Nga Besnik Gjonbrataj
Gjatë vizitës që kryeministri i Republikës së Shqipërisë zoti Edi Rama bëri në Otranto, më 3 shtator 2021, me rastin e 30 vjetorit të eksodit shqiptar në Itali dhe përurimit të skulpturës “Kateri i Radës”, ashtu si shumë emigrantë shqiptarë që patën mundësi të shihnin e takonin kryeministrin e tyre, edhe Agimi e pati një fat të tillë, jo vetëm ta takonte së bashku me bashkëshorten Dushin, por t’i dhuronte atij një punim artistik, bërë me dorën e tij, dhuratë e cila u prit me mjft kënaqësi nga kryeministri. Kjo dhuratë simbolike për kryeministrin, aq më tepër një artisti të kësaj fushe, nuk erdhi ashtu fare rastësisht, pasi Agimi ka vite që e ushtron këtë zanat me mjaft pasion e dëshirë, pasion që fillest e tij i ka që në vogëli në vendlindjen e tij në Kallarat.
Në vitin 1993, për arsye ekonomike Agimi emigroi në Leçe të Italisë. Aty iu përkushtua punimit artistik të gurit, duke tërhequr vëmendjen e biznesmenëve dhe të njerëzve të kulturës dhe të artit italian. Punimet e tij i ka ekspozuar në panaire në Vlorë e Tiranë, duke u nderuar edhe me diplomë të veçantë. Ndër punimet e tij janë oxhaqe guri e tavolina për dhoma pritjeje në variantin “Barroko Leçe”, kolona “Kapitelo”, harqe, veshje, stilizime të skulpturës dhe skulpturë realiste, orë muri e tavoline etj. Ndoshta, dikujt që nuk e di, do t’i duket pak si e pabesueshme që punime të tilla guri të bëra me duart e tij të arta të jenë sot jo vetëm në shumë shtete të Evropës si në Angli, Francë Zvicër, Belgjikë, Austri e patjetër edhe në Itali, por edhe në Amerikën e Japoninë e largët. Një fakt i tillë duhet të bëje krenar jo vetëm Agimin si autor të tyre, por edhe çdo bashkëfshatar të tij kallaratas. Nuk është e lehtë sot që të çash në art, e aq më tepër në një vend të huaj si në Itali ku është Agimi dhe këtë ai e ka arritur me plot mundim, sakrificë e mbi të gjitha me karakterin e tij të fortë e pasionin e pashëmbulltë që ka.
“Pavarësisht nga arsimi e puna që kam bërë – tregon Agimi – pasioni im ka qënë dhe mbetet vizatimi, piktura e sidomos puna artizanale e gdhendjes në dru ose gurë “. Fillimet e këtij pasioni të tij janë që në vogëli, me zhgarravitjet e vizatimet me copërat e gjyleve të mbetura nga lufta në shtufet e Grykës së Hite apo në Qafën e Dërrasës, në punimet artistike me dru të bëra gjatë kohës që punoi e banoi në qytetin e Vlorës e deri tek punimet e fundit prej guri në Itali, që mendoj se përbëjnë edhe shkallën më të lartë të pjekurisë së tij si një artist i vërtetë.
Me vajtjen në Itali – tregon Agimi – për pak kohë fillova punë në një lokal, por e pashë që nuk ishte punë për mua dhe shumë shpejt i kërkova pronarit që të largohesha duke i thënë jo se s’më pëlqen puna e trajtimi juaj, por unë dua një punë tjetër ku të gjej më mirë vetveten. Në këtë mënyrë u largova nga ai vend pune, në kërkim të ndonjë vendi të ri. Duke bërë muhabet me disa çuna e duke ju treguar atyre për punimet me dru që kasha bërë në Vlorë, më afruan një punë të punimit me gurë. Për t’u siguruar në atë që unë ju thashë, më vunë si kusht që të punoja diçka në një lloj guri që gjendet në Leçe. Kur ta mbarosh mbas disa ditësh na e trego – më thanë. Të nesërmen që erdhën ju thashë që e kam mbaruar. Ata u habitën dhe më thanë: “Ti duhet të punosh vetëm në punim guri dhe në asnjë vend tjetër”. Kështu fillova punë në këtë lloj zanati të punimit të gurit, ku dalëngadalë me pasion dhe ndihmesën edhe të një profesori italian arrita të bëj punime me mjaft vlerë e të pëlqyeshme. Mbas disa kohësh Agimi rastësisht takon ish pronarin e lokalit dhe duke pirë kafe me ironi ai i thotë: “A e gjetët punën tuaj“. Agimi me modesti i pergjigjet: “Po e gjeta. Në