MË 14 – 15 GUSHT 2021 NË KALLARAT U ZHVILLUA ME SUKSES “TAKIMI I BREZAVE”.

Përgatiti: Besnik GJONBRATAJ

Fjalime, mbresa, përshtypje dhe refleksione nga ky takim.

SHOQATA KALLARATI FALENDERON GJITHË ATA INDIVIDË DHE SUBJEKTE QË BËNË TË MUNDUR ORGANIZIMIN DHE ZHVILLIMIN E TAKIMIT TË BREZAVE.

Një takim brezash e konceptuar dhe realizuar ndryshe nga herët e tjera, një takim dinjitoz brezash, falë organizimit, falë sponsorizuesve dhe mbi të gjithë falë pjesëmarrësve të shumtë, në veçanti të rinjëve, gjë tregon se dashuria për vendlindjen, dashuria për origjinën e të parëve nuk njeh kufi.

Ashtu siç ishte njoftuar para dy muajsh nëpërmjet rrjeteve sociale nga Kryesia e Shoqatës , në datat 14 & 15 gusht në Kallarat, në një atmosferë tepër festive u zhvillua me sukses “Takimi i Brezave”. Në këto dy ditë në sheshin para lapidarit, buçitën si asnjëherë tjetër këngët dhe vallet popullore, si dhe këngët labe.

Kryesia e Shoqatës Kallarati falënderon të gjithë pjesëmarrësit, banorët vendas, të ardhurit nga çdo qytet i Shqipërisë dhe emigrantë, në mënyrë të veçantë të rinjtë e të rejat, që e gjetën mundësinë dhe morën pjesë, biles edhe jashtë parashikimeve tona. Kjo tregon dhe shpreh dashurinë që kallaratasit kanë për vendlindjen dhe origjinën e të parëve të tyre, Kallaratin.

Falënderojmë banorët dhe pronarët e bizneseve private dhe të gjithë ata që u angazhuan për pritjen dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për takimin.

Një falënderim të veçantë atyre që bënë të mundur sponsorizonim dhe realizimin e këtij takimi, sidomos për koncertin e ditës së shtunë, vëllezërit  Arjanit e Hektor Rjepaj, Bako Xhaferaj etj.

Padyshim, falënderim ekstra u takon këngëtarëve  dhe orkestrantëve, prezantueses së takimit, të rinjve, të cilët nëpërmjet muzikës, këngëve dhe valleve popullore i dhanë këtij takimi ngjyrat dhe emocionet e një feste të rrallë.

MBRËMJA E SË SHTUNËS, NJË NATË E MAGJISHME PËR TË GJITHË.

Organizimi i takimit të brezave në mbrëmjen e të shtunës në sheshin para lapidarit, ku buçiti kënga popullore nën muzikën e orkestrës fierake në organo nga zoti Ernest HOXHA nga Mallakastra dhe në klarinetë nga zoti Alket SEITAJ nga Fieri dhe këngës labe, ishte padyshim zgjedhja më e bukur e grupit organizator, ku këngëtarit Gjergj Leskaj me emocione iu dha mundësia të këndojë para bashkëfshatarëve të tij, këngët e tij tashmë të njohura si: “Jam bir nga Labëria”; “Moj Eleni”; “Vashëzo moj Engjëllore”; “Bijtë e Shqipërisë”; “Do t’ia marrim këngës”; “Qengji i urtë pi dy nëna”;  “Vajzat e Hoxhës”; “Vetëm ti kërkomë”,  të kënduara prej tij live.

Këtij grupi iu bashkua fare mirë edhe këngëtari tjetër, i cili e ndezi edhe më tepër atmosferën e festës. Gjithashtu edhe grupi lab “Pavarësia”, pjesë e së cilit ishte edhe Andon Begaj, sjell nga Vangjel Ribaj e bënë edhe më tërheqëse këtë natë. Si asnjëherë tjetër në këtë shesh gjatë gjithë natës u këndua, u kërcye, por edhe u ngrit dollia, shoqëruar me mishin e pjekur sipas traditës.

Mbrëmja e të shtunës, përveç muzikës live, ishte e konceptuar sipas një skenari të veçantë, e ndërthurur me këngë të kënduara nga kallatatasit, të cilat u ndoqën të incizuar, nëpërmjet altoparlantit të fuqishëm të orkestrës.

Do të dëshironim – theksoi prezantuesja- që sonte mes nesh të ishte edhe Evgjeni Jonuzaj ose Gjena siç jemi mësuar ta thërrasim me këngën e saj “Djepi ynë burim floriri”, fituese në festivalin folklorik të Gjirokastrës. Por  pjesëmarrësit le ta ndjekin këngën e saj “Djepi ynë burim flori” të incizuar. Gjithashtu ju ftoj një duartrokitje për Gjenën e cila me siguri na ndjek nga Londra.

