TË QËNURIT KRYETAR I SHOQATËS – KRENARI, POR EDHE SAKRIFICË

 

Intervistë me kryetarin e Shoqatës K/A “Kallarati”, z. Kastriot Karabolli.

Kastriot Karabolli

 

Intervistoi: Besnik Gjonbrataj

Kastriot Karabolli, edhe pse lindur e rritur në qytetin e Vlorës, nuk e mohon origjinën e prindërve, përkundrazi tregon dashuri e respekt për vendlindjen  e tyre, për njerëzit, natyrën dhe gjithçka që ka të bëjë me Kallaratin, një ndër fshatrat e bukur e tërheqës të zonës së Lumit të Vlorës.

Prej vitit 2007 ai është zgjedhur në detyrën e kryetarit të shoqatës “Kallarati”, të cilën siç shprehet ai, nuk e quan privilegj, por vlerësim e krenari, por edhe sakrificë ndaj bashkëfshatarëve të tij. Por Kastrioti ka qenë edhe një ish sportist dhe ushtarak i devotshëm për mbrojtjen e vendit, periudhë të cilën e kujton me nostalgji.

Rreth asaj se çfarë përfaqëson shoqata “Kallarati”, si funksionon, disa nga arritjet e saj dhe objektivat për vitin 2021, si edhe diçka rreth familjes, Kastriotit i morëm intervistën e mëposhtme.

1. Po e nisim me pyetjen çdo të thotë për ju të jesh kryetar i shoqatës “Kallarati”?

Vlerësim, krenari e privilegj, por edhe sakrificë e justifikuar. Kështu do t’i përgjigjesha shkurt pyetjes tuaj.  Por le ta shtjellojmë pak më shumë përgjigjen. Po të nisemi nga Fjalori i Gjuhës Shqipe, “Kryetar është ai që është zgjedhur a emëruar në krye të një organi shtetëror a politik ose të një organizate shoqërore a ekonomike”. Pra, të jesh kryetar do të thotë të drejtosh dikë, të kërkosh e të japësh llogari, të kesh përgjegjësi e detyra, por edhe të paguhesh për detyrën që kryen. Kjo është në kuptimin e përgjithshëm. Ndërsa të jesh kryetar i një shoqate që përfaqëson një krahinë ose një fshat, siç është rasti im në krye të Shoqatës kulturore-atdhetare “Kallarati”, i zgjedhur në vitin  2007, është ndryshe sepse është një detyrë krejtësisht vullnetare, e papaguar, me një motiv shumë më të lartë atdhetar që buron nga dashuria për vendlindjen dhe dëshira  për të sakrifikuar sado pak për të qoftë edhe nga jeta  vetjake dhe familjare. Pra, detyrën që më është ngarkuar nga bashkësia kallaratase si kryetar i shoqatës “Kallarati”, e konsideroj edhe si nder e privilegj, por edhe detyrim për ta kryer atë sa më mirë, për të planifikuar, organizuar dhe drejtuar një sërë aktivitetesh me karakter atdhetar e kulturor, jashtë çdo ndikimi politik. Të qënurit kryetar i shoqatës “Kallarati” do të thotë t’i bashkosh të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që janë kallaratas e që banojnë në Kallarat, apo në Vlorë e anembanë vendit e botës, por edhe ata që, edhe pse mund të mos jenë kallaratas, por e dashurojnë atë ose kanë lidhje shpirtërore a gjaku me Kallaratin. Shoqata ka karakter bashkues drejt qëllimit të ruajtjes së vlerave më të mira njerëzore, patriotike e kulturore të fshatit tonë. Po kryetari i Shoqatës nuk punon e drejton vetëm. Ai është në rolin e organizatorit, sukseset e shoqatës janë kontribut i kryesisë së zgjedhur, si edhe i të gjithë kallaratasve kudo që ndodhen.

2.  Si u krijua shoqata “ Kallarati”, kush ishin iniciatorët dhe mbi çfarë baze ligjore ekziston shoqata, misioni dhe ku është e shtrirë ajo?

