë së re që del nga këto zgjedhje të realizojë gjithë ndryshimin e kërkuar. Jo vetëm korrigjimin e kursit të qeverisjes nëpërmjet reformave, por edhe ndëshkimin ligjor të fajtorëve.
Duhet të rihapen dosjet e mëdha të korrupsionit dhe krimit qeveritar si ajo e Gërdecit, për vjedhjen e 230 milionë eurove të rrugës Durrës- Kukës, për 21 Janarin e 2011 etj. Ky nuk është revansh dhe fitimtarët dhe Edi Rama duhet ta bëjnë këtë ne respekt të së drejtës. Këtë kërkon populli i lodhur nga tamatmet ë parreshtura të regjimit butaforik të rrëzuar më 23qershor. Ky është detyrim ndaj qytetarëve. Nuk duhet falenderuar një njeri që e çoi vendin, bashkë me detashmentet e tij besnike, në prag të luftës civile, që bëri grusht shteti më 1998 dhe, si Hitleri në Mynih dikur, i hakërrehej maxhorancës frikacake (Fatos Nanos) se me demokratët (nënkupto banditët) e Mamurasit dhe Laçit mund ta rrëzonte qeverinë legjitime sa herë të donte.
Kjo është një votë ë madhe kundër korrupsionit të llahtashëm dhe varfërisë së skajshme të qytetarëve. Duhet të dënohen hajdutët e pasurive kombëtare në të gjitha nivelet, të gjithë ata që bënë rrush e kumbulla pasuritë e çmuara të nëntokës e mbitokës sonë të begatë, me konçesione e privatizime, që janë akte të pastra hajdutërie, për të gjithë ata që rjepin popullin (qytetarët nëse doni) dhe pasurohen për vete.
Ndëshkimi ndaj të korruptuarve nuk është një hakmarrje, por një akt normal juridik dhe moral për këdo që bën krime. Dhe Edi Rama s’duhet të druhet prej saj. Edhe mesazhet e parë nga Europa për fitimtarët ishin: luftë korrupsionit dhe krimit. Të krijohet njëadministratë e pastër dhe meritokratike, duke u pastruar nga berishizmi si mentalitet qeverisjeje, një mentatitet gangsteri, ku qytetari duhej të paguante në çdo zyrë shtetërore, edhe kur s’duhej paguar, ndërsa kryeministri demagog pohonte ditë e natë të kundërtën. Kurse analistët servilë dhe të paaftë i besonin marrëzitë e tij.
Po berishizmi nuk mund të shkulet pa zhvendosjen e atyre që e realizuan atë dhe mbartin virusin berishist. Ky njeri krijoi një Shqipëri fallco. Dhe e shiti sapunin për djathë për 13 vjet me radhë,brenda dhe jashtë Shqipërisë. Berisha arriti t’i imponohej me dhunë jo vetëm opozitës, por shumicës së shqiptarëve, që nuk e kanë votuar asnjeherë, me përjashtim të zgjedhjeve të 1992, ku për ironi ish-koministët nuk ia vodhën votat. Nëse nuk i kuptojnë këto mesazhe të kësaj vote plebishitare, atëhere maxhoranca e re do t’i ketë ditët të shkurtra.
Duhet të ndërtohet së pari shteti ligjor, sikurse thoshte me të drejtë Prof.Rexhep Qosja, si parakusht për një shoqëri të drejtë. Pa u bërë një drejtësi ë pastër, pa korrupsion, dhe pa u ndëshkuar ata që kanë shkelur ë shkelin ligjin,nuk ka shtet të së drejtës, por shtet mafioz, shtet të Maliqit të radhës.Populli kësaj here, me këtë votë, i kërkon qeverisë së re të mos amnistojë ata, që kanë grabitur dhe vrarë.Sigurisht, duhen reforma, ligje, por ne nuk vuajmë nga këto . Ne vuajmë nga paraliza e ligjit, që vjen nga mungesa ë vullnetit politik për ta zbatuar atë. Ne nuk duhet ta paragjykojmë dhe besojmë se kjo maxhoracë e madhe do ta ketë vullnetin ta zbatojë ligjin. Por , që të bëhet kjo, nuk mjafton vetëm vullneti politik, por dhe lartësia morale. Ne besojmë që kjo maxhorancë e ka këtë. Nëse jo, ky do të ishte një zhgënjim edhe më i madh se i pari.
Publikuar ne gazeten Tema, online, 28 qershor 20013