Kësaj mbrëmje, siç theksoi edhe prezantuesja, i mungonte edhe këngëtari Renato Hoxhaj, i cili kohët e fundit së bashku me Simon Leskaj kanë kënduar një këngë shumë të bukur, e cila është bërë hit “Kallarat o fshati ynë”,  këngë e cila ka lidhje me takimet e brezave, zhvilluara në Kallarat.

Në mungesë të tyre, kënga u ndoq e incizuar, dhe u dëgjua me emocione, sikur të ishte live. Me interes për lexuesit është edhe teksti i saj, mjaft i goditur, nga poeti i mirënjohur i Labërisë dhe miku i Kallaratit, i ndjeri Feti Brahimi.

Bogonica 1.1

Bogonicë o mali ynë

Me krye sipër te retë

Hape gjoksin, hape gjinë

Priti se po të vijnë djemtë

 

Që nga Roma në Athinë

Me adresë e pa adresë

Ikën në ditë të vështira

Tani kthehen mbushur shpresë.

 

Le të vijnë mirë se të vijnë

Le të jenë dhe tre mijë vetë

Atje te rrepet në brinjë

E di unë qysh do t’i pres.

 

Këtu ku kanë shtëpinë

Themelet me mijëra vjet

Këtu do të ngrenë dollinë

T’i urojmë jetë dhe shëndet.

 

Brezat tanë këtu u shtrinë

Dhanë gjak e mbollën jetë

Amanet lanë dashurinë

Lanë shpirtin e  sinqertë.

 

Kallarat o fshati i mirë

I mblodhe si nëna bletë

Kënga mori arratinë

Kënga labe testament”

Në vijim të koncertit të mbrëmjes së të shtunës, prezantuesja, Ajseda, vuri në dukje faktin se “Kallarati, ashtu si çdo fshat Labërisë ka patur grupin e vet artistik, trashëguar nga kohët më të hershme deri në ditët e sotme. Në gjysmëshekullin e dytë të shekullit XX, kënga kallaratase u përpunua artistikisht, duke u ngritur në një nivel më të lartë. Për këtë, një ndihmesë e meritë të veçantë ka dhënë biri i këtij fshati, mësuesi dhe mbledhësi i folklorit, Llambro Hysi. Për vlerat e tij, grupi mori pjesë në Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1983, duke u vlerësuar me çmime nga juria e festivalit. Gjithashtu mori pjesë edhe në festivale ndërkombëtare, si në atë të Kanës (Francë) në vitin 1989, duke konkurruar në mes të 50 grupeve folklorike.

Në vitin 1995  me nismën dhe realizimin e drejtpërdrejtë po të Llambros dhe sponsorizim të Birçe Ribaj u krijua grupi folklorik “Bogonica”, këngët e të cilit u filmuan në Televizionin Publik Shqiptar dhe sot i kemi si pasuri e rrallë si: “Hëna që del në Bogonicë”, “Luan ç’luan hënëza”, “Mëngjes për mëngjes”, “Një trimi”, “O bo bo djemtë mbi dete”, “Vjen lumi trubull o”, etj.

Për kënaqësinë e të pranishmëve u ndoq e incizuar kënga “Hëna që del në Bogonicë”, marrës Myzafer Laçaj, kthyes Zeqo Hoxhaj, kënduar nga grupi.

Një bir tjetër i shquar i Kallaratit, i njohur brenda e jashtë vendit, është padyshim Hyso Xhaferaj, këngëtar i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, i Grupit “Zadeja’, grupit “Antea”, Këngës Magjike dhe i shumë grupeve të tjera, që me zërin e veçantë të kthyesit me grykë, me të drejtë vlerësohet sot si një nga këngëtarët më virtuozë të këngës labe dhe asaj të përpunuar.

“Gur Xhevairi” do ta cilësonte Hyson, poeti i madh i Labërisë “Nderi i Kombit”, i ndjeri Lefter Çipa. Për arsye të angazhimeve të tij artistike jashtë vendit, pjesëmarrësit ndoqën të incizuar  “Këngën e Nënës”, kënduar nga Hyso Xhaferaj dhe “Mjeshtërja e Madhe” këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore, Irini Qirjako.

Ashtu si në gjithë Labërinë dhe më gjerë, kënga labe në Kallarat ka qenë dhe është pjesë e jetës. Ajo ka qenë dhe është e pranishme në çdo vatër të saj, në çdo rast gëzimi familjarë, dasmash, raste festash e përvjetorësh të ndryshëm, festivale takime të grupeve folklorike të zonës dhe më gjerë. Përveçse si grup, kënga labe, ashtu si në shumë zona të Labërisë edhe në Kallarat është kënduar edhe individualisht (monofoni) nga një njeri në raste gëzimi, lindjes së një fëmije, por edhe në momente kritike të jetës, të dëshpërimit apo të vuajtjes. Kënga shpesh u jepte atyre kurajë dhe shpresë për të ardhmen. Rasti i këngës së Zeqos dhe Evgjenisë e vërteton më së miri këtë fakt. Dhe pas këtyre fjslëve të prezantueses në sfond u dëgjua tashmë kënga e mirënjohur “Ç’u këput një këmbë mali”, fitues edhe ky në festivalin folklorik të Gjirokastrës.

