Tregimi i Avdul Dobit, kushtuar dëshmorit Jonuz Galanxhi (Fragment)

Çeta filloi lëvizjen… në tokën e butë shtufore të Kallaratit… Nëpër kodra dukeshin shtëpi të rrënuara e të djegura dhe rrëzë mureve të tyre ndonjë kasolle e ngritur për të banuar… Vëmendjen e partizanëve e tërhoqi një zë gruaje, që vinte nga një majë kodre në të majtë të rrugës. Zëri i saj sa vinte e dëgjohej më mirë dhe fjalët e vajtimit rridhnin në vargje… Kreu i çetës po futej nëpërmjet një gardhi në oborrin e shtëpisë ku rrinte gruaja e veshur me të zeza.

-Mirë se erdhët more bijtë e mi, që sa herë ju shoh kujtoj Muminin tim. Urdhëroni brenda në shtëpi, se këtu jashtë nuk kënaqet nënë Duzja,- tha ajo pasi ndërpreu vajtimin. Balilit, që dëgjoj këto fjalë, iu kujtua menjëherë nëna trime nga Kallarati, Duze Bajrami, e cila i kishte dhënë luftës dy djemtë e saj. Mumin Kallarati ishte pjesëtar i njësitit gueril të Vlorës dhe ra heroikisht së bashku me tre shokët e tij: Bajram Tushi, Hiqmet Buzi e Hajredin Bylyshi. Në tregimet e nënë Duzes, u përmend edhe emri i Jonuzit. -Kush është ky Jonuzi?- pyeti Balili. -Eh, more djem, ma sollën para një jave në shtëpi shokët e këshillit dhe më porositën ta mbaja me kujdes, t’i pastroja plagët dhe ta ruaja nga çdo rrezik. Djali më quajti mua nënë dhe unë e shikova si djalin tim. “Nënë të kam ty,- më thoshte Jonuzi,- dhe ti mua më ke djalë si Muminin”. E mbajta Jonuzin, mu këtu në minder, i laja dhe i ndërroja plagën që e kishte në veshka; vinte dhe e mjekonte mjeku italian.

Nënë Duzja nga Kallarati e kishte mbajtur Jonuzin një javë, duke e ushqyer me qumësht e duke e pastruar me kujdes. Por nga plaga e rëndë, ai nuk kishte mundur të mbijetojë. Kishte vdekur në gjoksin e nënë Duze Bajramit. Ky ishte partizani Jonuz Galanxhi, partizan i çetës së Rinisë, i cili ishte plagosur disa ditë më parë në luftë me gjermanët. Nënë Duzja e varrosi në oborrin e shtëpisë së saj.

***

Pas çlirimit, të dy vëllezërit e vegjël, jetimë: Samiun dhe Fatmirin i dërguan në shtëpi të fëmijës. Nënë Duze Bajrami ishte zgjedhur deputete. Ajo pati varrosur e ruajtur vëllain e tyre, dëshmorin Jonuz Galanxhi, në oborrin e shtëpisë së saj.

Organet e pushtetit të kohës, që në vitin 1946, i tërhoqën eshtrat e tij në varrezat e dëshmorëve. Nënë Duzja e përcolli Jonuzin për në varrezat e dëshmorëve bashkë me djemtë e saj. Por ajo u interesua edhe për vëllezërit e tij të vegjël, që kishin mbetur jetim: për Fatmirin dhe Samiun. Vajti në Strehën Vorfënore dhe i takoi që të dy. U interesua te drejtuesit si jetonin e si shkonin ata me mësime dhe, si nënë e si Deputete që ishte, i porositi për të shtuar kujdesin ndaj këtyre fëmijëve, vëllai i të cilëve kishte rënë në luftën për liri.

Botuar në gazetën, Pavdekësia, Nr. 61, Shkurt 2009

Next Post

Krushqia, nga Namik Selmani

Hën Kor 2 , 2012
Krushqia i ngjan nganjëherë një kungulli, më thoshte një plak i mençur beratas një ditë. Ti e mbjell farën në një gropë që quhet me gjuhën e bujkut edhe oxhak dhe, hop, hop ia merr frutin mbi dhjetë metra larg. Kur ia merr frytin, as të shkon mendja të shohësh […]