ME NDERIM E MIRËNJOHJE KUJTOJMË BLEGTORËT E KALLARATIT NDËR VITE

 

 

 

 

                                                             

Nga Namaz TOZAJ

(Botuar në numrin 77-të të gazetës Kallarati, shtator – tetor 2014)

Ishte tetori i vitit 1958, kur më thirrën në zyrën e kooperativës në Morrez. Atje ndodhej kryetari, Salo Mataj dhe brigadieri i blegtorisë, Tafil Ribaj. Pasi më folën për rëndësinë që kishte blegtoria, më thane se nesër duhej të dilja në mal si ndihmës çoban ose ekonomat për të bërë bukën e çobanëve dhe qullin e qenve.

Të nesërmen mora 12 kg. miell misri, një shark dhe u nisa. Malit binte një shi i butë i përzier me borë. Aty nga dreka dola në Val. Kur mbërrita, gjeta në stan Luto Demirajn, i cili, pasi më mbrojti nga qentë, vajtëm në kasolle, ku u ngroha dhe thava rrobat që më ishin ngjitur për trupi nga shiu. Në darkë erdhën dhentë bashkë me çobanët Maman Boçaj e Hasan Jonuzaj, të cilët edhe ata ishin njomur nga shiu. Tufa kishte çobanë Mamanin, Hasanin, Gani Stratajn dhe Rizo Xhaferajn. Luton e hoqën andej dhe në vend të tij sollën Barjam Goxhajn që kishte qenë me shterpa me Qerim Rjepajn.

Ishin ditë të vështira për bukë se 12 kg miell nuk na dilte për një muaj. As rroba për t`u mbrojtur nga shiu nuk kishim. Sharkun kishim për ditën e për natën. Ata burra që ndodheshin atje, ishin të zotë e malit dhe kishin dhentë që kishin dorëzuar vetë në kooperativë. Ishin fjalëmbël dhe edukatorë të mirë, për të cilët do ndalem më poshtë.

Maman Boëaj. Xha Mamani ishte një çoban i përkryer. Ai nuk dinte t`u fliste fort dhëne, por me një vërshëllimë të ëmbël futej nëpër to dhe ato nuk i trembeshin fare. Neve që ishim fëmijë para tij, na tregonte histori për jetën e çobanit, si dhe për çobanët kallaratas, me të cilët kishte kullotur malet një jetë të tërë. Na tregonte kufijtë e maleve me të tjerë fshatra që kishim në kufi e shumë histori të tjera të jetës që kish kaluar. Xha Mamani na tregonte edhe si kishte kaluar operacionin gjerman të dimrit në kohën e luftës, kur ai ndodhej me dhënë në meratë e Seit Isufit (Dautaj) në Hysoverdh dhe për dëmtim bagëtish që kish pasur nga lufta. Në dhjetor vajtëm në Hysoverdh me dhëntë. Xha Mamani qendroi në fshat dhe në vend të tij erdhi Barjam Goxhaj.

Hasan Jonuzaj ishte njeri fjalëpakë, nurzi në pamjen e parë, nuk qeshte kurrë, por ishte i tepër i dashur dhe ne të rinjve na fliste, na jepte porosi, të mos njomeshim se ftoheshim e sëmureshim, por kishte zakon që dhëntë i mbante pa grezhë që ato të hapeshin natën e të kullosnin. Ore, do na i hajë ujku, i thoshim ne, jo kështu. Ai na përgjigjej ashpër:  “Të kullosin, pa ujku po erdhi, do hajë një, të tjerat do shëndoshen”.

Bogonica 1.1

Ai nuk ruhej nga shiu e ftoma, atij i mjaftonte të kishte dhëntë të shëndosha. Ishte njeriu që kishte shumë fëmijë dhe po t`i gjëje momentin për bisedë, të thoshte se fëmijëve duhet t`u jap shkollë, të mos mbeten si unë pa shkollë. Edhe çobanët duhet të kenë shkollë, thoshte ai, se me shkollë do bëjnë punë më të mirë dhe do kenë më shumë të ardhura. Dhe vërtetë fëmijëve u dha shkollë, u bënë agronomë, ekonomistë, inxhinierë, infermierë etj, të cilët, jo vetëm nderuan veten kudo që punuan, por dhe xha Hasani u ndie i lumtur dhe i respektuar nga djemtë e nuset, nipërit e mbesat deri në fund të jetës së tij dhe u përcoll me të gjitha nderimet kur u nda nga jeta, nga të gjithë

Rizo Xhaferaj. Xha Rizua, edhe sot që jam 71 vjeç nuk e gjej dot çfarë burri ishte, pse nuk foli një herë me inat, por gjithmonë me humor të hollë e plot respekt dhe dashuri me shokët, të moshuarit, dhe veçanërisht me ne që ishim fëmijë. Ai na këshillonte që të dilnim në jetë të edukuar, të pa mërzitur me punën, ta donim punën se nga ajo merrnim jo vetëm të mirat materiale, por edhe përvojën që në jetë do të na duhej shumë.

