TREGIM- “PËLLUMBAT E EGËR TË JAJA 1 POLIT”

Hiqmet Mecaj

Dola si zakonisht atë mëngjes shtatori për frapenë te Flizvua. Mes rrepeve të lashtë, që fëshfërinin nga era, gjeja qetësinë e vendit tim, të cilin e kisha braktisur prej më se tetë vitesh. E preferoja lokalin Goody’S edhe për rrepet edhe për lirësinë e çmimeve, por edhe sepse aty mblidheshin nga të gjitha moshat e sidomos të rinj. Është një shesh i madh i shtruar me kalldrëm guri ku rrjedh natyrshëm një shatrivan.

E mora frapenë time dhe, i zhytur në mendimet e hallakatura të emigrantit, po vështroja përreth i shpërndarë. Ja shitësja e lotarisë gërvishtëse, dy të zinj diç diskutojnë me një sllav, një çift pleqsh tundin në karrocë nipin a stërnipin e tyre. Kurse më tej një plakë, ulur në stol, ushqen pëllumbat. Në të gjitha sheshet e Athinës gjen njerëz që sjellin diçka për ata zogj të bukur e paqësorë që gugitin e çukitin të gëzuar duke argëtuar kalimtarët. Ndaj edhe kjo pamje m’u duk e zakonshme, bile e stërkonsumuar për sytë e mi të lodhur nga monotonia e gjërave. Rufitja frapenë me ngadalë, se nuk kisha ku të shkoja. Shoku im i dhomës, që ende flinte, se punonte mbrëmjeve në shpërndarje picash, shqetësohej nga zhurma më e vogël. Edhe unë shërbeja natën në një pikë shitjeje karburanti, por, meqë makinat ndalonin rrallë në atë cep të autostradës Qifisú, kisha kohë të merrja një sy gjumë në karriken time tip polithronë. E mbarova frapenë dhe u ngrita të tymosja një cigare te stoli pranë shatrivanit. Në krah kisha dy ukrainase që jepnin e merrnin me një greqishte të çalë me dy të rinj grekë. Siç dukej, për diçka nuk binin në ujdi. M’u duk sikur m’u drejtuan mua, por meqë e kisha zakon t’u qëndroja indiferent të panjohurve, u fola italisht, si të isha turist që nuk e kuptonte gjuhën e tyre. Për t’u shmangur nga ndonjë e papritur e pakëndshme, bëra pak më tej dhe u ndodha në të njëjtin stol me plakën që ushqente pëllumbat. Ajo shkërmoqte copëra buke të thara dhe zogjtë i mblidheshin përreth duke gugitur. Një çast u përqendrova dhe, për çudinë time, vura re se nuk ishin pëllumba të butë. Rreth plakës qenë mbledhur pëllumba të egër, një tufë e tërë gri dhe tek tuk ndonjë harabel. E zakonshmja kishte mbaruar. Indiferentizmi im u zhduk dhe fillova të përqendrohem i tëri në atë tufë shpendësh të egër që i bindeshin plakës. M’u duk sikur ata ia kuptonin gjestet, mimikën.

-Marko,- tha gruaja plakë,- lëre dhe Petron të çukisë. Hë, bravo, eja këtu.

Ai që quhej Marko ishte pak më i madh në trup se të tjerët, u afrua tek ajo dhe iu hodh në pëllëmbën e rrudhur. Ajo e afroi drejt fytyrës e u panë sy më sy. Markua diçka gugiti e fluturoi drejt shatrivanit.

-Stratuli, eja te jaja1 Poli,- iu drejtua ajo një zogu të ri me këmbë të holla ngjyrë trëndafili.

Stratuli u shkëput nga tufa e fluturoi mbi supin e Polit. Ajo e përkëdheli, e puthi në sqepin e vogël dhe e ushqeu në pëllëmbën e dorës. Stratuli çukiste e gugiste.

Ç’lidhje e çuditshme, mendova. Doja diçka të kuvendoja me jaja Polin, ta pyesja si qe njohur me ata zogj të egër, si kuptoheshin e gjëra të tjera, por më tepër më pëlqente të vëzhgoja.

