NË QENDRËN HISTORIKE TË LEÇES, GJURMË EDHE TË DUARVE TË GURGDHENDËSIT, AGIM MATAJ (KALLARATI)

Nëse ndodheni në Pulia, mos e humbisni rastin të vizitoni qendrën historike të Leçes. Aty do të gjeni historinë e përsosmërisë së artit barok të rajonit, të përfshira në kishat dhe ndërtesat historike të tij, por edhe shpirtin e tij më të lashtë, që daton që nga koha romake.  Por aty do të gjeni edhe punimet e gurgdhendësit kallaratas, AGIM MATAJ.

Provinca e Leçes është një krahinë e Pulias me një sipërfaqe 2,759 km ², provinca e dytë më e populluar e Pulias pas asaj të Barit dhe e njëzeta më e populluar e Italisë. Ajo është përfshirë tërësisht në rajonin gjeografik të Salentos dhe është skaji më lindor i Italisë me një popullsi rreth 815180 banorë.

Provinca e Leçes, përfshin pjesën më jugore të Pulias dhe kufizohet në verilindje me Provincën e Brindizit, në veri-perëndim me Provincën e Tarantos, në lindje laget nga deti Adriatik (ngushtica e Otrantos) dhe në jugperëndim nga deti Jon.

Leçe është një qyteti që flet për histori dhe art, ku qendra historike është pothuajse tërësisht pedonale. Nëse vizitoni Leçen, do të shihni shumë dyqane artizanale që prodhojnë objekte me artin e lashtë të papier-mâché.

Leçe, kryeqyteti i Salentos, është një qytet elegant, i rafinuar i pasur me art. Ndërtesat e qendrës së saj historike, në fakt, janë të zbukuruara me artin barok, i cili këtu merr një konotacion lokal: Lecce barok.

Të ecësh nëpër qendrën historike është si të ecësh në një muze të hapur: kisha, pallate fisnike, sheshe të vogla dhe rrugë karakteristike. Arti i papier-mâché përfaqëson një tjetër veçori të qytetit që mjeshtrit e papier-maché-s e kanë përcjellë me breza.

Leçe është qyteti ku ka shumë emigrantë shqiptarë, biles edhe nga Kallarati, njerëz që me punën e tyre janë bërë të njohur brenda komunitetit leçianë.

AGIM MATAJ, nga Kallarati, me punë dhe banim prej disa vitesh në Leçe, i cili është bërë mjeshtër i gdhendjes së gurit, një artist i vërtetë, në lidhje për këtë qendër na shkruan: “Qendra historike e Leçes është e rrethuar me një mur të gjerë dhe të lartë dhe ka pasur 4 porta hyrëse, nga të cilat kanë mbetur vetëm 3:

Porta Napoli

Porta San Biagio

Porta Rudia.

Muri rrethues dhe portat janë ndërtuar rreth viteve 1500 -1700. Aty ka gjithmonë vizitorë të shumtë. Vizitorët normalë shikojnë pa vështirësi këtë mrekulli të arkitekturës, por ka edhe një kategori njerëzish të privuar nga shqisa e shikimit d.m.th. të verbërit. Atëherë disa iniciatorë për të realizuar mundësinë, që edhe kjo kategori të shikojë këto vepra nëpërmjet gishtave, menduan një projekt, që duke i riprodhuar këto porta në miniaturë dhe duke i vendosur në hyrje të secilës portë, ata (të verbërit) nëpërmjet shqisës së gishtave, duke i prekur krijojnë idenë se si është porta në përmasat reale. Projektin e bënë të tjerë, por ishte problem realizimi. Atëherë – vazhdon Agimi – iu drejtuan ndërmarrjes ku unë punoj prej vitesh dhe ndërmarrja e mori përsipër duke besuar në duart e mia”.

Si përfundim ato të tria si punime në miniaturë u realizuan nga Agimi dhe janë montuar (vendosur) në hyrje të çdo porte në lartesinë e duhur që të mund të preken me gishta nga të verbërit dhe të krijojnë idenë e portës së madhe. Përmasat në miniaturë janë: 80×85 spesorë ose 10 -12 cm.

“Këto – vazhdon më tej Agimi – i kam bërë unë, por pa të drejtën e vendosjes së emrit, sepse i kam bërë për llogari të ndërmarrjes ku punoj. Megjithatë kam folur me drejtuesit e ndërmarrjes dhe ramë dakord që në të shkruaj emrin tim, Agim Mataj (Kallarati), emër të cilin me shumë krenari e përdor sa herë më jepet mundësia të bëj diçka, punim artistik, një shkrim, apo edhe gjatë një prezantimi të identitetit tim”.

E përgëzojmë Agimin, jo vetëm për këtë rast, por edhe për shumë punime artistike me gurë, realizuar në Itali, ku do të veçonim: “Arkitraun” në vitin  2012, “Memorialin”, kushtuar 12 fshatrave me origjinë greke në zonën e Leçes, e plot punime të tjera realizuar nga mëndja e dora e tij, shpërndarë anembanë botës, të cilat ia kanë rritur vlerat vendlindjes, Kallaratit, Vlorës e Shqipërisë.

Përgatiti: Besnik Gjonbrataj

 

 

 

 

 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

Gazeta "Labëria", korrik 2024

Hën Kor 1 , 2024