RETH JETËS SË BABAIT TIM BAJRAM QAMIL BAJRAMI (TOÇAJ)

(Me rastin e 110 vjetorit të lindjes)

 Nga Engjëll Bajrami

 

 

 

 

 

 

Babai im, Bajrami lindi më 20 Prill 1914 në fshatin Kallarat, të krahinës së Kurveleshit të Poshtëm. Sot Kallarati është fshat i Bashkisë Himarë, e shtrihet në të dy anët e lumit të Vlorës/Shushicë, që ndodhet rreth 11km  në vazhdim të rrjedhës larg nga burimi i tij në Buronja në Kuç e rreth 50 km larg nga Vlora.

U lind nga prindërit e tij Qamili e nëna Zenepe. I ati Qamili ishte vëllai  i madh i Selam Bajramit (i shoqi i nënë Duzes) dhe i ati i 2 djemve, Hasan e Mumin Bajrami. Nga tregimet e babait tim dhe duke u mbështetur edhe në dokumente të shkruara, pema gjenealogjike e familjes “BAJRAMI”, fillon aty rreth vitit 1600.

Pra të parët e mi duhet të kenë banuar në Kallaratin e mëparshëm që ka qenë në Kunjovë (në krahun e djathtë të rrjedhjes së lumit Shushicë (Lumi i Vlorës) në rrëzë të malit të Çipinit në mes të kodrave në Kunjovë) e që më pas, si pasojë e rënies së epidemisë së Kolerës rreth viteve 1650 (?), u detyruan ta braktisin vendin e të hidhen (në anën e majtë të rrjedhjes së lumit të Vlorës/Shushicë) në vendin e quajtur PILINGRI, në pllajën në faqen e malit Bogonicë rreth 600 – 700 metra lartësi mbi nivelin e detit.

Sipas tregimeve të babait dhe të tjerëve, e në veçanti nga dajua im Ramadan Lalaj, i cili ka qenë revizor i kooperativës në vitin 1957 dhe ka vajtur lart në “Fshat të Djegur” e ka parë rrënojën e shtëpisë dykatëshe të familjes Bajrami, atje në anën jugore mbi mesin e fshati të “Fshatit të Djegur”, të cilës i kishte rënë çatia e i kishin mbetur në këmbë muret e djegura dhe pranë ballit të shtëpisë ishte pema e madhe e arrës që bënte arra të mëdha e me lëkurë të hollë ose siç e quajnë kallaratasit “Arra e Toçe”. Aty familja e të parëve ka jetuar deri më 14 Korrik 1914, kur e sulmuan dhe e dogjën “Andartët grekë”, e si pasojë më pas familja e gjyshit tim me gjithë djalin e vetëm (beben tremuajshe) Bajramin dhe vajzat, si gjithë fshati, u detyruan të braktisin atë vendbanim e të largohen për të shpëtuar, e u vendosën më poshtë në fshatrat e tjerë në të dy anët ku ishin më të sigurtë. Gjyshi im Qamil e familja e tij mbasi jetuan disa kohë si jabanxhinj në fshatrat e tjerë në anët e lumit Shushicë/lumi i Vlorës, mbasi u larguan andartët grekë e u qetësua situata, u kthyen pranë tokave të tyre në anën e majtë të lumit dhe fillimisht ndërtuan kasolle/barakë provizore e pranë saj ndërtuan shtëpinë me gurë e qereç/llaç  rreth 300 metra nga “Qafa e Ubavit” në rrëzë të kodrës (në Fier të sipërm ) e në anë të udhës që shkohej drejt “Arrave të Ruçe”, që ishin pronë e familjes në drejtim të jugut (ardhjes së lumit Shushicë) për në “Shesh të Rrethit” e më tutje drejt Kuçit. Sot truallin e shtëpisë e ka përfshirë traseja e rrugës së re: (Rruga e re Lumit të Vlorës) dhe xhaxhai i babait, Selami e ndërtoi shtëpinë mbi të rreth 20 metra më lart në majë të kodrës.