Shoqata Atdhetare e Kulturore “Kallarati” u krijua më 12 Janar 2003, në pajtim me Ligjin nr.7850 datë 29.07.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë” me nismën e një grupi bashkëfshatarësh kallaratas me banim në Vlorë dhe me pjesëmarrje bashkëfshatarësh, përveç Vlorës edhe nga Kallarati, Fieri, Tirana. Shoqata është e regjistruar në gjykatë dhe ka statusin e saj. Qëllimi i shoqatës është evidentimi, ruajtja dhe popullarizimi i vlerave më të mira atdhetare e kulturore të Kallaratit. Si një bashkim i distancuar nga çdo qëndrim politik i çdo ngjyre qoftë, shoqata ka për mision të bashkojë kallaratasit kudo që ndodhen, të bëjë të njohura figurat më të shquara të Kallaratit që kanë bërë emër në historinë e fshatit, të krahinës e të vendit, por edhe përtej kufijve; të organizojë përkujtimin e datave historike të qëndresës shumëshekullore të kallaratasve kundër pushtuesve të huaj; të kultivojë te brezi i ri kallaratas vlerat më të mira të të parëve tanë, duke përjetësuar emrin e nderuar të Kallaratit nën moton “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”. Si lindi ideja dhe si u krijua Shoqata jonë e ka shpjeguar kryetari i parë i saj, i ndjeri Gafur Shameti, prandaj unë nuk do zgjatem më shumë në përsëritjen e rrethanave dhe protagonistëve të krijimit të Shoqatës. Shtoj se Gafuri e drejtoi Shoqatën nga viti 2003 deri në vitin 2007 me shumë pasion e përkushtim. Gjatë këtyre katër vjetëve Shoqata ‘Kallarati” mori formë, u konsolidua dhe u bë e njohur jo vetëm për kallaratasit brenda e jashtë Shqipërisë, por edhe më gjerë. Ajo zuri një vend të merituar përkrah shoqatave simotra të fshatrave të tjera të zonës sonë Labe. Ajo e nisi veprimtarinë e saj me një varg angazhimesh e realizimesh në dobi të fshatit e të bashkësisë  kallaratase.

Në zgjedhjet e vitit 2011, përveç rizgjedhjes sime si kryetar, sekretar i Shoqatës u zgjodh një nga intelektualët më të shquar, i ndjeri Petrit Qejvanaj. Shoqata është e organizuar mbi baza territori me degë në Kallarat, Vlorë, Fier, Tiranë, Durrës, Greqi etj. Qendrën shoqata e ka në Vlorë ku u themelua dhe është numri më i madh i anëtarësisë. Me këtë rast do të veçoja aktivitetin e degës së Kallaratit me kryetar të ndjerin Bejo Xhaferajn dhe degët e rretheve të cilat me  veprimtaritë e zhvilluara e kanë bërë më të njohur Kallaratin, historinë dhe njerëzit e tij.

3. Cila është motoja kryesore e Shoqatës?

Motoja kryesore e Shoqatës është “Ec ngado, por Kallaratin mos e harro”!  Kjo është si një thirrje që u drejtohet gjithë kallaratasve kudo që ndodhen të mos harrojnë për asnjë çast vendlindjen e tyre, Kallaratin, apo vendin e origjinës të të parëve të tyre. Mundet që të marrin edhe nënshtetësi të huaj, mundet të lindin në vend të huaj, por nuk duhet të harrojnë asnjëherë Kallaratin. Përpara se të jenë vlonjatë, fierakë, durrësakë, tiranas, apo nënshtetas të një vendi tjetër, duhet ta quajnë veten kallaratas e patjetër shqiptar.

Pas viteve 90-të, kohë në të cilën u lejuan që njerëzit të lëvizin të lirë anembanë Shqipërisë, por edhe botës, ashtu si shumë shqiptarë edhe kallaratasit,  për një jetë më të mirë, kapën Vlorën, Tiranën, por sidomos Greqinë dhe Italinë. Ndërsa sot ata gjenden në çdo cep të botës, në Gjermani, Turqi, Francë, Angli, Spanjë, Belgjikë, Poloni, Australi, Kanada, Amerikë e kudo tjetër ku kanë mundur. Megjithatë, sa më shumë kalojnë vitet që janë larguar nga fshati, aq më tepër është rritur dashuria dhe malli i tyre për Kallaratin, jo vetëm ata që lindën aty, por edhe nipërit e stërnipërit e tyre, të cilët e thonë me plot gojën dhe krenari që jemi nga Kallarati. Pa dyshim që një fakt i tillë na mbush të gjithëve me krenari. Vëmë re se edhe në rrjetet sociale, ata që janë të interesuar më shumë për Kallaratin janë pikërisht emigrantët dhe brezi i ri kallratas, si   brenda vendit ashtu edhe jashtë. Mendojmë se kjo vjen ngaqë ndjenja atdhetare e brezit të ri vjen në rritje. Një fakt i tillë përsëri na bën krenar.

4. A mund të paraqisni shkurt veprimtaritë e shoqatës gjatë viteve të ekzistencës së saj ?

Gjatë këtyre viteve të ekzistencës së saj, shoqata ka zhvilluar një sërë veprimtarish me karakter atdhetar, historik e kulturor. Ndër to do të veçonim Takimin e brezave më 2005, 2009 e 2011; përkujtimin e Heroit të Popullit Mumin Selami; bërjen e filmit dokumentar për Kallaratin. Jemi ndër fshatrat e paktë që kemi një film dokumentar, realizuar në vitin 2005 nën kujdesin e ish kryetarit të shoqatës, të ndjerit Gafur Shametit, ashtu siç kemi edhe  dokumentarin tjetër “Kallarati, një Trojë e Vogël Labe”, realizuar sipas esesë së intelektualit Petrit Qejvanaj; sjelljen e eshtrave të patriotit Miftar Aliu nga Selcka e Gjirokastrës në vendlindjen e tij Kallarat; propozimin për emërtimin e disa rrugëve të qytetit të Vlorës me emra figurash të njohura nga Kallarati, etj. Fill pas krijimit, Shoqata nisi botimin e gazetës “Kallarati” si përçuese të zërit të saj. Për herë të parë në histori, ajo e bëri fshatin tonë me gazetë. Nën drejtimin e z. Gafur Shametit, kryeredaktor i parë i saj, dhe aktualisht të z. Seit Jonuzaj, gazeta u ka bërë jehonë jetës dhe kontributit të kallaratasve ndër vite në fusha të ndryshme.

Po Shoqata duhet të punojë edhe më mirë me të rinjtë kallaratas dhe dashamirësit e tij, që edhe pse nuk janë kallaratas, i lidh diçka me këtë fshat me tradita për t’i afruar e dhënë edhe ata kontributin e tyre.