Prania në këtë mbrëmje edhe e mjaft emigrantë kallaratas të cilët pas viteve 90-të ikën jashtë vendit për një jetë më të mirë dhe mundësi më shumë për fëmijët e tyre, e bëri edhe më tërheqëse këtë natë. Megjithëse larg Kallaratit, si në Greqi, Itali, Francë, Spanjë, Belgjikë, Angli e deri në Kanada e Amerikë, ata mendjen dhe shpirtin e kanë në vendlindje, në Kallarat.

Të gjithë të ardhurit në këtë takim, por edhe ata që nuk mundën të ishin u përshëndetën me këngën; “Vajtim për kurbetin”, kënduar nga Zeqo Hoxhaj, Evgjeni Jonuzaj dhe Vasil Sera, shoqëruar me fyell nga Vendim Kapaj.

E ndërsa ora ofron me mëngjesin, në shesh kërcehet, këndohet e pihen dollitë sipas zakonit, të cilët të kënaqur me përmbajtjen e kësaj nate me të vërtetë të veçantë, prezantuesja Ajsada duke falënderuar pjesëmarrësit, theksoi se, “Besoj se kënduam e kërcyem dhe kaluam një mbrëmje të veçantë dhe tani erdhi momenti dhe koha ta që këtë aktivitet ta mbyllim për sonte, pasi nesër në orën dhjetë do të jemi përsëri bashkë me pjesëmarrës edhe të tjerë që do të vinë nga rrethet, por edhe të ftuar.

NJË TELEFONATË NGA LONDRA.

Ndërsa koncerti ishte duke vijuar, grupit organizator i vjen një telefonatë nga larg. Mundohemi mes zhurmës të saktësojmë telefonuesin. Ajo  është Gjena nga Londra, e cila kërkon të përshëndes nga larg këtë takim. Midis të tjerash ajo theksoi “Të dashur bashkëfshatarët e mi të shtrenjtë! Të dashur anëtarë të shoqatës atdhetare e kulturore “Kallarati” që me aktivitetet që organizoni mbani të ndezur dashurinë tonë për vendlindjen, Kallaratin! Të dashur bashkëmoshatarë dhe kolegë këngëtar e këngëtare! Jam në dijeni të plotë të organizimit të kësaj nate të veçantë, aty në Morrëzen tonë të bukur, e cila sot dhe nesër pret në gjirin e saj bijtë dhe bijat e tij, ashtu siç di të presë nëna fëmijët e vetë. Do të kisha shumë dëshirë të isha sonte aty mes jush, të këndoja krah Gjergjit me të cilin jemi rritur dhe që këndon aq bukur. Të këndoja me Zeqon me të cilin veç të tjerash na lidh festivali folklorik i Gjirokastrës, i cili na bëri të njohur atë me këngën “Ç’u këputë një këmbë mali” dhe mua me këngën “Djepi ynë burim floriri”, dy këngë monofoni, të cilat na i dhuroi mësues Llambro Hysi, të cilit i jemi mirënjohës dhe nëse është aty pjesëmarrës e përshëndes në veçanti. Të këndoja me Hyson si dikur, por kësaj radhe ai si një artist i vërtetë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, që këndon aq bukur krah mjeshtrave të mëdhenj të këngës popullore Irini Qirjako etj. Të këndoja me Myzaferin, Andonin, Renaton, Simonin, Ladin e shumë të tjerë si dikur me grupin Bogonica. Të këndoja me të gjithë ju të pranishëm në atë shesh para lapidarit, se kënga labe nuk është pronë vetëm e jona por e të gjithë ju kallaratasve, të moshuar, të rinj e të reja, e gjithë Labërisë.

Do të kisha shumë dëshira për sonte, por për kohën e shkurtër dhe masat anti COVID, qe e pamundur. Ju siguroj se herë tjetër do jem pranë jush. Ftoj me këtë rast gjithë kolegët e mi këngëtar kallaratas, Hyson, Renaton, Simonin, Myzon, Andonin, mbi të gjithë Zeqon etj të bëjmë diçka “bio” për Kallaratin, pse jo një grup të përbashkët, sponsorit besoj nuk do të na mungojnë. Kallarati e meriton këtë.

Për kënaqësinë time dhe respektin ndaj gjithë juve të pranishëm aty, ju përshëndes nga Londra me melodinë e këngës time “Djepi ynë burim floriri”. Faleminderit! Thank You!

