OLIMPI, POEZI

Hiqmet Mecaj

Këtu te ky shesh rrinte Zeusi,
biri i Kronosit dhe i Reas. Kur lindi,
Kronosi, babai, deshi ta gëlltiste,
por nëna, Rea, i dha një gur… dhe shpëtoi Zeusi
pa të s’do të kishte Olimp.

Këto do t’i mësosh rrugës së gjatë,
mes shkurreve e rrapeve që të çojnë atje.
Rrugës nuk ka perëndesha Hera, Athina, Afrodhiti 
ndanë fshatrave të ftojnë në bujtina
me mish keci e recinë të bardhë.

Por nuk do të lodhesh, Olimpi është atje,
kanë mbetur ende mermerë të thyer,
kolona tërë myshk flasin po t’i kuptosh,
e ti nuk vete për ato, tjetër Olimp kërkon.

Kur të arrish, ke mbetur me një këpucë,
rrobat janë ndotur, kundërmojnë nga era,
rreth e rrotull kërkon – 
zhgënjimi nuk të tremb,
ke arritur diku, që dikur qe Olimp.
Të duken të shenjta gjethet e pemëve,
bari, ndonjë hardhuckë e harruar,
asgjë nuk të kujton kohën e titanëve…

…po Olimpi është aty. Ti e arrite Olimpin tënd
tani s’të vjen ta zbresësh,
e mbush vetë si të duash
me perëndi e perëndesha.

Nga çanta e vogël nxjerr sandviçin
dhe i fton në gosti.
Qenka e lodhshme të arrish në Olimp
edhe kur s’është atje Zeusi.

01.02.2000

Next Post

TE KRISTUA DHE TE VANGJELI, POEZI

Sht Maj 26 , 2012
Vangjeli shet armë. Kristua ilaçe,dyqanet përbri. (Irakliu i përshëndet çdo mëngjes “mirëmëngjesi”dhe çdo mbrëmje “mirëmbrëma”. Vesh gjithnjë kostum gri).Hyn vdekja te Vangjeli, porosit dy revolverë. Te Kristuaantibiotikë. Kanë xhiro të mirë. Nuk thërrasin si te tregu i mishit.Hyn vdekja prapë, kërkon plumba te Vangjeli. Te Kristua qetësues.Ngatërron dyert vdekja, kërkon thika te Kristua,te […]
Hiqmet Mecaj

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt