Politikat gjuhësore në epokën e globalizimit

Rami MemushajLevizja e lirë e njerëzve dhe e vlerave përbën një nga vlerat më pozitive të botës demokratike, pjesë e së cilës është edhe shoqëria shqiptare. Përfitimet nga ky ballafaqim me kulturat e tjera të botës së qytetëruar pa dyshim që janë të mëdha. Por, nga ana tjetër, ky shkëmbim i vlerave bart rreziqe jo të vogla, për të cilat po bëhemi për ditë e më të vetëdijshëm. Si rreziku më i madh nga ndeshja e kulturave sot vlerësohet nënshtrimi i kulturave të kombeve më të dobëta ekonomikisht ndaj kulturave të vendeve të fuqishme ekonomikisht. Ky vërshim kulturor, sidomos i kulturës amerikane, nëpërmjet muzikës, kinemasë, teknologjisë elektronike të komunikimit etj. përbën një shqetësim jo vetëm për vendet më pak të zhvilluara, në rastin tonë për vendet e “botës së dytë”, siç është Shqipëria, por edhe për vende të tilla shumë të zhvilluara, si Franca, Italia, Gjermania, Spanja etj., të cilat i kanë dhënë aq shumë kulturës europiane dhe botërore. Shqetësimi për amerikanizimin e jetës nuk buron aq nga ndonjë ndjenjë ksenofobie apo amerikanofobie, sesa nga ajo që amerikanizimi i kulturës, do të thotë globalizim i saj, d.m.th. shuarje e mozaikut kulturor të sotëm, që do të ishte baras me një katastrofë ekologjike të rruzullit.

Gjuha, duke qenë mjeti themelor për shprehjen e kulturës, përbën edhe një nga përmasat themelore të saj. Roli i gjuhës rritet edhe më shumë në kuadrin e integrimit europian. Por, në kushtet e një shoqërie të hapur, gjuha ndodhet para të njëjtave rreziqe dhe probleme si edhe kultura që ajo bart. Shkëmbimi i lirë i mallrave dhe i informacionit favorizon gjuhët që nga pikëpamja komerciale janë të “dobishme”, si anglishtja, e për vendin tonë italishtja e greqishtja, dhe dobëson pozitën e gjuhëve të tjera. Por pranimi i parimeve të tregut të lirë nuk do të thotë që përhapja e gjuhëve dhe ndërtimi i hierarkive gjuhësore t’i lihet rastësisë. Kjo duket në përpjekjet e hapura të SHBA, të Anglisë, Francës, Gjermanisë, por edhe të shteteve të tjera për përhapjen e gjuhëve të tyre, sidomos në vendet ish-komuniste të Europës, që paraqesin terrene të virgjra. Vendet e zhvilluara i njohin gjuhës një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe kulturore me këto vende. Investimet nga shteti amerikan dhe fondacionet private për mësimin e anglishtes si gjuhë e huaj, fushata e shpallur nga princi Çarlz “Anglishtja 2000” si dhe gjithë veprimtaria e Këshillit Britanik për përhapjen e anglishtes synojnë ta bëjnë këtë gjuhën e parë të huaj në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, një lingua franca të kohëve të reja. Prej tyre vlerësohet se përhapja globale e gjuhës angleze është me rëndësi themelore për forcimin e pozitës dhe të ndikimit ndërkombëtar të SHBA-së dhe të Britanisë. Thelbi i politikës franceze për përhapjen e frëngjishtes shprehet qartë dhe fare hapur në formulën: “là où parle français, on achête français”. Sipas Këshillit të lartë të Frankofonisë (1993), interesat gjuhësore dhe ekonomike janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme. Edhe qeveria gjermane bën përpjekje që gjermanishtja të fitojë status të ngjashëm me anglishten dhe frëngjishten.

Jehona e përpjekjeve të këtyre shteteve dhe të fqinjëve tanë për mësimin e gjuhëve të tyre në shkollat tona duke shfrytëzuar lidhjet ekonomike e politike dhe mungesën e përvojës sonë duket në nismat e propozimet e këtyre 20 vjetëve për të futur gjermanishten, dhe tani së fundi edhe kinezishten, si gjuhë të dytë të huaj në shkollat tona apo në kërkesën e palës greke në projektin e bashkëpunimit kulturor “për futjen e greqishtes si gjuhë fakultative në të gjitha shkollat e Shqipërisë” si dhe për hapje shkollash shtetërore në gjuhën greke edhe aty ku nuk ka pakica.