PËRSHËNDETJE E VEÇANTË E ARTISTIT TË POPULLIT, LUFTAR PAJO.

Artisti i Popullit, Luftar Pajo, edhe pse jo kallaratas, këtë mbrëmje u konsiderua pjesë e jona. I rritur mes miqsh kallaratas në qytetin e Fierit, së bashku me pjesëtar të fisit Strataj në Fier, ai me shumë dëshirë, jo vetëm mori pjesë në këtë takim, por nuk kishte si mos të dilte para mikrofonit dhe të bënte një përshëndetje të veçantë, siç di vetë ai. Pasi falënderoi për punën e bërë në organizimin e shkëlqyer të këtij takimi patriotik e kulturor, u ndal në vlerësimin e disa prej figurave më në zë të Kallaratit, të cilët e kanë bërë atë të njohur, brenda e jashtë vendit, ngriti një dolli për të gjithë banorët e Kallaratit, duke dhënë mesazhin “Mos e harroni fshatin”. Artistin, Luftar Paja, e falënderojmë për pjesëmarrjen e Tij dhe i urojmë jetë e shëndet, por edhe krijimtari, pasi arti nuk njeh moshë dhe koha e sotme ka nevojë edhe për kontributin e artistëve të këtij kalibri si Luftar Paja.

FESTA VAZHDON EDHE NË DATËN 15 GUSHT 2021

Ashtu siç ishte parashikuar, në ditën e dytë e dytë të takimit të brezave erdhën shumë bashkëfshatarë të tjerë nga qytete të ndryshme, pse jo edhe emigrantë, të cilët në orën 10:00 e mbushën sheshin para lapidarit si asnjëherë tjetër. Kishin ardhur të rinj, të reja, si dhe të moshuar, ku do të veçonim, zotin Seit Jonuzaj e Abaz Dautaj, të cilët me pjesëmarrjen e tyre në në një moshë të thyer, ngelen burim frymëzimi për brezat e rinj për ta dashur vendlindjen, e plot të tjerë edhe nga fshatrat fqinje.

Ceremonia filloi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe ngritjen e flamurit, vendosur në një shtizë enkas për këtë qëllim pranë lapidarit kushtuar dëshmorëve të luftës antifashiste nacionalçlirimtare të fshatit.

KRYETARI I KËSHILLIT TË FSHATIT, ZOTI HETEM RIBAJ URON MIRËSEARDHJEN.

Ndërmjet të tjerash në fjalën e tij, Hetemi u shpreh: “Në emër të gjithë banorëve të Kallaratit, si përfaqësuesi i tyre në këshillin e fshatit, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju uroj të gjithëve mirë se erdhët në këtë takim brezash! Mirë se erdhët në fshatin tuaj, ku u lindët, u rritët dhe u shkolluat, por që aktualisht mund të ndodheni me punë dhe banim anembanë atdheut! Mirë se erdhët, ju të rinj e të reja, që, edhe pse nuk keni lindur në këtë fshat, ndiheni krenarë që është fshati i prindërve, gjyshërve apo i stërgjyshërve tuaj! Mirë se erdhët, ju emigrantë kallaratas, që për arsye ekonomike dhe për një jetë më të mirë jetoni e punoni anembanë botës, ju që keni provuar dhe ndier më shumë se kushdo se sa e shtrenjtë është dashuria për vendlindjen! Mirë se erdhët ju që nuk jeni kallaratas, por që diçka shumë e shtrenjtë  shpirtërore  e miqësore ju lidhë me të.

Në këtë urim mirëseardhjeje, padyshim që falënderimi shkon për ftuarit, pjesëmarrjen e të cilëve e konsiderojmë vlerësim për fshatin tonë Kallaratin, e në mënyrë të veçantë për banorët që banojnë këtu. Nuk mund të lë pa falënderuar edhe të gjithë bashkëfshatarët e mi, me të cilët zgjohemi çdo mëngjes, punojmë, qajmë hallet dhe gëzojmë së bashku.

Faleminderit çdo biznesmeni kallaratas të këtushëm, por edhe të ardhur nga Vlora e Tirana për marrjen e masave për të pritur sot në gjirin tonë kaq shumë të ardhur. Në mënyrë të veçantë falënderojmë birin e këtij fshati, vëllezërit me aktivitet në Tiranë, zotërinjtë Aranit e Hektor Rjepaj për financimin dhe mbështetjen në realizimin e koncertit të mbrëmshëm dhe  zotin Bako Xhaferaj për krijimin e kësaj atmosfere festive jo vetëm në qendër të fshatit, por edhe në dy hyrjet e tij.

