“Një variant mbi origjinën e emrit Kallarat”, nga Gafur Shameti

GafurShameti-1 1Mbi origjinën e emrit të fshatit tonë “Kallarat” deri më sot ekzistojnë disa variante, por më të lakueshmit janë dy:

Varianti i parë jepet në Enciklopedinë e Kurveleshit, ku thuhet se emri “Kallarat” rrjedh nga një emër njeriu Kallojer që quhen disa larva bretkosash, duke u shndërruar në Kallojerat e pastaj në Kallarat.

Për mendimin tim, ky variant nuk është bindës për arsye se terreni ku është ndërtuar fshati, si në Kunjovë, ashtu edhe në Pilingri, është kodrinoro-malor ku nuk mund të ekzistojnë moçale për strehimin e bretkockave.

Në një variant tjetër[ thuhet se emri “Kallarat” rrjedh nga greqishtja “Kallagjerat” që shqiptohet “Pleq të mirë”. Kallarati vërtet ka pasur pleq të mirë, të cilët merreshin edhe nga fshatrat finje për të gjykuar me kompetencë konflikte apo probleme që ndodhnin në këto fshatra. Por përsëri edhe ky variant, që në krahasim me të parin është më i qëndrueshëm, është jo shumë bindës.

Në këtë shkrim, mendoj të jap ]një variant të ri mbi origjinën e emrit “Kallarat”. Këtë këngë, të cilën bashkëfshatari ynë Selam Jonuzaj, e ka dëgjuar nga Memush Balili, Sabri Murati dhe Hasan Jonuzaj po e paraqes më poshtë me shkurtime.

Kasaba e Kardhiqi

Kallarati për karshi

Në Kunjovë e për veri

Njëmijë e dyqind shtëpi

Pesë kisha e magazi

Ra kolera e bë kërdi

Kallarat me shumë lezete

Me emër nëpër dovlete

Shtëpitë oda me qelqe

Me tregti e salltanete

Kuajt e tyre me shalë

Kur ata ecin revan

S’ka forcë në botë t’i ndalë

Jatagan në brez mbajnë.

Le të ndalemi te dy vargje nga fundi i vjershës, nga ku do të argumentojmë edhe variantin mbi origjinën e emrit “Kallarat”. Vargjet thonë:

Kuajt e tyre me shalë

S’ka forcë në botë që t’i ndalë.

Sipas këtyre vargjeve, kallaratasit kanë qenë kalorës të përsosur, të cilët me kuaj bënin tregti me fshatrat dhe qytetet e shteteve fqinjë, kryesisht Greqinë, duke shitur prodhimet e tyre, si mish, lesh, nënprodukte të qumështit, punime avlëmendi etj., dhe sillnin që andej mallra të nevojshme për bashkëfshatarët dhe fshatrat e qytetet e tjerë. Por logjika të thotë se kallaratasit, si njerëz trima dhe kalorës të zotë, mundet që të paguheshin prej tregtarëve të shteteve finjë, për shoqërimin dhe sigurimin e karvanëve që hynin në Shqipëri, drejt tregjeve të qyteteve dhe fshatrave të saj.

Nga një vështrim i kujdesshëm i asaj që shprehëm më lart, vëmë re një lidhje midis emrit “Kalorjat” dhe kalit me shalë që përdornin kallaratasit.

Për ta përforcuar këtë arsyetim le të vazhdojmë me një argument tjetër bindës. Dihet historikisht që mbas vitit 1200 Shqipëria u pushtua nga perandoria sllavo-bullgare. “Kalorjatit” ju ndryshua emri duke u quajtur “Kunjovë”. Po ç’përfaqëson ky emër? “Kunjovë” që në origjinal është “Konjovë” e vjen nga emri “Konj”, fjalë sllave që e përkthyer në shqip do të thotë “kal” pra “Konj = kal” përsëri një lidhje mjaft logjike midis emrit “Kal” dhe emrit të fshatit “Kalorjat”.

Sipas këtij argumenti, para pushtimit sllavo-bullgar fshati ynë e ka pasur emrin “Kalorjat” dhe Bullgarët e përkthyen në gjuhën e tyre duke e quajtur “Konjovë” që më vonë u transformua në “Kunjovë”. Këtë fakt e vërteton më së miri edhe një hartë e vjetër, e gjendur në internet dhe e botuar në gazetën “Kallarati”. Sipas kësaj harte, që duhet të jetë skicuar para pushtimit sllavo-bullgar, emri i fshatit tonë figuron “Kalorjat” dhe ky fshat është i vetmi që ekziston në këtë hartë në kufijtë nga Kuçi i sotëm e deri në afërsi të fshatit Kotë të Vlorës.

“Kalorjati” më vonë “Kunjova” ishte një qytezë me 1200 shtëpi, pra rreth 10 000 banorë, e ndërtuar në një pllajë të pyllëzuar me arkitekturë tipike perëndimore gjë që dëshmon më së miri për lidhjet e kësaj popullsie me shtetet e përparuara të asaj kohe.