Fillova të udhëtoja nëpër rrudhat e fytyrës së saj, në fillim kot së koti, ngjitesha nga poshtë mjekrës, aty ku dy llapa të shtrydhura mirë e mirë, tundeshin ndën çdo tingull që dilte poshtë laringut të saj. Ishin tinguj të ngjirrur e plot ngjyrë që nuk dihet si mund të kenë qenë dikur para pesëdhjetë, gjashtëdhjetë apo tetëdhjetë vjetësh. Kacavjerrja ime e mundimshme më çonte te cepat e buzëve e humbiste aty te e sipërmja, që më tepër ngjante me një kapak të zhubrosur lëkure, ku s’dihej se si kishin mbirë qime të gjata e të dendura argjendi. Pastaj udhët e rrudhave bëheshin të ngatërruara, kryqëzoheshin, derisa venin te sytë, te veshët e te balli. Aty humbisje dhe nisja nga e para.

-I do zogjtë?- më ndërpreu nga fantazia ime jaja Poli, e cila siç dukej ndjeu dëshirë të kuvendonte me dikë, qoftë dhe i panjohur, siç isha unë.

-Pa dyshim,- i thashë,- sidomos të egrit.

-Pa dyshim,- pëshpëriti ajo e menduar. Ndoshta përgjigja ime iu duk tepër e thatë dhe nuk i pëlqeu. Pastaj, pasi bëri zbulimin e madh që unë isha i huaj, më pyeti përsëri:

-Po atje në vendin tënd, i duan?

Unë heshta. Jaja Poli mori në pëllëmbë të dorës Kostën, një pëllumb që çalonte ose më mirë të thuash njërën këmbë e hiqte osh si gjë të tepërt. E vuri në prehërin e saj të madh dhe filloi ta ushqente e t’i fliste:

-Ki kujdes Kosta im, se jeta ka rreziqe. Si po bëhem unë njëqind vjeçe, Kostaqi im, ashtu kot? Zoti i ka bërë rreziqet të na provojë të durojmë, të gëzojmë e të helmohemi, Kosta im, i bukuri im, që t’ua tregojmë pastaj të tjerëve. Ti e di, pedhi mu2, jaja Poli ka vuajtur shumë, po edhe ka gëzuar shumë, unë t’i kam treguar.

Ndërkohë m’u kujtua kur vendosa të shkoja në vendin, që kisha pesë vite pa e parë. Po atje, në vendin tuaj, i doni pëllumbat? Kjo pyetje më shqetësonte e filloi të m’i turbullojë kujtimet e mia nga ai udhëtim. Doja të shihja të paktën nënën plakë, vetëm nënën, asgjë më tepër. Derisa kaluam kufirin ‘do gjë rrodhi e zakonshme. Hymë në tokën tonë, të rrjepur nga gjelbërimi, me rrugë të stërngrëna e plot andra. Njerëzit e racës sime m’u dukën krejt ndryshe, të rrudhur e të kërrusur, me diçka të e egër e kërcënuese në dritat e syve. U rrënqetha i trishtuar. Kush i kishte katandisur kështu? Atje në vendin tuaj, i doni pëllumbat?- më torturonte pyetja e jaja Polit, që më turbullonte kujtimin e atij djali të vogël, të cilin e mbaja në prehër. Bashkudhëtarët e mi qenë një çift i ri, edhe ata të shumëmunguar nga vendi i tyre. Unë zgjodha nga çanta lodrën më të bukur, që do ta çoja dhuratë, një qenush që lehte dhe hidhej së prapthi si akrobat dhe ia dhashë atij djali të vogël. Nuk e ndjemë fare rrugën deri sa na dolën ato, të shumëpërfolurat, çorapet e zeza të rrasura mbi fytyra të panjohura, me dy vrima të vogla për sy. Shoferi nuk ndaloi dhe çorapet e zeza hapën zjarr. Diçka kërciti, megjithatë ne u larguam.

-Shpëtuam, tha shoferi.

-Shpëtuam,- thamë edhe ne.

