Ndërhyrjet e nevojshme në kodet e gjuhës nuk mund të bëhen nga grupime të caktuara as nga këshilla ndërakademikë. Duhet një bashkëpunim i gjithë faktorëve e pastaj një konferencë mbarëkombëtare
Nga dy format në të cilat gjëllin gjuha, ligjërimi i shkruar i nënshtrohet kontrollit si të atij që shkruan, edhe të atyre që e lexojnë materialin e shkruar. Gabimet e drejtshkrimit janë të parat që bien në sy. Prandaj procesi i kodifikimit të normës gjuhësore fillon me përcaktimin e normës drejtshkrimore, e cila, nga ana e vet, pasqyron atë që është arritur në kodifikimin e normës morfologjike dhe fonetike. Jo më kot Kongresi i 1972-shit u quajt “Kongresi i Drejtshkrimit”. Pikërisht, problemet në zbatimin e rregullave të drejtshkrimit përbëjnë një nga arsyet pse vëmendja e publikut është përqendruar te drejtshkrimi. Përpos kësaj arsyeje objektive, ka edhe shkaqe të tjera, të cilat do të përpiqemi t’i shtjellojmë më poshtë, pse drejtshkrimi këta 20 vjetët e fundit është vënë në qendër të vëmendjes në tubime gjuhësore, në polemika në shtypin e përditshëm e shkencor dhe në debate televizive. Pra, po të shprehemi metaforikisht, mund të themi se drejtshkrimi ndodhet në syrin e ciklonit. Ndër ata që janë përfshirë në debatet për drejtshkrimin, një palë është për ndryshime substanciale të rregullave të tij; një palë tjetër është kundër ndryshimeve, duke pranuar vetëm retushime të lehta. Midis këtyre dy grupeve qëndron një palë e tretë, që mban një qëndrim të mesëm. Debatet për gjuhën standarde vlerësohen si një shfaqje e konfliktit mes elitave dhe kundërelitave. Elitat e mbështetin standardizimin e gjuhës, si mjet që realizon integrimin e periferive me qendrën. Në rastin e shqipes, elita kulturore kosovare e viteve ’60, duke e parë gjuhën standarde si mjet për ruajtjen e njësisë kombëtare përkundrejt rrezikut të sllavizimit, u përpoq të bashkonte gjuhësisht trojet shqiptare në ish-Jugosllavi me trungun kombëtar. Kundërelita, e cila në kohën kur ndodhi ky proces përfaqësohej nga intelektualë të emigracionit politik, kurse sot nga intelektualë në të dy pjesët kryesore të vendit, kërkojnë t’i shkëputin periferitë nga qendra, duke goditur simbolet e përbashkëta dhe të vërtetat historike, siç janë gjuha standarde, prejardhja ilire e shqiptarëve, luftërat për çlirim dhe heronjtë kombëtarë. Për këtë qëllim, ata përpiqen të “çmitizojnë” gjuhën standarde, historinë kombëtare e heronjtë tanë kombëtarë, duke lartësuar të folmet krahinore dhe duke ngritur mite e figura lokale. Për të parët goditja e gjuhës standarde shihej si goditje kundër stalinizmit shqiptar, pra një kontribut për shembjen e komunizmit në Shqipëri; motivet e këtyre të dytëve janë më së pakti krahinore. Pjesa e sotme e kundërelitës përfshin disa specialistë të gjuhës dhe gazetarë, letrarë e njerëz të kënduar. Këta e vënë theksin në atë që standardi i shqipes është formuar në diktaturë dhe mbi bazën e një dialekti. Për ta, fakti që standardizimi u krye në kohën e diktaturës e delegjitimon gjuhën standarde, si pjellë të diktaturës, si “shqipe totalitare”, rrënjët e së cilës i gjejnë madje që “në politikat gjuhësore të Rilindjes Kombëtare”. Prandaj, sipas tyre, ndryshimet e mëdha historike dhe integrimi kulturor i pjesëve të kombit e bëjnë të domosdoshëm çtotalitarizimin e saj. Argumenti tjetër i këtyre është gjuhësor. Duke u nisur nga konstatimi se në “çështjet e drejtshkrimit është i evidentueshëm largimi gjithnjë e më i theksuar i shqiptimit nga forma e shkruar e fjalës”, ata kërkojnë ndryshime të thella të normës drejtshkrimore, si një detyrim ndaj vendimit të Kongresit të Drejtshkrimit, që “parimi themelor i rregullave të drejtshkrimit të shqipes të jetë parimi fonetik”. Ata shkojnë deri aty sa të kërcënojnë se mosbërja e ndryshimeve “krijon mundësinë që kërkesat për