PARATHENIE E LIBRIT “DITET KUR LUFTOVA”, SHKRUAR NGA DALAN MEMUSHI

Libri Ditet kur luftova

Këto kujtime janë shkruar aty nga fillimi i viteve ’60. Por për shkaqe që ata të cilët e kanë jetuar atë kohë, i dinë, nuk u dorëzuan për botim. Autori, partizan i Brigadës së Parë Sulmuese që nga themelimi i saj, kishte një adhurim të veçantë për Mehmet Shehun, komandantin legjendar të kësaj njësie partizane, i cili pas (vetë)vrasjes u shpall “armik i popullit”. Për këtë arsye, autori e mbylli dorëshkrimin në sirtar, pa i shkuar mendja ta ndryshonte e ta retushonte, siç ishte në modë atëherë për ta bërë të botueshëm në rrethanat e krijuara pas daljes së Mehmet Shehut nga skena politike. Kështu që, edhe pse po botohet në një kohë tjetër, materiali i ka mbetur besnik origjinalit, duke e ruajtur kështu vlerën njohëse.

Autori i këtij libri, sot në moshë të thyer, është pjesëmarrës i orëve të para në Luftën Antifashiste. I lindur dhe i rritur në fshatin Kallarat të krahinës me emër të Kurveleshit, në një familje me tradita të hershme atdhetare, e përjetoi që fëmijë me dhimbje të thellë pushtimin fashist Italian më 7 prill 1939. Urrejtja për pushtuesit, me të cilët kishin luftuar dhe ishin gjakosur brezi i prindëëe të tij më 1920-ën, e bën të dilte partizan në moshë të njomë, pa i mbushur ende 17 vjetët.

Me armë në dorë, ai i ka rënë vendit kryq e tërthor, nga Jugu në Veri, nga bregdeti në Korçë, në përleshje me fashistët italianë, me nazistët gjermanë, me tradhtarët e vënë në shërbim të tyre dhe me bandat fill pas çlirimit të vendit. Kjo përvojë lufte e poqi atë para kohe, duke arritur që nga luftëtar i thjeshtë të drejtonte nënreparte të Ushtrisë Partizane. Lëvizjet kryq e tërthor vendit, nëpër fshatra e krahina të ndryshme, i kanë dhënë mundësi të njihte njerëz nga shtresa të ndryshme, por simpatia e tij është gjithnjë në anën e popullit të thjeshtë, i cili e ndiente me të vërtetë pushtimin dhe e dëshironte çlirimin. Pikërisht, ngjarjet dhe zhvillimet e asaj kohe autori i ka dhënë nga këndvështrimi i luftëtarit të thjeshtë, ashtu siç i ka përjetuar vetë, pa teprime, pa mburrje e pa zbukurime.

Duke u rritur nën ndikimin e ideve komumste, në të cilat ka besuar gjithë jetën, autori na zbulon në mënyrë gati të pavetëdijshme se lufta kundër fashizmit filloi të merrte edhe karakter social, duke fitual tiparet e një revolucioni socialist. Pikërisht kjo qe hallka ku u kap propaganda antikomuniste, me të cilën fashizmi mashtroi një pjesë të shoqërisë shqiptare. Dalja e komunistëve në udhëheqje të Lufte Antifashiste i trembi intelektualët shqiptarë, pasi shteti i parë komunist kishte fituar një emër të keq për shkeljen e të drejtave të njeriut. Po edhe shtresat e pasura kishin frikë se komunistët do të instalonin një shtet komunist të modelit rus. Të parët nuk donin një shtet totalitar, kurse shtresat e larta trembeshin se revolucioni social do t’u rrezikonte pronën dhe vetë qënien e tyre. Kjo frikë ishte një nga arsyet që i hodhi të dyja palët në kampin e kundërt. Por rreshtimi i tyre në anën e fashizmit ndryshoi vetvetiu edhe karakterin e luftës, duke e kthyer në luftë jo vetëm kundër pushtuesit fashist, po edhe kundër shtypjes dhe shfrytëzimit, pra kundër borgjezisë dhe feudalëve vendës. Duke i parë zhvillimet e atyre kohëve, nuk mund të mos arrish në përfundimin se shkaktar i prishjes së ekuilibrit dhe zhvillimeve normale në shoqërinë shqiptare qe pushtimi fashist, i cili nxiti e shpejtoi daljen në skenë të Partisë Komuniste. Pra, farën e përçarjes së madhe dhe për herë të parë të shqiptarëve e mbollën ideologjitë: nga njera anë fashizmi dhe nga ana tjetër komunizmi.

