Krushqia, nga Namik Selmani

Krushqia i ngjan nganjëherë një kungulli, më thoshte një plak i mençur beratas një ditë. Ti e mbjell farën në një gropë që quhet me gjuhën e bujkut edhe oxhak dhe, hop, hop ia merr frutin mbi dhjetë metra larg. Kur ia merr frytin, as të shkon mendja të shohësh vendin e rrënjës diku mes gjethesh.

E m’u kujtua kjo urtësi popullore tek nisa një bisedë me një plak nga Labëria për një krushqi labe të bërë kushedi sa vjet më parë aq sa është futur në sinorët e rrëfenjës. Nga Kallarati ishte. Sejdua e thoshte me mburrje se ishte nga palca e Labërisë, megjithëse kështu thonë të gjithë lebërit që takon diku në rrugët e Shqipërisë.

Biseda shkoi te mëkatet ose, si i thonë popullorçe, te gjynahu i vjedhjes që lebërit herë e quajnë kështu e herë e quajnë një lloj trimërie, një lloj mjeti jetese, një shenjë mençurie. Pse të mos e themi edhe një lloj kanuni të Jugut që e pranonin ne heshtje edhe ata që e bënin edhe viktimat. Ç’të bënim, thoshte Sejdo Labi. Edhe ata që s’e donin vjedhjen, thoshin se një djalë që s’vjedh një dash, një qengj, nuk është i zoti të mbajë grua e fëmijë. E na ishte një djalë i bukur dhe trim që quhej Lilo Kallarati. Na i pat hedhur sytë Nazikes nga Bolena. Me të parë e me të bërë. Një ditë në oxhakun e shtëpisë së Nazikes na vjen mblesi. E quanin Zeqir e Lilua e kishte të afërm në fisin e tij. I fortë në mençuri Zequa e po kaq i fortë edhe në raki mes burrave të sofrës me të njohur a të panjohur qofshin. Nuk numëroheshin vatrat e reja që kishte hapur Zeqiri e të gjithë, kur e takonin në rrugë, e kthenin për një kafe në konakët e tyre.

– Nder familjes e konakut tënd, o Rexhep Bolena,- e nisi bisedën Zeqiri.-Kam ardhur të kërkoj vajzën për Lilo Kallaratin, djalin e Isufit. Thonë se krushqia e re i ngjan një buke të grunjtë që do pak kohë që të vihet në sofër. Mos ma jep fjalën që sot! Me të parë e me të pyetur do të më japësh përgjigje, po mos harro se krushqia ngjan pa bëhet. Ngriti dolli me të zotin e shtëpisë. Në mengjes hëngri edhe petullat sipas zakonit që i takonin një miku të ri e ..u nis ku e priste Lilo trimi.

Pas ca ditësh vjen haberi: – Nuk e jap Naziken për Lilon.

As sebep e as fjalë. Mbase s’ia mbushte syrin për trim e për punëtor Rexhep Bolenës djali i Kallaratit. Po nuk i mbushej mendja vetë Zeqirit e Lilos. Jo hundë lartë, po e kuptonin se krushqia nuk kishte arsye të mos mbaronte. Edhe një herë mblesi ia piu kafenë në konak Rexhepit. E pse do thoni ju?

– Ti do të vish në shtëpinë time që të provosh edhe trimërinë e dhëndërit. Prapë fjalë për nuse mos më jep, po fjalën për mik ma jep që tani. Besoj pa flas,- i tha Zeqiri.

Ia mori fjalën për të shkuar në shtëpi.

Që atë ditë i tha gruas për mikun e rrallë që do të prisnin të shtunën. Në një nga netët e mbetura deri të shtunën Lilua bëri atë që nuk e kishte bërë asnjëherë në jetën e tij të re kur mustaqet sapo i kishin dalë. Shkoi në stanin e Rexhepit. Kaloi qentë dhe barinjtë që i ruanin. Mori cjapin më të mirë. Më të madhin e tufës dhe ..të shtunën në mëngjes pa shkelur ende krushku që s’ishte bërë krushk për ta, nisi ta therte në oborrin e shtëpisë së Zeqirit. Një njeri i ditur nga Labëria i kishte thënë një ditë Zeqir mblesit se edhe shqiptarët e lashtë i merrnin nuset larg, shumë larg, në krajli ku duheshin gjunjë, guxim, trimëri, mençuri. Edhe lebërit merrnin bagëti larg, shumë larg se çdo tufë e fshatit të tyre ishte si e shtëpisë.

Nejse…..

E rëndë darka e asaj nate në shtëpinë e Zeqirit. Kur cjapi po vinte copa-copa në tavat e mbushura, dollia kishte pak që kishte filluar. Burrat e sofrës kishin nisur këngën. Herë ia merrte njëri e herë tjetri. Të gjithë të tjerët bënin iso si valët e Jonit që kishin aty pranë. E, kur darka po mbushej me këngë e mishi kishte mbushur tavat, i zoti i shtëpisë e “ustai i nuseve”, si i thonin ndryshe Zeqirit, i thotë mikut të nderuar, Rexhepit:

– Buka e kësaj shtëpie t’u bëftë hallall! Rakia e kësaj vjeshte ujë i bekuar u bëftë që të shtojë urimet e dollitë edhe në shtëpinë tënde. Po tani do të të pyes se a e njeh mishin që të kemi shtruar në sofër? A e kupton se nga ka ardhur?

U mendua mirë. E njihte mishin e tufës së tij nga kullota. E kishte marrë vesh se i mungonte cjapi, po nuk i shkonte kurrë në mend se do t’ia shtronin diku në sofrën e mikut.

– Besa-besë, mor burra, po më duket si mishi i cjapit tim..

– Të bëftë mirë cjapi yt në shtëpinë time, more Rexhep! Dhe tani do të pimë një dolli për Lilo Kallaratin që kaloi dhjetë qen stani dhe rojet e stanit për të ta marrë e për ta shtruar në këtë sofër…

Rexhepi nuk foli.

Të nesërmen i zoti i shtëpisë, tek e përcillte, i vuri në hejbe dy shpatullat e cjapit që të hanin edhe fëmijët. Edhe Nazikja që priste fjalën e babait.

… Pas disa ditësh lajmi i gëzuar lumturoi dy shtëpi në Kallarat e Bolenë, po dhe shtëpitë e tjera të nahijes. Lilua do të martohej me Naziken nga Bolena.

Eh,sa deshë e cjepë u therën në dasmën e tyre! Sa këngë të vjetra e të reja u kënduan!

Në dolli e sipër një këngëtar popullor e bëri aty për aty këngën më të re:

Lilo trimi, Lilo labi,

vjen i imët pak nga shtati,

po dhe ujkun mund në tufë

sy i tij zjarr me prush.

Moj Nazike, nikoqire,

erë deti, erë lule

të uron gjthë Kallarati,

t’u bëftë jeta hoje mjalti!

 

Next Post

MËSUES E ATDHETAR I NDERUAR MEÇAN SELAM QEJVANI, NGA QATIP MARA

Hën Kor 2 , 2012
Meçan Selam Qejvani u lind në Kallaratin midis maleve, aty ku gurgullon uji i kristalt, kaltër, uji i “situr” i Shushicës, sic i thonë vendasit. Që i vogël u tregua i etur për dituri. I mbetur jetim, me shumë mundime filloi shkollën në Vlorë, në vitin 1903. Aty u njoh […]
Mecan Selami