VETËVRASJA E QIRINJVE, POEZI

Atë ditë ndodhën ngjarje të mëdha
paparacët u shqyen anembanë,
po për vetëvrasjen më të madhe të shekullit
nuk folën as në gazeta, as në ekranë.

Qirinj të zakonshëm ishin,
prej dylli, prej parafine disa,
me një fill të hollë spangoje në mes,
të thjeshtë, të paçuditshëm ata.

Diçka si errësirë ndjenë përreth,
një rrëqethje njerëzore, drithëtirë,
ndaj i bënë komplotin e madh vetvetes
të gjithë unanimë.

Zbritën nga dollapët, sëndukët,
nga bufetë, sirtarët, kudo ishin,
– Boll duruam skutat e errëta,
vetëvrasjen shpallim botërisht.

Thonë u ndezën me shkrepëse,
gjithë natën e natës ndrinë,
në mëngjes fillrat e spangos tymonin,
mes njollash që më s’ishin qirinj.

Dhe i hodhën nëpër kosha me neveri,
nëpër plehra i zbrazën të gjitha.
Dikush tha – i vrau errësira,
dikush tjetër – drita.

Janar 2000

Next Post

OLIMPI, POEZI

Sht Maj 26 , 2012
Këtu te ky shesh rrinte Zeusi,biri i Kronosit dhe i Reas. Kur lindi,Kronosi, babai, deshi ta gëlltiste,por nëna, Rea, i dha një gur… dhe shpëtoi Zeusipa të s’do të kishte Olimp.Këto do t’i mësosh rrugës së gjatë,mes shkurreve e rrapeve që të çojnë atje.Rrugës nuk ka perëndesha Hera, Athina, Afrodhiti ndanë […]
Hiqmet Mecaj