Merita e Partisë Komuniste qe se u bë e vetmja forcë që u doll zot fateve të vendit dhe u ngrit kundër pushtuesve, duke e bërë popullin shqiptar pjesë të aleancës së madhe botërore dhe duke i siguruar atij një vend nderi përkrah vendeve demokratike që luftonin kundër fashizmit. Po çdo forcë serioze politike që synon çlirimin, duhet medoemos të mendojë edhe se çfarë shteti do të ngrejë pas çlirimit. Propaganda komuniste për vendosjen pas çlirimit të pushtetit popullor bën për vete një pjesë të mirë të shtresës së mesme dhe shumicën dërrmuese të shtresave të varfra të fshatit dhe të qytetit. Ishte e natyrshme që idetë komuniste të depërtonin së pari në mendjet dhe në zemrat e partizanëve, gjë që duket edhe nga leximi i librit.

Forcat e tjera, të përfaqësuara nga shtresa e feudalëve dhe e borgjezisë vendëse, u orientuan gabim në këtë luftë. Për të shpëtuar nga rreziku komunist si dhe me besimin naiv se fashizmi do të bashkonte trojet etnike të copëtuara, ata u vunë në shërbim të tij. Pra, nga dy të këqijat, ata vlerësuan si të keqen më të madhe komunizmin, duke lidhur aleancë me fashizmin. Por duke iu kundërvënë Partisë Komuniste, forcës së vetme politike që organizoi rezistencën antifashiste, ata tradhtuan çështjen kombëtare dhe me këtë jo vetëm u komprometuan në popull, por edhe vunë në pikëpyetje të ardhmen e kombit. Bashkëpunimi me pushtuesit do t’u jepte rastin fqinjëve tanë që, pas shkatërrimit të fashizmit, të kërkonin zhbërjen e Shqipërisë dhe ndarjen e saj midis Greqisë dhe Jugosllavisë.

Pra, kauza e Ballit Kombëtar dhe e Legalitetit ishte që në fillim e humbur, sepse binte ndesh me interesat madhore kombëtare. Megjithatë, “nacionalistët” kishin ndikim të madh në zona të caktuara, sidomos ne Veri të vendit, ku, për shkak të marrëdhënieve patriarkale, krerët feudalë dhe bajraktarët kishin pushtet të madh. Kjo solli përplasjen e partizanëve me forcat e Ballit, të Legalitetit dhe të krerëve partikularistë te Veriut, forcën kryesore të cilave e përbënin fshatarët. Megjithatë, kur binin në kontakt me partizanët, fshatarët e shihnin me sytë e tyre se ata nuk ishin njerëz pa moral e të shitur te rusi e jugosllavi, siç ua kishin përshkruar krerët e tyre, dhe u hapnin dyert e zemrat apo bashkoheshin me repartet partizane. Në këtë dritë duhen kuptuar edhe episodet e këtyre përplasjeve pothuaj në të gjithë vendin që përshkruhen në këtë libër.