Sot mund të flasim me krenari se kemi realizuar shumë nga vepritaritë e planifikuara.
Kështu, është në përfundim hartimi i historikut të Kallaratit. Në korrik të vitit 2014, organizuam në Kallarat veprimtarinë me rastin e 100-vjetorit të qëndresës trimërore kundër sulmit dhe djegies së fshatit tonë nga andartët grekë më 1914. Po    atë ditë u vendos një pllakë përkujtimore në Koprift për kryengritjen e Tanzimatit më 1847 me shënimin: “Kallarat, Kuç e Bolenë, në lumë ç’e zunë dyfeknë”, realizuar nga gurgëdhëndësi duarartë Agim Mataj. Në gusht të vitit 2016 festuam 100 vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe në Kallarat. Kemi zhvilluar shumë veprimtari përkujtimore për dëshmorët e fshatit, por edhe për figura të tjera të shquara të Kallaratit, të të gjitha kohërave. Janë realizuar promovime librash siç është “Historiku i Kallaratit”, shkruar nga Enver Strataj, pjesmarrja në promovimin e dy librave me krijime të Petrit Qejvanajt. Është realizuar hapja e një faqeje të veçantë interneti www.kallarati.com, financuar nga Shkëlqim Leskaj. Është rritur ndjeshëm propagandimi i veprimtarive të shoqatës në medien e shkruar dhe elektronike për Kallaratin. Por jemi të ndërgjegjshëm se gjatë aktivitetit të shoqatës ka edhe detyra ende të parealizuara ku do të përmendim: Mosbërjen e përpjekjeve për realizimin e idesë së hedhur nga zoti Xhelo Dautaj në Kuvendin e vitit 2011, atë të mundësisë së shpalljes së Fshatit të Djegur “Fshat Muze”. Kjo duke pasur parasysh ndërtimin e fshatit në një pozicion gjeografik të rrallë, me një planimetri e arkitekturë të veçantë, që sot do ta kishin zili arkitektët më të mirë, si dhe qëndresën e armatosur të fshatit më 1914 ndaj andartëve grekë, ku ngelën të vrarë edhe katër kallaratas që janë shpallur dëshmorë të atdheut; mosngritjen e një grupi artistik të fshatit, ndonëse në mënyrë spontane, kemi një lëvizje në këtë drejtim të disa të rinjve; moskrijimin e një database, sipas degëve në rrethe me qëllim evidentimin e gjithë kallaratasve brenda e jashtë vendit, detyra këto që do përpiqemi t`i realizojmë në të ardhmen.

5. Cilat janë lidhjet dhe bashkëpunimi i Shoqatës sonë me shoqatat simotra?

Rritja e bashkëpunimit me shoqatat simotra në rrethin e Vlorës dhe më gjerë, ka qenë një nga objektivat e Shoqatës sonë. Kështu, kemi lidhje të mira dhe në disa momente edhe qëndrime të përbashkëta me shoqatën e Vranishtit, Bolenës, Kuçit, Tërbacit, me degën e Shoqatës “Labëria” për Vlorën, por edhe më larg, me shoqatën “Dukagjini”, me Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it, Organizatën e familjeve të Dëshmorëve dhe organizata e shoqata  të ndryshme që kanë për mision të tyre atdhetarizmin.

6. Si përballohet ana financiare e shoqatës dhe a kini pasur sponsorë?

Në fakt kjo është pika më e dobët. Kuptohet që çdo aktivitet sado i thjeshtë apo i vogël ka nevojë për mbështetje financiare. Në statutin e shoqatës është theksuar që burimet financiare të shoqatës do të përbëhen nga kuotizacioni i anëtarësisë në masën 1.000 lekë në vit, nga sponsorizimet e personave që kanë aktivitet biznesi dhe personave të tjerë dashamirës që kanë mundësi financiare. Për t’u krijuar mundësinë çdo kallaratasi që e ka dëshirën dhe mundësinë për të kontribuar në para, si shoqatë çelëm numër llogarie bankare, Banka: Societe Generale Albania, në lekë në numrin e llogarisë: 1175099 dhe në euro në numrin e llogarisë: 1175101, por të paktë kanë qenë ata që e kanë shfrytëzuar një mundësi të tillë. Të ardhurat që janë siguruar janë përdorur nga kryesia e Shoqatës për botimin e gazetës “Kallarati”, për zhvillimin e veprimtarive të ndryshme përkujtimore historike dhe kulturore të fshatit tonë, duke bërë në çdo kohë transparencën e përdorimit të tyre.

