SHOQATA ATDHETARE E KULTURORE “KALLARATI”, NË 20 – VJETORIN E KRIJIMIT TË SAJ.

(Përmbledhje të aktiviteteve të shoqatës në 20 vjet të funksionimit të saj, nga Besnik Gjonbrataj)

Pas viteve 90, ashtu siç ndodhi gati në të gjitha fshatrat e Labërisë, vendin dhe rolin e organizatave politike dhe atyre shoqërore do ta zinte një organizim i ri, ai i krijimit të shoqatave atdhetare kulturore. Kështu edhe Kallarati më 12 Janar 2003 në pajtim me Ligjin nr.7850 datë 29.07.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë” me nismën e një grupi bashkëfshatarësh kallaratas me banim në Vlorë dhe me pjesëmarrje bashkëfshatarësh, përveç Vlorës edhe nga Kallarati, Fieri, Tirana krijoi shoqatën atdhetare & kulturore “Kallarati”. Shoqata është e regjistruar në gjykatë dhe ka statusin e saj. Qëllimi i kësaj shoqate ishte dhe vijon të jetë: “Ruajtja dhe përhapja e vlerave më të mira atdhetare e kulturore të Kallaratit. Si një bashkim i distancuar nga çdo qëndrim politik i çdo ngjyre qoftë, shoqata ka për mision të bashkojë kallaratasit kudo që ndodhen, të bëjë të njohura figurat më të shquara të Kallaratit që kanë bërë emër në historinë e fshatit, të krahinës e të vendit por edhe përtej kufijve; të kujtojë datat historike të qëndresës shumëshekullore të kallaratasve kundër pushtuesve të huaj; të kultivojë te brezi i ri kallaratas vlerat më të mira të të parëve tanë, duke përjetësuar lart emrin e nderuar të Kallaratit nën moton “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”. Qendrën shoqata e ka në Vlorë ku u themelua dhe është numri më i madh i anëtarësisë. Ajo ka degët e saj në Tiranë, Vlorë, Fier, Kallarat dhe në Greqi, si dhe stemën e vet. Mbledhja themeluese e Shoqatës zgjodhi kryesinë e saj me kryetar njërin nga nismëtarët, intelektualin e mirënjohur, bashkëfshatarin tonë Gafur Shametaj. Ai e drejtoi shoqatën nga viti 2003 deri në vitin 2007.

12 JANAR 2003

Kryesia e Përkohshme e zgjedhur më 12 Janar 2003 deri në mbajtjen e kuvendit të parë përbëhej nga:

Alem Qejvani, Astrit Strati, Bejo Xhaferaj, Besnik Mataj, Bexhet Jonuzaj, Bujar Laçaj, Dallandyshe Haxhiraj, Edmond Strati, Enver Golloshaj, Enver Strati, Gafur Shameti, Lefter Qejvanaj, Llano Llanaj, Mevlan Habili, Petrit Qejvani, Qemal Jonuzaj, Razi Golloshaj, Safet Shahaj, Sefer Jonuzaj, Violeta Xhaferaj, Ylli Shakaj. Kryetar i shoqatës: Gafur Shameti; Nënkryetar: Violeta Xhaferaj dhe Razip Golloshaj; Sekretar: Enver Golloshaj; Financier z. Pullumb Gjombrati.

27 SHTATOR 2003

Në mbledhjen e parë të kuvendit, mbajtur në 27 shtator 2003 në Vlorë u zgjodh kryesia e shoqatës, e cila pak a shumë ishte ajo e rithemelimit, por e rritur në numër e duke përfaqësuar të gjitha fiset dhe vendbanimin e tyre. vetëm

Kryesia e zgjedhur përbëhej nga: Alem Qejvanaj, Bilal Breshanaj, Besnik Tozaj, Bardhosh Breshanaj, Birçe Ribaj, Bexhet Jonuzaj, Bejo Xhaferaj, Enver Golloshaj, Enver Strati, Gafur Shameti, Hane Petanaj, Idajet Llanaj, Ibro Rjepaj, Kastriot Karabollaj, Kujtim Hysi, Lefter Qejvanaj, Llano Llanaj, Llambro Hysi, Luto Demiri, Mevlan Habilaj, Nako Jovanaj, Petan Petanaj, Pullumb Gjombrataj, Violeta Xhaferaj, Sefer Jonuzaj, Shkëlqim Leskaj (Laçaj), Shpëtim Jonuzaj

Kryetar: Gafur Shameti; Nënkryetar: Violeta Xhaferaj dhe Razip Golloshaj; Sekretar: Enver Golloshaj; Financier z. Pullumb Gjombrati.

Në vitet e mqëvonshme, shoqata mori formë, u konsolidua dhe u bë e njohur, jo vetëm për kallaratasit brenda e jashtë Shqipërisë, por edhe më gjerë. Ajo zuri një vend të merituar përkrah shoqatave simotra të fshatrave të tjera të zonës sonë Labe. Ajo e nisi veprimtarinë e saj me një varg angazhimesh e realizimesh në dobi të fshatit e të shoqërisë kallaratase.

Gjatë këtyre viteve të veprimtarisë së saj, shoqata ka zhvilluar një sërë aktivitetesh me karakter atdhetar, historik e kulturor. Ndër to do të veçonim takimin e brezave më 2005, 2007, 2009, 2011, 2014, 2016, 2021, 2022; përkujtimin e veprës së Heroit të Popullit Mumin Selami; bërjen e filmit dokumentar për Kallaratin; sjelljen e eshtrave të patriotit Miftar Aliu nga Selcka e Gjirokastrës në vendlindjen e tij Kallarat etj. Shoqata që në mars të vitit 2003, krijoi edhe gazetën “Kallarati”, si përçuese të zërit të saj. Për herë të parë në histori, ajo e bëri fshatin tonë me gazetë. Nën drejtimin e z. Gafur Shametit, kryeredaktor i parë i saj dhe më vonë deri në ndarjen nga jeta z. Seit Jonuzaj, gazeta u ka bërë jehonë jetës dhe kontributit të kallaratasve në vite.

18 NËNTOR 2007

Në zgjedhjet e dyta të radhës më 18 Nëntor 2007 kryesia përbëhej nga:

Bejo Xhaferaj, Besnik Gjonbrataj, Besnik Mataj, Brahim Strati, Çize Xhaferaj, Enver Golloshi, Enver Strati, Gafur Shameti, Gjolekë Memushaj, Idajet Toçaj, Kastriot Karabollaj, Kujtim Hysi, Lefter Hysi, Lefter Qejvanaj, Llano Llanaj, Luto Demiraj, Maksim Qejvani, Nako Jovanaj, Namik Abazaj, Nasip Tozaj, Pullumb Gjombrataj, Rami Memushaj, Razip Golloshaj, Sefer Jonuzaj, Seit Jonuzaj, Selman Memushaj, Sulo Hoxhaj, Xhelo Dautaj. Kryetar: Kastriot Karabollaj; Nënkryetar: Lefter Hysi; Sekretar: Çize Xhaferaj; Financier z. Sefer Jonuzaj.

10 DHJETOR 2011

Në zgjedhjet e fundit, zhvilluar në Vlorë më 10 dhjetor 2011, kryesia përbëhej nga:  nga 19 anëtarë, nga të cilët 11 në Vlorë, 4 në Tiranë, 2 në Fier dhe 2 në Kallarat. Anëtarë të kryesisë u zgjodhën: Kastriot Karabollaj, Seit Jonuzaj (ndarë nga jeta), Llano Llanaj, Sefer Jonuzaj, Pëllumb Gjonbrataj, Besnik Mataj (ndarë nga jeta), Selman Memushi, Petrit Qejvani (ndarë nga jeta), Lefter Hysi, Liri Shkurti, Violeta Xhaferri, Rami Memushaj, Idajet Toçi (ndarë nga jeta), Gramoz Xhaferraj, Besnik Gjonbrati, Edmond Strati, Kujtim Hysi, Luto Demiri dhe Bejo Xhaferri (ndarë nga jeta). Kryetar i Shoqatës u rizgjodh z. Kastriot Karabollaj, nënkryetar z. Besnik Gjonbrataj dhe sekretar z. Petrit Qejvani (ndarë nga jeta).

Kryesia e re dhe kryetari i rizgjedhur zoti Kastriot Karabollaj, përcaktuan drejtimet kryesore të punës së shoqatës për periudhën në vijim. U theksua se, ashtu si deri më sot, shoqata do të ketë për mision bashkimin e të gjithë kallaratasve kudo që ndodhen, pa dallime partiake, rreth një qëllimi të përbashkët, propagandimit të historisë së Kallaratit dhe të bijve dhe bijave të tij në kontributin e tyre në luftën për çlirimin kombëtar e demokratizimin e vendit në të gjitha periudhat e historisë, si pjesë e pazëvendësueshme e kontributit të gjithë shqiptarëve dhe në mënyrë të veçantë kohës së sotme. U pranua, gjithashtu, se do të punohej për përmirësimin e gazetës në formë dhe përmbajtje, që të tërheqë jo vetëm lexuesin kallaratas, por edhe të tjerë.

Ndër veprimtaritë e parashikuara për të ardhmen u veçuan: Fillimi i punës për hartimin e historikut të Kallaratit; organizimi i veprimtarive me rastin 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë; organizimi i takimit të brezave të bëhet në çdo 2 vjet; veprimtari me rastin e 100-vjetorit të djegies së fshatit nga andartët grekë më 1914; vendosja e një pllake përkujtimore për qëndresën e fshatit më 1914 në Morrez si ajo që është në Harcë të fshatit; vendosja e një pllake përkujtimore në Koprift për kryengritjen e Tanzimatit më 1847; veprimtari përkujtimore për dëshmorët dhe heronjtë e fshatit, por edhe për figura të tjera të shquara të Kallaratit, të gjitha kohërave; ngritja e një grupi artistik të fshatit, duke gjetur sponsorizues; promovime librash për Kallaratin; evidentimi i të gjithë kallaratasve kudo që ndodhen, sipas degëve në rrethe me qëllim krijimin e një databaze të përgjithshme; hapja e një faqeje të veçantë interneti për Kallaratin me ndihmën e ndonjë sponsorizuesi kallaratas; propagandimi i veprimtarive të shoqatës në median e shkruar dhe elektronike; rritja e bashkëpunimit me shoqatat simotra në rrethin e Vlorës dhe më gjerë etj; njësimi i pagesës së kuotës së anëtarësisë dhe i pajtimit vjetor në gazetë në masën e një mijë lekëve gjithsej; çelja e një numri bankar të shoqatës etj.

Në këtë takim zoti Xhelo Dautaj hodhi idenë me mjaft vlerë, mundësinë e shpalljes së Fshatit të Djegur “Fshat Muze”. Kjo duke pasur parasysh ndërtimin e fshatit në një pozicion gjeografik të rrallë, me një arkitekturë të veçantë, që sot do ta kishin zili arkitektët më të mirë, dhe qëndresën e armatosur të fshatit më 1914 ndaj andartëve grekë, ku ngelën të vrarë edhe katër dëshmorë. Le të shërbejë kjo nismë – u theksua në takim – për intelektualët kallaratas që të bëjnë përpjekjet e duhura ligjore me institucionet përgjegjëse shtetërore për ta realizuar, e cila do të ishte vlerësimi më i mirë që do t’i bëhej fshatit tonë të dashur.

Në këtë takim u vendos që redaksia e gazetës të përbëhej nga 7 anëtarë dhe konkretisht: kryeredaktor: Seit Jonuzaj (ndarë nga jeta); anëtarë: Petrit Qejvani (ndarë nga jeta), Rami Memushaj, Besnik Gjonbrataj, Çize Xhaferraj, Hiqmet Meçaj e Lefter Hysi.

FUNKSIONIMI I DEGËVE TË SHOQATËS “KALLARATI” NË RRETHE.

Krahas kryesisë së përgjithshme të shoqatës “Kallarati” kanë funksionuar mjaft mirë edhe degët e shoqatës në rrethe dhe jashtë vendit. Kështu në degën e Vlorës është zgjedhur z. Pullumb Gjombrati; në degën e Tiranës z. Razip Golloshaj dhe më vonë z. Rami Memushaj; në degën e Fierit z. Kujtim Hysi; në degën e Durrësit z. Abaz Dautaj; në degën e Kallaratit, z. Bejo Xhaferaj; në degën e Athinës z. Yzeir Ribaj, etj, të cilat kanë bërë një punë mjaft të mirë për realizmin e misionit të shoqatës për të bashkuar kallaratasit kudo që janë rreth shoqatës nën moton “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”.