Ajo që të bie në sy në përgjigjet e institucioneve tona shtetërore ndaj kërkesave të tilla është një mosnjohje e thellë e problemit, si p.sh. kur deklarohet se “çështja e propozimit të futjes së një gjuhe të huaj në shkollat shqiptare si gjuhë fakultative ka më shumë karakter politik dhe ajo me të cilën duhet të merret Ministria (e Arsimit–R. M.), është vetëm aspekti teknik i saj” apo kur propozohet “ideja për krijimin e një komisioni, i cili në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Jashtme”, do të hartojë një listë “me një numër gjuhësh të huaja të lejuara dhe të këshillueshme politikisht për t’u caktuar si gjuhë fakultative në shkollat tona”. Vendimi për caktimin e gjuhëve të huaja që do të mësohen në shkollat tona nuk duhet të ketë karakter politik, dmth. nuk duhet të udhëhiqet, siç ka ndodhur deri dje, nga motive politike e ideologjike, por duhet të përcaktohet duke u nisur nga faktorë të tjerë, nga synime strategjike kombëtare. Përndryshe, kriteri politik mund të sjellë pasoja negative në ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve të vendit tonë me vendet e tjera.

Ajo që të shqetëson më tepër është se hallkat shtetërore përgjegjëse ende nuk janë ndërgjegjësuar për domosdonë urdhëruese të hartimit të politikave të tilla dhe të legjislacionit përkatës që do ta mbronin gjuhën shqipe nga trysnia e gjuhëve të huaja brenda kufijve politikë si dhe jashtë tyre, në trojet etnike e në diasporë, ku shqipja ndodhet në kontakt me gjuhë të ndryshme, që do t’i siguronin asaj të paprekur statusin e gjuhës së parë brenda kufijve shtetërorë dhe që do të ndihmonin shtetin shqiptar për t’u përpjekur për t’i siguruar shqipes një status të pranueshëm atje ku ajo është gjuhë në kontakt. Dhe jo vetëm që nuk po punohet për hartimin e politikave gjuhësore adekuate për një shoqëri të hapur, por nuk njihet as legjislacioni europian e ndërkombëtar për problemet e gjuhës amtare e të pakicave, ndonëse është përkthyer pothuajse i tëri dhe është botuar nga Këshilli i Europës.

Gjuhët lingua franca, si gjuhë që “përdoren për të lehtësuar komunikimin e përditshëm midis grupeve që flasin gjuhë amtare të ndryshme”, kanë funksionuar krahas gjuhëve vendëse, dmth. përdorimi i tyre nuk shpie në zhdukjen e gjuhëve vendëse. Përgjithësisht, një gjuhë mund të shërbejë si gjuhë lingua franca, në rast se bashkësia së cilës i përket luan një rol të rëndësishëm, ekonomik, politik apo kulturor në një rajon të caktuar.

Një shoqëri ballkanike me kufij të hapur nga Kroacia e deri në Greqi dhe nga Shqipëria deri në Turqi do ta kishte të nevojshme një gjuhë lingua franca, e cila do ta lehtësonte shumë komunikimin në trevat ballkanase si dhe shkëmbimet e ndërsjella ekonomike e kulturore. Po a mund ta luajë këtë rol ndonjë nga gjuhët e Ballkanit? Ndër shtetet ballkanike, Greqia pati një pozitë të privilegjuar falë anëtarësisë së saj në Bashkimin Europian, në një kohë që vendet e tjera të gadishullit sapo kishin dalë nga regjimet totalitare. Atëherë, a mund të shërbejë greqishtja si lingua franca e Ballkanit, sikundër ka qenë në lashtësi e në mesjetë?

