GREKJA SYKALTER DHE KALLARATASI KAÇURREL, TREGIM

GafurShameti-1 1Aty nga fund i shekullit të 19-të ndodhi një ngjarje e pazakontë që tronditi Kallaratin. Djaloshi 19-vjeçar, Hamiti, një buzëmbrëmje dimri, tentoi të përdhunonte roben greke, sykaltrën Helene. Gratë kallaratase, të alarmuara, çirrnin faqet duke mallkuar, ndërsa burrat nxitonin t’i bënin gjyqin mëkatarit.

Ai vit do të mbahej mend gjatë nga kallaratasit.Vera bëri aq e nxehtë sa u thanë burimet dhe në kodra e male plasën zjarre të papara dhe po të mos kish rënë një shi i rrërnbyeshëm, dëmet do të ishin katastrofike. Gjithçka përreth nxinte. Zjarret kishin lënë kudo gjurmët e tyre të mynxyrshme. Frika dhe ankthi kishin pushtuar fshatin nga fjalët e kobshme që qarkullonin. Thuhej se ky shekull do të mbyllej me kataklizmën. Pritej një tërmet i tmerrshëm që do të çante tokën e do të nxirrte ujë të zi.

Edhe dimri erdhi më i egër se vera. Bora që zgjati më shumë se një muaj, arriti trashësinë mbi gjysmë metër. Trarët e shtëpive kërcisnin nga mbipesha. Çdo ditë ngordhnin bagëti nga të pangrënit, ndërsa njerëzit strukeshin pranë oxhakut, duke përtypur misra të zier e duke iu lutur zotit t’i shpëtonte nga kjo fatkeqësi e tmerrshme.

Sapo kish mbaruar lufta ruso-turke me një përfundim fatkeq për Perandorinë Osmane. Ajo ish e detyruar të firmoste traktatin e paqes së Shën-Stefanit, ku Turqia do të hiqte dorë nga zotërimet e Ballkanit. Një pjesë e Shqipërisë lindore duhej t’i jepej Bullgarisë së sapokrijuar, ndërsa krahina verilindore dhe Kosova do t’i kalonin Serbisë. Greqisë iu shtua oreksi. Më 27 shkurt 1878 andartët grekë, të udhëhequr nga koloneli Pangallos dhe majori himarjot Spiro Milo, zbarkuan në Sarandë, midis Butrintit dhe fshatit Lëkurës, duke i pushtuar ato. Çetat vullnetare të jugut reaguan menjëherë në mbrojtje të atdheut. Përleshjet në Lëkurës zgjatën disa ditë dhe grekët, të mundur, u tërhoqën me turp, duke lenë pas qindra të vrarë e mjaft robër. Togeri grek I plagosur Spiridhon dhe ndihmësmjekja e bukur, Helenë, të zënë rob, u dërguan në Kallarat. Kallaratasit bujarë dhe humanë I mirëtrajtuan, I strehuan, në një konak të fisit Toçaj, duke iu siguruar fillimisht ushqim dhe më vonë I aktivizuan edhe në punëra të ndryshme.

Një mëngjes të acartë një ulërimë plasi në qendër të fshatit. Jehona e saj u përhap në mënyrë të kobshme. Ishte ulërima e një gruaje që lajmëronte një ngjarje të rëndë. Burra e gra të fshatit rendnin të alarmuar drejt vendit të ngjarjes. Në dhomën e madhe pranë oxhakut, shtrirë mbi një flokate, luftonte me vdekjen djali i vetëm i familjes, Hamiti, i nxirë në fytyrë e duke shkumuar nga goja, përpëlitej sa më majtas e djathtas. Të pranishmit rrinin të tulatur, gratë rënkonin nën zë. Dikush tha: -lëreni se po kalon lodrën e fëmijës. Kur ja në derë u shfaq duke gulçuar ndihmësmjekja greke, Helena. Sytë e saj ndeshën në fytyrën e nxirë të djaloshit. -Ka kapërcyer gjuhën mendoi ajo. U vërsul dhe ra mbi të, duke tentuar t’i hapte gojën. Në dhomë një heshtje varri. Helena rrëmbeu një lugë druri që ndodhej pranë oxhakut dhe më vështirësi ia futi në gojë, pastaj futi gishtërinjtë e hollë, kapi gjuhën dhe ia tërhoqi fort. Fytyra e djalit filloi të zbardhej. Një gëzim në fytyrat e të pranishme. Pastaj Helena ngjiti buzët e Hamitit dhe filloi ti bënte frymëmarrje. Gratë kthyen kokën mënjanë, duke u mbuluar me shami, ndërsa burrat vështronin njëri tjetrin të habitur. I sëmuri po merrte veten, filloi t’i shtohej frymëmarrja, hapi sytë, ndërsa Helena i lagte herë pas here buzët me një shami të lagur.