MOTOJA E SHOQATËS: “EC NGADO, PO KALLARATIN MOS E HARRO” 

Pas viteve 90-të, kohë në të cilën u lejuan që njerëzit të lëvizin të lirë anembanë Shqipërisë, por edhe botës, ashtu si shumë shqiptarë edhe kallaratasit, për një jetë më të mirë, kapën Vlorën, Tiranën, por sidomos Greqinë dhe Italinë. Sot ata gjenden në çdo cep të botës, në Gjermani, Turqi, Francë, Angli, Spanjë, Belgjikë, Poloni, Australi, Kanada, Amerikë e kudo tjetër ku kanë mundur. Megjithatë, sa më shumë kalojnë vitet që janë larguar nga fshati, aq më tepër është rritur dashuria dhe malli i tyre për Kallaratin, jo vetëm ata që lindën aty, por edhe nipërit e stërnipërit e tyre, të cilët e thonë me plot gojën dhe krenari që jemi nga Kallarati.

Motoja e shoqatës “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro” po shërben si një thirrje që u drejtohet gjithë kallaratasve kudo që ndodhen të mos harrojnë për asnjë çast vendlindjen e tyre, Kallaratin, apo vendin e origjinës të parëve të tyre. Mundet që të marrin edhe nënshtetësi të huaj, mundet të lindin në vend të huaj, por nuk duhet të harrojnë asnjëherë Kallaratin. Përpara se të jenë vlonjatë, fierakë, durrsakë, tiranas, apo nënshtetas të një vendi tjetër, duhet ta quajnë veten kallaratas e patjetër  shqiptar.

AKTIVITETET KRYESORE TË SHOQATËS

Gjatë këtyre viteve të ekzistencës së saj, shoqata ka zhvilluar një sërë veprimtarish me karakter atdhetar, historik e kulturor. Ndër to do të veçonim Takimin e Brezave më 2005, 2009 e 2011; përkujtimin e Heroit të Popullit Mumin Selami; bërjen e filmit dokumentar për Kallaratin. Jemi ndër fshatrat e paktë që kemi një film dokumentar, realizuar në vitin 2005 nën kujdesin e ish kryetarit të shoqatës, të ndjerit Gafur Shametit, ashtu siç kemi edhe dokumentarin tjetër “Kallarati, një Trojë e Vogël Labe”, realizuar sipas esesë së intelektualit të njohur kallaratas, Petrit Qejvanaj; sjelljen e eshtrave të patriotit Miftar Aliu nga Selcka e Gjirokastrës në vendlindjen e tij Kallarat; propozimin për emërtimin e disa rrugëve të qytetit të Vlorës me emra figurash të njohura nga Kallarati si: Mumin Selami, Duze Bajrami, Myftar Kallarati, etj. Fill pas krijimit, shoqata nisi botimin e gazetës “Kallarati” si përçuese të zërit të saj. Për herë të parë në histori, ajo e bëri fshatin tonë me gazetë. Nën drejtimin e z. Gafur Shametit, kryeredaktor i parë i saj, dhe më vonë të z. Seit Jonuzaj, gazeta u ka bërë jehonë jetës dhe kontributit të kallaratasve ndër vite në fusha të ndryshme.

Sot, në ditën e 20 vjetorit të krijimit të shoqatës mund të flasim me krenari se janë realizuar shumë nga veprimtaritë e planifikuara nën drejtimin e të gjithë të zgjedhurve në këto vite, të anëtarëve të saj dhe të atyre që kanë financuar veprimtaritë. Si të veçanta do të përmendim veprimtaritë;

  • Është në përfundim hartimi i historikut të Kallaratit.
  • Në korrik të vitit 2014, organizuam veprimtarinë me rastin e 100-vjetorit të qëndresës trimërore kundër sulmit dhe djegies së fshatit tonë nga andartët grekë më 1914.
  • Po atë ditë u vendos një pllakë përkujtimore në Koprift për kryengritjen e Tanzimatit më 1847 me shënimin: “Kallarat, Kuç e Bolenë, në lumë ç’e zunë dyfeknë”, realizuar nga gurgdhendësi duarartë Agim Mataj.
  • Në gusht të vitit 2016 festuam 100 vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe në Kallarat.
  • Kemi zhvilluar shumë veprimtari përkujtimore për dëshmorët e fshatit, por edhe për figura të tjera të shquara të Kallaratit, të të gjitha kohërave.
  • Janë realizuar promovime librash siç është “Historiku i Kallaratit”, shkruar nga Enver Strataj, pjesëmarrja në promovimin e dy librave me krijime të Petrit Qejvanajt.
  • Është realizuar hapja e një faqeje të veçantë interneti www.kallarati.com, financuar nga Shkëlqim Leskaj.
  • Është rritur ndjeshëm propagandimi i veprimtarive të shoqatës në median e shkruar dhe elektronike për Kallaratin.

  • Por jemi të ndërgjegjshëm se gjatë aktivitetit të shoqatës ka edhe detyra ende të parealizuara ku do të përmendim: Mosbërjen e përpjekjeve për realizimin e idesë së hedhur nga zoti Xhelo Dautaj në Kuvendin e vitit 2011, atë të mundësisë së shpalljes së Fshatit të Djegur “Fshat Muze”.
  • Mosngritjen e një grupi artistik të fshatit, ndonëse në mënyrë spontane, kemi një lëvizje në këtë drejtim të disa të rinjve;
  • Moskrijimin e një database, sipas degëve në rrethe me qëllim evidentimin e gjithë kallaratasve brenda e jashtë vendit, detyra këto që do përpiqemi t`i realizojmë në të ardhmen.

Më gjerësisht me aktivitetet kryesore të zhvilluara gjatë 20 viteve, mund të njiheni më poshtë:

13 GUSHT 2005

TAKIMI I PARE I BREZAVE NE KALLARAT

Takimi i brezave, tashmë është kthyer në një traditë, për të gjitha fshatrat e Labërisë, patjetër edhe për fshatin tonë. Fill pas krijimit të shoqatës, nisi një traditë e re, ajo e zhvillimit të “Takimit të Brezave”, që do të zhvillohej në çdo dy vjet në bazë të një programi të hartuar nga shoqata.

Kështu takimi i parë u zhvillua më 13 gusht 2005 në Kallarat, ku morën pjesë mjaft bashkëfshatar të ardhur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë ku banojnë kallaratasit, por edhe nga emigrantët kallaratas jashtë vendit në mënyrë të veçantë nga Greqia e Italia.

Takimi u zhvillua në hijen e rrapeve shekullorë, pranë burimit të Morrezes në Qafë të Rrepe. Takimin e hapi kryeplaku i fshatit zoti Lefter Qejvani, i cili u uroi pjesëmarrësve mirëseardhjen. Në vijim përshëndeti takimin kryetari i Shoqatës “Kallarat”, zoti Gafur Shameti. Në emër të Organizatës së Veteranëve të fshatit përshëndeti kryetari saj zoti Salo Mataj. Ndërsa në emër të brezit të ri përshëndeti mësuesja e fshatit zonja Eglantina Demiri. Në emër të emigrantëve kallaratas përshëndeti z. Bako Memushaj, ardhur nga Athina. Në fund grupi polifonik i të rinjve të Kallaratit përshëndeti pjesëmarrësit me disa këngë labe, si dhe u shtrua një drekë e cila kaloi në një atmosferë mjaft festive.

2005

FILMI DOKMENTAR “KALLARATI”, NJË NGA ARRITJET MË TË MËDHA MEDIATIKE.

Kallarati, tashmë ka filmin e vet dokumentar, i cili tregon fare qartë historinë e tij që nga Kunjova, shpërnguljen në Pelingri, djegien e fshatit nga andartët grekë, shpërnguljen përsëri aty ku është sot afër lumit Shushica, në të dy anët e rrugës automobilistike, e vendosur në tre lagje, Morrez, Qafë e Ubavit dhe Basha. Nëpërmjet këtij dokumentari, nga goja e shumë banorëve të vjetër por edhe të rinj përshkruhet jeta e fshatit tonë. Ky film u realizua nën kujdesin e drejtpërdrejtë të ish Kryetarit të Shoqatës, i paharruari, Gafur Shameti në vitin 2005 dhe me kontributin financiar të shumicës së banorëve të këtij fshati. Shumica e intervistave u bënë me rastin e takimit të brezave në Korrik 2005 në Kallarat, por edhe filmimeve të bëra me bashkëfshatarët tanë në Tiranë, Fier, Vlorë e gjetkë. Pas 8 muajsh pune intensive duke filluar nga filmimet në fshat, intervistave me bashkëfshatarët, mbështetur financiarisht nga Ylli Shakaj, Besnik Mataj, Selman Memushaj, Ylli Rjepaj, Idajet Toçaj, Altisfer Golloshaj, Mitat Jonuzi, Lifto e Kalo Memushaj, Violeta Xhaferaj, Ferdi Abazaj, Brahim Strati, Nako Jovani dhe nga kuota e derdhur në mënyrë simbolike nga çdo kallaratas u bë e mundur xhirimi i këtij filmi. Filmi kushtoi rreth katër milionë lekë të vjetra, por që u paguan vetëm 30 përqind pasi pjesa tjetër e punës u mbulua pa pagesë nga vetë Gafuri, falë edhe dashamirësisë së treguar nga stafi i TV ”6+1 Vlora”. Në këtë mënyrë Gafur Shameti, e bëri Kallaratin të ketë një film historik, të cilin nuk e përfundoi dot sa kishte gjallë nënën e tij Kalemen, siç ia kishte premtuar, por ai u plotësoi dëshirën gjithë kallaratasve që brez pas brezi të kujtojnë vendlindjen e tyre dhe historinë e prindërve. Filmi është i ndërtuar mbi bazën e filmimeve të natyrës së bukur të Kallaratit, me komente rreth historisë dhe intervistave të drejtpërdrejta të shumë kallaratasve me banim në Kallarat, Vlorë, Fier e Tiranë, njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme, ku bien në sy ata më të moshuarit, të cilët mbartin në kujtesën e tyre mjaft fakte e ndodhi për fshatin, një pjesë e të cilëve sot nuk jetojnë.

7 GUSHT 2007

CEREMONIA E SJELLJES SË ESHTRAVE TË MYFTAR ALI KALLARATIT NË VENDLINDJE.

Populli i Kallaratit ka qenë i etur, jo vetëm për liri e pavarësi, po edhe për kulturë e dije. Idetë e rilindësve për zgjimin kombëtar gjetën jehonë edhe te kallaratasit, që kishin dalë të shkatërruar e të vrarë nga kryengritja e Tanzimatit, po me një urrejtje të pashuar për pushtuesin. Një ndër të parët në Kurvelesh që përqafoi idetë e rilindësve ka qenë Myftar Ali Kallarati Myftar. I etur për dije, ai lë kopenë në brinjë dhe emigron në Rumani e më vonë në Stamboll, ku mbaron medresenë (shkollë fetare për hoxhe) dhe fillon të interesohet për mësimin e shqipes. Hyn në lidhje me rilindësin Naum Veqilharxhi dhe merr përsipër të sillte evëtarin shqip të tij në Shqipëri. Më 1840, merr një sasi librash dhe niset në këmbë nga Stambolli. Për t’u shpëtuar koshadheve turke, iu desh të udhëtonte në këmbë, rrugë e pa rrugë, nëpër pyje e male për 40 ditë rresht. I rraskapitur nga rruga, sëmuret rëndë dhe me vështirësi arrin në katundin Selckë të Pogonit, fshat në grykën me të njëjtin emër në afërsi veri të Libohovës. Aty strehohet në një shpellë, ku e gjejnë barinjtë dhe e shpien në fshat. Me gjithë kujdesin që treguan selckjotët, nuk i shpëtoi vdekjes. Para se të jepte shpirt, ai u tha se quhej Myftar Ali dhe ishte nga Kallarati. U la porosi që vivlat (librat) t’ua shpërndanin të rinjve që të mësonin e të shkruanin shqip.

Fshati e varrosi me nderime 10 metra larg oborrit të kishës, se ishte jo vetëm Mysliman, por dhe hoxhë. Mbi varrin e tij u ngrit një qivur dhe u vendos një pllakë guri prej mademi te Manastirit, në të cilën u shkrua në shqip dhe greqisht: “Hoxha i vilajetit Myftar Aliu nga Kallarati, vdekur më 1840”. Ky varr njihet me emrin “Varri i Hoxhës”. Prifti i fshatit urdhëroi të binin tri herë kambanat e kishës. Për të në fshatin Selcë janë thurur këto vargje: “O i ziu babasheh, / Ke fëmijë apo nuk ke? / S’kemi ç’të bëjmë dhe ne, / të përcollëm si babanë, / Për ty tri kambana ranë.” Qivurin e prishen Greket me 1914 –dhe me 1940. Në historikun e fshatit Selckë, f. 144 shkruhet se Myftar Aliu ishte nga Kallarati, i dërguar, nga patriotët e kohës për të sjellë libra shqip. Mbledhësi i pasionuar i folklorit lab Fatos Mero Rrapaj, ka regjistruar një këngë kushtuar Myftar Aliut.

Patriotët ven e vijnë

Plot me vilva mbushur gjinë.

Ç’thonë për Myftar Ali

Dyzet ditë nga Stambolli

Rruga mbarësi s’i solli.

La pas Sarajet e ngjolit,

Hyri fshtatrave të Pogonit,

Vate në një fshat të thellë,

Nga katër male mbështjellë.

Kur vdiq Hoxha dhe dha xhanë,

Tre këmbana për të ranë,

Bënë nder si për babanë.

Kur ia hoqën xhamadanë,

Dualën librat shqipe radhë.

Kryesia e shoqatës “Kallarati”, me sekretar Enver Golloshi, Kastriot Karabolli, Nasip Tozaj dhe Razi Golloshi, me 11.05.2007 i morën eshtrat e tij së bashku me një grusht dhe i varrosën me nderime në varrezat e përbashkëta të fshatit në Fshira më 7 gusht 2007, pranë bashkëfshatarëve të nderuar Duze Bajrami dhe mësuesve të parë Meçan Selami e Telo Zhibi. Myftar Aliu do të mbetet një nga figurat e spikatura historike të Kallaratit që u përpoq të nxiste mësimin e gjuhës amtare në vendlindjen e tij.

15 GUSHT 2009

“TAKIM BREZASH” NË KALLARAT

Në kuadrin e “Takimit të Brezave” më 15 gusht 2009 në Kallarat, në rrapet e Morrëzes u zhvillua takimi i dytë i brezave me pjesëmarrjen e shumë kallaratasve, ardhur nga të gjitha vendet ku jetojnë e banojnë kallaratas, si edhe nga emigrantët jashtë vendit.

Programi i ditës se takimit përmbante: Vendosjen e kurorave te Lapidari i Dëshmorëve; vizitë te muzeu i Heroit të Popullit Mumin Selami; fjala përshëndetëse e kryetarit të shoqatës z. Kastriot Karabolli; kujtime nga përfaqësues të tre brezave: Sinan Strati, Besnik Gjonbrataj, Desilda Jonuzaj dhe Seit Jonuzaj. Në emër të emigrantëve përshëndeti Vasil Xhaferaj dhe Dilaver Mataj.  Në fund të pranishmit kaluan një drekë sipas fiseve dhe vëllazërisë pranë burimit nën hijen e rrepeve.

22 GUSHT 2009

NË VLORË PËRKUJTOHET 60 VJETORI I RËMIES SË DËSHMORIT, FERIK STRATI.

Më 22 gusht 2009 me nismën e familjes Strataj dhe në bashkëpunim me shoqatën Kallarati dhe Organizatën e Veteranëve të rrethit të Vlorës, u organizua në Vlorë një veprimtari mbresëlënëse kushtuar 60-vjetorit të rënies më 13 gusht 1949 të dëshmorit kallaratas, Ferik Stratajt. Në këtë veprimtari merrnin pjesë familjarë e të afërm të dëshmorit nga Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora e Kallarati, si dhe veteranë e pasardhës veterani, miq e shokë të familjes Strataj, si dhe përfaqësues nga Komitetit të Veteranëve të LANÇ të rrethit të Vlorës.

Kumtesa mbi jetën dhe veprën e Ferikut u mbajt nga shoku Seit Jonuzi, në atë kohë sekretar i Komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit. Në kumtesën e mbajtur prej tij, ndër të tjera, thuhej: “Kallarati në rrjedhën e kohërave ka nxjerrë vazhdimisht figura të shquara për mençuri, atdhetarizëm e trimëri në luftërat kundër pushtuesve të huaj dhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Me guxim e trimëri luftuan kallaratasit në kryengritjen antiosmane të viteve 1834-1847, në luftën e 1914-s për mbrojtjen e fshatit nga bandat shoviniste greke, andartët, ku luftuan edhe vëllezërit Teslim, Meçan e Dule e Dule Strataj dhe kushëriri i tyre, Feini. Po kështu në luftën e 1920-s për çlirimin e Vlorës e të rrethinave nga pushtuesit imperialistë italianë. Çeta e Kallaratit me komandant Fein Çelo Stratajn, në të cilën bënin pjesë edhe Teslimi me vëllezërit e tij, luftoi me trimëri të rrallë përkrah çetave të tjera të Lumit të Vlorës e Kurveleshit.

Trimëri e atdhetarizëm treguan në ato vite edhe gratë kallaratase, ndër të cilat shquhej Dudë Hode Strataj. Por pjesëmarrja më masive e kallaratasve ishte në LANÇ, në të cilën edhe Stratajt u përfshinë familjarisht.

Pra ky ishte sfondi atdhetari familjes Strataj, në gjirin e së cilës lindi, u rrit e u brumos Feriku me ndjenja atdhedashurie e cilësi luftarake e trimërie që i tregoi në LANÇ dhe në mbrojtjen e kufijve të atdheut, duke i bërë vend vetes në radhët e figurave të shquara të fshatit tonë. Feriku ish lindur më 10 qershor 1910 në fshatin e bukur në prehër të Bogonicës dhe u rrit në Përrua të Gjorme, ku u vendos familja e Teslim Stratajt, pas djegies së fshatit nga andartët grekë më 1914. U rrit Feriku dhe gjithë fëmijët e tjerë në një varfërie të skajshme të kohës.

Në vitet 1917-1921 kreu 3 klasë shkollë që kishte Kallarati. Mundësi për të vazhduar më tej shkollimin nuk kishte. Prandaj që i mitur u detyrua t’i vinte në ndihmë familjes në punë të ndryshme. Gjatë viteve 1929-1931 Feriku kreu shërbimin ushtarak. Kur u kthye nga ushtria i vdiq e ëma, Havaja. Kjo e detyroi atë të merrej edhe me punët e shtëpisë. Por nevoja ekonomike e degdisi në Himarë hyzmeqar e pastaj në një shoqëri ndërtimi italiane në Ujë të Ftohtë të Vlorës. Aty Feriku provoi shtypjen e shfrytëzimin kapitalist nga sipërmarrësit italianë. Prandaj nisi të merrte pjesë në greva me punëtorët e tjerë. Për këtë e pushuan nga puna dhe ai u kthye në fshat, ku u muar me bujqësi e blegtori. Kërcënimet e Italisë fashiste për pushtim të Shqipërisë e detyruan Ferikun me Stratajt e shumë kallaratas t’i drejtoheshin komunës në Kuç për armë që të luftonin për të penguar zbarkimin e italianëve, por pushtetarët zogistë i përcollën me sloganin se gjoja lartmadhëria i kishte marrë masat, prandaj ikni u thanë e mos u shqetësoni. Dhe siç dihet, masat e të vetëshpallurit mbret ishin mbushja e valixheve me arin e Bankës së Shtetit dhe mbathja e këmbëve.

Shqipëria më 7 prill 1939 u pushtua. Kjo gjë i brengosi të gjithë shqiptarët e ndershëm. Prandaj, thirrja e të vetmes forcë politike që doli në skenë në ato vite robërie, PKSH, për tu ngritur në luftë për çlirimin e vendit, u mirëprit edhe nga Stratajt.  Ata që në fillim u lidhën vendosmërisht me LANÇ. Tre nga vëllezërit Strataj: Feriku, Cania e Sinani hodhën pushkën krahut dhe u rreshtuan në formacione partizane, duke luftuar me guxim e trimëri, duke filluar luftën në radhët e çetës territoriale e pastaj në formacione partizane të mëdha partizane. Më 25 prill 1944 Feriku ishte ndër rreth 30 kallaratasit që u rreshtuan në Brigadën e 8 Sulmuese. Në radhët e kësaj brigade Feriku luftoi që nga jugu i Shqipërisë e deri në veri e pastaj përtej kufijve veriorë deri në Vishegrad të ish-Jugosllavisë. Por edhe pas kthimit në atdhe në fund të vitit 1945, për Ferikun nuk kish mbaruar lufta. Duhej mbrojtur kufijtë e atdheut të çliruar. Pikërisht në luftë për mbrojtjen e kufirit nga sulmet e ushtrisë monarko fashistë greke, kapiten Ferik Strataj ra, siç bien trimat për atdheun.

21 GUSHT 2011

TAKIMI I BREZAVE NË KALLARAT

Sipas traditës së krijuar më 21 gusht 2011 në Kallarat u zhvillua “Takimi i Brezave”. Fjalën e hapjes e mbajti Kryeplaku i Fshatit, Zoti Lefter Qejvanaj, i cili ndër të tjera falënderoi të gjithë bashkëfshatarët e tij vendas dhe ata të ardhur në këtë takim brezash dhe u uroi atyre për ta kaluar sa më me hare festën në mes rrepeve.

Më tej fjalën e mori Kryetari i Shoqatës “Kallarati”, Zoti Kastriot Karabollaj, i cili pasi i uroi të gjithë bashkëfshatarët e tij theksoi: “Të dashur bashkëfshatarë dhe bashkëfshatare! Të nderuar të ftuar! Jemi mbledhur sot, në këtë ditë, për të festuar së bashku, për të shkëmbyer mendime, për të folur për jetën tonë këtu në atdheun tonë, ashtu dhe të atyre që ndodhen në emigracion, disa afër e disa larg. Kjo ditë kaq e madhe vjen për të na bashkuar që të gjithëve e për t’u çmallur me njëri-tjetrin, si dhe me fshatin tonë të dashur, i cili ka patur dhe ka tradita nga më të ndryshme që ne, si bashkëfshatarë, duhet t’i zhvillojmë e t’i çojmë akoma më përpara, duke komunikuar me njëri-tjetrin si me anë të këtyre takimeve ashtu dhe nëpërmjet librave, artikujve të ndryshëm të shkruar në gazetën tonë “Kallarati” ashtu edhe në gazetat e tjera të shtypit shqiptar.

Kallarati dhe kallaratasit kanë patur traditë që në kohë të lashtë mikpritjen, atdhedashurinë, trimërinë, vëllazërinë, solidaritetin, bashkëveprimin dhe miqësinë. Një meritë të veçantë në zhvillimin e këtyre traditave kanë kallaratasit vetë, që çdo ditë i shprehin këto tradita e virtyte të shkëlqyera, por meritë ka edhe shoqata “KALLARATI”, e cila ka punuar qysh me krijimin e saj e po vazhdon të punojë për avancimin e tyre më përpara, duke kryer disa veprimtari si kjo e sotmja e të tjera në funksion të fshatit tonë të dashur.

Kjo natyrë e ashpër, rrethuar me këto male, ka nxjerrë emra të shquar që nga lashtësia deri në ditët e sotme, të cilët kanë çuar përpara këto tradita të shkëlqyera e bujare të kësaj zone, kanë zhvilluar arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, blegtorinë, ekonominë, ushtrinë, trimërinë, traditat atdhetare e kulturore.

Njerëz të vendosur që edhe ditët më të vështira kanë ditur t’i kthejnë me mençuri në favor të tyre, kanë mposhtur situate të vështira në çdo kohë e ia kanë dalë mbanë e triumfuar kundër të keqes në çdo rrethanë e vështirësi. Shoqata ka punuar dhe punon për pasqyrimin sa më të drejtë të të gjitha veprimtarive në faqet e gazetës tone “Kallarati”.

Unë si kryetar i kësaj shoqate i falënderoj të gjithë ata që kanë shkruar në faqet e gazetës sonë për të pasqyruar ngjarjet e ndryshme të të gjitha viteve e me realizëm për të kryer një shërbim ndaj këtij komuniteti të nderuar. Ftoj të gjithë bashkëfshatarët, kudo që janë, të shkruajnë akoma më shumë që kjo gazetë të pasurohet e të botohet me dinjitet e në vazhdimësi në mënyrë që të pasqyrohen të gjitha fenomenet, ngjarjet e ndodhitë që kanë ndodhur në fshatin tonë, por edhe të bashkëfshatarëve tanë nëpër atdheun tonë të dashur, ashtu dhe të atyre që janë në emigracion, si për jetën e tyre dhe veprimtarinë e ecurinë e përgjithshme, pasi kështu do të kemi më shumë vëllazëri, afrim dhe miqësi me njëri-tjetrin.

Zoti Kastriot e mbylli fjalimin e tij me këto fjalë falënderuese: “Në emër të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Kallarati” ju falënderojmë duke ju uruar shëndet, mbarësi e të mira në vatrat tuaja”.

Pastaj, në emër të moshuarve të pranishmit i përshëndeti veterani Enver Golloshaj, i cili i mallëngjyer falënderoi pjesëmarrësit, ju uroi atyre gëzuar festën dhe u bëri thirrje që në 100 vjetorin e djegies së fshatit nga Antardët Grekë më 1914, të mblidhen e të festojnë së bashku në verën e 2014, i cili sipas tij mund të jetë edhe takimi tjetër i radhës. Por kjo do të varet nga vendimet që do të marrë më vonë vetë Shoqata “Kallarati”.

Sipas traditës festa vijoi me drekën e përgatitur në bazë fisesh e familjesh, të bashkuar dhe afër njëri tjetrit, po edhe në shtëpitë e tyre dhe në klubet në qendër të fshatit.

2012

DOKUMENTAR TELEVIZIV “KALLARATI, NJË TROJË E VOGËL LABE”, SIPAS ESËSË “KALLARATI”, SHKRUAR NGA PETRIT QEJVANI.

“Kallarati, një Trojë e Vogël Labe”, është një tjetër dokumentar i realizuar në vitin 2012 nga intelektuali me emër, Petrit Qejvani dhe kryetari i shoqatës, zoti Kastriot Karabolli. Dokumentari është realizuar nga gazetari Ergys Alushi mbi bazën e esesë së Petrit Qejvanit “Kallarati”.

Ja përmbajtja e esesë: “Në mes të Labërisë së thellë, në të dy anët e Lumit të Vlorës, sapo ai ka marrë startin, në këmbët e malit të Bogonicës, shtrihet Kallarati. Nga të rrallët fshatra të dyzuar, njëri përballë tjetrit, si ne legjendë: një i gjallë, tjetri i vdekur (i djegur), por me rrënojat thuaj 100-vjeçare ende në këmbë, mbresëlënëse.

Është një fshat i vogël, ” i paktë” siç thotë kënga popullore, por i vetëmjaftueshëm në qenien tij, me njerëz të qetë e dinjitozë, që zënë vendin, që u takon në jetë dhe në shoqëri, modestë dhe të pagabueshëm në vlerësimin e vetes dhe të tjerëve. Që nuk e matin veten me hijen e mëngjesit, që nuk mburren e bëjnë zhurmë, kur bëjnë gjëra të çmuara, por bëjnë gjithçka bëjnë njerëzit e zakonshëm të kësaj bote. Që zënë pozicionet e tyre kur kërcënohet liria dhe kur duhet thënë fjala. Ata nuk bënë asnjëherë teatër në jetën e tyre, për t’u dukur para të tjerëve, fqinjëve apo botës, sepse janë të natyrshëm. Një fshat mes malesh, me shpatulla mbështetur te mali i tij i bukur dhe bujar, Bogonica, një mal interesant, me dy maja gati simetrike dhe me një livadh të gjelbër në mes, si për të qetësuar rreptësinë e majave në krah të njëra-tjetrës. Duket sikur është projektuar njëherë nga njeriu, pastaj është realizuar, në trajtën e një ë-je gjigande, si tek “wolksvageni”. Është një fshat, që nuk shfaqet menjëherë, por pjesë-pjesë për shkak të relievit të thyer dhe të kodrave, që fshihen njëra pas tjetrës, me pemë rreth oborreve dhe me një prehër tokë para çdo shtëpie për shkak të terrenit të sertë prej guri e shtufi. Por i bukur, ndoshta më i bukuri i fshatrave përreth , i zbritur buzë rrugës automobilistike, me një lumë të kthjellët, që gjarpëron midis rrepeve, që e bën më poetik dhe romantik. Një fshat i vogël, por i veçantë, me mullirin e dikurshëm, me shkollën, me qendrën shëndetësore, me klubin e vogël ndanë xhadesë, me dyqanin në Qafën e Ubavit, me njerëz, që e kanë ditur me kohe se bota nuk fillon e mbaron me sinorët e fshatit, ndonëse pa emigracion të shënuar. Ndërsa pas vitit 1990 si gjithë të tjerët. Dhe nuk e rrahën ndonjëherë gjoksin se kishin bërë çudira…

Ka qenë fshat i madh dikur, thonë. Bile një këngë popullore flet për 42 dyqane! Pak si shumë! Gojëdhëna thotë se dikur një murtajë shoi fshatin dhe, mes lemerisë, ata që shpëtuan iknin ku të mundnin. Një pjesë e tij mbeti, për pamundësi largimi apo nga malli për vatrën,(ku i dihet?!) duke u zhvendosur pak më tej, aty ku sot është Fshati i djegur, një arkeologji e rrallë mbi tokë, një “Trojë e vogël” labe, shqiptare, djegur në fillim të shekullit XX (1914) nga po ata që dogjën Trojën e madhe. Këtë ndjesi më jep, sa herë e vizitoj, sidomos pasdite, në perëndim të diellit, kur nga rrezet e tij muret e rrënuar dhe pluhuri i shkatërrimit marrin një ngjyrë kafe të kuqërremtë. Ka dhe një pllakë në lapidarin simbolik atje.

Sot fshati po braktiset sërish, por jo prej ndonjë fatkeqësie natyrore a pushtimi, por thjesht me dëshirë për një jetë më të mirë drejt qyteteve. Ndoshta kjo braktisje do të kthehet në një rilindje, në një pamje e funksion tjetër. Do të vijë koha, kur do të ndërtohen shtëpi të reja për efekt pushimi, sidomos në verë. Nuk është një ide fantastike. Besoj do të ndodhë kështu, bile jo larg, sapo ish fshatarët të “ngopen” me qytetin, gjë që e kanë bërë të tjerët para nesh. Sepse natyra në Kallarat është e bukur: mali, lumi, pylli i Morrezës me rrepe te lashtë, ajri i pastër, qielli i thellë…Duhet vetëm rruga e mirë për të shkurtuar kohën, pasi nga Vlora 50km nuk janë ndonjë distancë e madhe. Ndoshta një ditë një rrugë e mirë do të shkojë dhe atje… Shënimi ynë: Rruga tashmë është bërë një realitet.

Me siguri edhe në të ardhmen do të bëhen dokumentarë të tjerë, duke mos e harruar asnjëherë vendlindjen sidomos për brezat e rinj nën moton Ec ngado, Kallaratin mos e harro”.

1 MAJ 2012

ÇELJA E FAQES SË KALLARATIT NË INTERNET www.kallarati.com dhe facebook “Shoqata Kallarati”

Siç është e njohur për lexuesit e gazetës ‘Kallarati”, më 1 maj të vitit 2012 me iniciativën e një grupi intelektualësh kallaratas dhe sponsorizim të bashkëfshatarit tonë, Shkëlqim Leskaj (Laçaj) u çel uebsati ëëë.kallarati.com. Midis të tjerash në njoftimin për çeljen e këtij ubsaiti shkruhej “Le të shërbejë ky uebsait ëëë.kallarati.com, nga kjo faqe e internetit, ashtu si edhe gazeta “Kallarati” dhe çdo rrjet tjetër social komunikimi për të forcuar më shumë lidhjet shpirtërore, për të mbajtur të ndezur ndjenjën e atdhedashurisë e të patriotizmit, për të mbajtur në kujtesën Tuaj vendlindjen, Kallaratin që u lindi dhe u rriti, duke rritur e forcuar me shume ndjenjën e bashkimit e mirëkuptimit mes nesh, duke shmangur çdo keqkuptim politik a partiak. Ajo që duhet të na bashkojë të gjithëve, duhet të jetë vendlindja, Kallarati”.

Nga dita e çeljes së këtij ueb sajti, ai është përmirësuar në përmbajtje, është zgjeruar dhe në të është përfshirë pak a shumë jeta e Kallaratit ndër vite. Kushdo kallaratas dhe jo kallaratas, për qejf e dëshirë, por edhe për çështje studimore, mund të shfletojë faqet e këtij uebsaiti dhe të gjejë aty të dhëna të mjaftueshme për Kallaratin dhe njerëzit e tij.

Në këtë uebsait janë pasqyruar shumë rubrika si: “Rreth Kallaratit”, ku ka disa nënrubrika për njohjen e kontributit të kallaratasve për liri e demokraci; njohjen e historikut të Kallaratit; jetën e dëshmorëve të Kallaratit; mendime të ndryshme për origjinën e Kallaratit; roli i Kallaratit në Enciklopedinë  e Kurveleshit; kontributin e Kallaratit në luftërat për çlirim kombëtar duke filluar që nga ato të vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit, në  shpalljen e pavarësisë, luftën e Vlorës, luftën nacionalçlirimtare, kontributin pas çlirimit për rindërtimin e vendit të shkatërruar, e deri në ardhjen e demokracisë e në ditët e sotme etj.

Një rubrikë tjetër është “Kultura & sporti’. Nëpërmjet nënrubrikave të saj  jepen informacione të shkrimeve të botuara në media mbi krijimtarinë popullore të Kallaratit, duke filluar nga rapsodët popullorë si: Xhebro Muço, Isan Sejdiu, Veliko Murati, Elmaz Çerçizi, Barxhul Musai, Hasan Shamo, Mehmet Karabolli e duke ardhur te krijuesit e sotëm si: Prof. Dr. Rami Memushaj, Neshat Tozaj, Saimir Strati, Gafur Shametaj, Hiqmet Meçaj, Seit Jonuzaj, Petrit Qejvani, Andi Meçaj, Llano Llanaj etj, të cilët me krijimet e tyre kanë ngritur më lart jo vetëm emrin e tyre, por edhe lavdinë e krenarinë e Kallaratit.

Një vend të rëndësishëm zënë edhe figurat e sportistëve kallaratas me emër si; kampionia e Evropës në qitje me pistoletë, Elisabeta Karabollaj, futbollisti Çlirim Hysi, basketbollistja Afërdita Laçaj, volejbollistja Drita Shakaj,  qitësja Klarita Strati, futbollisti Ledian Memushaj, etj sportistë, që kanë qenë dhe janë krenaria jo vetëm e sportit shqiptar, por edhe krenaria e Kallaratit.

“Arsimi” është një nga fushata më të rëndësishme, e cila në këtë uebsait zë një vend të veçantë duke dhënë shifra dhe fakte të etjes për dituri dhe arsim të kallaratasve, ashtu si gjithë populli shqiptar. Vend të veçantë zë roli dhe kontributi i Myftar Aliut, si një ndër të parët në Kurvelesh që përqafoi idetë e rilindësve për përhapjen e arsimit dhe të gjuhës shqipe; Telo Zhibi, i cili pasi mbaroi shkollën e Muradies (mejtepin turk) dhe filloren shqipe, bëhet  nismëtar i parë i mësimit shqip në Kallarat; Meçan Qejvani, i cili pasi shkollohet dhe përkrah  idetë përparimtare të kohës  në moshën 18-vjeçare, hap me 1913 shkollën e parë shqipe në Vranisht, si dhe kontributi i më shumë se 90 kallaratasve që punuan në arsim në periudha të ndryshme, si edukatorë të brezit të ri në arsimin parashkollor, arsimin 9 vjeçar, arsimin e mesëm, arsimin e lartë e atë pasuniversitar, në Kallarat dhe anembanë Shqipërisë, duke fituar me djersë edhe grada të larta shkencore.

Në rubrikën “Ekonomia” jepen të dhëna, shifra e fakte që nga prona private para çlirimit, kohën e kalimit në pronën kolektive me krijimin e kooperativave bujqësore, ku në Kallarat, ajo u krijua më 16 shtator të vitit 1956,  dhe atë pas viteve 1990 me përmbysjen e sistemit socialist dhe kalimit përsëri në ekonomin e tregut  e të pronës private.

Një rubrikë e veçantë është ajo ”Këngë &video”. Për herë të parë shikuesve u është krijuar mundësia për të parë filmin dokumentar për Kallaratin, krijuar nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Gafur Shametit, ish Kryetar i Shoqatës Kallarati; këngët e kënduara nga Zeqo Hoxha e Evgjeni Jonuzi në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1983; Hyso Xhaferaj në rolin e hedhësit si pjesëtar i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, në Grupin “Zadeja’, grupin “Antea”, Këngën Magjike e në shumë këngë të tjera.

Gjithashtu për herë të parë shikuesve u jepet mundësia  të shikojnë videon me këngë të Grupit Folklorik “Bogonica”, filmuar në Televizionin Publik Shqiptar në vitin 1995 me nismën dhe realizimin e drejtpërdrejtë të Llambro Hysit dhe Birçe Ribit me këngët: “Hëna që del në Bogonicë”, “Luan ç’luan hënëza”,Mëngjes për mëngjes”, “Një trimi”,O bo djemtë mbi dete”,Vjen lumi trubull o”, kënduar nga grupi dhe “Brohoritje” kënduar nga Zeqo Hoxha, si dhe “Djepi ynë burim floriri”, kënduar nga Evgjeni Jonuzi. Po kështu për herë të parë edhe këngët e këngëtarit  të këngës popullore me motive të jugut, Gjergji Leskaj (Laçaj) “Unë jam djalë nga Labëria”, “Bijtë e Shqipërisë”, “Moj Eleni”, “Babai”, “Vashëzo moj engjëllore”, “Vajzat e hoxhës të tria”, “Do t’ia marrim këngës” dhe  “Qengji i urte pi dy nëna”. Apo edhe videot për ndarjen e parakohshme nga jeta të Miranda Gjonbratit e deri te cylja dyjare e Myzafer Qejvanit, apo edhe këshilla praktike për bërjen e kukurecit e dollmës sipas traditës shqiptare dhe patjetër kallaratase nga Aneta e Myzafer Qejavani, kallaratas emigrant në Amerike, etj.

Vend kryesor në uebsait zë rubrika “Galeria fotografike” me foto e albume të veçanta si: albumi “Kallarati parë nga ajri”, realizuar me helikopter nga Aleksandër Çala, dhëndër në Kallarat; albumi “Takim Brezash” nga takimet në Kallarat në vitet 2005, 2007 e 2011, apo ato për zgjedhjen e Shoqatës “Kallarati” më 2011 dhe mjaft foto të tjera nga fshati i vjetër nga lagjet dhe nga natyra e bukur në Kallarat.