Ndërrimi i besimit fetar që reflektohet te ndërrimi i emrave të të parëve tanë, ndodhi rreth vitit 1705, në kohën e sundimit Osman (turk) nën pushtetin e sulltan Ahmeti III-të (1703 -1730), si pasojë e shtrëngimit të vazhdueshëm të dhunës e të masave prej pushtuesit Osman (turk) ndaj popullsisë vendase të krishterë (të Kallaratit e të mbarë krahinës), për ndërrimin e fesë. Ky ndërrim i besimit qe sipërfaqësor, vetëm në dukje dhe nuk hodhi rrënjë në shpirtin e njerëzve e kallaratasit si mbarë popullsia e krahinës nuk shquhet për fanatizëm fetar (mysliman) dhe mbeti shumë tolerante, gjë që e arritëm edhe ne brezat e mëpasshëm, e ku ne nuk kemi përjetuar e ushtruar në familje rite e zakone fetare, bile edhe emrat që na janë vënë i kemi me origjinë të lashtë kristiane apo ilire si: Engjell, Ariana, apo Agron.

Familja BAJRAMI, është pjesë e  njërës prej 7 mëhallëve të fshatit Kallarat, dhe bën pjesë në mëhallën e Gjinase (Gjin Nasi) e ku siç më ka thënë, babai, Bajrami (babai ynë), si vëlla i vetëm e më i vogli, me disa motra, u rrit me shumë dashuri e kujdes si fëmijë (djalë) i dëshiruar, por kur qe i vogël i vdes i ati, e duke u rritur i bie barra e shtëpisë dhe detyrohet t’i përballojë të gjitha punët e vështirësitë për mbajtjen e familjes, si në shtëpi, në ara me punimet bujqësore e me blegtorinë (bagëtitë e imta e të trasha) dhe me shitblerjen dhe furnizimin me produktet e nevojshme për të jetuar familja. Ai u lind  në një shtëpi të madhe dykatëshe e ndërtuar me mure me gurë të mëdhenj e qereste (llaç) e me dritare, në Kallaratin e vjetër pak më lart mesit të fshatit në anën jugore të tij (sot Fshati i Djegur) lart në pllajën që ndodhet në rreth 600 deri 700 metra lartësi, në mes shpatit poshtë Grykës së Gonit të malit Bogonicë. Babai u lind në 20 Prill 1914, e  kur ai ishte bebe i vogël, pa mbushur akoma  3 muaj jetë, ndodhi sulmi i armatosur në 14 – 15 korrik 1914 i andartëve grekë (me kokë të lidhur me shami të zezë me origjinë nga Kreta), të cilët me armët e zjarrit me dhunë brutale e me urat e zjarrit në dorë dogjën, shkatërruan e dhunuan banorët e pafajshëm kallaratas. Kallaratasit të zënë në befasi nga hordhia greke e ardhur nga pjesa jugore e fshatit nga ana jugperëndimore e malit të Bogonicës nga fshatrat e  bregdetit (Kudhsi e Piluri)  iu kundërvunë agresorëve me armë e me çfarë mundën, por nuk arritën t’i përballonin agresorët, e kështu në luftë për mbrojtjen e fshatit nga agresorët/andartët grekë dhanë jetë e tyre 5 kallaratas. Si rezultat i këtij agresioni  nga grekërit dhe djegies e shkatërrimit të fshatit, banorët u detyruan të largohen për të shpëtuar e u vendosën përkohësisht në fshatrat e tjera në të dy anët e luginës së lumit Shushicë, ku nuk arritën dot andartët grekë, mbas qëndresës që iu bë atyre në Kallarat. Më pas ata (andartët grekë) u larguan nga erdhën, por lanë pas Kallaratin e djegur e të shkatërruar.

Kështu familja e babait  qëndroi e jetoi me vështirësi si muhaxhirë (të vendosur në familjet e miqve në fshatrat e tjerë) deri sa situata u qetësua. Pasi u rikthyen përsëri në vendin e tyre, kallaratasit fillimisht ndërtuan streha të përkohshme pranë vendeve ku kishin pronat (arat e tyre) për të jetuar, e meqenëse rikthimi atje ku kishin patur shtëpitë në fshatin e tyre në pllajën e malit Bogonicë ishte i pamundur, sepse fshati qe djegur e shkatërruar e ata filluan të ndërtojnë shtëpitë e reja pranë arave të tyre ku fillimisht ndërtuan kasollet e përkohshme për t’u strehuar. Më pas gjyshi filloi të ndërtojë aty pranë shtëpinë e re të gurtë (njëkatëshe e me qilar për depo e zahiretë).

Pasi u ndërtua e përfundoi shtëpia e re, gjyshërit e mi këtë shtëpi e shndërruan në shkollë shqipe në tetor 1916 dhe e kthyen atë në një vatër të shqiptarizmës e të arsimimit e kulturimit të brezit të ri të fëmijëve kallaratas, e cila u njoh dhe zyrtarizua dhe nga pushteti i kohës (Prefektura e Gjirokastrës) dhe shërbeu si e tillë, shkollë fillore në atë shtëpi për 10 vjet, deri në vitin 1926 kur u transferua në një ndërtesë tjetër më të volitshme.