Jehona e kësaj ngjarje i kaloi kufijtë e Kallaratit. Atë e morën vesh kuçjotët, vranishtjotët, bolenasit e deri fshatrat pranë Vlorës: Armeni, Kanina, Dukati e të tjerë. Që nga ajo ditë në zemrën e Hamitit kish zenë vend grekja e bukur. Helena s’i kish mbushur ende 20 vjeçët. Vajzë e imët me flokë të zinj, me sy të kaltër e fytyrë të qeshur. Edhe Hamiti kish po atë moshë, i gjatë, i bëshëm, shpatullgjerë e flokëkaçurrel. Këndonte bukur dhe po bukur i binte dyjares. Që i vogël kulloste ato pak dhi që kishin, lart në korije, ndërsa verës në Gjonthanas. Prej asaj dite Helena kish bërë disa vizita në familjen e Hamitit. Prindërit e tij e prisnin me dashamirësi. Pleqësia e kish hequr nga punët e rëndomta. Fshatarët e thërrisnin sa herë që kishin raste sëmundjeje.

Hamiti kish ndryshuar shumë, ishte bërë nervoz, rrinte i vetmuar. Kalonte shpesh nga shtëpia ku kalonte Helena. Kthente vështrimin nga dritarja dhe kokulur largohej i menduar. Një buzëmbrëmje dimri ai fshehtas u fut me nxitim në dhomën e Helenës, qëndroi I stepur pranë saj, pastaj iu afrua, e kapi per beli dhe tentoi ta puthte. Helena reagoi duke lëshuar një britmë që jehoi në errësirën e natës. Britma u dëgjua në fshatin e vogël. Burra e gra rendën drejt vendit të ngjarjes. Djaloshi, i tronditur, u zhduk në errësirë, duke dëgjuar zërat e bashkëfshatarëve: Hamiti, Hamiti, ishte Hamiti. Në dhomë Helena qante me dënesë. Gratë, të alarmuara çirrnin faqet, ndërsa burrat shfrynin me tërsëllimë. Ishte një ngjarje që njolloste nderin e fshatit. Një ngjarje e padëgjuar në shekuj që duhej gjykuar e dënuar me ashpërsi. Të nesërmen fshati ziente, u rnblodh pleqësia për të dënuar mëkatarin. U shfaqën edhe mendime ekstreme, por më në fund u vendos që djaloshi, i cili kish turpëruar fshatin, të largohej fare prej tij.

Helena iu lut pleqësisë të mos merrej një vendim i tillë, por lutja e saj nuk u muar parasysh.

Hamiti shkoi nizam në ushtrinë osmane, ndërsa Helena pas disa javësh, e përcjellë me dashuri, u largua në atdheun e saj.

Hamiti nuk u kthye më. Disa thoshin se është vrarë në luftë, ndërsa të tjerët thoshin se ka shkuar në Greqi dhe është bashkuar me Helenën.

Gafur Shameti

Botuar në Gazetën Kallarati, Nr.43, Janar-Shkurt 2009

Next Post

Neshat Xhemil Tozaj, shkrimtar, publicist dhe skenarist i mirenjohur

Pre Maj 25 , 2012
U lind në Kallarat më 1 janar 1943. Ka kryer studimet për drejtësi në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike të Universitetit të Tiranës. Ka punuar si oficer në Sektorin e Ekspertizës Kriminalistike të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe për shumë vjet ka qenë përgjegjës i Laboratorit Qendror të Kriminalistikës. Shkrimtar, […]
NeshatTozaj