Duke falënderuar gjithë ata individë kallaratas që kanë ndihmuar shoqatën financiarisht  dhe  materialisht në vite, si: Aranit Rjepaj, Selman Memushaj, Ylli Shakaj, Shkëlqim Leskaj, Idajet Toçaj, Sinan Strataj, Selam Jonuzaj, Lavdosh Jonuzaj, Miri Ribaj, Xhevdet Demiraj, Bako Xhaferaj, Skënder Jonuzaj dhe blegtorët e fshatit Hekuran Ribaj, Sami Davacaj, Muhedin Qejvanaj, Blerim Xhaferaj, Ladi Kondaj, Lame Shakaj, etj, shfrytëzoj rastin nëpërmjet kësaj interviste t’u bëj thirrje gjithë atyre që kanë mundësi financiare, në mënyrë të veçantë biznesmenëve kallaratas, të kontribuojnë në këtë drejtim. Çdo qindarkë e dhënë nga secili do të ishte një ndihmë e madhe për mirëfunksionimin e shoqatës dhe kryerjen me nder të misionit që i është ngarkuar që me themelimin e saj.

7. Po gazeta “Kallarati”, uebsajti i saj www.kallarati.com dhe facebooku si kanë ndikuar në mbarëvajtjen e shoqatës?

Gazeta Kallarati ka ecur normalisht, ku aktualisht ka dalë nga botimi numri 103 i saj. Për afro 18 vjetësh ajo u ka bërë jehonë kontributit dhe përpjekjeve të kallaratasve për çlirim kombëtar dhe demokraci, figurave më të shquara të këtij fshati në gjithë historinë e tij, jetës kulturore e artistike etj. Janë me dhjetëra kallaratas dhe jo-kallaratas që kanë kontribuar me shkrimet e tyre, duke e bërë gazetën tërheqëse dhe të vlerësuar në krahinë e më gjerë. Gazeta “Kallarati” e nisi rrugën e vet me një numër në muaj, më vonë vazhdoi të delte një herë në çdo dy muaj, por sot del në çdo 3-4 muaj, kjo edhe për shkak të pandemisë, por dhe për shkak të mungesës së shkrimeve nga bashkëpunëtorët dhe veçanërisht të vështirësive financiare për të mbuluar shpenzimet e botimit.  

Gazeta ka qenë dhe mbetet një organ shtypi në dispozicion të të gjithë kallaratasve për kompaktësimin dhe bashkimin e tyre, për pasqyrimin në të nga secili të vlerave, ngjarjeve e fakteve historike, kulturore, arsimore, ekonomike, zakonore etj, të bëmave e veprave të figurave të shquara të fshatit tonë, të luftëtarëve dhe dëshmorëve të tij në të gjitha kohërat. Në faqet e saj nuk janë lejuar të botohen shkrime apo shprehje me ngjyrime politike që mund të krijonin qoftë edhe përçarjen apo prishjen më të vogël të unitetit brenda bashkësisë kallaratase.

Gazeta “Kallarati” ka edhe adresën e vetë në internet, ku lexuesi mund t’i drejtohet redaksisë me shkrime, por edhe për të dhënë dhe shprehur mendime a vërejtje për ta përmirësuar më tej atë.

Tashmë, kallaratasit i gjen në çdo cep të Shqipërisë dhe anembanë botës. Megjithatë, siç u  tha edhe më lart, sa më shumë kalojnë vitet që janë larguar nga fshati aq më tepër është rritur dashuria dhe malli për Kallaratin dhe dëshira e kurioziteti i tyre është të dinë sa më shumë për vendlindjen. Për ta bërë të mundur këtë, në ndihmë  atyre u vjen edhe uebsajti www.kallarati.com, i hapur për të gjithë, në të cilin janë hedhur mjaft materiale që flasin për prejardhjen dhe historinë e Kallaratit, materjale me karakter patriotik e kulturor dhe një sëre rubrikash për sportin e arsimin, për figura të shquara kallaratase etj.

8. Cilat janë synimet dhe objektivat e shoqatës për vitin 2021?

Viti 2021 është një vit i zymtë me kufizime të mëdha për shkak të pandemisë që nuk i dihet fundi. Prandaj, në këto kushte edhe mundësitë e Shoqatës për planifikim e realizim veprimtarish janë të kufizuara, ato varen nga ecuria e pandemisë. Por në vija të përgjithshme do të thoja se parësore do të jenë: Përfundimi i historikut të fshatit; përkujtimi i ngjarjeve historike të fshatit; përkujtimi i përvjetorëve të rënies së dëshmorëve; përkujtimi i figurave të shquara në periudha të ndryshme historike etj.