Pas disa kohësh kur shtëpia shërbente edhe si shkollë, babait (Bajramit) i vdes i ati duke e lënë të mitur e familjen në vështirësi, e kështu barra e shtëpisë i mbeti vetëm mamasë së tij dhe nënës së moshuar. Në këtë gjendje  atij (babait) si djalë (mashkull) i vetëm në familje e i vogël në moshë i ra detyrimi e barra e familjes që megjithëse i parritur mirë të angazhohej në mbarëvajtjen e punëve të familjes, e kështu u rrit e u burrërua para kohe duke iu ndihur si mamasë së tij, ashtu dhe gjyshes e motrave dhe t’u dalë zot punëve në ara dhe bagëtive, si dhe punëve të tjera të lodhshme jashtë shtëpisë, si furnizimet me produkte të nevojshme deri në Vlorë, Tepelenë, Himarë apo Delvinë.

Shtëpia e gjyshit, e më pas e babai tim, Bajramit, që jetoi me familjen e tij ekzistoi deri në vitin 1944 kur mbas disa djegieve të herëpashershme nga pushtuesit e huaj, fashistët italianë e nazistët gjermanë e bashkëpunëtorët e tyre ballistë, u dogj e shkatërrua përfundimisht aty para çlirimit të vendit në nëntor 1944. Tani në atë vend/truall nuk ekzistojnë më muret e saj, por ka ekzistuar vetëm fiku i vjetër para shtëpisë, ndërsa gurët e shtëpisë së mbetur u përdorën nga kooperativa në vitin 1956-1957 për ndërtimin e mapos së re të fshatit në Qafë të Ubavit poshtë rrugës, përballë ish dyqanit të vjetër (të xha Telos) në qendrën e atëhershme të fshatit Kallarat.

Bajrami (im atë) provoi mbi veten e tij përndjekjen nga regjimi “Zogolljan” si kundërshtar i tij, e më pas edhe nga pushtuesit fashistë italianë e ushtria greke e cila erdhi deri në Kallarat  ku qe spostuar fronti i luftës në mes tyre, e më pas dhe nga pushtuesit nazistë gjermanë. Pasojë tragjike e kësaj lufte, qe shpërthimi i një bombe italiane, në një arë pranë shtëpisë ku po luante i biri (H.T) rreth 3.5 vjeç, e ai u plagos rëndë nga shpërthimi i saj në barkun e tij, e si pasojë ia çau barkun  e  ra përmbys. Babai menjëherë i vajti në ndihmë bashkë me kushëririn e parë sot “Hero i Popullit”, Muminin, rënë më pas në fushën e nderit në luftë me fashistët e milicët kuislingë në lagjen Topana në Vlorë më 18 tetor 1942 me bashkëfshatarë të tjerë, e vendosi që me çdo kusht ta çonte në Spital në Vlorë e t’i shpëtonte jetën, duke bërë një vig me dy drunj e një batanie, e të niseshin menjëherë me këmbë për në Vlorë, megjithëse nuk kishte rrugë automobilistike. U bënë bashkë një grup prej 4 vetash: ai ( babai), Mumini dhe 2 të tjerë e u nisën për në Vlorë, duke u këmbyer me njëri-tjetrin herë pas here. Për fat të mirë kur mbërrijnë në Brataj, vënë re se aty kishte ardhur një veturë e zezë me 2 italianë, sepse italianët kishin ndërtuar nga Vlora deri aty në Brataj një rrugë ushtarake për të lëvizur mjetet e tyre ushtarake; automjete e topa, e për të cilën vazhdonin punimet në drejtim të Kallaratit duke angazhuar me detyrim banorët e fshatrave që i zinin e i merrnin me forcë.