Tjetër rubrikë është edhe “Intervista”, ku janë hedhur mjaft intervista të bashkëfshatarëve tanë, botuar më parë edhe në gazetën Kallarati, si ajo me: Prof. Dr. Rami Memushaj, Nako Jovanaj, Hiqmet Meçaj, Yzeir Ribaj, Idajet Toçaj, Agron Tozaj, Shkëlqim Laçaj, Arif Breshanaj, Adem Mataj, Seit Jonuzaj, Gafur Shametaj, Luto Demiri, Kujtim Hysi, Lefter Qejvanaj, Hasan Mehmeti, Suela Jonuzaj, Evgjeni Jonuzaj etj, të cilët rrëfejnë jetën e tyre private e shoqërore e lidhur ngushtë me vendlindjen, Kallaratin.

“Blogu”, është një tjetër rubrikë në të cilën hidhen shkrimet më të fundit, të cilat e bëjnë më tërheqëse për shikuesit e kësaj faqeje, ku vend të rëndësishëm kanë zënë shkrimet e botuara në median e shkruar e atë elektronike shqiptare, në mënyrë të veçantë të intelektualëve, Rami Memushaj për problemet e gjuhës Shqipe me interes për opinion mbarë kombëtar apo edhe shkrimet kritike nga Petrit Qejvani rreth zhvillimeve të aktualitetit në vendin tonë.

“Të tjerët shkruajnë për Kallaratin”, është rubrika ku hidhen dhe pasqyrohen shkrimet e atyre njerëzve edhe pse jo kallaratas në origjinë, por të lidhur shpirtërisht me të, ku do të veçonim shkrimet për Kallaratin dhe njerëzit e tij nga: Qebrit Demiri, Qatip Mara, Faslli Koçiraj, Namik Selmani, Farfuri Liskëndaj, Idajet Jahaj, Mirban Duka, etj.

“Sondazhet”, është një rubrikë tjetër ku mund të bëhen sondazhe të ndryshme që kanë të bëjnë me Kallaratin. Në këtë faqe është krijuar mundësia e njohjes në online edhe të lajmeve më kryesore të vendit në një kohë reale, lajme të marra nga ballkanweb.

Uebsaiti www.kallarati.com mbi të gjitha u krijon të rinjve mundësinë për t’u lidhë direkt edhe me rrjetet sociale si; Facebook apo Twitter, të cilat krijojnë mundësinë që shkrimet e publikuar në këtë uebsait të njoftohen për t’u parë nga të rinjtë në faqen e facebook-ut: “Shoqata Kallarati”, të cilat sot janë tepër të përdorshme dhe ku pjesa më e madhe e të rinjve por edhe më të moshuar janë bërë pjesë e saj.

Një vend të veçantë zë rubrika që i kushtohet Shoqatës “Kallarati”, që nga krijimi i saj e deri më sot, duke bërë të ditur emrat e kryesisë së shoqatës ndër vite, aktivitetet që ka zhvilluar dhe objektivat e saj në të ardhmen.

Më të veçantën do të quanim hedhjen në online të çdo numri të gazetës “Kallarati”, duke i krijuar mundësinë çdo vizitori kallaratas dhe jokallaratas te njihet me faqet e gazetës, ende pa u shpërndarë në Vlorë, aty ku ajo botohet. Përveç kësaj gazeta ka arkivin e vet, ku lexuesi gjen çdo numër të gazetës që nga çelja e këtij uebsaiti.

20 TETOR 2012

AKTIVITETI ME RASTIN 70 VJETORIT TË RËNIES SË HEROIT TË POPULLIT, MUMIN SELAMI.

Më 20 tetor 2012, në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë u organizua në Kallarat veprimtaria përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të rënies së Heroit të Popullit Mumin Selami. Morën pjesë banorë të fshatit, bashkëfshatarë me banim në Vlorë, Tiranë, Selenicë dhe përfaqësues nga fshatrat fqinjë Kuç, Bolenë e Vranisht, anëtari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it dhe Kryetar i Komitetit të Veteranëve të rrethit Vlorë, biri i Kallaratit, Seit Jonuzaj, anëtari i Kryesisë së Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, z. Fetah Xhemali, Kryetari i Shoqatës K/A “Kallarati”, Kastriot Karabolli, Kryetari i Degës së Shoqatës “Kallarati” për Tiranën, Profesor Dr. Rami Memushaj, Sekretari i Komunës Vranisht, z. Lefter Qejvanaj, pjesëtarë e të afërm të familjes së Heroit, Idajet Toçaj e nipi tërbaçiot Laze Çelaj etj.

Veprimtaria përkujtimore nisi me një vizitë në dhomën-muze kushtuar Heroit, ku u lanë edhe shënime në librin e përshtypjeve. Pastaj vazhdoi me vendosje kurorash e buqeta lulesh tek busti i Muminit e te lapidari i dëshmorëve që ndodhen pranë njeri tjetrit në qendër të fshatit, në Morrez. Në sheshin para bustit dhe lapidarit ku ishin grumbulluar pjesëmarrësit, ceremoninë e hapi kryetari i fshatit, z. Lili Memushaj. Për jetën dhe veprën e Heroit të Popullit Mumin Selami foli prof.dr. Rami Memushaj. Ndërsa Seit Jonuzaj solli disa kujtime dhe vlerësime që kishte për Muminin nga njohja e drejtpërdrejtë që kish patur me të. Në emër të kryesisë së Organizatës së familjeve të dëshmorëve të rrethit përshëndeti z. Fetah Xhemali, i cili vlerësoi punën e bërë nga  organizatorët për realizimin e kësaj veprimtarie mbresëlënëse, si dhe rolin e djemve e vajzave të Kallaratit në LANÇ, që si fshat i vogël në Lumin e Vlorës e në Kurvelesh në krahasim me popullatën e fshatrave përreth, ka shumë dëshmorë në të gjitha luftërat që ka kaluar Kallarati, ka heronj të luftës e të punës, ka kuadro të zotë të ushtrisë, arsimit, bujqësisë etj, që gëzojnë respektin e njerëzve ku kanë jetuar e punuar. Në fund, Idajet Toçaj, në emër të familjes dhe të afërmve të Heroit të Popullit Mumin Selami, përshëndeti dhe falënderoi organizatorët dhe të pranishmit për veprimtarinë përkujtimore që u zhvillua. Ceremonia përkujtimore vazhdoi me një program artistik me këngë e recitime kushtuar heroit e dëshmorëve nga nxënësit e shkollës, si dhe me këngë polifonike nga grupi polifonik “Haxhi Dalipi”, i sjellë nga Vlora dhe i sponsorizuar nga bashkëfshatari ynë z. Selman Memushaj. Ndër këngët e këtij grupi të mrekullueshëm u këndua edhe kjo:

Trimat që ranë për vatanë

Më duhet një madem mali

Të pikonte pak flori,

Ta gëdhënd në germa ari

Muminin në Labëri.

Refren:

Trimat që ranë për vatan,

Historinë hapur e kanë.

Me këngën dërgojnë haber:

Kallarat derë më derë

Do mblidhemi këtë herë

Në trojet ku kemi lerë.

Refreni.

Trimat që ranë për vatan

Dhe s’dinin se ç ‘ishte frika.

Historinë hapur e lanë,

Mbi themele të florinjta.

Refreni

Kallarat Mumin Selami,

Ku lëshon çika stërralli.

Pas këtij programi, nga kryesia e Shoqatës “Kallarati” për pjesëmarrësit e kësaj veprimtarie ushtrua një drekë e pasur në klubin e Zeqo Hoxhajt.

16- 17 GUSHT 2014

PËRKUJTIMI I 100 VJETORIT TË QENDRESËS SË KAALLRATASVE NDAJ ANDARTËVE GREKË

Është një nga aktivitetet më të rëndësishme të shoqatës. Në kujtim të këtij përvjetori të qëndresës së Kallaratit ndaj andartëve grekë, në datat 16 dhe 17 gusht 2014 erdhën në këtë festë të moshuar veteranë, të rinj e të reja deri edhe fëmijë. Interesimi për këtë festë ishte i madh.  Kishte edhe nga fshatrat përreth si Bolena, Kuçi e Vranishti.

Me të vërtetë që ceremonia kryesore e festës kishte të bënte me 100 vjetorin e qëndresës së kallaratasve ndaj andartëve grekë, por në programin e vet shoqata kishte edhe vendosjen e një pllaka guri në kujtim të luftës së Kallaratit, Kuçit e Bolenës ndaj pushtuesve turq më 1847, punuar nga guregdhenesi kallarat, Agim Mataj. Duke ju referuar librit “Enciklopedia e Kurveleshit” mësojmë se në kryengritjen e vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit luftëtarët e Kallaratit u prinë nga Dervish Alikua (Kallarati), Lame Petani, Meçe Haxhiu e Birbil Hasani, emrat e të cilëve dalin në letrën e 15 gushtit 1847 me të cilën 89 krerët e kryengritjes iu drejtuan për ndihmë mbretit Oton të Greqisë. Kallaratasit, bashkë me bolenas e kuçjotë, zhvilluan luftime të ashpra në brigjet e Shushicës me forcat e mëdha turke që synonin të dilnin në Kurvelesh të Sipërm përmes grykës së Shurit. Po armiku e theu qëndresën e tyre dhe, për t’u hakmarrë, dogji fshatin dhe u vuri zjarrin të mbjellave. Ndër udhëheqësit e kryengritjes që u varën në Janinë, ishin dhe katër krerët kallaratas. Megjithatë, edhe pas reprezaljeve të mëdha, Kallarati, ashtu si gjithë Kurveleshi e Labëria, nuk u nënshtrua.

Fjala e mirëseardhjes në këtë takim u mbajt nga kryeplaku i fshatit z. Ilir Memushaj, ndërsa fjala përshëndetëse u mbajt nga kryetari i shoqatës z. Kastriot Karabolli. Në takim përshëndetën edhe profesor Rami Memushi, veterani Seit Jonuzaj. Në emër të Komunës Horë – Vranisht përshëndeti kryetari z. Simbol Pazaj. Në këtë takim me propozim të kryesisë së shoqatës Kallarati, këshilli i komunës u akordoi dhënien e disa titujve figurave të shquara të fshatit si:

ZVeip Balil Memushaj (pas vdekjes)titullin “Nderi i komunës”me këtë motivacion “Luftëtar i shquar për lirinë e pavarësinë e vendit”; Demir Lato Kallarati (pas vdekjes) titullin “Nderi i komunës” me këtë motivacion: “Intelektual e patriot i shquar qe luftoi gjithmonë për çështjen kombëtare”; Z. Fein Çelo Strataj (pas vdekjes) titullin “Nderi i komunës” me këtë motivacion: “Luftëtar i vendosur në luftërat për liri e pavarësi”; Z. Saimir Strataj titullin “Nderi i komunës” me këtë motivacion: “Artist dhe atdhetar, mbajtës i disa rekordeve “GINNESS”; Z. Meçan Selam Qejvanaj (pas vdekjes) titullin “Nderi i komunës” me këtë motivacion: “Mësues i palodhur, atdhetar i flaktë, luftëtar i paepur për çështjen kombëtare”; ZSalo Rexhep Mataj (pas vdekjes) titullin “Nderi i komunës” me këtë motivacion: “Drejtues i palodhur, shembull i korrektesës në punë e kudo“.

Në këtë takim u hap edhe ekspozita fotografike përgatitur nga Besnik Gjonbrataj dhe Aleksandër Çala me foto të ndryshme të Kallaratit. Në fund pjesëmarrësit kaluan një drekë të përbashkët.

13 – 14 GUSHT 2016

PËRKUJTIMI I 100 VJETORIT TË CELJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE NË KALLARAT.

Një ngjarje kulmore për fshatin tonë është edhe hapja e shkollës së parë shqipe në Kallarat. Pikërisht në kujtim të 100 vjetorit të çeljes së shkollës së parë në datat 13 dhe 14 gusht 2016 në Kallarat u zhvillua një veprimtari mjaft e bukur me plot njerëz, bashkëfshatarë të ardhur nga Vlora, Fieri, Durrësi, Tirana, fshatrat përreth tij, por edhe emigrantë, të ardhur për të kremtuar së bashku takimin e brezave dhe për të përkujtuar 100-vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe në fshatin tonë. Veprimtaria kryesore u organizua në Qafën e Ubavit, aty ku zuri fill shkolla shqipe në Kallarat.

Në këtë veprimtari, mori pjesë gjithashtu ish-kryetari i Komunës dhe nënkryetar i Bashkisë së Himarës, zoti Simbol Pazaj, biri kallaratas profesor doktor Rami Memushaj, kryetari i shoqatës “Kallarati”, zoti Kastriot Karabollaj, kryeplaku i fshatit zoti Ilir Memushaj etj. Të pranishëm në këtë festë kishte edhe mësues jovendës që kanë shërbyer në këtë shkollë, si zoti Viron Avduli nga Tragjasi dhe bashkëshortja e tij Nezinete Leskaj (Avduli), bijë nga Bolena, etj.

Me nismën e kryesisë së shoqatës dhe të kryesisë së fshatit, për të kujtuar vitin 1916, vit kur u hodhën themelet e arsimit në Kallarat, ishte përgatitur një pllakë përkujtimore, me kushtimin: “Këtu, më 1916 u çel shkolla e parë shqipe e Kallaratit”. Pllaka u zbulua nga nënkryetari i Bashkisë së Himarës, zoti Simbol Pazaj, dhe një nga mësuesit më të vjetër të kësaj shkolle, zoti Hamit Muharremaj.

Në vijim, z. Kastriot Karabollaj, mbajti fjalën e mirëseardhjes. Për të folur rreth zhvillimit të arsimit në Kallarat që nga çelja e shkollës së parë e derisa ajo u mbyll, por edhe për ndihmesën e dhënë nga mësuesit për edukimin e nxënësve të kësaj shkolle të dashur, nga gjiri i së cilës kanë dalë me dhjetëra e qindra nxënës, fjala iu dha njërës prej mësueseve më të vjetra, ish-drejtoreshës së fundit të kësaj shkolle zonjës Violeta Xhaferaj.

Duke bërë bilancin e jetës së saj 90-vjeçare (1916–2006), shkolla ka funksionuar 74 vjet. Në të gjitha këto vite kanë dhënë mësim 98 mësues e mësuese që vinin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë: Shkodra, Korça, Kavaja, Vlora e Saranda si dhe nga fshatra e krahina të tjera të vendit. Shkolla e Kallaratit i bashkoi. Disa ishin të parët që nisën shkrimin e këndimin e shqipes me fëmijët kallaratas, të tjerët ngritën nivelin e mësimdhënies dhe rolin e shkollës në jetën e fshatit. Niveli i tyre arsimor ka përkuar me kushtet e zhvillimit historik të arsimit në Shqipëri. Kanë qenë me kurse e arsim joprofesional 28, me arsim të plotë pedagogjik 38, me institute dhe universitet 32 mësues. Në numrin e madh të mësuesve që kanë dhënë mësim në shkollën tonë kanë qenë bijtë e këtij fshati: Bilal Breshani e Hamit Muharremi, që dhanë mësim 25 vjet, ndërsa Violeta Xhaferaj 35 vjet. Ata u dalluan si mësimdhënës me nivel metodiko-shkencor, por edhe si veprimtarë shoqërorë në jetën e fshatit. Po kështu edhe mësuesit jokallaratas: Feti Mezini, Ali Sadiku, Izmini Begaj, Vesel Habili dhanë mësim 10–15 vjet, duke u dalluar si intelektualë e mësimdhënës. Kanë dhënë mësim në këtë shkollë edhe mësues me përvojë në mësimdhënie e në drejtim, si: Levzat Velaj, Lumturi Begaj, Shaban Mehmeti, Leonidha Prifti, Lefter Hysi. Në të gjithë periudhën 1916–2006 në këtë shkollë kanë mësuar 1245 nxënës nga të cilët 625 kanë mbaruar arsimin e plotë 8-vjeçar. Në vite shumë nxënës vazhduan shkollat e mesme e të larta dhe i shërbyen atdheut në fronte të ndryshme.

Mësuesve vendas: Telo Duro, Meçan Selami, Enver Golloshaj, Shelege Karabollaj, Sami Karabollaj, Servet Golloshaj, Namik Mehmetaj, Bilal Breshanaj, Proletare Habilaj, Dafina Qejvanaj, Burbuqe Qejvanaj, Kujtim Hysaj, Çize Xhaferaj, Violeta Xhaferaj, Hamit Muharremaj, Pranvera Hoxhaj, Altina Tozaj, Lefter Hysaj, Jazo Davacaj, Ferdinand Breshanaj,Thëllëza Hoxhaj, Donika Qejvanaj, Vojo Davacaj, Majlinda Davacaj, Gjinovefa Xhaferaj, Eglantina Demiraj, Enkeleda Hoxhaj, Vojsava Davacaj, Nezinete Davacaj, Selvi Mehmetaj, Altina Shakaj, Lindita Qejvanaj, Fiqirete Qejvanaj (Ramadani).

Mësuesve të ardhur nga rrethet e tjera dhe fshatrat e Vlorës: Jaho Hodo, Adem Hodo e Istref Pulo nga Borshi; Musa Sinani, Safet Gjoni e Remzi Mato nga Fterra; Xholito Gulielmo nga Italia; Jahja Seferi nga Kavaja; Liza Doda nga Shkodra; Kozma Llazari nga Lukova; Mërgim Korça nga Korça; Baki Abazi nga Tatzati; Nazif Duka, Fane Kongjini, Pranvera Shkurti, Vesel Habili e Mirjana Zeneli nga Vranishti; Gani Gana nga Mesapliku; Shaban Saliu, Xhafer Xhaferi, Xhevo Kaçaj, Emine Gjokutaj, Hysni Godaj, Eftimi Balili, Lumturi Godaj, Cane Fejzaj, Pikërime Fejzaj, Naxhie Bishaj, Mersin Agaj, Kate Alikaj, Idajet Gjokutaj e Roneta Godaj nga Kuçi; Levzat Velaj, Mehmet Likaj, Nikollaq Dumani, Vangjel Bojaxhiu, Dhimitër Haxhiu, Shaban Mehmeti, Miranda Tushi, Neti Sollomani, Eli Ceko, Laureta Dhefto e Irma Mihali nga qyteti i Vlorës; Lefter Beqiri e Murd Sinaj nga Tërbaci; Vasil Tata e Leonidha Prifti nga Kudhësi; Ëngjëll Hasimi e Shyqo Hasimi nga Armeni; Mareglen Ferraj e Shyqyrete Aliaj nga Brati; Viron Avduli nga Tragjasi; Nezinete Leskaj, Lavdie Begaj, Feti Mezini, Izmimi Begaj, Ali Sadikaj, Kaçandon Cacaj, Mylazim Sadikaj, Dritan Bajramaj, Ilir Sadikaj, Liri Sadikaj e Rajmonda Alikaj nga Bolena; Sonja Sadikaj nga Velça; Katerina Aliaj nga Selenica.

Drejtorë të shkollës “Mumin Selami” në Kallarat në vite kanë qenë: drejtori i parë Lumturi Godaj nga Kuçi, nga viti 1966–1970; Çize Xhaferaj 20 vjet nga viti 1970 deri 1990; Lefter Hysaj nga viti 1990 deri 1997; Vojo Davacaj nga viti 1997 deri 2000; Violeta Xhaferaj nga viti 2000 deri 2004 dhe nga 2004 deri në vitin 2006 që shkolla u mbyll, nga Eglantina Demiraj, por në rolin e përgjegjëses, pasi drejtoria qe shkrirë në vitin 2004.

Në takim përshëndetën edhe mjaft mësues e të ardhur, të cilët kujtuan vitet që ishin nxënës të kësaj shkolle ose që dhanë mësim në këtë shkollë.

Me rastin e kësaj dite të shënuar në jetën e arsimit kallaratas, me propozim të shoqatës “Kallarati” dhe të kryesisë së fshatit, Këshilli i Bashkisë së Himarës nderoi me certifikata mirënjohjeje disa nga mësuesit më të vjetër dhe me kontribut të veçantë që kanë shërbyer në shkollën “Mumin Selami” me motivacionin: “Për kontribut në fushën e mësuesisë dhe edukimit të brezit të ri”, si më poshtë:

Meçan Selami (pas vdekjes), Telo Zhibaj (pas vdekjes), Bilal Breshanaj (pas vdekjes), Namik Mehmetaj (pas vdekjes), Jazo Davacaj (pas vdekjes), Enver Golloshaj, Çize Xhaferaj, Violeta Xhaferaj, Hamit Muharremaj, Lefter Hysaj, Viron Avduli e Nezinete Leskaj (Avduli).

14-15 gusht 2021

TAKIMI I BREZAVE NË KALLARAT

Një takim brezash e konceptuar dhe realizuar ndryshe nga herët e tjera, një takim dinjitoz brezash, falë organizimit, falë sponsorizuesve dhe mbi të gjithë falë pjesëmarrësve të shumtë, në veçanti të rinjve, gjë tregon se dashuria për vendlindjen, dashuria për origjinën e të parëve nuk njeh kufi. Ashtu siç ishte programuar nga Kryesia e Shoqatës, në datat 14 & 15 gusht në Kallarat, në një atmosferë tepër festive u zhvillua me sukses “Takimi i Brezave”.

Takimi u bë i mundur nga sponsorizimi i realizuar nga vëllezërit Arjanit e Hektor Rjepaj dhe Bako Xhaferaj etj.

Nëpërmjet muzikës, këngëve dhe valleve popullore, këngëve të interpretuara nga këngëtari kallaratas Gjergj Leskaj, i dhanë këtij takimi ngjyrat dhe emocionet e një feste të rrallë.

Organizimi i takimit të brezave në mbrëmjen e të shtunës në sheshin para lapidarit, ku buçiti kënga popullore nën muzikën e orkestrës fierake në organo nga zoti Ernest HOXHA nga Mallakastra dhe në klarinetë nga zoti Alket SEITAJ nga Fieri dhe këngës labe, ishte padyshim zgjedhja më e bukur e grupit organizator, ku këngëtarit Gjergj Leskaj me emocione iu dha mundësia të këndojë para bashkëfshatarëve të tij, këngët e tij tashmë të njohura si: “Jam bir nga Labëria”; “Moj Eleni”; “Vashëzo moj Engjëllore”; “Bijtë e Shqipërisë”; “Do t’ia marrim këngës”; “Qengji i urtë pi dy nëna”;  “Vajzat e Hoxhës”; “Vetëm ti kërkomë”,  të kënduara prej tij live.

Këtij grupi iu bashkua edhe grupi lab “Pavarësia”, pjesë e së cilit ishte edhe Andon Begaj, sjell nga Vangjel Ribaj e bënë edhe më tërheqëse këtë natë. Si asnjëherë tjetër në këtë shesh gjatë gjithë natës u këndua, u kërcye, por edhe u ngrit dollia, shoqëruar me mishin e pjekur sipas traditës.

Mbrëmja e të shtunës, përveç muzikës live, ishte e konceptuar sipas një skenari të veçantë, e ndërthurur me këngë të kënduara nga kallaratasit, të cilat u ndoqën të incizuar, nëpërmjet altoparlantit të fuqishëm të orkestrës.

PËRSHËNDETJE E VEÇANTË E ARTISTIT TË POPULLIT, LUFTAR PAJO.

Artisti i Popullit, Luftar Pajo, edhe pse jo kallaratas, këtë mbrëmje u konsiderua pjesë e jona. I rritur mes miqsh kallaratas në qytetin e Fierit, së bashku me pjesëtar të fisit Strataj në Fier, ai me shumë dëshirë, jo vetëm mori pjesë në këtë takim, por nuk kishte si mos të dilte para mikrofonit dhe të bënte një përshëndetje të veçantë, siç di vetë ai. Pasi falënderoi për punën e bërë në organizimin e shkëlqyer të këtij takimi patriotik e kulturor, u ndal në vlerësimin e disa prej figurave më në zë të Kallaratit, të cilët e kanë bërë atë të njohur, brenda e jashtë vendit, ngriti një dolli për të gjithë banorët e Kallaratit, duke dhënë mesazhin “Mos e harroni fshatin”.

Ashtu siç ishte parashikuar, në ditën e dytë të takimit të brezave erdhën shumë bashkëfshatarë të tjerë nga qytete të ndryshme, emigrantë, të cilët në orën 10:00 e mbushën sheshin para lapidarit si asnjëherë tjetër. Kishin ardhur të rinj, të reja, si dhe të moshuar.

Ceremonia filloi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe ngritjen e flamurit, vendosur në një shtizë enkas për këtë qëllim pranë lapidarit kushtuar dëshmorëve të luftës antifashiste nacionalçlirimtare të fshatit.

Kryetari i këshillit të fshatit, zoti Hetem Ribaj mbajti fjalën e mirëseardhjes, ku ndërmjet të tjerash u shpreh: “Në emër të gjithë banorëve të Kallaratit, si përfaqësuesi i tyre në këshillin e fshatit, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju uroj të gjithëve mirë se erdhët në këtë takim brezash! Mirë se erdhët në fshatin tuaj, ku u lindët, u rritët dhe u shkolluat, por që aktualisht mund të ndodheni me punë dhe banim anembanë atdheut! Mirë se erdhët, ju të rinj e të reja, që, edhe pse nuk keni lindur në këtë fshat, ndiheni krenarë që është fshati i prindërve, gjyshërve apo i stërgjyshërve tuaj! Mirë se erdhët, ju emigrantë kallaratas, që për arsye ekonomike dhe për një jetë më të mirë jetoni e punoni anembanë botës.

Në vijim përshëndeti Kryetari i Shoqatës Kallarati, Zoti Kastriot Karabolli, i cili pasi falënderoi pjesëmarrësit në këtë takim brezash, u shpreh: “Është kënaqësi për mua si kryetar i shoqatës të jem këtu midis jush dhe t’iu përshëndes. Falënderoj gjithë ata kallaratas dhe jo kallaratas, por që janë të lidhur shpirtërisht me Kallaratin, burra dhe gra, të rinj e të reja që sot keni ardhur në këtë aktivitet të rëndësishëm të quajtur takim brezash.

Ndryshe nga herët e tjera me kërkesën e shumë të rinjve këtë takim e organizuam në dy pjesë. Dje në mbrëmje kryesisht të rinjtë, por edhe të moshuar e kaluan natën nën tingujt e muzikës popullore dhe këngës labe pikërisht në këtë shesh, ku buçiti kënga dhe vallja si asnjëherë tjetër.

Zhvillimi i takimit të brezave është një traditë pothuajse e gjithë fshatrave të Labërisë dhe sidomos të Lumit të Vlorës. Ne këtë traditë për herë të parë ne si fshat e nisëm në vitin 2005, vijuam më 2007 e me radhë gati në çdo dy vjet. Takimet e fundit me pjesëmarrje të gjerë kanë qenë ai i vitit 2014 në kujtim të 100 vjetori të djegies së fshatit nga andartët grekë dhe 2016 me rastin e 100 vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe. Më tej kryetari në fjalën e tij se takimi i sotëm le të shërbejë edhe si një farë llogaridhënie e shoqatës, si dhe një moment i marrjes së përgjegjësive dhe detyrave për të ardhmen. Por jemi të ndërgjegjshëm se gjatë aktivitetit të shoqatës ka edhe detyra ende të parealizuara ku do të përmendim: mosbërjen e përpjekjeve për realizimin e idesë së hedhur, atë të mundësisë së shpalljes së Fshatit të Djegur “Fshat Muze”; mosngritjen e një grupi artistik të fshatit, ndonëse në mënyrë spontane, kemi një lëvizje në këtë drejtim të disa të rinjve me banim në Kallarat; moskrijimin e një database, sipas degëve në rrethe me qëllim evidentimin e gjithë kallaratasve brenda e jashtë vendit.

Tashmë pas viteve 90-të, kallaratasit i gjen në çdo cep të Shqipërisë dhe anembanë botës. Megjithatë, sa më shumë largohen vitet që janë larguar nga fshati, aq më tepër është rritur dashuria dhe malli për Kallaratin dhe dëshira e kurioziteti i tyre është të dinë sa më shumë për Kallaratin. Për të bërë të mundur një gjë të tillë në ndihmë të tyre vjen edhe uebsajti Kallarati.com, i hapur për të gjithë, në të cilin janë hedhur mjaft materiale historinë e Kallaratit.

Duke falënderuar gjithë ata individë kallaratas që kanë ndihmuar shoqatën financiarisht dhe në të mira materiale në vite si: Aranit Rjepaj, Selman Memushaj, Ylli Shakaj, Shkëlqim Leskaj, Andon Leskaj, i ndjeri Idajet Toçaj, Selam Jonuzaj, Lavdosh Jonuzaj, Miri Ribaj, Xhevdet Demiraj, Bako Xhaferaj, Skënder Jonuzaj dhe blegtorët e fshatit Hekuran Ribaj, i ndjeri Sami Davaci, Muhedin Qejvanaj, Blerim Xhaferaj, Ladi Kondi, Lame Shakaj, etj, shfrytëzoj rastin nëpërmjet këtij takimi t’u bëjë thirrje gjithë atyre që kanë mundësi financiare, të kontribuojnë në këtë drejtim. Çdo qindarkë e dhënë nga secili do të ishte një ndihmë e madhe për mirëfunksionimin e shoqatës dhe kryerjen me nder të misionit që i është ngarkuar që me themelimin e saj.

Duke përfunduar fjalën zoti Kastriot theksi se dëshiroj të përcjell te të gjithë bashkëfshatarët e mi kallaratas dhe jo vetëm mesazhin: “Qëndroni të bashkuar rreth shoqatës tonë, si i vetmi organizim shoqëror i paanshëm! Duajeni vendlindjen Kallaratin dhe vendin e origjinës të të parëve Tuaj! Kudo që të shkoni quajeni veten kallaratas dhe shqiptar!

21 GUSHT 2022

TAKIMI I BREZAVE NË KALLARAT

Takimi i brezave, tashmë është kthyer në një traditë, për të gjitha fshatrat e Labërisë, patjetër edhe për fshatin tonë. Megjithëse njoftimi këtë vit, për shumë arsye objektive, u bë me vonesë, kallaratasit dhe jo vetëm ishin të pranishëm në mbrëmjen e datës 21 gusht në sheshin para lapidarit dhe restorantit të Zeqo Hoxhës. Të ardhur nga Vlora, Fieri, Durrësi, Tirana, e qytete të tjera, biles edhe nga emigrantët tanë në Greqi, Itali, Amerikë etj, por edhe nga fshatrat përreth Kallaratit, si Vranishti, Bolena e Kuçi, në një ambient tepër festiv, veshur me banderola e parulla, si dhe të një ndriçimi të plotë, nën tingujt e muzikës popullore dhe të zërit brilant të këngëtarit, birit të Kallaratit, Gjergj Leskaj, bëri që sheshi të gumëzhinte gjatë gjithë natës të datës 21 gusht. Bashkëfshatarët të organizuar në bazë familje, por edhe fisi, me tavolina e karrige të vendosura bukur, improvizuar secili një trapez si dikur u kërcyen vallet popullore, u këndua labçe dhe u ngrit dollia nën shoqërimin e mishit të pjekur në hell, karakteristikë e zonës së Labërisë.

Në organizimin e këtij takimi të brezave, meritë kanë ata që sponsorizuan, si Mirjan Ribi, Aranit Rjepi, biznesneset me një shërbim të përsosur, si përherë Zeqo Hoxha familjarisht, por kësaj radhe edhe Vangjel Ribi me ekipin e tij, të cilët ia shtuan bukurinë takimit të brezave. Jemi të ndërgjegjshëm se, nëse njoftimi do të kishte qenë shumë më herët, pjesëmarrja do të ishte shumë më e madhe, sidomos nga emigrantët, problem që vitin tjetër duhet të mbahet në konsideratë që masat për organizimin dhe njoftimin e datës së takimit të brezave, duhet bërë jo më vonë se muaji mars të çdo viti. Ajo që ra në sy kësaj radhe ishte pjesëmarrja e fisit Zeqaj të Kallaratit me banim në Borsh, të cilët për herë të parë ju bashkuan bashkëfshatarëve të tyre, ashtu si edhe pjesëtarët e fisit Jonuzaj të Penkovës dhe plot të tjerë. Nga fshatrat fqinjë do të veçonim grupin e Vranishtit të ulur në një tavolinë të veçantë, të cilët me këngët labe të kënduara e gjallëruan së tepërmi veprimtarinë festive.

Është viti i dytë që këngëtari, Gjergj Leskaj me orkestrën e tij, shpalosi para bashkëfshatarëve dhe moshatarëve të tij, talentin e tij, tashmë të afirmuar me albumin “Jam bir nga Labëria” dhe këngët e tjera të kënduara prej tij. Edhe pse një natë më parë ai kishte kënduar në të njëjtin takim brezash në Vranisht, ai i dha atmosferë gjithë takimit deri në orët e para të mëngjesit të datës 22 gusht.

Takimi si përherë filloi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, pastaj fjalën e mori i zoti i shtëpisë, kryetari i fshatit, zoti Lefter Qejvani, i cili pasi falënderoi të ardhurit në këtë takim, evidentoi dhe kërkoi një minutë heshtje për gjithë bashkëfshatarët kallaratas të ndarë nga jeta që nga takimi vitit të kaluar si: Xhelo Dautaj, Bardhosh Breshani, Arjana Dautaj, Selvi Tozaj, Sarta Tartari (Hoxhaj), Drita Muharremi, Hyso Xhaferaj, Budin Demiri, Peshqeshe Qejvani, Agron Jonuzaj, Nako Shakaj, Enver Golloshi, Amali Tozaj, Hanushe Strataj, Seit Jonuzaj, Hava Hysaj e Sirma Kondi.

Më tej Lefteri falënderoi ata që bënë të mundur sposorizimin e këtij takimi si Mirjan Ribin, Aranit Rjepin e të tjerë dhe në mbyllje uroi që të kalonim një mbrëmje të gëzuar të gjithë së bashku nën tingujt e orkestrës dhe këngëtarit Gjergj Leskaj si dhe këngës labe, shoqëruar me ushqimin dhe pijen tradicionale të Kallaratit.

NË “TAKIMIN E BREZAVE” NË KALLARAT, U PËRKUJTUA EDHE “BILBILI I LABËRISË”, BIRI I TIJ, HYSO BALIL XHAFERAJ.

Nuk kishte si ndodhte ndryshe, të mblidheshim në Kallarat e të mos kujtonim një nga bilbilat e Labërisë, atë që me zërin e tij na kish bërë krenarë e na kish lartësuar emrin e fshatit tonë, Kallaratit, Hyso XHAFERAJ. Prandaj edhe organizatorët e takimit kishin menduar edhe për këtë detaje shumë të rëndësishëm e kuptimplotë. Pas fjalës së hapjes nga kryetari i fshatit, zoti Lefter Qejvani dhe disa këngëve e valleve popullore, pranë mikrofonit një tjetër organizator i takimit, z. Besnik Gjonbrataj e merr fjalën në të cilën ndërmjet të tjerash theksoi: “Kësaj mbrëmje të bukur e festive i mungojnë edhe shumë bashkëfshatarë të tjerë, cilët nuk kanë mundur të vinin. Kësaj mbrëmje i mungojnë edhe ata të cilët janë ndarë nga jeta kohët e fundit. Por kësaj mbrëmje i mungon një nga bijtë e saj, i ndarë para kohe nga jeta, i mungon “Bilbili i Këngës labe”, ai që me zërin e tij të veçantë theu qelqet e qiellit, Hyso Balil Xhaferaj.

Hysua i këndoi me dashuri popullit të tij, në të gjitha skenat kombëtare e ndërkombëtare në përbërje të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ai këndoi përkrah Mjeshtrave të mëdhenj si: Hysni Zelës, Irini Qirjakos, Nazif Çelës së Lapardhasë, Mimoza Kosturit me grupin e Zagories, me grupin “Buronjat Labe” me udhëheqës artistik të paharruarin, poetin e Labërisë, Nertesi Asallanin, me grupin “Zadeja”, me grupin “Antea”, me grupin e Pilurit, me grupin e famshëm “West Side Family”, me artisten e madhe vlonjate, Aurela Gaçen. E me kë nuk këndoi e do të këndonte Hyso Xhaferaj, duke na bërë krenar që përfaqësonte me dinjitet vlerat më të spikatura të Kallaratit, të Lumit të Vlorës e të krejt Labërisë.

Hysua përveç planeve artistike me ansamblin, kishte si ide të tij ngritjen e grupit të Kallaratit, ku të bashkonte artistikisht zërin e tij me zërin e Zeqos, Gjenës, Gjergjit, Renatos, Simonit, Andonit, Myzaferit, Vangjelit etj. Por ja që zoti e mori para kohe dhe e dërgoi atje lart në qiell, për të na parë nga larg. Me siguri këtë ëndërr e dëshirë të tij do ta plotësojnë shokët e tij.

Kush nuk qau e derdhi lot për Hyson, kush nuk thuri vargje e këngë e këndoi për të, që nga familjarët, kolegët e ansamblit, artistë, këngëtarë, poet, shkrimtar, personalitete të larta të muzikës e kulturës, miq e shok të tij të shumtë, ne bashkëfshatarët e tij, por Hysua, siç shprehet poeti Nexhip Onjea “Do të rrojë sa të rrojë vetë kënga”. Poeti i madh Lefter Çipa, “Nderi i Kombit” para ndarjes nga jeta do ta vilësonte Hyso Xhaferajn “Gurë xhevahiri”, ndërsa kompozitori dhe drejtori i Ansamblit, Sokol Marsi pas vdekjes së Hysos do të shprehej “Luanët një Vdekje kanë”, etj.

Hysua sa qe gjallë qe nderuar nga presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri”, Shoqata, Labëria me titullin “Personalitet i Shquar i Labërisë”, atë e nderoi Lunxhëria në festivalin zonal, atë e nderoi Piluri në festivalin “Netët e Bejkës së Bardhë”, ku i këndoi edhe Zequa ynë me vajtimin e tij karakteristik me tekst të Kristo Çipës. Vlerësimet për të nuk kanë të mbaruar. Hysua do të mbetet për ne “Krenaria e Kallaratit”, që ai e deshi aq shumë dhe e thoshte me krenari e dinjitet edhe kur ndodhej jashtë vendit “Jam nga Kallarati”‘.