Mbrëmë, si asnjëherë tjetër buçiti kënga e vallja duke kaluar një natë të mrekullueshme, ku do të veçoja birin e këtij fshati, tashmë edhe këngëtar, Gjergj Leskaj dhe dy instrumentistët që e shoqëronin Ernest Hoxha dhe Alket Seitaj, si edhe gjithë ata që kënduan labçe sipas traditës tonë dhe e bënë këtë natë shumë të bukur.

U bënë vite, që nuk po mblidheshim në këtë mënyrë. Traditës së takimit të brezave, filluar në 2005, sikur po i largoheshim, por falë reduktimit të masave kufizuese ndaj pandemisë, të cilat prej gati dy vjetësh nuk na e krijonin këtë mundësi dhe mbi të gjitha përfundimi dhe asfaltimi i rrugës nga qeveria, bënë që të jemi të gjithë bashkë, mes njëri – tjetrit.

Uroj që edhe sot, edhe pse në kushtet e të nxehtit, së bashku, të kalojmë momente të bukura e të gëzueshme, duke gjetur si çdo herë tjetër mikpritjen dhe bujarinë kallaratase – përfundoi fjalën e tij – kryetari i fshatit, Hetem Ribaj.

KRYETARI I SHOQATËS KALLARATI, ZOTI KASTRIOT KARABOLLI PËRSHËNDETI TË PRANISHMIT NË TAKIMIN E BREZAVE.

Zoti Kastriot pasi falënderoi pjesëmarrësit në këtë takim brezash, u shpreh: “Është kënaqësi për mua si kryetar i shoqatës të jem këtu midis jush dhe t’iu përshëndes. Falënderoj gjithë ata kallaratas dhe jo kallaratas, por që janë të lidhur shpirtërisht me Kallaratin, burra dhe gra, të rinj e të reja që sot keni ardhur në këtë aktivitet të rëndësishëm të quajtur takim brezash.

Në intervistën e dhënë para dy muajsh për gazetën Kallarati, me të drejtë më shtrohej pyetja: “A do të kemi këtë vit takim brezash”, Kjo ishte një pyetje me vend, e cila më bëhej vazhdimisht në takime me bashkëfshatarët, në rrjete sociale dhe në telefonata të ndryshme. Përgjigja ime ishte, “Po do mblidhemi” dhe ja ku u mblodhëm. Ja ku jemi sërish bashkë, të ardhur pothuajse nga të gjitha vendet ku kallaratasit punojnë e jetojnë.

Ndryshe nga herët e tjera me kërkesën e shumë të rinjve këtë takim e organizuam në dy pjesë. Dje në mbrëmje kryesisht të rinjtë, por edhe të moshuar e kaluan natën nën tingujt e muzikës popullore dhe këngës labe pikërisht në këtë shesh, ku buçiti kënga dhe vallja si asnjëherë tjetër.

Zhvillimi i takimit të brezave është një traditë pothuajse e gjithë fshatrave të Labërisë dhe sidomos të Lumit të Vlorës. Ne këtë traditë për herë të parë ne si fshat e nisëm në vitin 2005, vijuam më 2007 e me radhë gati në çdo dy vjet. Takimet e fundit me pjesëmarrje të gjerë kanë qenë ai i vitit 2014 në kujtim të 100 vjetori të djegies së fshatit nga andardët grekë dhe 2016 me rastin e 100 vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe.

Nga 2016 po bëhen gati pesë vjet pa u mbledhur, për të cilën edhe unë si kryetar kam përgjegjësinë time morale. Po cilat kanë qenë arsyet? Mendoj se dy kanë qenë arsyet kryesore:

E para rruga e dëmtuar, e katandisur si mos më keq prej vitesh, e cila nuk të bënte të merrje mundimin për në Kallarat, as atyre që kishin arsye për të ardhur, pa le të tjerët për qejf. Më në fund kjo gangrenë për të gjithë ne pati një dritë jeshile. Asnjë nga qeveritë e mëparshme, edhe pse premtonin shumë duke shfrytëzuar edhe patriotizmin e një krahine të tërë, nuk qenë në gjendje ta ndërtonin këtë rrugë, u desh vetëm një kryeministër si Edi Rama dhe qeveria e tij që ta premtonte dhe realizonte brenda tre vjetësh ndërtimin e kësaj rruge sipas standardeve të kohës, rrugë e cila së shpejti do na lidhë me bregdetin, ashtu siç në fakt nga ka lidhur me Kurveleshin e Sipërm. Për këto arsye dhe larg çdo ngjyrimi politik duhet që të gjithë të mëdhenj të vegjël ta falënderojmë kryeministrin Rama dhe t’i japim  nga ky shesh një duartrokitje të fortë.

Nëse më përpara për të ardhur në Kallarat duheshin tre orë lodhje e rraskapitje, tani mjaftojnë 40 minuta për punë e qejf. E ku ka më mirë! Rruga veç të tjerash, sjell zhvillim, kulturë, mirëqenie, rruga është jetë. Nuk do jenë të paktë ata që do fillojnë investimet në turizëm, agrikulturë, vreshtari, blegtori etj në gjithë zonën, përfshi edhe Kallaratin me një pozitë gjeografike mjaft të veçantë.

