Për motive politike më kishin kthyer nga shkolla dhe ika ushtar. Nga ushtria i shkrova një letër Nexhmije Hoxhës. Ajo, me që unë isha fitues olimpiadash matematike në shkallë kombëtare, u interesua dhe ishte quajtur gabim heqja ime nga shkolla, dhe ishte vendosur që në shtatorin e ardhshëm unë do të shkoja në universitet përsëri.
Në dhjetor 1969 u lirova nga ushtria dhe, mbas vitit të ri, fillova të punoja në kooperativë, sepse duhej ta kisha mirë me ata të fshatit, se do të më nxirrnin pengesa të tjera, por jo më si një i “internuar”, sepse kishte shkrirë akulli, ishte thyer “këmba e shejtanit”, siç thoshte babai im.
Një ditë më lajmërojnë të shkoja në Komitetin Ekzekutiv, tek shefi i arsimit, Veledin Abazi. Ishte data 12–15 janar 1970. Shkova dhe e takova në zyrë në katin e tretë. Mbasi më pyeti sa për njohje, më tha: “Komiteti Ekzekutiv ju ka emëruar mësues matematike – fizike në Kallarat. Ju keni qenë nxënës shumë i mirë në matematikë në shkollën e mesme dhe kemi besim që do të jeni një mësues shumë i mirë.”
– E di ku ndodhet Kallarati? – më pyeti.
– Jo, – i thashë, – kam dëgjuar këngën për Kallarat, Kuç dhe Bolenë, por nuk i di ku ndodhen. Nuk kam qenë më lart se nga Drashovica.
– Mirë, – më tha. – Kallarati ndodhet në rrugën Vlorë–Kuç, prandaj merre këtë autorizim për biletë, sepse zakonisht nuk gjen biletë në atë linjë. Autobusi niset çdo ditë në orën 13:00. Sot nuk ikën dot, por nesër duhet të nisesh pa tjetër, sepse nxënësit kanë një muaj pa bërë matematikë, se mësuesi i matematikës ka shkuar ushtar.
Kur të shkosh në Kallarat do të zbresësh tek Qafa e Ubavit, sepse atje do të të presë kryetari i këshillit të fshatit Kallarat. Ata të kanë siguruar strehimin dhe krevatin, ti do të marrësh dyshek dhe mbulojë dhe vishu mirë, se atje bën ftohtë. Besoj se do ta gjesh me dëborë, – më tha. – Do të shkosh që tani të marrësh biletën.
Më vonë mora vesh se edhe Veledin Abazi ishte nga Pajameu, një lagje e Kuçit kufi me Kallaratin. U ndava me të dhe u nisa për të blerë biletën dhe pastaj u nisa për në Armen të merrja rroba për të fjetur. Babai u gëzua shumë që unë u emërova mësues, por u mërzit që më kishin emëruar aq larg dhe ishte mesi i dimrit dhe unë nuk kisha veshje trupi për dimër. Kisha një xhaketë dhe një triko pambuku, nuk kisha asnjë triko leshi.
Më vonë, e shoqja e kushëririt tim më punoi një triko leshi golf, e cila ishte punuar shumë mirë dhe më mbante ngrohtë, por dhe më pëlqente, se golfet atëherë ishin në modë. Pallto të madhe apo pardesy nuk kisha pasur ndonjëherë. Një rrobaqepëse më përshtati një pallto të vëllait.
Nuk prita të nesërmen, sepse nuk kisha siguri se të nesërmen mund të veja në Vlorë para orës 13:00, prandaj mora një dyshek, një jorgan dhe një velenxë (batanije) dhe u nisa për në Vlorë. Gjeta për fat një makinë dhe mbërrita në Vlorë dhe atë natë fjeta tek halla ime, të cilët më pritën me dashuri e bujari.
Të nesërmen, në orën 13:00, hipa në autobus. Me që e kisha marrë biletën me autorizim, kisha një vend të preferuar, pas shoferit. Ishte ftohtë, por autobusi u mbush plot, mbi numrin e caktuar dhe u ngroh menjëherë.