S’kaloi shumë dhe unë ndjeva shqetësim. Vogëlushi po flinte. Gjë e pazakontë pas gjithë asaj zhurme të madhe me krisma. Nëpër këmbë filloi të më rridhte diçka e nxehtë, ndoshta kishte urinuar. Ia dhashë vogëlushin të atit që të pastrohesha. Por nëpër rrobat e mia pashë diçka të kuqe që po ngrinte.

-Gjak,- thashë unë.

Menjëherë ndjemë se llahtaria kishte ndodhur. Vogëlushi vërtetë po flinte e nga shpatullat e njoma i rridhte gjaku që ende nuk ishte ftohur. Ndërsa shikoja jaja Polin, ndieja rrënqethjen e atyre çasteve. Ai fëmijë i vogël po i shkonte vendit të tij me dorën që dalëngadalë po i ngrinte, duke shtrënguar qenushin e vogël akrobat. Kishte lindur në vend të huaj. Nuk do ta njihte kurrë vendin e tij. Jaja Poli ngulte këmbë: Po atje në vendin tuaj, i duan zogjtë?

-Pa dyshim,- përsërita unë,- sidomos të egrit.

-Qenkeni popull i mirë,- u lehtësua ajo.

Unë u ngrita. Kur hyra në dhomë, shoku im që punonte mbrëmjeve në shpërndarje picash, qe zgjuar.

-Ç’u bëre?- më tha ai.

-Kam rënë në dashuri,- i thashë unë.

-Është e bukur?- më pyeti ai.

-E mrekullueshme,- iu përgjigja unë.

-Do ma njohësh?- nguli këmbë ai.

-Pa tjetër,- i thashë unë.

Vërtetë kisha rënë në dashuri. Mendoja orë e çast për jaja Polin dhe pëllumbat e saj të egër. Kur shkova të nesërmen për frapenë time të mëngjesit, e dashura ime më dalloi që larg e më bëri shenjë të afrohesha.

-U kthye Fotuli,- më tha ajo.

Fotuli, një pëllumb i ri i fuqishëm, rrinte pranë këmbëve të saj si i zënë në faj. Rrotullonte kokën e bukur, kapsalliste sytë e herë-herë diku vështronte djathtas.

-Mu elipses Fotuli mu3,- tha ajo.

Unë kuptova që Fotuli kishte munguar shumë ditë nga jaja Poli dhe ajo po i fliste as ashpër, as me ton qortues, se e kishte marrë malli dhe i ofronte nga dora e saj që i dridhej nga ngashërimi. Për një çast, ai që quhej Fotul fluturoi, u largua në një nga degët e rrapit kurorëgjerë dhe u kthye me një, siç dukej nga pamja, pëllumbeshë. Gjyshe Polit i ndriti fytyra. Pa nga unë. Ndoshta shprehja të njëjtën gjë në fytyrën time të lodhur nga pagjumësia.

-U rrite Fotuli im,- tha plaka që m’u duk disi e përlotur.- Unë e di si të kam rritur. Të gjeta të vogël e pa pupla te skupidhjet4. Diçka e keqe u kishte ngjarë prindërve të tu. Jaja Poli të rriti, biri im, atje te garsoniera që ti e do aq shumë,- tha ajo.

Të dy pëllumbat e egër rrinin e dëgjonin ligjërimin e asaj sklupture të rrudhosur, që quhej jaja Poli.

-Nuse të bukur ke zgjedhur, Fotuli im. Jeta mjaltë t’ju bëhet.

Ishte një çast solemn, një si dasmë e vogël, që gjyshe Poli po bënte aty, e gërmuqur në stolin prej guri, ndanë rrepeve të lartë.

Tani shkoja çdo ditë, më tepër jo për frapenë, po për gjyshe Polin dhe pëllumbat e saj të egër. I njihja edhe unë me emër, dalloja çdo ndryshim të tyre, pendët gri, të bardhat, qafën, ngjyrën e këmbëve e të sqepit, mënyrën si këndonin e si fluturonin. Ishte një lodhje e vërtetë, por edhe një mrekulli e vërtetë. Ora kalonte pa u ndier, në heshtje, pa shumë biseda, pyetje e përgjigje.