Arsyeja e dytë, mendoj se ka qenë pandemia e shkaktuar nga COVID-19 dhe kufizimet e vendosura, një pjesë e së cilave vijojnë ende. Shumica prej nesh, përfshirë edhe mua, e kaluan me probleme të mëdha, prandaj personalisht ju falënderoj të gjithëve për mesazhet dhe telefonatat miqësore e shoqërore, të cilat në raste të tilla të inkurajojnë dhe të bëjnë optimist për jetën.

Por siç jeni në dijeni nga kjo sëmundje e pamëshirshme pati edhe humbje jete, duke përfshirë edhe kallaratas, ku gjej rastin t’u shpreh familjeve të tyre ngushëllimet në emër edhe të shoqatës. Në kujtim të gjithë bashkëfshatarëve tanë të ndarë nga jeta kohët e fundit nga sëmundjet e ndryshme, përfshirë edhe pandeminë COVID-19 Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.

Më tej kryetari në fjalën e tij se takimi i sotëm le të shërbejë edhe si një farë llogaridhënie e shoqatës, si dhe një moment i marrjes së përgjegjësive dhe detyrave për të ardhmen.

Gjatë këtyre viteve të veprimtarisë së saj, shoqata ka zhvilluar një sërë aktivitetesh me karakter historik, patriotik e kulturor. Ndër to do të veçonim organizimin dhe zhvillimin e takimit të brezave, përkujtimin e veprës së  dëshmorëve, bërjen e dy filmave dokumentar për Kallaratin; sjelljen e eshtrave të patriotit Miftar Aliu nga Selcka e Gjirokastrës në vendlindjen e tij në Kallarat; organizimin dhe zhvillimin e përkujtimit të 100 vjetorit të qëndresës së kallaratasve ndaj andardëve grekë më 1914; 100 vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe më 1916, propozimin për emërtimin e disa rrugëve në Vlorë me emra figurash të njohura nga Kallarati, të cilat sot janë bërë realitet; promovime librash me karakter historik e kulturor nga autorë kallaratas; hapja e një faqeje të veçantë interneti; propagandimi i veprimtarive të shoqatës në median e shkruar dhe elektronike për Kallaratin, etj.

Fill pas krijimit, shoqata krijoi edhe gazetën “Kallarati”, si përçuese të zërit të saj, e cila po bën 18 vjet nga botimi i numrit të parë të sajë. Gazeta ka qenë dhe mbetet një organ shtypi në dispozicion të të gjithë kallaratasve për bashkimin e tyre, për pasqyrimin në të nga secili të vlerave, ngjarjeve e fakteve historike, kulturore, arsimore, ekonomike, zakonore etj, të bëmave e veprave të figurave të shquara të fshatit tonë, të luftëtarëve dhe dëshmorëve të tij në të gjitha kohërat. Nisma e kohëve të fundit për të sponsorizuar çdo numër të saj nga individë të veçantë, jep garanci për vijimin e saj edhe në të ardhmen. Mendoj se është zgjidhja më e mirë që kemi bërë, por kjo na detyron të rrisim cilësinë e saj, të botohen shkrime më cilësore dhe të afrohen figura të njohura të fushave e profesioneve të ndryshme, të cilët Kallaratit nuk i mungojnë. Ndihemi krenar kur mësojmë për arritjet e shumë intelektualëve më në zë kallaratas brenda e jashtë vendit, kohët e fundit edhe të rinj, për shkrimet dhe daljet e tyre në media, të cilët nuk përfaqësojnë më vetëm Kallaratin, por Shqipërinë.

Por jemi të ndërgjegjshëm se gjatë aktivitetit të shoqatës ka edhe detyra ende të parealizuara ku do të përmendim: mosbërjen e përpjekjeve për realizimin e idesë së hedhur, atë të mundësisë së shpalljes së Fshatit të Djegur “Fshat Muze”; mosngritjen e një grupi artistik të fshatit, ndonëse në mënyrë spontane, kemi një lëvizje në këtë drejtim të disa të rinjve me banim në Kallarat; moskrijimin e një database, sipas degëve në rrethe me qëllim evidentimin e gjithë kallaratasve brenda e jashtë vendit, detyra këto që duhet të realizohen patjetër në vijim të punës tonë të përbashkët në të ardhmen.

Tashmë pas viteve 90-të, kallaratasit i gjen në çdo cep të Shqipërisë dhe anembanë botës. Megjithatë, sa më shumë largohen vitet që janë larguar nga fshati, aq më tepër është rritur dashuria dhe malli për Kallaratin dhe dëshira e kurioziteti i tyre është të dinë sa më shumë për Kallaratin. Për të bërë të mundur një gjë të tillë në ndihmë të tyre vjen edhe uebsajti Kallarati.com, i hapur për të gjithë, në të cilin janë hedhur mjaft materiale që flasin për prejardhjen dhe historinë e Kallaratit, materiale me karakter patriotik e kulturor dhe një sëre rubrikash për sportin, arsimin për figura të shquara kallaratase e më gjerë.

Në mënyrë të veçantë sot, si urë komunikimi të shpejtë midis bashkëfshatarëve kudo që ndodhen, shërben rrjeti social i feisbukut të shoqatës, i cili tashmë nuk është më pronë vetëm e të rinjve, por edhe më të moshuarve.

Për vitin 2021 e në vazhdim  parësore për shoqatën do të jenë: Përfundimi i historikut të fshatit; përkujtimi i ngjarjeve historike të fshatit; përkujtimi i përvjetorëve të rënies së dëshmorëve; përkujtimi i figurave të shquara në periudha të ndryshme të historisë; përsosja e mëtejshme e përmbajtjes së botimit të gazetës Kallarati; zhvillimi i takimit të brezave; festimi i festave të Flamurit dhe të Çlirimit, etj.

Dy fjalë për mbështetjen financiare të shoqatës.

Në fakt kjo është pika më e dobët. Kuptohet që çdo aktivitet sado i thjeshtë apo i vogël ka nevojë për mbështetje financiare. Në statusin e shoqatës është theksuar që burimet financiare të shoqatës do të përbehen nga kuotizacioni i anëtarëve në masën 1.000 lekë në vit, nga sponsorizimet e personave që kanë aktivitet biznesi dhe personave të tjerë dashamirës që kanë mundësi financimi. Për t’u krijuar mundësinë çdo kallaratasi që e ka dëshirën dhe mundësinë për të kontribuar, si shoqatë çelëm numër llogarie bankare në lekë, euro dhe dollarë. Të ardhurat që janë siguruar janë përdorur nga Kryesia e Shoqatës për botimin e gazetës “Kallarati”, për zhvillimin e veprimtarive të ndryshme historike dhe kulturore të fshatit tonë, duke bërë në çdo kohë transparencën e përdorimit të tyre.

Duke falënderuar gjithë ata individë kallaratas që kanë ndihmuar shoqatën financiarisht dhe në të mira materiale në vite, si: Aranit Rjepaj, Selman Memushaj, Ylli Shakaj, Shkëlqim Leskaj, Andon Leskaj, i ndjeri Idajet Toçaj, Selam Jonuzaj, Lavdosh Jonuzaj, Miri Ribaj, Xhevdet Demiraj, Bako Xhaferaj, Skënder Jonuzaj dhe blegtorët e fshatit Hekuran Ribaj, i ndjeri Sami Davaci, Muhedin Qejvanaj, Blerim Xhaferaj, Ladi Kondi, Lame Shakaj, etj, shfrytëzoj rastin nëpërmjet këtij takimi t’u bëjë thirrje gjithë atyre që kanë mundësi financiare, të kontribuojnë në këtë drejtim. Çdo qindarkë e dhënë nga secili do të ishte një ndihmë e madhe për mirëfunksionimin e shoqatës dhe kryerjen me nder të misionit që i është ngarkuar që me themelimin e saj.

Ndërsa për Takimin e Brezave të kësaj radhe falënderim të veçantë për financimin e aktivitetit kulturor i takon biznesmenit kallaratas me aktivitet në Tiranë, zotit Aranit e Hektor Rjepaj, si dhe z. Bako Xhaferaj, të cilët së bashku, por edhe të tjerë për krijimin e ambientit festiv kaq të bukur në qendër të fshatit.

Duke përfunduar fjalën time, dëshiroj të përcjell te të gjithë bashkëfshatarët e mi kallaratas dhe jo vetëm mesazhin: “Qëndroni të bashkuar rreth shoqatës tonë, si i vetmi organizim shoqëror i  paanshëm! Duajeni vendlindjen Kallaratin dhe vendin e origjinës të të parëve Tuaj! Kudo që të shkoni quajeni veten  kallaratas dhe shqiptar! Kudo dhe kurdoherë ju shoqëroftë motoja jonë: “Ec ngado, por Kallaratin mos e harro!– përfundoi fjalën e tij kryetari i shoqatës.

NË DITËN E TAKIMIT TË BREZAVE, NASIP TOZAJ FESTON 85 – VJETORIN E LINDJES NË KALLARAT.

Ditëlindje e veçantë. Në ditën e Takimit të Brezave në Kallarat, Nasip Tozaj festoi në mes familjarëve, miqve dhe të afërmve, 85 vjetorin e lindjes, pikërisht në Kallarat, aty ku u lind dhe u rrit. Kryesia e Shoqatës Kallarati dhe të gjithë të pranishmit në këtë takim, i uruan Nasipit “Jetë sa më të gjatë e të lumtur”! Vlerësim e Mirënjohje për kontributin e tij ndaj vendlindjes dhe shoqatës!