Gani Strataj ishte çoban shumë i mirë dhe i respektuar nga të gjithë. Tregonte se në këto male kishin kaluar të mirë e të keqe me fukarallëk dhe familje e madhe. Ai në familje kishte edhe kunatën me dy fëmijë se vëllai i tij, kapiten Ferik Strati, sot dëshmor i atdheut, u vra në luftë me ushtrinë monarkofashiste greke gjatë provokacioneve të gushtit 1949 të ndërmarra nga ana e Greqisë kundër vendit tonë. Në këto kushte ishin shumë shtrënguar nga ekonomia, sepse kooperativa ndante shumë pak lekë, fillimisht 7 lekë për ditë pune dhe pastaj, gradualisht erdhi duke u rritur vlera për ditë pune. Ganiu kishte një logjikë shumë të fortë. Ishte pa shkollë, por ishte absolut në njohjen e brezave të familjeve. Për këdo që ta pyesje, ai të shpjegonte me përgjegjësi shumë saktë, sikur t`i kishte të shkruara. Këtë veti nuk e kishin të gjithë, madje edhe ata që kishin shkollë. Ndiej keqardhje që, si i ri që isha, nuk mbajta asnjë shënim prej tij.

Barjam Goxhaj. E gjithë jeta e tij çoban. Gjatë kohës private, ai dhëntë i kishte përzier me të kunatin, Isuf Beqon nga Vranishti dhe për verim i shpinin në mal të Vranishtit, ndërsa përdimërim i shpinin në Mavrovë. Me ato Barjami mbante familjen. Me krijimin e kooperativës, i dorëzoi dhentë, duke i bashkuar me shokët, por pa e hequr kërrabën nga dora duke mbetur çoban edhe në ekonominë kolektive. Me atë punë ai rriti fëmijët, duke i edukuar me atë shkollë që mundi t`u jepte. Këta fëmijë u bënë të vlefshëm për familjen dhe për shoqërinë, punëtorë të mirë e të dashur që gëzojnë respekt të madh. Barjami vetë mbeti i nderuar e i respektuar deri në fund të jetës.

Nënë Duzja në mal. Ishte korriku i vitit 1960, kur ne kishim një konflikt kufiri me çobanët e Vranishtit. Për ta mbyllur sherrin, dolën në mal nga pala jonë nënë Duzja, nënkryetari i kooperativës për blegtorinë, Tafil Boro, brigadieri i blegtorisë, Muslli Ribaj, Maman Boçaj, plak dhe njohës i mirë i kufirit, Qerim Rjepaj, Barjam Goxhaj, Rizo Xhaferaj, bari dhe anëtar i kryesisë së kooperativës e shumë çobanë të tjerë.

Nga pala e Vranishtit ishin: Alush Majko, kryetar i kooperativës së Vranishtit, Hamet Kanani, çoban i vjetër, Ali Sheko, çoban, Çerçiz Veliu, çoban e të tjerë si puna ime që dëgjoja debatet. Pala e Vranishtit kërkonte Thanët dhe Lëmin e Qafave, që pas shumë debatesh deri në ofendime, nënë Duzja tha: “More djem, u keqen nëna, Kallarati ka male me bollëk dhe Vranishti është gjitoni ynë, prandaj, unë them që Thanët t`i kullosin ata se jemi vëllezër me njëri-tjetrin”. Por qe i menjëhershëm reagimi i Mamanit dhe i Qerimit. Ai ka qenë ndër shekuj mal i Kallaratit dhe i familjes Davacaj, thanë ata, pse ta marrë Vranishti?

Por kjo u vendos në të mirë të Vranishtit dhe Mamani e Qerimi nuk qëndruan për drekën që u shtrua në stanin tonë në Val të Mesëm.

Këto kujtime mendova t`i hidhja në letër për gazetën “Kallarati”. Unë kam shumë kujtime nga jeta e blegtorëve dhe kam shumë respekt, jo vetëm për ata burra që nuk jetojnë më, ndjesë paçin, por edhe për të tjerët që u bënë çobanë që djem të rinj e vazhduan derisa u prish kooperativa, si Bejkush Laçaj, Sami Davacaj, Neki e Refat Rjepaj, Shyqo Laçaj, Muhedin Qejvanaj, Lufter Laçaj, Myzafer Qejvanaj, Jaho Kondaj, Hamet Shakaj, Dino Boçaj, Brahim Goxhaj, Lavdi Hoxhaj e shumë të tjerë, që me vështirësi e shpesh larg familjeve, punuan me përkushtim.

 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

A DUHEN KUJTUAR E VLERËSUAR DËSHMORËT E KALLARATIT?

Sht Jan 22 , 2022
Ndokujt mund t’i duket i çuditshëm ky titull. A mund të vihet në diskutim vlerësimi dhe kujtimi i veprës sublime të dëshmorëve? Sigurisht që jo, por për t’i dhënë kuptim më të plotë kësaj pyetje, le të njihemi me marerialin e mëposhtëm. Ashtu si edhe vite më parë në faqet […]