VETERANI AVDULLA LAZE QEJVANI ALLARATI-VLORË Nga Qatip Mara

  • Editoni
 

Qatip Mar 3

Avdulla Laze Qejvani lindi në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit të kaluar, në Kallaratin e krahinës së Kurveleshit të Poshtëm, të Labërisë trime simbol i heroizmit në lufrat për Liri e Pavarësi. Nisi belbëzimet e para fëminore në luginën e bukur të Shushicës, e cila me larminë formave gjeomterike të relievit të gjelbëruar ku cicërojnë zërat e harmonizuar të zogjve me meloditë e fyellit të bariut e me gurgullimiën e ujit të kristaltë në shtratin me zaje të bardha të lumit Shushica, i njohur në histori “ Lumi i Vlorës” me krenari fitoresh kundër armiqve të atdheut.

Qysh kur ishte fëmijë duke dëgjuar vargjet e këngës “ .. Ç’u ngren’ , o shokë, ç’u ngrenë / Kallarat, Kuç e Bolenë /Të gjithë trima levenë, / Në lumë e zunë dyfeknë…”/ ai u edukua me ndjenjën e dashurisë për liri, për vendlindjen e atdheun. Kishte mbetur jetim në moshën e fëminisë me vëllan e vogël duke punuar e ndihmuar familjen. Nënë Bukuria, trimëresha labe me të dy djemte e mitur kishte shkuar që të veronte bagëtinë në zonën e bregdetit në fshatin e bukur të Dhërmiut duke pasur miq fisin e dëgjuar Duni. Aty mes mikpritjes bregase të Dhërmiut, Avdulla Laze Qejvani ndihmonte nënë duke kuptuar përgjegjësin e të jetuarit me punë. Mësoi vetëm katër klasë fillore por fitoi kulturë komunikimi duke përvetsuar gjuhën italiane e atë greke. Me punë të përkushtuar zgjeroi kopenë e bagëtive duke arritur mbi 700 krerë bagëti të imta.

Dulla QejvaniNë vitet e fundit të mbretërisë shqiptare kur ishte buzë bregdetit të Dhërmiut arrestohet bashkë me të vëllan, burgoset në burgun e Vlorës që ishte në godinën dykatëshe rrëzë kodrës Kuzun Baba, përballë xhamisë . Arrestimi i dy vëllezërve Qejvani u bë për shkakë se në afërsi të stanit të bagëtive të tyre u gjetë trupi i një burri të vrarë me mjete prerëse. Rastësisht vëllezërit Qejvani kishin therur një dhi dhe gjaku i dhisë kishte spërkatur me njolla gjaku disa gurë ku ishte therur dhia..Për çudi në ato caste edhe nënës së tyre i kishte shpërthyer hemoragji nga hunda , shamia e hundëve ishte mbushur me njolla gjaku. Vëllezërit Qejvani sapo kishin gjetur viktimën e vrarë njoftuan në postën e xhandarmërisë të mbretërisë shqiptare dhe përfunduan të prangosur në burgun e Vlorës. Xhandarmëria dyshoi se vëllezrit Qejvani kishin kryer vrasjen. Në bazë të ligjit të mbretërisë shqiptare ata do të dënoheshin me vdekje, me varje në litar. Nëna e tyrë kishte ngrirë nga hidhërimi e kishte thënë : “ Ndoshta nuk mundë të ndodhi shpesh, por populli thotë :“ Ruaju nga e rrëma se sa nga e bëma”, kësaj i thone e gjeçë nga mos e pandeçë ! “

Nënë Bukuria e trishtuar mbeti e vetmuar në stanet e Dhërmiut, por shumë shpejt banorët e Dhërmiut treguan dashamirësinë e tyre duke ofruar ndihmë në ruajtjen e bagëtive. E shqetësuar për jetën e djemve të saj ajo shkon në Vlorë, mëson me dhimbje dënimin me vdekje të djemëve të saj pafajshëm. Qëndroi me guxim para ekspertëve ligjorë të organeve të hetimit duke kërkuar lirimin e djemve. Me këmbëngulje shqetësimin e saj e paraqet në zyrat e mbretërisë shqiptare në Tiranë. U verifikuan faktet e gjetura tek viktima i vrarë , gurët e gjakosur dhe shamia me njolla gjaku,dhe u përcaktuan fajtorë dy vëllezërit Qejvani duke i dënuar me vdekje, varje me litar. Nënë Bukuria nuk u doërzua, por me mbështetjen e solidaritetin e komunitetit dashamirës të Dhërmiut shkoi në Tiranë duke kërkuar përsëri ekspertizë ligjore për pafajsinë e djemve të saj. Organet qëndrore të drejtësisë shqiptare dërguan në Austri për analiza gurët e gjakosur dhe shaminë me njolla gjaku. Pas tre muajve erdhi përgjigja e analizave nga Austria. Gurët e gjakut ishin me gjakun e dhisë së therur dhe shamia e hundëve me njolla gjaku ishte me gjakun e nënës të vëllezëeve Qejvani. Djemtë të gëzuar u pritën me ngrohtësi prindërore nga banorët dashamirës të Dhërmiut, të cilët ua kishin siguruar kopenë e bagëtive duke mos humbur asnjë kokë bagëti.