Ata dy italianët të cilët po shikonin me dylbi nga bregu ku qenë vendosur, siç morëm vesh më pas qenë oficerë zbulues  të cilët me dylbi po vrojtonin në drejtim të pozicioneve të ushtrisë greke në Kuç. Atyre u tërhoqi vëmendjen ardhja e këtyre burrave të cilët mbanin një vig dhe dërguan shoferin e tyre (shqiptar) të interesohej se ç’po ndodhte. Shoferi erdhi dhe e pa situatën. Kur ai pa se qe një fëmijë i plagosur në bark, e në gjendje të rëndë, babai i tha na ço shpejt në spital në Vlorë, ta shpëtojmë djalin. Shoferi vajti dhe u tha italianëve se ne kishim një fëmijë të vogël të plagosur nga bomba. Dy italianët me ta marrë vesh, u erdhi keq e i thanë shoferit: Çoje në Vlorë në spital. Kështu u nisën, e nëpër atë rrugë ushtarake (gropa-gropa) mbërrijnë në të errur te spitali në Vlorë, në kohën që mjeku kirurg italian, ekipi i tij po dilnin nga dera e spitalit. Ai (kirurgu italian ) me ta parë gjendjen e fëmijës së plagosur, i tha ekipit, merreni e shpejt ta çojmë te salla e operacionit. Mbas 2-3 orësh pune e përpjekjesh, ekipi mjekësor arriti t’ia pastrojë organet e brendshme të cilat qenë dëmtuar, këputur e bërë pis me dhera e driza dhe t’i dalë me sukses duke ia qepur e vënë në vend e pastaj qepur përfundimisht barkun dhe duke ia shpëtuar jetën fëmijës 3.5vjeç, e që jetoi gjatë. E shpëtoi dashuria dhe këmbëngulja e të atit të tij, të që bëri të pamundurën për ta shpëtuar djalin e tij.    

Me nisjen e lëvizjes kundër pushtuesit fashist italian babai im, BAJRAMI u angazhua fillimisht në njësitin territorial të fshatit, pastaj në çetën “M.Selam Bajrami” e më pas në përbërje të formacionit luftarak nacionalçlirimtar të krahinës së Kurveleshit, e më tutje me krijimin e formacioneve të mëdha partizane, hyri që ditën e parë të krijimit të saj në radhët e Brigadës së 8-të Sulmuese, në Sheper të Gjirokastrës në 24 prill 1944, në luftime përpjekje me forcat fashistë, naziste e shërbëtorëve të tyre kuislinge e balliste, në zona të ndryshme të Kurveleshit, Labërisë e më gjerë nga Saranda deri në çlirimin e Tiranës. Në njërin nga këto luftime për çlirimin e zonës në jug në Sarandë plagoset në bark e kalon disa kohë në spitalin partizan edhe sepse iu infektua plaga, deri sa u përmirësua, e pastaj  mundi të lëvizë e iu bashkua Brigadës së tij të 8-të në Tiranë. Mbas  çlirimit të  vendit më 29 Nëntor 1944, atashohet me punë në radhët e Ushtrisë popullore.

Me mbarimin e luftës dhe çlirimin e vendit, në regjistrimet e popullsisë që u bënë në teren, regjistruesve, atje në Kallarat nga nënë Duzja, ajo për vete deklaroi mbiemrin që kishin “BAJRAMI”, ndërsa për babain tonë, Bajramin  e familjen e tij dha  një mbiemër tjetër atë “TOÇAJ” e jo ai që kishin “BAJRAMI”. Kur u ndesh me këtë fakt babai në Tiranë, mbasi u pajis me dokumentet e reja të identifikimit shikon se ia kishin ndryshuar mbiemrin. Zyrtarët e gjendjes civile këtu në Tiranë e adresojnë për në Vlorë e prej atje në Kallarat tek nënë Duzja. Ajo i tregon se e kish bërë me qëllim ndërrimin e mbiemrit, që t’i rronte ai dhe fëmijët, sepse asaj i vdiqën të dy djemtë e iu mbyll (shua) dera e kështu ajo mendoi meqenëse babai nuk kishte më të afërt në gjak nga babai, se familja gjithmonë lindte pak meshkuj dhe kishte marrëdhënie miqësore e shkëmbehej me produkte të ndryshme bujqësore e blegtorale me banorët e fshatit Toç të Tepelenës, pra me Toçajt i dha familjes së babait mbiemrin “TOÇAJ”. Babai nuk ishte dakord dhe bëri kërkesë për rikthimin e mbiemrit të mëparshëm “BAJRAMI”, e ky u rivendos në dokumentet e reja të identifikimit në vitin 1978 për ne 5 anëtarët e familjes që përbënim atëherë familjen e Bajramit si: Bajrami (babai ynë), Peno (mamaja jonë), unë Engjëlli, motra Ariana e vëllai Agron e kështu prej vitit 1978 ne jemi familja: “Bajram BAJRAMI”.