Si rregull, dominimi politik dhe ekonomik krijon premisa për dominimin gjuhësor. Edhe pse Greqia ka gëzuar pozita ekonomike dhe politike të favorshme, kjo nuk e përjashton mundësinë që në një të ardhme jo të largët vende të tjera ballkanike ta arrijnë dhe ta kalojnë atë. Shkurt, Greqia as është e as mund të bëhet në të ardhmen një superfuqi në Ballkan, siç ishte p.sh. në kohët antike, pasi edhe vende të tjera ballkanike kanë burime natyrore e njerëzore në atë shkallë e ndoshta më shumë se Greqia. Nga pikëpamja kulturore, Greqia e sotme krijon po aq vlera kulturore sa dhe fqinjët e saj të varfër. As faktori demografik nuk i vjen në ndihmë gjuhës greke, pasi shumica e etnive të Ballkanit përbëhet nga popullsi 7-10-milionëshe, dmth. greqishtja ka po aq folës në Ballkan sa dhe shqipja, bullgarishtja, serbishtja dhe më pak se rumanishtja. Përfundimisht, as greqishtja, as ndonjë nga gjuhët e tjera të Ballkanit nuk mund të mëtojë të kryejë rolin e një lingua franca. Në këtë rol nuk mund të dalin as gjuhët e mëdha të rajonit, si italishtja e turqishtja, pasi prestigji politik e ekonomik i Italisë përkatësisht i Turqisë nuk është i tillë që t’i favorizojë këto gjuhë (ndonëse në Shqipëri dhe në ndonjë vend tjetër të Ballkanit, italishtja po konkurron me sukses me gjuhët ndërkombëtare), as frëngjishtja apo gjermanishtja, me gjithë prestigjin që kanë këto gjuhë dhe lidhjet tradicionale të Francës përkatësisht të Gjermanisë me vende të caktuara të këtij rajoni.

Pas Luftës II Botërore, vendet e Ballkanit, me përjashtim të Greqisë, u përfshinë në bllokun komunist. Për vendet e këtij blloku, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, funksionet e gjuhës lingua franca u përpoq t’i merrte rusishtja, mësimi i së cilës u nxit edhe nga politikat arsimore të këtyre vendeve, që e bënë rusishten gjuhën kryesore të huaj që mësohej në shkollë; nga shkëmbimet e studentëve dhe të specialistëve; nga ndikimi kulturor, sidomos në fushën e letërsisë dhe të filmit, fusha në të cilat kultura ruso-sovjetike ka sjellë ndihmesa të dukshme. Skizmat ideologjike në fillim midis ish-Jugosllavisë dhe BS dhe më pas midis Shqipërisë dhe BS e dobësuan ndjeshëm pozitën e rusishtes në Ballkan. Por prestigji i rusishtes në Ballkan ra përfundimisht me shembjen e bllokut komunist, gjë që i dha fund dominimit politik e ekonomik ruso-sovjetik edhe në ato vende të Ballkanit që kishin mbetur më gjatë nën këtë dominim dhe, bashkë me këtë edhe mundësisë së rusishtes për t’u bërë një lingua franca e rajonit.

Me hapjen e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera ish-komuniste të Ballkanit, po shihet qartë se funksionin e gjuhës lingua franca të rajonit po synon ta zërë anglishtja, gjë që është krejt normale, po të kemi parasysh se në ditët tona po vërehet një përhapje e shpejtë e anglishtes në shkallë botërore. Ajo që e ka bërë anglishten të tillë, është potenciali ekonomik, politik, kulturor e shkencor i SHBA dhe i vendeve të tjera anglofone. Me prodhimin e madh kinematografik dhe muzikor, me politikat e saj të hapura të emigracionit, të pranimit në shkollat e larta, me progresin e mahnitshëm në fushat e ndryshme të shkencës, sidomos të informatikës etj., SHBA ndikon fuqishëm, duke u bërë vendi i ëndërruar prej të rinjve nga gjithë bota.

Por kjo përhapje me shpejtësi e anglishtes duhet parë jo në perspektivën e globalizimit dhe të amerikanizimit, por në perspektivën e paradigmës së ekologjisë gjuhësore. Paradigma e parë, që shpie në margjinalizimin dhe zhdukjen e gjuhëve të vogla, është një shfaqje e imperializmit gjuhësor anglez, “si një formë linguicizmi që mund të përkufizohet si një vendosje dhe rikonstituim i pandërprerë i pabarazive strukturore dhe kulturore midis anglishtes dhe gjuhëve të tjera”. Në një konkurrencë të tillë asimetrike, kompetenca në gjuhën dominuese ka si pasojë margjinalizimin dhe mënjanimin e gjuhëve të tjera. Një dukuri e tillë e imperializmit gjuhësor është vërejtur në vendet e “botës së tretë”.