-Atje tek ju, bën ftohtë?- Më pyeti një herë jaja Poli.

-Si këtu,- i thashë unë.

-Keni dhe ju shumë pëllumba?

Unë heshta. M’u kujtua një bisedë me tim bir. Atëherë ai ishte i vogël, më pak se i ri. Kur do bëhemi edhe ne shtet,- më tha. Ndodheshim në një shesh të madh kishe në Pire. Sheshi gëlonte nga pëllumbat. Shumë njerëz, kryesisht fëmijë, u hidhnin për të ngrënë. Im bir i fotografonte. Po ne, do bëhemi ndonjëherë shtet?- më pyeti prapë ai. I trishtuar i thashë pa u menduar shumë: kur të mbushen edhe sheshet tona me pëllumba. Im bir heshti. Që aty mori vendimin se në vendin e tij nuk duhej kthyer. Ndoshta mendoi se do të vononte shumë mbushja e shesheve me ata zogj të bukur.

Shkoi larg, në një shtet të ftohtë e me dëborë, ku mund të ketë foka, arinj e gjithfarë, por pëllumba jo. Ai ishte pëllumbi im, im bir që u largua.

Jaja Poli po më shikonte. Ngrita kokën edhe unë dhe e vështrova në sy.

-Keni shumë pëllumba?- përsëriti ajo.

Ç’ti thosha? Buzëqesha hidhur dhe mendova që nuk mund t’i thoshja se nga vendi im largohen gjithnjë pëllumbat.

-Shumë,- fola pa u menduar.

Jaja Poli u kënaq, megjithatë unë kuptova se ndjehej e shqetësuar. Diçka kërkonte në tufën e pëllumbave që ushqente. Ja Kostaqi, Markua, Petrua. Vinin e vinin plot të tjerë, që nuk ua mbaj mend emrat. Prapë jaja Poli ishte e shqetësuar.

-Nuk po vjen më Fotuli me Fotininë,- tha ajo.- Mos i ke parë?

Unë heshta e megjithatë një mendim i çuditshëm më erdhi në kokë.

-Ti i martove Fotulin me Fotininë,- i thashë.

-Natyrisht,- tha ajo.

-Ti i bëre dasmë Fotulit dhe Fotinisë,- i thashë.

-U bëra,- tha me krenari ajo.

Unë heshta një hop, i mora dorën dhe ia putha.

-Tani Fotuli me Fotininë janë të pavarur,- i thashë.

-Po,- tha ajo.

Pastaj qesha. Jaja Poli më pa me kërshëri.

-Janë nisur në muajin e mjaltit,- i thashë.

Qeshi dhe jaja Poli. Qeshi dhe u kënaq aq shumë, saqë pëllumbat e egër rreth saj fluturuan si një ré gri, që ngrihet papritur.

-Qyqja unë,- tha jaja Poli,- si s’e kuptova. Po ku të kenë shkuar vallë?

Nuk iu përgjigja. Ajo më kapi nga duart, m’i shkundi fort, më vështroi thellë në sy e më tha me solemnitet:

-Në vendin tënd kanë shkuar. A nuk më the se atje i duan shumë pëllumbat? Tani jam e qetë.

M’u duk sikur m’u njomën sytë, nuk e di, nga pëllumbat, nga jaja Poli, nga im bir, apo nga malli për atë tokë të hidhur që quhet vendi im.

1.gr. gjyshe,2. djali im,3. më mori malli, 4.gr. plehrat

24.11.1999

Athinë, P. Faliro.

–Last edited by besniku on 2009-06-23 15:42:02 —

Next Post

BRETKOSAT KËRKOJNË MBRET

Sht Maj 26 , 2012
(Fabul (jo)sipas Ezopit) Bretkosat ishin të mërzitura. Vinin rrotull kënetës së paanë dhe shqyheshin në thashetheme. Nuk mund të thuash që diskutonin, sepse bretkosat nuk dinë të diskutojnë, të japin mendim apo të bëjnë debat. Pse? Sepse bretkosat nuk dinë të dëgjojnë. Jo se kanë defekt nga veshët, po kur […]
Hiqmet Mecaj