Mbasi kryen e kualifikimin e duhur ushtarak në shkollën e oficerëve në Tiranë babai  emërohet oficer në MMP në aparatin e saj e ku punoi në një sektor të veçantë (shifër) deri sa doli në pension në muajin maj të 1972.  Ai ka qenë për ne një baba i dashur, por dhe i rreptë, që kërkonte prej nesh të ishim të sjellshëm e shembullor e të dashur si në familje, e po ashtu edhe me të afërmit, më të mëdhenjtë si  dhe në marrëdhënie me shokët e me mësuesit tanë. Ai na këshillonte të ishim të thjeshtë e jo mburravecë e gërnjarë me këdo e t’i gjendeshim për të ndihmuar kujtdo që kishte nevojë. Ai ishte prototipi i prindit të dashur dhe ushtarakut korrekt në sjellje e në paraqitje e që me shembullin e tij na frymëzonte edhe ne fëmijëve të tij e po ashtu meritonte admirimin e të tjerëve. Ai për kontributin dhe veprimtarinë e shquar të tij  si gjatë luftës Nacionalçlirimtare ashtu edhe për kontributin e tij pas çlirimit në rimëkëmbien e vendit, në mbrojtjen e atdheut dhe në sferën shoqërore është dekoruar me shumë urdhra e medalje.

Ai mbante lidhje të vazhdueshme e të ngrohta me bashkëfshatarët e tij këtu në Tiranë, në Vlorë e kudo, si dhe në Kallarat e më gjerë. Ai e kishte shndërruar shtëpinë e tij këtu në Tiranë në një bazë ku vinin e strehoheshin e ushqeheshin kushdo që vinte nga Kallarati për punë të ndryshme apo halle (probleme shëndet) apo për të ndjekur studimet në shkollat e larta, apo duke iu shërbyer  këtyre si “derë-babe” në ditët e fundjavës apo ditët e festave, pra duke iu gjendur e ndihmuar e kontribuar për këdo që kishte nevojë me çfarëdo mundësi që kishin  për të mirën e tyre dhe fuqizimin e fshatit të tij të dashur Kallarat.

Kjo mirësjellje e solidaritet qe ata prindërit tanë manifestonin ndaj kallaratasve, që na bujtnin në shtëpinë tonë, bëri që edhe ne fëmijët e tyre të lidhemi e të njihemi me të gjithë, e jo vetëm me të dëgjuar, por edhe t’i njihnim personalisht, e kjo plus vizitave që bënim në fshat në periudhën e pushimeve verore të na e rrisë e fuqizojnë  më tepër dashurinë për Kallaratin e kallaratasit. Këtë frymë dashurie e respekti ndaj fshatit të tij të lindjes, babai na e mëkoi edhe neve fëmijëve të tij duke na ushqyer me dashuri për Kallaratin, e për çdo vit na çonte në fshat ku kalonim pushimet verore derisa mbaruam shkollat 7 e 8 vjeçare, ku kalonim kohën në natyrën e bukur të fshatit, takonim e vizitonim familjet e të afërmve tanë e miqve të tjerë, në veçanti shtëpinë e xhaxheshës (nënë Duzes) ku ne bujtnim, e ku nënë Duzja na trajtonte me mall e me dashuri, mbasi shtëpia e babait tonë qe prishur që në kohë të luftës, e mbasi babai e tërhoqi familjen në Tiranë ajo (shtëpia nuk u rindërtua e mbeti gërmadhë). Aty nga vitet 1958 – 1960 gurët e saj u përdorën për ndërtimin e mapos së re në Qafë të “Ubavit”, poshtë rrugës, para dyqanit të xha Telos. Mbaj mend përpjekjet e babait për zhvillimin e Kallaratit, që së bashku me kallaratas të tjerë këtu në Tiranë, si Sinan Xhemili, Xhafer Hysi, Cane Strati, Cano Breshani, Sinan Petani, Tare Karabolli, Arif Abazi, Hadër Jonuzi, Namik Abazi, etj që nuk ua kujtoj emrat dhe Seit Jonuzi  e Shametajt në Vlorë, Xhelo Dautin, etj në qytete të tjera të Shqipërisë dhe pjesëmarrjen aktive të drejtuesve të Këshillit dhe të Kooperativës së Kallaratit e plotë kallaratasve aktivë atje në fshat, që mblidheshin e diskutonin për zhvillimin e përparimin ekonomik, kulturor e shoqëror dhe përjetësimin historik  të kallaratasve dje në luftë e sot në paqe dhe për ndërtimin e kompletimin e Muzeut Historik të fshatit në Kallarat, lart te shtëpia e “Nënë Duze Bajrami”. Muzeu arriti të ndërtohej  dhe u bë një qendër ku pasqyrohej e mbahej gjallë historia dhe lavdia e fshatit dhe e banorëve të tij dhe e atyre që spikatën me jetën e tyre në shërbim të Kallaratit e mbarë Shqipërisë dhe dhanë jetën për lirinë e Atdheut. Për realizimin e muzeut pati rol të veçantë Komisioni i Posaçëm i tij e në veçanti realizuesi fotografi, piktori e disenjatori Cano Breshani (djali i hallës time/Hajdo).