Një vend të dukshëm zenë zhvillimet në fillimet e Luftës Antifashiste në Kurvelesh, ku e nisi edhe jetën e partizanit autori i këtyre kujtimeve. Kurveleshi qe një ndër vatrat e para të qëndresës antifashiste, nje ng, krahinat që kontribuoi më shumë në këtë luftë dhe që u vu në shënjestër të fashistëve, nazistëve dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Për këto kontribute, autori i librit citon Enver Hoxhën, i cili në përvjetorin e tretë të çlirimit të krahinës, duke vlerësuar lart kontributin e kësaj krahine në Luftën Antifashiste, ka thënë: “Kur u krijua Partia jonë Komuniste, ajo u dha urdhër anëtarëve të saj të shkonin në malet e Kurveleshit, të bisedonin me popullin e Kurveleshit, t’i thonin atij që të çohej me armë në dorë për të shpëtuar Atdheun… në ballë të luftës së popullit shqiptar u çuan burrat e Kurveleshit, u çuan gratë e Kurveleshit për të mbrojtur Atdheun, për të mbrojtur nderin, për të mbrojtur popullin… Kur flitej për luftë, kur flitej për sakrificë, kur flitej për heroizma, kurveleshasit qëndronin në ballë. Gjaku i djemve të tij u derdh pa kursyer. Ata ishin atje ku rreziku ishte me i madh, atje ku duhej guxim, atje ku duheshin mbajtur istikamet, atje ishin djemtë e Kurveleshit, atje ishin çupat e Kurveleshit”.

Dhe një meritë të madhe për ngritjen e Kurveleshit në luftë kan pasur komunistët e parë të krahinës Mustafa Matohiti, Abaz Shehu, Asim Zeneli, Memo Meto, Birçe Sinamati e të tjerë, për të cilët autori flet me nderim të madh. Por nuk duhet harruar se puna e tyre dha fryte të mbara, sepse u bë në një trevë të shquar për atdhetari e trimëri me një histori të gjatë luftërash kundër pushtuesve të ndryshëm që kanë shkelur vendin.

Autori i ka nisur këto kujtime nga 7 prilli i vitit 1939 dhe i ka mbyllur me përfundimin e veprimtarisë luftarake të njësisë në të cilën ka bërë pjesë. Pas mbarimit të Luftës, ai shërbeu në Ushtrinë Popullore deri kur u pensionua para kohe në moshën 4S-vjeçare. Fundi i pamerituar i karrierës së tij ushtarake qe preludi i asaj që do të ndodhte pak më vonë me shumë kuadro të lartë të Ushtrisë Popullore e të Partisë së Punës dhe i fundit të palavdishëm të komunizmit, që e shpuri vendin në buzë të greminës.

Por, me gjithë dështimin e sistemit komunist, Lufta Antifashiste mbetet një faqe e ndritur e historisë së popullit tonë, kur ai për herë të parë qysh nga koha e Skënderbeut u bashkua dhe ngriti një ushtri kombëtare që i doli zot Atdheut. Çdo pjesëmarrës i asaj lufte ka të drejtë të krenohet, po ashtu siç duhet të krenohen bijtë, bijat, nipërit dhe mbesat e tyre.

Për të kuptuar pse duhet ta çmojmë këtë trashëgimi heroike në këtë periudhë deheroizmi që sot është bërë modë në Shqipëri, po i sjellim lexuesit të këtij libri një detaj të vogël. Një nga dhëndurët e autorit, që është amerikan, kur mori vesh se vjehrri i tij kishte luftuar kundër fashizmit, prodhoi dhe u shpërndau miqve të tij stilolapsa me stemën e Shqipërisë, në të cilët shkruhet: “Dalan Memushi, veteran i Brigadës I Sulmuese”, “Shpresë për popullin, tmerr për armikun”. Këtë e bën jo për ndonjë arsye tjetër, po thjesht se amerikanët i çmojnë dhe i nderojnë ata që luftuan kundër murtajës fashiste, e cila i shkaktoi aq humbje e shkatërrime njerëzimit. Asnjë justifikim nuk ka për tradhtinë, e cila në të gjitha kohët e për të gjithë popujt mbetet një njollë që shlyhet me shumë vështirësi.

Prof. Dr. Rami Memushaj

Next Post

Brigada e I "S", shpresë për popullin, tmerr për armikun Sipas kujtimeve të Dalan Memushit, ish partizanë i Brigadës së Parë Sulmuese.

Sht Gus 4 , 2012
Në Vithkuq të Korçës, ne fushën e Makrezës, më 15 Gusht 1943, gjashtëdhjetë e tre vjet më parë, u inaugurua Brigada e I “S” e UNÇSH, formacioni i pare i madh i rregullt i UNÇSH, me komandant Mehmet Shehun e komisar Tuk Jakovën. Rreth tribunës së ngritur enkas për ceremoni, […]