I dashur Lino, po të dërgoj këtë letër se më duket se je në Greqi dhe unë nuk të kam parë, po dhe nuk më ke ardhur. I mbushe 30 vjet. Ah, më thonë se nga këto vite 23 i ke mbi dhe’ dhe 7 nën dhe’, po nuk dua të besoj se nuk ta desha një gjë të tillë, se të kishim të vetëm. Po dhe ti nuk më ke ardhur dhe e kam të vështirë t’i kundërshtoj të tjerët. Po ti nuk ke ardhur edhe te shokët e tu që të lozësh me ta. Po nuk ke takuar as kushërinjtë apo kushërirat e tua, të brezit tënd. Ata të kërkojnë, po ti nuk dukej gjëkund.
Unë kam ardhur dhe atje ku më thonë se gjendesh, po nuk të kam parë. Si është kjo punë? Unë kam kohë që nuk vete në dasma. Shkoj e uroj dhe iki se jam “sëmur”. Kur ka ndonjë vaki shkoj i pari dhe iki i fundit. Nuk di nëse do ta marrësh letrën dhe nuk e di se a do më përgjigjesh? S’ke ç’ti bësh, e mbusha letrën me “nuk-e”. I dashur Ilirjan, më dole në ëndërr, më kërkove një krehër, ta dërgova. I ke krehur flokët e bukur? Sa më ka
Marrë malli t’i shoh, por s’mundem. Më dole prapë në ëndërr, po kësaj here erdha unë atje ku ishe ti. Ti kalove pranë meje. Ti nuk ecje me hapa, po dukeshe sikur fluturoje, sikur bëje patinazh në akull. Më dhe faqen, ta putha, po faqja mu duk si sfungjer dhe u mërzita pak. Pe dhe babanë tim aty. Të bëri përshtypje qylafi i bardhë si bora dhe ai të tha: “Ma ka larë nusja”. Kështu i fliste ai Shenës se e donte shumë. Mirë o djalë, po të erdhi babi dhe mami, nuk i përshëndete vetë ti? Ata vijnë dy herë në vit, një herë kur ke lindur dhe një herë kur…(Nuk e them dot). Lino, sa të jemi gjallë do të të kujtojmë.. Gjë tjetër nuk bëjmë dot. Më ke lënë diçka dhe atë e puth derisa edhe e nduk. Lino, të të rrojnë prindërit, motra dhe nipërit që nuk i gëzove dhe nuk të gëzuan dot. E, siç thonë, mbase në atë botë takohemi.
Gjyshi yt i plagosur rëndë në pleqëri,
Botuar ne gazeten Kallarati, Nr. 63