Duke qenë se ka shumë ngjashmëri midis këtyre vendeve dhe shteteve ish-komuniste të Europës Lindore në vitet ’90, shtrohet pyetja: a mundet që trysnia e anglishtes në këto vende të çojë në margjinalizimin e gjuhëve të tyre standarde? Nga një shqyrtim i vëmendshëm i fakteve, del se vendet ish-komuniste, ashtu si vendet e “botës së tretë”, kanë probleme të mprehta ekonomike dhe shoqërore, të cilat nuk mund t’i zgjidhin me sukses pa ndihmën e Perëndimit, gjë që i vë ato në pozita varësie. Por këto vende, me gjithë vështirësitë e krijuara nga falimentimi i sistemit socialist, ndryshojnë shumë nga vendet e “botës së tretë”, pasi kanë një traditë të gjatë shtetërore, një shkallë të lartë arsimimi të popullsisë dhe një kulturë relativisht të zhvilluar, pjesë e së cilës janë gjuhët e tyre standarde. Pikërisht për këtë mund të pohojmë se vendet ish-komuniste janë një shkallë më lart se vendet e “botës së tretë”, pra mund të thuhet se ato i takojnë “botës së dytë”. Si rrjedhim, mund të arrihet në përfundimin se, ndërsa në vendet e botës së tretë imperializmi gjuhësor ka vonuar zhvillimin e gjuhëve anase, në vendet e botës së dytë imperializmi gjuhësor nuk e pengon zhvillimin e gjuhëve të tyre standarde; se ndërsa mësimi dhe përdorimi i gjuhëve të mëdha ka qenë diferencues, në vendet e “botës së dytë” mësimi dhe përdorimi i gjuhëve të mëdha ka karakter komplementar, dmth. gjuha e vendit dhe gjuha e huaj bashkëjetojnë pa e konkurruar njëra-tjetrën. Kjo do të thotë që këto vende do të mund t’i bëjnë ballë me sukses imperializimit linguistik duke ndërtuar në mënyrë të pavarura politika gjuhësore të përshtatshme.

Zotërimi i një gjuhe të huaj në të gjitha kohërat ka qenë një përparësi për individët dhe nga kjo nuk bën përjashtim as shoqëria shqiptare. Kontaktet me pushtuesit, shërbimi ushtarak, punësimi sezonal në vendet fqinje dhe emigrimet kanë qenë disa nga faktorët përgjegjës për dygjuhësinë shqip-gjuhë e huaj. Kurse njëgjuhësia ka qenë kurdoherë një përjashtim dhe karakteristikë e shoqërive të mbyllura.

Kur flitet për dygjuhësinë, duhet bërë dallimi midis dygjuhësisë individuale (të kultivuar) dhe dygjuhësisë kolektive (societale). Ndërsa dygjuhësia kolektive është karakteristike për pakicat etnike-gjuhësore apo për zonat kufitare, dygjuhësia individuale varet kryesisht nga politikat gjuhësore të shtetit.

Edhe tek ne dygjuhësia individuale ka qenë nxitur nga shteti, duke futur në shkollë mësimin e detyruar të gjuhëve të huaja. Sigurisht, lloji i gjuhës së huaj në këtë dygjuhësi individuale ka ndryshuar shumë. Në gjysmën e parë të shek. të kaluar në vend të parë qe italishtja; në gjysmën e dytë të tij deri aty nga fillimi i viteve ’70 vendi i parë i takoi rusishtes, që pastaj filloi të mënjanohej nga anglishtja e frëngjishtja. Pas 1990-ës, kjo paradigmë ka ndryshuar dukshëm. Siç del nga anketimi i të rinjve, disa gjuhë kanë humbur dukshëm, si rusishtja e frëngjishtja, kurse disa të tjera, si anglishtja, italishtja e greqishtja janë bërë të pëlqyera. Kështu, sipas të dhënave të Eurobarometrit (1995), në 1000 të rinj të anketuar, 29% flitnin italisht, 22% anglisht, 7% frëngjisht dhe 6% greqisht. Në studimin “Rinia postkomuniste shqiptare”, të kryer nga Qendra Sociologjike EUREKA, nga 2600 të rinj të pyetur, 47% preferonin anglishten, 34,6% italishten, 10,3% gjermanishten, 5,3% frëngjishten dhe 1,5% greqishten. Të dhëna pak më të ndryshme kanë dalë nga një anketim tjetër, i kryer në po ato vite, i 697 të rinjve lidhur me gjuhët e huaja që kuptonin dhe flitnin, sipas të cilit vendin e parë e zinte italishtja me 40,3%, pastaj anglishtja me 38,5%, frëngjishtja me 10%, greqishtja 3,6% dhe gjermanishtja 1%.