Në atë kohë Bajrami (babai), shkroi dhe një “Historik të Kallaratit”, të cilin ia dorëzoi kryesisë së komisionit për hartimin e historikut. Di që u shkruan shumë historikë nga persona të ndryshëm, e pastaj kryesia e komisionit për hartimin e variantit më të arrirë të historikut, do t’i studionte e përmblidhte në një maket përfundimtar, e pastaj mbasi t’i bënin redaktimet e nevojshme  do t’a aprovonin në një mbledhje të madhe të bashkëfshatarëve.

Ndërkohë ne (familjarisht) mbanim lidhje e shkëmbeheshim me vizita te familjet e njeri -tjetrit (kallaratasve) këtu në Tiranë dhe me fëmijët e tyre. Kjo gjë e bënte më të fortë miqësinë mes nesh. Një nga kënaqësitë e vajtjes në fshat ishte edhe marrja pjesë në festën e 25 qershorit në Kuç, ku kishim mundësi të takonim shumë të afërm nga ana e mamasë tonë (bijë e familjes Lalaj në Kuç), miq, të njohur e të panjohur në atë mizëri njerëzish që festonin nën hijen e rrepeve në Buronja të Kuçit.

Me daljen në pension të babait tonë në 1972 dhe problemeve shëndetësore të tij, e me rritjen tonë e daljen në jetë më vete, filloi kufizimi i vajtjeve tona në fshat, e kështu kemi vajtur me ndonjë sebep (për ndonjë hidhërim). Megjithatë unë ruaj edhe sot një afeksion e dashuri për Kallaratin e për gjithë zonën dhe jetoj në distancë me to. Tani me përfundimin e rrugës shkoj edhe me shpesh, sidomos ne takimet e brezave që organizohen ne Kallarat mjaft bukur.

Mbasi kaloi plot 30 vjet në pension e duke patur probleme me shëndetin (zemrën e diabetin) babai ynë (Bajram Bajrami ) ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare më 19 maj 2002 në gjirin e familjes në Tiranë, por unë nuk pata mundësi që t’i jepja lamtumirën  për në banesën e fundit, sepse 2 javë para se të ndërronte jetë ai, më bekoi që të shkoja në emigracion (në Gjermani) dhe kështu më 04 maj 2002 u ndava dhe përshëndeta me të dhe u nisa me avion për në Gjermani, e meqenëse nuk mund të largohesha nga Gjermania për një periudhë kohe rreth 6 muaj, se kështu ishin kushtet e vizës që më qe dhënë, e kështu kur më njoftuan nga Tirana që babai ndërroi jetë, nuk më lejohej dalja me pasaportë nga Gjermania, e si rrjedhim nuk munda dot të vija t’i jepja lamtumirën në përcjelljen e tij për në banesën e fundit. Kështu në mendjen time ai ka mbetur përjetë i gjallë.

Për ne fëmijët e tij, ai ka qenë një prind i dashur por edhe i rreptë që na edukoi me cilësitë më të mira, për të qenë të rregullt e të dobishëm për familjen e shoqërinë dhe me sjellje e veprime në ndihmë, përkrahje e respekt të të tjerëve dhe me dashurinë për Kallaratin, Labërinë e atdheun tonë, Shqipërinë.

(Në bërjen e këtij shkrimi u shfrytëzuan dorëshkrimet e babait, si dhe çfarë mbaj mend nga tregimet e tij)

Nga Engjëll Bajrami

20 prill 2024

Besnik Gjonbrataj

Next Post

PIQERASI DHE KALLARATI - NGA SPIRO LASKA

Pre Maj 24 , 2024
                                                                    SPIRO LASKA (Piqeras) Emigrimi i piqerasiotëve në Villa Badessa Emigrimi i 18 familjeve piqerasiote [1] u […]