Po të pres e dashur, te ky trung i lashtë.
Ky ulli i moçëm me degët e tij
mbulon heshtjen time,
ky ulli i moçëm,
që rrënjët ka shtrirë thellë lashtësisë.
Kushedi se ç’dorë e mbolli këtu,
ndoshta dy të rinj
si unë e ti,
dy stërgjyshër tanë,
që as varr, as emër përmbi tokë s’kanë.
Kushedi sa herë u ndërruan shekujt
dhe të krrusur shkuan
ndën degët e tij,
kushedi sa herë e shkundën me shufër,
u përkulën shekujt
duke mbledhur kokrrat
ndën këtë ulli.
Hej ulli i moçëm,
që me këto degë mbulon ankthin tim,
as shikoje ti në ditët me mjegull
qysh pas çdo stuhie
Vlora zgjaste dorën të prekte Sazanin,
porsi nëna natën që zgjohet shpesh herë
të shikojë djalin..!.?
Ti e dashur s’erdhe që të ndjenim bashkë
parfumin e verdhë
që hëna ullinjve
mbrëmjeve u derdh.
por nuk do trishtohem, unë fare mirë
mund të rri i heshtur
ndën këta ullinj,
t’i ndjej frymën tokës, gurët t’i lexoj,
të gjurmoj ku jeta
u përlesh me vdekjen,
të gjurmoj ku rrënjët i ka shtrirë jeta.
Dhe kështu i vetëm
s’do bie në mendime
pse s’u duke ti,
por ndën cip të mbrëmjes dhe nën hijen time
do kërkoj e dashur
tjetër dashuri.
S’bënë kështu dikur
ndoshta dy të rinj,
si unë e ti,
dy stërgjyshër tanë,
që as varr, as emër përmbi tokë s’kanë….?
1964