shtëpinë tuaj ju tashmë kini mendjen dhe dorën time”. Nëpërmjet asaj bisede ai mësoi se punimet zbukuruese prej guri që ai kishte blerë për vilën e tij në një firmë private ishin të punuara pikërishtë nga dora e Agimit. I habitur në një farë mënyre por edhe i kënaqur për këtë fakt, kërkoi bashkëpunim në të ardhmen për punime të tjera të këtij lloji. Dhe kështu dalëngadalë me punimet e tij Agimi filloi të behej i njohur në Itali, ku siç shprehet ai “Erdhi koha që jo vetëm unë të kërkoj punë, por edhe të tjerët të kërkojnë duart e mia”. Siç theksuam më lart punimet e tij tashmë janë të shitura e të njohura në Itali e më gjerë. Veç të tjerave koka e një obelisku në Kanoza të Barit, pllakata e kishës së Padri Volontarit në Manduria të Tarantos, etj punime përmbajnë nënshkrimin e tij, mbasi shumë nga punimet e tjera të punuara nga dora e tij janë nën emrin e firmës ku punon. Por me dëshirën për të bërë diçka edhe për Kallaratin më 2014, me rastin e 100 vjetorit të qëndresës së Kallaratit ndaj andardëve grekë, Agimi bëri si dhuratë punimin e një pllake guri me mbishkrimin “Kallarat, Kuç e Bolenë, në lum’ e zunë dyfeknë”, të cilën e vendosi në Koprift, punim i cili simbolizon qëndresën e këtyre fshatrave ndaj reformave të Tanzimatit.
Nuk jam skulptor dhe nuk kam bërë ndonjë shkollë artesh – tregon me modesti Agimi – por duke punuar kam arritur të perfeksionohem dhe të kem sukses në punën time. Kur fillova këtë punë një profesor pikture, që më bëri dhe shumë publicitet, më thoshte: “Në çdo punë që bën duhet të vësh emrin ashtu siç e vë unë në punët e mia”. Unë i përgjigjesha “Profesor unë nuk kam ardhur në Itali për emër por për të zgjidhur problemet ekonomike”. Ai tregonte që emri është me shumë rëndësi sepse punët e gurit mbeten dhe në këto punë mund të vë emrin ndonjë tjetër pa merituar… Problemi i emrit vazhdoi të mbetej ashtu siç më thoshte profesori sepse unë duke punuar në ndërmarje nuk mund të shkruaja emrin tim, përvecse kur e kërkonte vet klienti. Në shumë nga punët e mia që kam bërë i pavarur nga ndërmarja unë kam shkruar emrin që më rakomandonte profesori, ndërkohë në shumë ora në formë porte me hark të një tempulli kam shkruar emra shqipëtarë si: Dodona, Teuta, Lisus, Rosafa, Kanina, Tepelena, Bylis etj.
Nga punët e bëra që janë të ekspozuara janë: Kapitelua i Obeliskut në Canosa (BA), basorilievi i kishës Baballarët Vullnetarë (l Padri Volontari) në Manduria (TA). Një sallon në Londër të cilin nuk e di çfarë emri ka, ku kam bërë një gjarpër 8 m dhe shumë gjëra të tjera për të cilat më kanë mbetur vetëm fotografitë. Në Otranto ka basorilieve e shkrime dhe në provincën e Lecces punime që janë të ekspozuara, por nuk janë publike. Për sa i përket vëndeve jashtë Italisë, në ShBA në një qëndër tregëtare kam bërë kapitelo, në Zvicër, në Belgjikë punime për privatë si dhe në Japoni një delfin që nuk di ku ka pëfunduar.
Agimi duke jetuar në Itali prej shumë vitesh, aktivitetin e tij artistik, patjetër edhe ekonomik, e ka atje, por ai pohon se ka patur oferta pune edhe në Shqipëri, të cilat nuk i ka refuzuar dhe kështu do vazhdoj dhe po të jetë ndonjë punë publike si p.sh. një obelisk apo ndonjë gjë tjetër do jem i gatshëm që ta bëj. Në Vlorë kam bërë punime në privatë, por kam bërë dhe punimet në Guzumbaba, të cilat vlerësohen nga shumë vizitorë.
Agimi e ka shumë për zemër emrin e vendlindjes, aq sa kudo ku e pyesin se ”Nga je ? Me krenari Agimi u përgjigjet: ”Jam nga Kallarati “, ashtu si edhe shumë prej punimeve të tij, realizuar në Itali, mbajnë nënshkrimin “AGIM KALLARATI”, emër që na bën të gjithëve krenarë dhe na lind e drejta ta quajmë atë “AGIM KALLARATI”.
Botuar në gazetën “Kallarati, nr. 105