përmbysjen e plotë të normës standarde të shtohen”. Që gjuha standarde u ngjiz në periudhën e regjimit totalitar, kjo dihet. Planifikimi gjuhësor është pjesë e procesit tërësor të ndryshimit shoqëror (planifikimit social), qoftë si shkak apo si pasojë e tij, d.m.th. ka vulën e kohës kur kryhet. Prandaj natyra dhe drejtimi i tij nuk mund të kuptohen jashtë kontekstit social ose shkëputur nga rrethanat historike që prodhuan këtë kontekst. Po kjo nuk i justifikon kërkesat e këtij grupi për ndërhyrje të thella në normat e gjuhës standarde, duke filluar me normën drejtshkrimore, apo për përmbysjen e bazës së saj. Debati rreth normës drejtshkrimore nuk është një dukuri tipike vetëm për hapësirat shqiptare. Ai është pasojë e asaj që norma drejtshkrimore, ashtu si gjithë normat e gjuhës, nuk është statike. Rrjedhimisht, diskutime për reforma gjuhësore janë zhvilluar në shumë vende, po veçanërisht i ashpër ka qenë debati midis atyre që janë për ndryshime të thella të normës dhe kundërshtarëve të tyre në shoqëritë në tranzicion të Europës Lindore. Për të parët, grafemat, si njësi e drejtshkrimit janë shenja të rendit të dytë që përdoren për të shënuar shenjat e rendit të parë (tingujt) dhe, rrjedhimisht, shenjat e rendit të dytë duhen ndryshuar me qëllim që të pasqyrojnë me besnikëri ato të rendit të parë. Mirëpo, sipas J. Fishmanit, ndikimi që ka planifikimi gjuhësor mbi gjuhën e folur është derivat i ndikimit që ka gjuha e shkruar mbi gjuhën e folur dhe jo anasjelltas, d.m.th. me standardizimin e gjuhës, nuk është gjuha e folur që udhëheq, po gjuha e shkruar. “Gjuha e shkruar”, – thotë J. Fishmani, – nuk është e ngrirë, as e ngulitur për jetë, por nuk është as objekt i përhershëm i ndikimeve të mëdha nga këngët popullore dhe zhargonet e pararinorëve.” Pra, drejtshkrimi nuk mund ta ndjekë hap pas hapi shqiptimin. Sikundër tregon historia e shkrimit të gjuhëve të tjera, drejtshkrimi vetëm në fillim është fonetik, pastaj, me kalimin e kohës vjen duke u bërë gjithnjë e më morfologjik. Kurse drejtshkrimi i shqipes që në fillim ka qenë më shumë morfologjik a morfofonologjik sesa fonetik. Po cilat janë, në vija të trasha, propozimet e kësaj pale? Së pari, mosshkrimi i /ë/-së së patheksuar në rrokje të hapur; së dyti, mënjanimi pothuajse i plotë i grafemës . Propozimi për /ë/-në e patheksuar argumentohet me atë që në rrokje të hapur kjo zanore nuk shqiptohet. Por, sikundër jemi përpjekur të provojmë në një rast tjetër, ky është një konstatim i pambështetur nga të dhënat e eksperimentit, që niset nga shqiptime krahinore dhe përshtypje empirike. Studimet akustike, ndonëse të pakta, kanë treguar se kjo nuk është e vërtetë. Sa u përket pasojave që do të rridhnin nga mosshkrimi i /ë/-ve në rrokje të hapura, këto do të ishin të shumta dhe do të preknin si rrafshin fonetik, dhe rrafshin morfologjik. Ndërsa mosshkrimi i /ë/-së fundore, do të sillte një përmbysje në morfologjinë e shqipes. Propozimi tjetër për të shkruar /j/ në vend të /nj/ si formant i shumësit të emrave dhe të mbiemrave apo si bashkëtingëllore e temës, që niset gjithashtu nga shqiptime krahinore të kësaj foneme, sjell një revizionim të sistemit fonologjik dhe të alfabetit të vendosur në Kongresin e Manastirit, duke pakësuar numrin e fonemave dhe të grafemave. Një qëndrim të kundërt me përkrahësit e ndryshimeve të thella të drejtshkrimit, kanë ata që po i quajmë konservatorë dhe të moderuar. Sipas konservatorëve, drejtshkrimit të gjuhës shqipe mund t’i bëhen vetëm retushime e korrektime të lehta që lidhen me ndryshimin e sistemit shoqëror, si zëvendësimi i disa fjalëve e formulimeve, përditësimi i shembujve si dhe i rregullave për përdorimin e shkronjës së madhe. Një qëndrim të mesëm mban grupi i të moderuarve, i cili rishikimin e normës drejtshkrimore e sheh si një gjë të domosdoshme, për shkak se kanë kaluar 40 vjet që nga sanksionimi i saj. Por, ndryshe nga ata që kërkojnë ndryshime të thella të normave, ky grup nuk është për ndryshime radikale, po për përditësimin e drejtshkrimit, duke synuar zgjidhje sa më të thjeshta dhe sa më sistemore. Veçse përmirësimet të bëhen duke u mbështetur jo në intuitën dhe në të folme krahinore, po në vrojtimin e ligjërimit të folur për të parë mospërputhjet midis shkrimit e shqiptimit, si dhe të ligjërimit të shkruar për të thjeshtuar rregulla të ndërlikuara dhe për të mënjanuar vështirësitë e zbatimit të tyre. Çështja është se kush do ta bëjë këtë punë. Këshilli ndërakademik deri tani nuk ka mundur të prodhojë gjë dhe pak shpresa ka që edhe këshilli i riformatuar ta bëjë këtë në të ardhmen. Së pari, sepse ky këshill është ndërtuar si një grup i ngushtë njerëzish; së dyti, përjashtimi i njohësve të problemeve të drejtshkrimit e vë në dyshim punën e tij. Sepse kërkohet një njohje e thellë e kodeve normative, pa të cilën projekti, edhe sikur të hartohet, do të ketë shumë mangësira, që do ta bëjnë objekt kritikash pa fund dhe të papranueshëm për përdoruesit. Në një shoqëri të hapur, imponimi i zgjidhjeve është një praktikë e gabuar dhe e papranueshme që shpie në dështime. Një shembull i kësaj nga praktika europiane është dështimi i projektit të drejtshkrimit të çekishtes (1993), të cilin shumë revista, shtëpi botuese dhe Lidhja e Shkrimtarëve Çekë nuk e pranuan. Nga këto dështime të të tjerëve duhen nxjerrë mësime, në mënyrë që të hiqet dorë nga praktikat e privatizimit të problemeve të normës e të punës së mbyllur dhe të gjenden rrugë e forma demokratike pune.
Gjuha standarde është një organizëm i gjallë që kërkon kujdes të përhershëm dhe ndërhyrjet periodike në normat e saj për të pasqyruar këto ndryshime janë të domosdoshme. Por ndryshimet e normës nuk mund të jenë të shpeshta dhe, më kryesorja, të pambështetura në studime të thelluara përshkruese. Në kodet normative nuk mund të ndërhyhet me hanxharin e mishtarit, po me bisturinë e kirurgut, d.m.th. duke bërë ndryshime të vogla dhe vetëm në ato raste kur zgjidhje të caktuara nuk i kanë qëndruar kohës. Atëherë, ç’rrugë duhet ndjekur për të siguruar suksesin e ndërhyrjeve në kodet e gjuhës? Sikundër vënë në dukje specialistët e fushës, që planifikimi gjuhësor të jetë i suksesshëm, duhen ndjekur forma të tilla pune që sigurojnë një pjesëmarrje të gjerë, një qasje nga poshtë-lart ndaj problemit. Në dritën e kësaj këshille, që zbulon edhe shkakun e mossuksesit të deritanishëm të komisionit tonë ndërakademik, ne propozojmë si rrugë të vetme përfshirjen në këtë proces të të gjithë faktorëve relevantë. Në fazën e parë të kësaj pune, propozimet e bëra deri sot duhet të sistemohen në një projekt (një projekt i tillë është paraqitur tashmë në “Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe”, 2011) që do miratuar nga një komision mbarëkombëtar specialistësh, ku të përfaqësohen në nivel profesorësh e profesorësh të asociuar gjuhëtarët brenda dhe jashtë institucioneve që merren me shqipen. Pas përfundimit të kësaj faze, projekti duhet t’i paraqitet për miratim përfundimtar një konference mbarëkombëtare, me pjesëmarrjen në të, veç gjuhëtarëve anëtarë të komisionit mbarëkombëtar, edhe të konsumatorëve të mëdhenj të gjuhës: televizioneve kombëtare, shtëpive botuese me emër, si dhe lëvruesve më në zë të shqipes: shkrimtarëve, redaktorëve letrarë e publicistëve. Vetëm kështu ndryshimet e normës do të pranoheshin pa kundërshtime, do të bëheshin të detyrueshme dhe do të zbatoheshin nga të gjithë. Përndryshe, çdo propozim i këshillit ndërakademik ose i çdo organizmi tjetër të ngushtë për rishikim të normave të gjuhës do të ketë fatin e reformës çeke të drejtshkrimit.
Rami Memushaj, Gazeta Shqip, 2011-12-21