Pasi dimëruan bagëtinë në Kallarat vëllezërit Qejvani po përgatiteshin për të shkuar në stanet verore të Dhërmiut, por kjo nuk u realizua. Që në ditët e para të prillit 1939 kishin mësuar kërcënimin e agresionit fashist kundër atdheut dhe kur më 7 prill 1939, në mëgjesë nga prapa maleve të Bogoncës e Çikës ishin shfaqur në qiell aeroplanë që kishin marrë drejtim për në Vlorë , vëllezërit Avdulla e Hasan Qejvani braktisën bagëtinë për të luftuar për lirinë e Atdheut. Hasan Qejvani kishte zbritur në Vlorë duke pritur me pushkë pushtuesin fashistë italianë, ndërsa Avdulla Qejvani me shumë bashkëfshatarë Kallaratas organizuan protestën në komunën e Kuçit duke kërkuar armë për të luftuar pushtuesin fashist. Lajmi i agresionit e pushtimit fashist tronditi banorët e Kallaratit dhe të gjithë Shqipërisë. Vëllezërit Qejvani u angazhuan në luftën antifashiste. Hasan Qejvani e filloi betejën luftarake që në mëngjesin e 7 prillit 1919 duke u pozicionuar përball agresorëve fashistë në Skelë të Vlorës. Luftoi me guxim duke u dhënë kurajo shokëve në pritat që kishin organizuar kundër pushtuesit italiane në Skelë e në Qafën e Bestrovës. Avdulla Qejvani u angazhua në njësitin armatosur antifashistë “M. Selami” të fshatit Kallarat duke u ndarë fizikisht me të vëllan Hasan Qejvani, i cili u rreshtua në formacionet e rregullta partizane, fillimisht në cetën partizane “Hajredin Tremishti”, duke kryer veprime luftarake antifashiste në Kurvelesh , Mesaplik, Delvinë e Konispol.. Në luftën e Gjormit më 31 dhjetor 1942 – 3 janar 1943, vëllezërit Avdulla e Hasan Qejvani u takuan me fitore kundër operacionit ndëshkimor armik, në të cilin forcat armike u shpartallauan plotësisht nga forcat antifashiste.Trimëria e djemëve Kallaratas , të Kurveleshit e gjithë Labërisë tmerroi komandën armike në qytetin e Vlorës, e cila në panik , e tërbuar nga disfata që pësoi në Luftën e Gjormit ekzekutuan për hakmarrje prefektin e vlorës Lele Koçin dhe ministrin e shtetit Qazim Koculin. Në vazdimësi të luftës antifashiste vëllezërit Qejvani përballuan me trimëri të gjitha operacionet armike nazi-fashiste.

Dulla Qejvani i vellai Deshmor
























Pas operacionit armik të dimrit 1943 -1944 vëllezrit Qejvani nuk mundën të takoheshin më. Hasan Laze Qejvani kishte hyrë në radhët e brigadës së pestë , duke luftuar me trimëri për çlirimin e atdheut , ku dha edhe jetën dëshmor i atdheut më 20 tetor 1944 në Kolesjan të Kukësit.

Vagjet e këngës labe e kanë përjetsuar :

“ . .. Hasan Laze Kallarati

Qan Brigata, qan dhe fshati,

Stërralli që lëshon çika,

Nuk e njohe ç’ishte frika,

Mbi armiqtë kur sulmoje ,

Shqiponjë mbi ta qëndroje . “

Avdulla Laze Qejvani e priti me burrëri e krenari lajmin e rënies në betejë të vëllait duke vazhduar të luftoi me trimëri deri në çlirimin e plotë të atdheut.Mbas çlirimit të atdheut komanda e drejtimit të forcave ushtarake antifashiste e kërkuan vëllan e dëshmorit Hasan Laze Qejvani të fillonte punë në Tiranë, por Avdulla Laze Qejvani nuk kishte pranuar ta braktiste fshatin e lindjes Kallarat Vlorë për të bërë një jetë më komode e me pagë të mirë në organet shtetërore. Bagëtia i ishte dëmtuar gjatë luftës sidomos në kohën e luftës italo-greke në vjeshtën e 1940-ës ku fshati Kallaratit u kthye në një arenë lufte midis italianëve dhe grekërve. Çdo ditë italianët hidhnin qindra predha artilerie dhe bomba aviacioni, që shkatërronin shtëpitë duke dëmtuar krejtësisht prodhimet bujqësore e blegtorale. Afër shtëpive të vëllezërve Qejvani ishte vendosur vija e kufirit që grekët e konsideronin të ashtuquajturin Vorio Epir. Masakrat e barbarizmat greke të vitit 1914 ku në prëhërin e malit të Bogonicës edhe sot duket fshati vjetër Kallarat i djegur plotësisht , u përsëritën në placën e dimrit 1940-1941, ku ushtria greke dogji e shkatërroi shtëpi duke prerë edhe pemët frutore. Shtëpia e Avdulla Laze Qejvani ishte sofra bujare e mikpritjes e luftëtarëve të lirisë .