Një argument tjetër që dëshmon prejardhjen e emërtimit të fshatit “Kalorjat” nga emri “Kal-kalorës” është edhe përmendja disa herë në vargjet e vjershës së gjatë që cituam më lart të fjalës “kal”.

Para se ti citojmë këto vargje le të shpresojmë se cila është përmbajtja historike e tyre. Bëhet fjalë për periudhën mbas shpërnguljes tragjike të kallaratasve nga fshati Kunjovë. Në këtë kohë, pleqësitë e fshatrave fqinjë mblidhen për të ndarë tokat e kallaratasve në favor të tyre.

Vargjet e këngës thonë:

Mos u merr me Kallarat

Jo mos u hyr në hakë

Se do të vijnë një natë

Me kuajt e tyre me vrap

Të na shqyejnë me sëpatë

Dhe fjala nuk shkoi kot

Kryepleqtë e lanë me kokë.

Epidemia fatale e kolerës në fshatin Kunjovë, e cila duhet të ketë ardhur nga kontaktet e kalorësve kallaratas me popujt e shteteve fqinje, solli veç vdekjeve të shumta “Në një natë treqind e dy”, edhe braktisjen tërësore të kësaj qyteze, si dhe për mospërhapjen e kësaj epidemie, edhe djegien e detyruar të gjithë territorit.

Epidemia e kolerës në Kallarat duhet të ketë ndodhur në kohën e epidemisë tragjike të kësaj sëmundjeje në gjithë Evropën, e cila mori me vete qindra mijë jetë njerëzish dhe që si kohë njihet historikisht se përkon me periudhën e kulmit të fuqisë së Ali Pashë Tepelenës me seli në Janinë.

Mbas shpërnguljes masive nga Kunjova, kallaratasit ndërtojnë fshatin e tyre në një tjetër pllajë rrëzë malit Bogonicë, por këtë radhë me shumë pak shtëpi, vetëm dyqind e tridhjetë, sepse shumica e fshatrave u larguan në panik drejt zonave të tjera shqiptare, si dhe jashtë kufijve deri në Strakëna.

Vendi ku u ndërtua fshati u quajt “Pilingri”. Po përse fshatit iu vu ky emër? Dhe a ishte më parë e banuar kjo zonë? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve na vjen në ndihmë një gojëdhënë e njohur deri në ditët e sotme. Gojëdhëna thotë:

Në kohën kur kallaratasit jetonin në Kunjovë, dy vëllezërit Gjikë e Pëllumb Toja, gjahtarë të zotë, duke përshkruar pyjet arrijnë deri në afërsi të pllajës që më vonë mori emrin “Pilingri”. Aty jetonte një prift me emrin Pilo, fshatar kallaratas, i cili para disa vjetësh ishte larguar nga Kunjova, ndoshta për të mos u myslimanizuar, apo ndoshta për hasmëri a kushedi për ç’arsye tjetër. Prifti Pilo jetonte në një haur që e kish ndërtuar vetë në një zonë të maskuar nga një pyllëzim i dendur. Të dy vëllezërit gjahtarë u përballën me një tufë sorkadhesh dhe qëllojnë mbi to. Pilua i trembur, se mos e kishin diktuar dhe kishin ardhur për ta vrarë, largohet me nxitim në drejtim të Bogonicës. Gjahtarët e njohin priftin e tyre, i flasin që të kthehet, por ai nuk pranon dhe nxiton drejt malit.

Ja si e përshkruan këtë gojëdhënë një këngë e lashtë:

O prift me laos pak

Me shtëpi gjysmë një kat

U trembe, ike me vrap

Kupën mbi lagjen e le

Bukën në vatër e ke

Nga një dyfek shiposhua

Një sorkadhe u qëllua

Ktheu prapë o kryelartë

Se jemi ndarë nga një gjak

Të hamë bashkë një copë kafshatë.

Pra zona ku u ndërtua fshati i ri ishte i njohur, dhe emri fshatit ju vu “Pilingri” pra emri i banorit të parë të kuaj zone, fshatarit të parë, priftit Pilo.

Kallaratasit e ndërtuan fshatin në Pilingri ashtu si në Kunjovë me planimetri të rregullt, me rrugë komunikuese, me pemë frutore dhe me lagje sipas fiseve.

Duke qenë se ishin tashmë të myslimanizuar, ndërtuan në qendër të fshatit xhaminë e tyre. Fshatit iu rikthye përsëri emri “Kalorjat” që u transformua në “Kallarat” ashtu siç quhet edhe sot.

Next Post

ÇFARË KAM DËGJUAR PËR SHPËRNGULJEN E KALLARATIT, nga Besim Jonuzaj

Sht Pri 28 , 2012
Në përgjigje të rubrikës “Cili është mendimi juaj?”, unë nga tregimet e të parëve, të ardhura nga brezi në brez, di që fshati ynë,Kallarati, ka qenë i vendosur në Kunjovë dhe kufizohej nga jug-perëndimi me Kuçin, nga lindja me Rexhinin, Nivicën e Gusmarin, nga veri-lindja me Bolenën dhe nga veri-perëndimi […]
Besim Jonuzi