Pak nga jeta e Fein Çelo Strati (1895–1961).

Lindi në Kallarat më 1895, në një familje me ndjenja patriotike. E ëma, Dudë Strataj, ishte një grua trime, që më 1919, së bashku me fshatarë të tjerë ngriti flamurin kombëtar në shkollën e fshatit dhe për këtë u arrestua dhe u dërgua në burgun e Vlorës, ku u mbajt 6 muaj.

Që në rininë e hershme, Feini u rrit me armë në krah, duke u bërë shpejt i njohur në krahinë si mbrojtës i zakonit. Në korrik 1914 merr pjesë në rezistencën e kallaratasve kundër një fuqie andartësh grekë që sulmuan fshatin dhe dallohet si një nga luftëtarët më të zotë. Më 1920, në Luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë, për përvojën luftarake që kishte, zgjidhet si komandant i çetës së Kallaratit, e cila luftoi në Vreshtat e Mëdha. Ai u shqua për trimëri e zotësi në drejtimin e luftimeve, sidomos më 19 qershor, duke thyer sulmin e forcave italiane në sektorin e qendrës.

Ago Agaj, në librin e tij “Lufta e Vlorës”, duke përshkruar luftimet e kësaj dite, fitoren kundër italianëve në grykën e Kallafetit ia kushton Feinit, të cilin e quan “dhelpra e Kallaratit”, pasi, si luftëtar i sprovuar që ishte, e shfrytëzoi me zgjuarsi situatën e krijuar nga sulmi i papritur dhe vërshimi i armikut tatëpjetë grykës. Duke e kuptuar se armiku po futej në një grackë nga ku nuk mund të dilte dot, ai, me shpejtësi e gjakftohtësi, i rregulloi shokët në mënyrë të tillë që të mos i linte armikut shteg për tërheqje. Rrëzjotët bënë dhe ata të njëjtën manovër dhe pas kësaj kundër armikut të futur në çark nisi nga të dyja anët një zjarr i fuqishëm. Nga ky zjarr tërë fuqia e arditëve në grykë të Kallafetit u asgjësua krejtësisht (A. Shero, Lufta e Vlorës, f. 213).

Gjatë Luftës Antifashiste, megjithëse në moshë të madhe, u rreshtua ndër të parët në çetën e Kurveleshit dhe pastaj në çetën “Hajredin Tremishti”, duke marrë pjesë në disa luftime të saj, si në sulmin mbi nënprefekturën e Kurveleshit në Gusmar etj. Por për shkak të një ngjarjeje banale ndaj tij, u detyrua të largohej zemërthyer nga çeta. Më pas, u hodh në formacionet luftarake të Ballit Kombëtar. Pas Luftës, u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm, që më pas iu kthye në 20 vjet burg, pasi e shoqja, Ilmua, mblodhi në fshatrat e Lumit të Vlorës shumë deklarata për ndihmën që ky burrë fisnik e patriot u kishte dhënë shumë antifashistëve, duke i shpëtuar nga burgosjet dhe internimet në kampet naziste të përqendrimit. Pas lirimit nga burgu, nuk jetoi gjatë. Ai mbylli sytë në fshatin e lindjes më 1961.

Marre nga Libri “Enciklopedia e Kurveleshit”

Next Post

Pak nga jeta e Shahin Osmën Jonuzi (1906–1975).

Sht Gus 18 , 2012
Lindi në Kallarat në vitin 1906. Gjatë periudhës 1929–1934 kryen studimet në Akademinë e Artilerisë në Itali, në specialitetin artileri kundërajrore. U kthye në atdhe dhe hyri në shërbimin ushtarak me detyrë komandant baterie. Në mëngjesin e 7 prillit 939, në krye të baterisë që komandonte, niset nga Elbasani dhe […]