Isha në një dasëm, në lagje. U martua vajza e Shemshedinit. Gjëmuan këngët dhe meloditë, por nuk munguan edhe qyfyret dhe komeditë. Sa erdhën krushqit me dhëndrin, një grup plakash ia morën rrugës me romuze:
Nusja jonëë sa e mirë,
dhëndëri si kec i shtirë.
Nusja jonë yll e dritë,
Dhëndërri si thes me kripë.
Krushqit u tulatën, ndërsa dhëndëri duke turfulluar e kërcitur dhëmbët shikonte andej-këndej. Grupi i plakave vazhdonte këngën:
Nusja jonë lule filxhani
Dhëndëri si llullan kazani.
Nusja jonë lule behari,
dhëndëri si mullar bari.
Një nga krushkat që s’iu durua më, shpërtheu: I marshi të keqen dhëndërrit ju. Se e kemi mis qyteti. Ja, shikojeni, si Bin Ladeni i Amerikës është (desh të thosh si Bill Klintoni). Plasën të qeshurat.
Vëllai i dhëndërrit, një mesoburrë, për të qetësuar situatën, ia mori një labçe:
Shokë do ia marr njëherë
Kapmani,
E kam brenda do ta nxjerr
Mbamani.
Do ta nxjerr si maliher
Mbamani.
Gratë, të skuqura në fytyrë, kapnin faqet me duar, ndërsa nënë Shanikua, me gojën katua, iu drejtua orkestrës: “Ku ini ju të odhkethtrëth, pthe u kemi paguadh, mbutheni, mbutheni dathmën me adhegdhi”. Orkestrantët, si specialistë të kualifikuar të dasmave, ia nisën këngës, Solist vetë fizarmonicisti,
Faqja jote Zana
E kuqe si gjaku,
për ta prerë me thikë moj Zana
si shalqi Shijaku.
Qafa jote Zana
Si bisht mandoline
Me rruazat në gushë moj Zana,
Porsi fiq Kanine.
Një plak, që ishte bërë tapë, u ngrit në këmbë, nxori shaminë e hundës dhe duke kërcyer ia mori këngës:
I ziu më iku mosha – vu, vu Merxhane.
Në kazan t’rakisë u përvëlofsha – vu, vu Merxhane.
Pse s’më erdhe mbrëmë te kioska – vu,vu Merxhane.
Të kisha sjellë bretkosa – vu, vu Merxhane.
Plaka pa dhëmbë, u ngrit e nervozuar dhe bërtiti: “tha bëni këthtu odhe, tha bëni?
Pthe vetëm ne do këndojmë? Po kdhuthqit? Nuk do t’u lëmë dhadhë dhe atydhe?”
Të gjithë duartrokitën në kor. Krushku i zënë ngushtë, u ngrit menjëherë në këmbë. “Efkaristo poli” tha krushku që kish 12 vjet kurbetlli në Greqi. Dhe ia mori një kënge greke gjysëm shqip, gjysëm greqisht.
E tope-tope papagalle
Ella krushku të heqim valle
E tope-tope papagalle
Ella të shkrihemi fare.
“Eh!” tha një plak andej nga fundi, “edhe ato të dashit na duheshin tani – hajde këngë, hajde”. Një vajzë bionde, ia mori një kënge të bukur dashurie të muzikës së lehtë.
E desha djalin, të ish i bukur
Me sy të zezë, djalin e doja.
Por biondja se vazhdoi dot më tej, se nga një grup përballë saj u mblodhën kokë më kokë, sikur të bënin kala dibrançe, ia morën një kënge labçe.
Ë… ëh… Ë… ëh…
Rashë e theva këmbën
Ë… ëh… Ë… ëh…
M’u në mes të ditës
Ë… ëh… Ë… ëh…
Mirëpo asnjë s’e dinte më tej tekstin e këngës dhe vazhduan:
Ë… eh… Ë… eh…
Ë… eh… Ë… hëhë.
Ë… eh… Ë … eh.
Ë… eh… Ë… hëhë.
“Ëngdha u hëngëdht” tha plaka pa dhëmbë, “Kudh the dini, pthe e mdhni kot, na tudhpëdhuat padha kdhuthqëve.” Dhe ia mori vetë një kënge:
o nuthe vetudh binjadhe
Pthe na dodhe gënjthtadhe
Na the që th’madhtodhem fadhe
Do t’i dhi babait manadhe.
Ja të tilla këngë u kënduan në dasmën e Shemshedinit dhe do të vazhdojë kështu për aq kohë sa kompozitorët tanë të kompozojnë edhe këngë të bukura për dasma.