DY FJALË PËR AJSEDA KAME HYSAJ, PREZANTUESJA E TAKIMIT TË BREZAVE NË KALLARAT.

Nëse prezantimin e aktivitetit me rastin e 100 vjetorit të qëndresës së Kallaratit nga andardët grekë në vitin 2014 do ta bënte Gerta Demiraj dhe atë të 100 vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe në Kallarat në vitin 2016, Anxhela  Hysaj, takimin e sivjetëm të brezave e bëri një tjetër vajzë kallaratase, Ajseda Hysaj një vajzë e thjeshtë, simpatike, nxënëse e shkëlqyer e vitit të dytë në shkollën e Mesme të Vranishtit.

Ajseda ishte prezantuesja e “Takimit të Brezave” në Kallarat më 14 &15 gusht 2021, e cila me dashamirësi iu përgjigj kërkesës tonë për të qenë pikërisht ajo prezantuesja e takimit. Si përherë të parë, duke sfiduar edhe emocionet në raste të tilla, Ajseda me zërin e saj të ëmbël e të qartë bëri një prezantim dinjitoz, duke rritur vlerat e takimit. Si çdo fëmijë e nxënës i kësaj moshe edhe Ajseda ka ëndrrat e saj për jetën dhe sidomos për profesionin që do të zgjedhë në të ardhmen. E pse Ajseda të mos i përkushtohet në të ardhmen profesionit të bukur të artit! Mbase ky angazhim, jo krejt i rastësishëm, por i rekomanduar nga një profesioniste e mësimdhënies, pikërisht nga mësuesja e talentuar, Violeta Xhaferaj, do t’i shërbejë Ajsedës për zgjimin e ëndrrave në këtë fushë të bukur, duke u bërë një aktore, apo gazetare e mirë! Duke e falënderuar Ajsedën për angazhimin e saj në këtë takim brezash, i urojmë suksese në rrugën e saj të dijes!

MENDIME E REFLEKTIME PËR ORGANIZIMIN E ARDHSHËM TË TAKIMIT TË BREZAVE.

Takimi i brezave për këtë vit u mbyll me sukses. Po çfarë mësimesh dhe përvoje nxjerrim për ti patur parasysh në takimet e ardhshme?

Takimi i brezave për këtë vit, u ideua dhe u realizua me sukses, falë organizimit, sponsorizuesve dhe mbi të gjitha pjesëmarrësve. Këtij takimi nëpërmjet fb iu bë jehonë para dhe sidomos pas përfundimit. Komentet dhe mendimet e shprehura në rrjetet sociale nga komentuesit e shumtë është se kësaj radhe u krijua një eksperiencë e mirë, sidomos me programin e mbrëmjes së ditës së shtunë, cila duhet shfrytëzuar dhe përsosur më tej në vitet në vazhdim. Duke marrë në konsideratë mangësitë e vërejtura, por edhe ndonjë eksperiencë e mirë nga fshatrat fqinj, bashkërisht duhet të vendosim për disa gjëra si:

Të  përcaktohet përfundimisht nëse takimi i brezave duhet organizuar çdo vit, apo në çdo dy vjet.

Të përcaktohet që në fillim të vitit data e zhvillimit me qëllim që gjithsecili të planifikojë lejen vjetore, sidomos emigrantët jashtë vendit.

Takimi i brezave të zhvillohet vetëm një ditë në mbrëmje, ditë e shtunë, mezi i gushtit.

Të krijohet komisioni drejtues i festës me përfaqësues nga Këshilli i fshatit dhe organizata të tjera në fshat, përfaqësues nga Kryesia e Shoqatës, përfaqësues nga degët në rrethe dhe të emigrantëve jashtë vendit, përfaqësues të biznesmenëve, etj.

Të hartohet një program gjithëpërfshirës, duke patur parasysh pritjen, ndriçimin, zbukurimin e ambientit,  programin artistik, mbështetjen logjistike nga subjektet private, etj.

Të llogaritet kostoja e përgjithshme financiare dhe me zëra, si dhe rrugët e sigurimit të tyre.

Të bëhet thirrje në rrjetet e sociale e takime të drejtpërdrejta me biznesmen të ndryshëm kallaratas brenda e jashtë vendit për dhënie kontributi financiar ose material.

Propagandimi në media e rrjete sociale para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktivitetit.

MIRË U TAKOFSHIM NË TAKIME TË TJERA EDHE MË TË BUKURA.

 

Posted in I pakategorizuar

Besnik Gjonbrataj

Next Post

Gazeta Kallarati 102

Sht Tet 30 , 2021