Në kushtet e integrimit mbareuropian, mësimi i gjuhës së huaj po fiton një përmasë të re. Kjo është arsyeja pse trajtimi i këtij problemi zë një vend të rëndësishëm në shumë konventa e dokumente të BE-së, të KE-së, të OSBE-së dhe të shumë organizmave për të mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kështu, “Letra e Bardhë mbi Arsimin dhe Edukimin” (1995) e Bashkimit Europian në kreun IV të saj “Zotërimi i tri gjuhëve të huaja” thotë:

“Zotërimi i disa gjuhëve të Bashkimit Europian është bërë një kusht paraprak që qytetarët e BE-së të përfitojnë nga mundësitë vetjake dhe të punësimit që u janë hapur në tregun unik dhe pa kufij. Ky zotërim i gjuhës duhet të rezultojë në aftësinë për t’iu përshtatur kushteve të punës dhe të jetesës në kultura të ndryshme. Gjuhët janë gjithashtu çelësi për t’u njohur me të tjerët. Zotërimi i gjuhëve ndihmon për formimin e ndjenjës së të qenit europian me gjithë diversitetin dhe pasurinë e saj kulturore dhe të kuptimit midis qytetarëve të Europës…

Në përputhje me rezolutën e datës 31.3.1995 të Këshillit të Ministrave të Arsimit të BE-së, për këdo po bëhet e domosdoshme, pavarësisht nga rrugët e zgjedhura për arsimin dhe edukimin, të fitojë dhe të ruajë aftësinë për të komunikuar të paktën në dy gjuhë të BE-së, veç gjuhës së tyre amtare… Me qëllim që të arrihet zotërimi i tri gjuhëve të BE-së, është e dëshirueshme që mësimi i gjuhës së huaj të nisë që në arsimin parashkollor. Për një mësim të tillë është e domosdoshme që të bëhet në baza sistematike në arsimin fillor, me nxënien e një gjuhe të dytë të huaj të BE-së në shkollë të mesme. Mund të mos duket e pamundshme që nxënësit e shkollës së mesme duhet të studiojnë disa lëndë në gjuhën e parë të huaj. Me mbarimin e shkollës së mesme kushdo duhet të zotërojë rrjedhshëm dy gjuhë të huaja të BE-së.”

Ky dokument, të cilit duhet t’i përmbahet edhe Shqipëria si vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, e bën më se të qartë se ç’gjuhë të huaja duhen mësuar dhe ç’politika duhen ndjekur për nxënien e tyre gjatë viteve të arsimit parauniversitar. Ai nuk lë vend për improvizime apo parapëlqime individësh. Mbi bazën e këtij dokumenti duhen ndërtuar edhe politikat gjuhësore të shtetit tonë lidhur me gjuhët e huaja që duhen mësuar në shkollë dhe numrin e këtyre gjuhëve.

Ndër gjuhët ndërkombëtare, pa dyshim që përparësi duhet të ketë anglishtja, që duhet të jetë gjuhë e parë e huaj (L1), mësimi i së cilës duhet filluar që në arsimin parashkollor. Gjuhët e tjera ndërkombëtare duhet të jenë gjuhë të dyta (L2), kurse gjuhët e fqinjëve, si italishtja, greqishtja apo edhe gjermanishtja duhet të jenë gjuhë L3, të cilat në zonat kufitare me këto vende mund të jenë L2, dmth. të ndërrojnë vend me gjuhët ndërkombëtare L2, po në asnjë rast nuk mund të jenë L1. Ky pozicionim do t’u priste rrugën edhe mëtimeve të ndonjë vendi për një status më të lartë të gjuhës së tij, qoftë edhe në zona të veçanta. Politika të tilla afatgjata, të ndërtuara mbi bazën e legjislacionit të BE-së dhe në konsultim me specialistët e fushës, duhen ndërtuar edhe për arsimin universitar dhe atë pasuniversitar. Ato do t’i jepnin edhe Ministrisë sonë të Arsimit mbështetjen ligjore në zbatimin e tyre në praktikë për të mos u zbythur para presionesh të çdo lloji qofshin.

Prof. Dr. Rami Memushaj, Gazeta SHqip, 2012-02-19

Next Post

Dekomunistizim e çmitizim apo shkombëtarizim e humbje vlerash?

Die Maj 20 , 2012
 “Është krijuar një grup njerëzish në Shqipëri, që duke dashur t’i këputë të gjitha rrënjët ish-komunizmit, po i këput rrënjët kulturës shqiptare… Sikur përpjekjet e këtyre njerëzve të shkonin në drejtim pozitiv, Shqipëria nuk do të ishte ashtu siç është, në fund të vendeve të Europës, por do të kishte bërë përpara…” […]
Rami Memushaj