9. A do të ketë Takim brezash këtë vit në Kallarat?

Kjo është pyetje me vend, pasi në takime të ndryshme me bashkëfshatarë, në rrjete sociale dhe në telefonata të ndryshme, pyetja që më bëhet është: Kur do ta bëjmë Takimin e brezave?

Organizimi i Takimit të brezave është një traditë pothuajse e gjithë fshatrave të Labërisë dhe sidomos të Lumit të Vlorës. Ne këtë traditë për herë të parë e nisëm në vitin 2005, 2007 e me radhë gati në çdo dy vjet. Takimet e fundit me pjesëmarrje të gjerë kanë qenë ai i vitit 2014 dhe 2016. Po bëhen gati pesë vjet pa u mbledhur, kjo për faktin edhe të rrugës automobilistike të dëmtuar e që tashmë është në përfundim, por edhe situatës së fundit epidemiologjike shkaktuar nga COVID-19. Veç këtyre pengesave, një shkak tjetër i rëndësishëm ka qenë e mbetet  vështirësia për të siguruar fonde financiare që nevojiten  për mbulimin e shpenzimeve që kërkon veprimtaria e Takimit të brezave. Sa për vitin 2021, përveç problemit financiar etj, takimi nuk mund të planifikohet pa përfunduar pandemia, sepse protokolli i ekspertëve të shëndetësisë nuk lejon tubime e grumbullime masive dhe jeta e njeriut është mbi të gjitha. Kështu që do presim ecurinë e pandemisë nëse do të hiqen kufizimet nga Komiteti i Ekspertëve, pastaj do mendojmë e do vendosim për organizimin e Takimit të brezave.

10. Le t’i kthehemi origjinës tuaj, diçka për fisin Karabollaj, tashmë i njohur për kontributin në luftën nacionalçlirimtare, por edhe në sport, arsim e kulturë etj?

Unë jam bir i kallaratit, pjesëtar i fisit të dëgjuar Karabollaj. Fisi ynë ka kontribuar në çdo kohë me pushkë e me penë për mëmëdheun. Kontributi i fisit Karabollaj nis që në qëndresën e kallaratasve ndaj andartëve grekë më 1914, ku Muço Karabolli u kap dh u internua nga bandat shoviniste greke në Korfuz, ku dhe vdiq vetë i pestë. Vijon me pjesëmarrjen aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ashtu edhe në periudhën e rindërtimit të vendit, duke filluar nga gjyshja Tefo Karabollaj, një zonjë grua, e cila ka kontribuar për Lëvizjen nacionalçlirimtare si aktiviste e organizatës së grave antifashiste të fshatit. Ndërsa xhaxhallarët e mi Mehmeti e Tarja ishin rreshtuar me armë në dorë në radhët e formacioneve partizane deri në çlirimin e plotë të vendit dhe pastaj vazhduan karrierën si oficerë të Ushtrisë Popullore, kurse babai im, Ziniu dhe xhaxhai i vogël, Haxhiu gjatë luftës ishin aktivistë të organizatës së rinisë antifashiste. Po kështu edhe kushërinjtë e tim ati, Ahmet e Razip Karabollaj, si dhe Shuko Karabollaj ishin rreshtuar në brigadat partizane, në radhët e të cilave Shukua dha jetën për çlirimin e vendit. Por si fis jemi të dëgjuar edhe në kulturë, art dhe sport. Xhaxhai im Mehmet Karabollaj ishte një rapsod i mirëfilltë, shquhej për vjershat e tij me karakter patriotik, por edhe satirik.  Në kohën e sotme do të veçonim krijuesin dhe përkthyesin e njohur, fitues i disa çmimeve, Bajram Karabollajn. Por ajo që e ka bërë më të njohur fisin tonë, padyshim mbetet kampionia e njohur e Evropës në qitje me pistoletë, Elisabeta Karabollaj, me të cilën krenohet mbarë Shqipëria.