Për Hyson kanë shkruar e do të shkruajnë edhe më vonë, por në këtë mbrëmje, për nder të veprës së tij të ndritur, për atë ai çfarë la si trashëgimëni, këngën labe, le të ndjekim baladën: “Ti do të rrosh, sa të rrojë vetë Kënga” me tekst të poetit nga Fushëbardha e Gjirokastrës, mikut të tij të ngushtë, Nexhip Onjea, interpretuar nga aktori Bujar Asqeriu, “Nderi i Kombit”, si dhe këngën labe, po me tekst të Nexhip Onjesë, kënduar nga shoku dhe miku i tij i veçantë, Nazif Çela.

Menjëherë pas kësaj fjale të shkurtër, por shumë të vlerësuar, të pranishmit, midis tyre, pjesëtar të familjes Xhaferaj, vëllai, motrat, djali, xhaxhai e të afërm të tjerë, ardhur enkas për këtë eveniment, ndoqën me shumë emocion, lot, por edhe me krenari interpretimin brilant të Bujar Asqeriut “Nderi i Kombit”, mbështetur në vargjet e zgjedhura e të skalitura siç di vetë, poeti Nexhip Onjea, e në vijim këngën e kënduar nga Nazif Çela, nga miku dhe shoku i tij i ngushtë, me të cilin u kishin kënduar shumë zemrave të thyera e të lënduara nga humbja e njerëzve të tyre të shtrenjtë.

Duartrokitjet e të pranishmëve, përveçse një respekt e mirënjohje ndaj figurës së Hysos, tregojnë e flasin qartë se, Hysua do të jetë gjithmonë mes nesh, me zërin dhe këngën e Tij në çdo eveniment të vendlindjes, Kallaratit. “Ai do të rrojë, sa të rrojë vetë kënga”.

Në emër të familjes dhe të afërmve të Hysos, përshëndeti, vëllai i tij, Bakua, i cili falënderoi gjithë bashkëfshatarët për ngushëllimet, mesazhet, komentet, këngët, shkrimet e krijimet e bëra e të shprehura për djalin, bashkëshortin, prindin, vëllain e tyre të paharruar Hyson dhe duke ju uruar atyre shëndet, gëzime e lumturi në familjet e tyre.

Në fund për të pranishmit u shpërnda falas gazeta Kallarati, botim special në kujtim të jetës dhe aktivitetit artistik të “Bilbilit të Labërisë”, Hyso XHAFERAJ.

FISI ZEQAJ NGA BORSHI ME ORIGJINË TË HERSHME NGA KALLARATI MERR PJESË PËR HERË TË PARË NË TAKIMIN E BREZAVE.

Altin Zeqaj nga Borshi, me origjinë të hershme nga Kallarati, ishte ndër të parët që konfirmoi pjesëmarrjen pas njoftimit të hedhur në fb nga kryesia e Shoqatës. Ja si shkroi Altini te fejsbuku i shoqatës: “Përshëndetje shoqata Kallarati! Konfirmoj pjesëmarrjen në takimin e brezave në Kallarat. Për herë të parë do sjell babin në fshatin e të parëve të tij dhe fëmijët që të shikojnë e shijojnë AROMË LABËRIE. Mezi presim të dielën që të takojmë Brahim Goxhaj, i cili na mirëpret në vatrën e tij. Uroj dhe shpresoj që të ketë sa më shumë kallaratas dhe jo vetëm. Mirë u takofshim në Kallarat – përfundonte mesazhin e tij Altini. Këtë njoftim Altini e bërë realitet, ku në mbrëmje në një tavolinë të veçantë në pritjen e organizuar mjaft mirë nga Brahim Goxhaj, fisi Zeqaj ishte i pranishëm nga më të moshuarit deri te të vegjlit, një ndërthurje prefekte e brezave. Këtë pjesëmarrje të tyre në takimin e brezave në Kallarat e realizoi falë këmbënguljes së Altin Zeqaj. Altini është një djalë i lindur e rritur në Borshin e bukur buzë Jonit, banues në Tiranë, që edhe pse stërgjyshi e gjyshi i tij kanë lindur në Borsh, me krenari e quan veten kallaratas, pasi sipas asaj që ai ka trashëguar nga i ati, por edhe gjyshi, rreth viteve 1800 të parët e fisit Zeqaj për arsye të ndryshme u shpërngulën nga Kallarati dhe u vendosën në Borsh. Aty ndërtuan jetën brez pas brezi me shumë mund e djersë, duke sakrifikuar për veten e tyre, për të mirën e Borshit e të Atdheut. Por ata edhe sot e kësaj dite e quajnë veten se janë nga Kallarati. Ata kanë kaluar vite e breza të tërë të fisit Zeqaj që jetën e kanë ndërtuar më së miri në Borsh, Sasaj, Sarandë, Tiranë e jashtë vendit. Por kudo ku ata jetojnë e quajnë veten dhe i quajnë të tjerët vetëm kallaratas.

BASHKËPUNIMI I SHOQATËS SONË ME SHOQATAT SIMOTRA

Rritja e bashkëpunimit me shoqatat simotra në rrethin e Vlorës dhe më gjerë, ka qenë një nga objektivat e Shoqatës sonë. Kështu, kemi lidhje të mira dhe në disa momente edhe qëndrime të përbashkëta me shoqatën e Vranishtit, Bolenës, Kuçit, Tërbaçit, me degën e Shoqatës “Labëria” për Vlorën, por edhe më larg, me shoqatën “Dukagjini”, me Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it, Organizatën e familjeve të Dëshmorëve dhe organizata e shoqata të ndryshme që kanë për mision të tyre patriotizmin dhe atdhetarizmin.

FINANCIMI I SHOQATËS

Në statutin e shoqatës është theksuar që burimet financiare të shoqatës do të përbëhen nga kuotizacioni i anëtarësisë në masën 1000 lekë në vit, nga sponsorizimet e personave që kanë aktivitet biznesi dhe personave të tjerë dashamirës që kanë mundësi financiare. Për t’u krijuar mundësinë çdo kallaratasi që e ka dëshirën dhe mundësinë për të kontribuar në para, si shoqatë herë pas here janë çelur numra llogarie bankare. Të ardhurat që janë siguruar janë përdorur nga kryesia e Shoqatës për botimin e gazetës “Kallarati”, për zhvillimin e veprimtarive të ndryshme përkujtimore historike dhe kulturore të fshatit tonë, duke bërë në çdo kohë transparencën e përdorimit të tyre.

Shoqata është ndihmuar financiarisht  dhe  materialisht në vite nga shumë bashkëfshatarë biznesmen dhe jot ë tillë si: Aranit Rjepaj, Selman Memushaj, Ylli Shakaj, Shkëlqim Leskaj, Idajet Toçaj, Sinan Strataj, Selam Jonuzaj, Lavdosh Jonuzaj, Miri Ribaj, Xhevdet Demiraj, Bako Xhaferaj, Skënder Jonuzaj dhe blegtorët e fshatit Hekuran Ribaj, Sami Davacaj, Muhedin Qejvanaj, Blerim Xhaferaj, Ladi Kondaj, Lame Shakaj, etj. Dy vitet e fundit është financuar për marrjen e orkestrës dhe këngëtarit në Takimin e Brezave. Çdo qindarkë e dhënë është administruar rregullisht dhe me transparencë të plotë për disa vite rresht nga financierët e shoqatës, fillimisht nga z. Pëllumb Gjonbrataj dhe më vonë nga z. Sefer Jonuzaj.

FUNKSIONIMI I GAZETËS KALLARATI

Gazeta “Kallarati”, numri i parë i së cilës doli në mars 2003-shit, ka arritur në numrin e saj të 108 -të. Për afro 20 vjetësh ajo u ka bërë jehonë kontributit dhe përpjekjeve të kallaratasve për çlirim kombëtar dhe demokraci, figurave më të shquara të këtij fshati në gjithë historinë e tij, jetës kulturore e artistike etj. Janë me dhjetëra kallaratas që kanë kontribuar me shkrimet e tyre. Gazeta “Kallarati” e nisi rrugën e vet me një numër në muaj dhe me katër faqe dhe më vonë në çdo dy muaj dhe me tetë faqe.

Por sot gazeta del në çdo 3-4 muaj, kjo edhe për shkak të pandemisë të viteve të fundit, por dhe për shkak të mungesës së shkrimeve nga bashkëpunëtorët dhe veçanërisht të vështirësive financiare për të mbuluar shpenzimet e botimit.

Gazeta ka qenë dhe mbetet një organ shtypi në dispozicion të të gjithë kallaratasve për kompaktësimin dhe bashkimin e tyre, për pasqyrimin në të nga secili të vlerave, ngjarjeve e fakteve historike, kulturore, arsimore, ekonomike, zakonore etj, të bëmave e veprave të figurave të shquara të fshatit tonë, të luftëtarëve dhe dëshmorëve të tij në të gjitha kohërat. Në faqet e saj nuk janë lejuar të botohen shkrime apo shprehje me ngjyrime politike që mund të krijonin qoftë edhe përçarjen apo prishjen më të vogël të unitetit brenda bashkësisë kallaratase.

Gazeta “Kallarati” ka edhe adresën e vetë në internet, ku lexuesi mund t’i drejtohet redaksisë me shkrime, por edhe për të dhënë dhe shprehur mendime a vërejtje për ta përmirësuar më tej atë.

Tashmë, kallaratasit i gjen në çdo cep të Shqipërisë dhe anembanë botës. Megjithatë, siç u tha edhe më lart, sa më shumë kalojnë vitet që janë larguar nga fshati aq më tepër është rritur dashuria dhe malli për Kallaratin dhe dëshira e kurioziteti i tyre është të dinë sa më shumë për vendlindjen. Për ta bërë të mundur këtë, në ndihmë atyre u vjen edhe uebsajti ëëë.kallarati.com, i hapur për të gjithë, në të cilin janë hedhur mjaft materiale që flasin për prejardhjen dhe historinë e Kallaratit, materiale me karakter patriotik e kulturor dhe një sëre rubrikash për sportin e arsimin, për figura të shquara kallaratase etj.

Redaksia e Gazetës Kallarati 2003 -2007: Kryeredaktor z. Gafur Shameti. Redaksia: Seit Jonuzaj, Enver Golloshaj, Llano Llanaj, Agron Tozaj, Lefter Hysi, Idajet Llanaj, Petrit Qejvani.

Redaksia e Gazetës Kallarati 2007 – 2011: Kryeredaktor z. Seit Jonuzaj; Anëtarë të redaksisë: Enver Golloshaj, Gafur Shametaj, Lefter Hysaj, Çize Xhaferraj, Razip Golloshaj

Redaksia e Gazetës Kallarati 2011 e vazhdim: Kryeredaktor: Seit Jonuzaj (ndarë nga jeta). Redaktorë: Hiqmet Meçaj, Petrit Qejvani (ndarë nga jeta), Çize Xhaferaj, Lefter Hysi, Rami Memushaj, Besnik Gjonbrataj. Arti grafik: Andi Meçaj; e-mail: gazetakallarati.com

SYNIMET DHE OBJEKTIVAT E SHOQATËS PËR VITIN 2023

Viti 2023, vit I cili shënon 20 vjetorin e krijimit të shoqatës duhet të jetë një vit që duhet tu japë një shtytje të re organizimit dhe planifikimit të veprimtarive të shoqatës. Përvoja mjaft e mirë e krijuar në këto vite duhet të shërbejë si një bazë e mirë për përsosjen e punës së saj.

Në vija të përgjithshme parësore do të jenë:

  • Zgjidhja e kryetarëve të degëve në disa rrethe ku mungojnë;
  • Zëvendësimi i anëtarëve të kryesisë së shoqatës ndarë nga jeta;
  • Zëvendësimi i kryeredaktorit dhe anëtarëve të redaksisë së gazetës ndarë nga jeta.
  • Ringritja e degëve të shoqatës me kallaratasit në emigracion si në Greqi, Itali, por edhe në vende të tjera;
  • Përfundimi i historikut të fshatit;
  • Përkujtimi i ngjarjeve historike të fshatit;
  • Përkujtimi i përvjetorëve të rënies së dëshmorëve;
  • Përkujtimi i figurave të shquara në periudha të ndryshme historike;
  • Zhvillimi i “Takimit të Brezave” 2023;
  • Konsolidimi i ecurisë së gazetës, botimi, shpërndarja, etj;
  • Ringritja e grupit polifonik, etj.

 

 

 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

FJALA E PËRSHËNDETJES E KRYETARIT TË SHOQATËS, Z. KASTRIOT KARABOLLAJ, ME RASTIN E 20 - VJETORIT TË KRIJIMIT TË SHOQATËS “KALLARATI”

Hën Jan 16 , 2023
Të dashur bashkëfshatarë e të pranishëm, Mirë se keni ardhur në këtë takim për të kujtuar së bashku 20 – vjetorin e krijimit të shoqatës atdhetare e kulturore “Kallarati”. Pas viteve 90-të, ashtu siç ndodhi gati në të gjitha fshatrat e Labërisë, vendin dhe rolin e organizatave politike dhe atyre […]