kallaratiMegjithëse kishte mbetur i vetëm Avdulla Laze Qejvani në vitet e para të çlirimit u angazhua në aksionet kombëtare, në punën e rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta. Ai shkoi vullnetarë për të punuar në minierën e Selenicës duke u dalluar për përkushtim e dashuri për atdheun. Ishte energjik në çdo punë duke punuar e tejkaluar normat ditore. Kryente punët më të vështira fizike. Ai e kryente me cilësi punën duke u bërë shëmbëll për të rinjtë . Kishte vlera të larta njerzore, zemra e tij jepte shumë ngrohtësi jete, urtësia e tij gjykonte e këshillonte me dashamirësi. Ishte i thjeshtë, modestë e një mik i sinqertë që ta shumëfishonte gezimin kur bisedoje apo diskutoje hallet e jetës.a

Veterani Avdulla Laze Qejvani tregoi vlerat e tij atdhetare duke përkrahur ndryshimet e proceset demokrtike me qëndrimet e qeta e të matura si një demokratë perëndimorë.Ishte i drejtë, i qetë në arsyetimet e tij duke kritikuar fajet e së kaluarës komuniste dhe me humorin tipik të labërisë kritikonte edhe gabimet e tranzicionit demokratik duke e përjetuar dhimbshëm vitin e zi 1997.

Takim Brezash 15 Gusht 2009 ne Kallarat 045Jetoi 84 vite në fshatin e lindjes Kallarat duke e përballuar jetën me punë të përkushtuar e me ndershmëri Ishte i punës dhe i këngës, komunikonte me çdo moshë duke treguar dashamirësi e respekt për çdo njeri të thjeshtë. Kishte dashuri për vendlindjen, nuk pranoi të largohej nga Kallarati për të jetuar pranë fëmijëve në Vlorë apo Tiranë. Kur kishte filluar vitin e 85 të jetës sëmundja e shpejtë e hodhi në shtratin kurimit mjekësor në spitalin rajonal Vlorë . Në buzëmbrëmjen e 13 majit në lagjen “Uji Ftohtë “ Vlorë në banesën e fëmijës së tij kërkoi ta ngrinin nga shtrati e ta nxirnin në ballkonin e shtëpisë për të parë për herë të fundit gjirin e bukur të Vlorës, Sazanin e Karaburunin që ai aq bukur u këndonte këngën për historinë e lavdishme të Vlorës e Heroin Ismail Qemali.

Disa minuta me shikim nga deti sytë e tij kishin lagur fytyren e munduar nga sëmundja. Goja nuk i fliste më, por shpirti tij fliste shumë. Duke u gëdhir 14 maji mbylli sytë i përlotur për largimin nga jeta. Punoi mbi 40 vjetë me kazmë e lopatë, duke përfituar një pension minimal. Vetëm pas vdekjes nga Ministria e Mbrojtes Shqiptare mori shpëblimin financiar për dekoratat e luftës antifashiste : “Medalja e Çlirimit. Medalja e Trimërisë dhe e Kujtimit “

Veterani Avdulla Laze Qejvani është përjetësuar në hisorikun e Kallaratit , kujtimi i tij është i pavdekshëm në zemrat e nipërve , mbesave të cilët e kujtojnë gjithmonë me dashuri e krenari duke ecur në hapat e tij në shërbim të atdheut

Qatip Mara

12 maj 2013

Publikuar online ne Gazeten “Tribuna Shqipatare”, date 12 Maj 2013

Next Post

Mali i Bogonicës dhe Kallarati, përshkrim nga Qatip Mara

Mar Maj 21 , 2013
Mali Bogonicës dhe Kallarati me histori trimërie për Liri, mes gjelbërimit në luginën e Shushicës, vendi i bukur midis formave të larmishme gjeometrike të relivit mes ujit të kristaltë e oksigjenit të bollshëm ku cicërojnë zogjtë e harmonizuar me grugullimën e ujrave në shtratin me zaje të bardha të lumit […]
24