11.  Çfarë do kujtoni për prindërit tuaj?

Prindërit e mi kanë qenë punëtorë të palodhur gjatë gjithë jetës. Na lindën, rritën, edukuan dhe arsimuan ne fëmijëve me sakrifica dhe na ngulitën thellë në shpirt ndershmërinë, dashurinë ndaj njëri – tjetrit dhe mbi të gjitha dashurinë për origjinën e tyre. Babai im ka punuar me ndërgjegje e përkushtim në sektorë të ndryshëm në Vlorë derisa doli në pension. Ndërsa nëna ka punuar në Kampin e Pionierëve si dhe në disa shkolla të qytetit të Vlorës. Jam krenar për prindërit e mi, për punën dhe sakrificat e tyre.

12. Keni kryer shkolla ushtarake, duke filluar që 14 vjeç në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, kini kryer shkollën e Bashkuar të oficerëve dhe pastaj kini shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura, po jini marrë edhe me sportin e atletikës. Por pavarësisht nga mosha e re dhe me plot energji, erdhi një kohë, që gjoja për shkak të reformës, u mbyll për ju karriera ushtarake, ashtu si për shumë kuadro të tjera të ushtrisë. A mund të na thoni diçka rreth këtyre viteve si ushtarak?

Po, është e vërtetë, pasi me shumë shokë të tjerë vlonjatë të brezit tim, një prej të cilëve jeni edhe ju, e kam nisur karrierën ushtarake në një moshë shumë të re, ende pa mbushur 14 vjeç, në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, e cila me të drejtë quhej “Fidanishtja e Ushtrisë” dhe më vonë edhe Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Këto shkolla, përveçse të mësonin Artin Ushtarak të kohës, të kalisnin vullnetin, të forconin karakterin, ndjenjën e sakrificës dhe ndjenjën e dashurisë për njëri – tjetrin, të jepnin mundësi të shumta për të ushtruar sportin. Krahas shumë shokëve të mi sportistë, ku do të përmendja edhe bashkëmoshatarin dhe patriotin tim, Perlat Musta, i cili u bë një nga portierët më të mirë të ekipit të “Partizanit” dhe kombëtares shqiptare, edhe unë gjatë gjithë viteve të shkollave ushtarake ushtrova sportin e bukur të atletikës, ku në përgjithësi pata arritur rezultate të larta, aq më tepër që në sajë të marrjes me sport edhe Shkollën e Bashkuar e kreva në specialitetin e fizkulturës. Të marrurit me sport ka ndikimin e vet në zhvillimin fizik, por edhe në atë mendor. Sporti të bën më të fortë fizikisht, më të shëndetshëm, më të njohur, më të dashur, në një farë mënyre ndikon edhe në largimin e stresit. Parimet themelore mbi të cilat zhvillohet sporti janë respekti dhe sinqeriteti. Sporti të mëson një respekt të dyfishtë.  Së pari, në respektimin e rregullave dhe së dyti, në respektimin e kundërshtarit, cilësi këto që janë të vlefshme në jetë për këdo.

Me përfundimin e shkollimit ushtarak, kam shërbyer si oficer për disa vite në ishullin e Sazanit, i cili ka qenë një nga frontet më të vështira. Më vonë kam shërbyer ne Brigadën e 11-të dhe 56-të të këmbësorisë në Vlorë. Në vitin 1992 kalova në strukturat e Policisë së Shtetit dhe më vonë, gjoja në kuadrin e reformave, më nxorën në rezervë.  Pa dyshim që vitet e karrierës ushtarake mbeten për mua vitet më të rëndësishme të jetës, pasi t’i shërbesh mbrojtjes së vendit tënd është detyrim, sakrificë, por edhe privilegj.

13. Po për familjen tuaj, e cila është një mbështetje e madhe për kryerjen e detyrës shoqërore, ç`mund të na thoni?

Familja është gjithçka dhe e shenjtë. Pa mbështetjen e familjes, njeriu nuk mund të arrijë objektivat e tij në jetë. Jo vetëm mbështetja, por edhe harmonia brenda saj ndikojnë në mbarëvajtjen e çdo gjëje. Edhe në angazhimet e mia shoqërore, në mënyrë të veçantë në drejtimin e Shoqatës “Kallarati”,  rol të rëndësishëm dhe ndihmesë kanë si bashkëshortja, ashtu edhe dy djemtë, të cilët në mënyra të ndryshme kanë ndikuar dhe më kanë lehtësuar në kryerjen e detyrës, ku përveç kohës, nuk ka munguar edhe mbështetja e tyre financiare. Gjej rastin për t’i falënderuar edhe publikisht.

14. Sapo kaluat koronavirusin. Falë kujdesit të mjekësisë dhe familjes e përballuat atë me sukses, po a mund të jepni ndonjë këshillë për të tjerët?

Sëmundja e shkaktuar nga COVID-19 është një sëmundje e fshehtë, që shkaktohet nga një armik i padukshëm dhe që ka sjellë edhe humbje jete, duke përfshirë edhe kallaratas, ku gjej rastin t’u shpreh familjeve të tyre ngushëllimet në emër edhe të shoqatës. Shumë vetë tashmë e kanë kaluar, ashtu si edhe unë, dikush lehtë e dikush më rëndë, dikush nga shtëpia e dikush në spital. Unë vetë e kalova në spital në Tiranë, ku u desh të futesha edhe në oksigjen, por falë përkujdesjes së mjekëve, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për kujdesin e treguar deri në shërimin tim të plotë, ashtu siç dua të falënderoj familjen time dhe të gjithë miqtë, shokët dhe bashkëfshatarët e mi që nëpërmjet interesimit, mesazheve më qëndruan afër dhe ndikuan psikologjikisht në shërimin tim. Sëmundja është e padukshme, shumë tinzare, që edhe pse pjesa më e madhe e popullsisë, sidomos ajo mbi 60 vjeç tashmë e kanë bërë vaksinën, prapë duhet të ruhen e të zbatojnë këshillat e mjekut dhe masat parandaluese të ekspertëve të shëndetësisë e të qeverisë. Këshilla ime është “Mbrohu vetë që të të mbrojnë të tjerët”.

15. Sapo mbyllëm një vit të vështirë dhe kemi nisur vitin 2021, cili do të ishte mesazhi Juaj si kryetar i Shoqatës për gjithë kallaratasit kudo që ndodhen?

Për çdo familje kallaratase, kudo që mund të ndodhen, brenda e jashtë atdheut do t’u uroja: “Qofshin mirë me shëndet në këtë situatë të vështirë të përballjes me virusin famëkeq të COVID-19! Qëndroni të bashkuar rreth shoqatës tonë të përbashkët, si i vetmi organizim shoqëror i paanshëm! Duajeni vendlindjen, Kallaratin dhe vendin e origjinës të të parëve tuaj! Kudo që të shkoni quajeni veten kallaratas dhe shqiptar! Kudo dhe kurdoherë ju shoqëroftë motoja: “Ec ngado, por Kallaratin mos e harro!

Faleminderit

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


 

Posted in I pakategorizuar

Besnik Gjonbrataj

Next Post

MË 14 - 15 GUSHT 2021 NË KALLARAT U ZHVILLUA ME SUKSES "TAKIMI I BREZAVE".

Mar Tet 26 , 2021
Përgatiti: Besnik GJONBRATAJ Fjalime, mbresa, përshtypje dhe refleksione nga ky takim. SHOQATA KALLARATI FALENDERON GJITHË ATA INDIVIDË DHE SUBJEKTE QË BËNË TË MUNDUR ORGANIZIMIN DHE ZHVILLIMIN E TAKIMIT TË BREZAVE. Një takim brezash e konceptuar dhe realizuar ndryshe nga herët e tjera, një takim dinjitoz brezash, falë organizimit, falë sponsorizuesve […]