Unë nuk e dija rrugën, kisha qenë deri në Drashovicë, kur shkonim në festën e Drashovicës. Fshati i Kallaratit gjendet në juglindje të Vlorës, rreth 50–60 km në vijë ajrore, kurse rruga automobilistike është shumë më e gjatë, rreth 65–70 km. Mbasi ngjitëm Qafën e Koçiut dhe sa mbërritëm në Qishbardhë, rruga mori nga e djathta, tek Kallafeti, dhe kaluam mbi urën e Drashovicës dhe filluam rrugën për në Kotë e më tej, rrugë e panjohur për mua.
Sa kaluam urën, rruga mori në të djathtë dhe menjëherë të shfaqet lugina e Shushicës e rrethuar nga të dy anët me male të larta. Me mua ishte ulur si pasagjer një plak nga Kuçi. Pyeta pasagjerin e ulur me mua se ku ndodhej Kallarati. Ai më tregonte me radhë malet:
— Ja, ai mali më i lartë tutje në sfond është mali i lartë i Çikës dhe në vazhdim Bogonica. Përballë është Çipini i Bolenës. Atje mes këtyre maleve të larta është Kallarati.
Në hapësirë nga Drashovica dukej shumë larg, por rruga e bukur kalonte shumë këndshëm anës Shushicës dhe koha e udhëtimit kaloi shumë shpejt. Një që udhëton për herë të parë, si unë, kur sheh malet mbi kokë që fillojnë nga ura e Drashovicës, ka një ndjesi që e mbush me krenari që po futesh në një zonë që në shekuj ka bërë histori. Banorët e këtyre anëve nuk janë përkulur nga asnjë pushtues e sundues.
Ishte 16–17 janari, mesi i dimrit, malet ishin zbardhur nga dëbora deri poshtë. Retë e ngarkuara me borë kishin zbritur deri mbi rrugë dhe sipër mbi kokë të qëndronin malet e lartë të ngarkuar me borën e bardhë. Por në verë kjo rrugë të mahnit me gjelbërimin që të rrethon gjatë gjithë rrugës.
Duke ecur kaluam me radhë Kotën, Gjormin, Lepenicën, Bratin – fshatra që m’i tregonte bashkudhëtari im. Në Brataj autobusi qëndronte 10–15 minuta, prandaj udhëtarët zbritën para një klubi të vogël. Zbrita dhe unë për në klub, por kishte shumë njerëz dhe ambienti ishte mbytës, ndaj dola jashtë, por ishte shumë ftohtë dhe ndjehej edhe më shumë, sepse brenda në autobus ishte shumë ngrohtë, ngaqë kishte shumë pasagjerë jashtë vendeve, që qëndronin në këmbë tek dera dhe hipnin e zbrisnin rrugës.
Kisha shumë ftohtë dhe hipa përsëri në autobus. Retë kishin zbritur fare mbi rrugë. Hipën dhe të tjerët dhe u nisëm. Arritëm në fushën e Tërbaçit, në Bramishje. Një lapidar në anë të rrugës. Pyes bashkudhëtarin. Më thotë:
— Këtu u krijua Brigada V, pjesëtar i së cilës kam qenë dhe unë, – më tha me një mburrje që dukej qartë.
Rruga merr kthesa dhe kalon Qafën e Elimit dhe shfaqet fusha e Vranishtit me Horën e lashtë. Fusha e Vranishtit është e madhe dhe në krye të saj është i vendosur fshati i Vranishtit, i shtrirë në prehërin e malit të Çikës, i ekspozuar nga lindja e diellit, i cili e përshëndet fshatin qysh herët në mëngjes.
Më vonë u bëra dhëndër në Vranisht. Në krye të Vranishtit, në këmbët e Çikës, gjendet shtëpia e të parëve të gruas time, Marjetës. Kam vajtur me Marjetën tek kjo shtëpi. Një shtëpi dykatëshe, por e rrënuar, ngaqë nuk interesohej njeri. Shtëpia kishte portë me hark, siç thonë fjalës: “kish ngjarë krushqia, pa ishte bërë”. Në atë shtëpi kishte bujtur Abdyl Frashëri dhe dy herë Ismail Qemali.
Kaluam Vranishtin dhe na dolën përpara disa shtëpi, disa rrepe dhe mbi ta një mal i lartë.
— Ky është Kallarati, – më tha plaku. – Mali përballë është Bogonica. Ja dhe shkolla jote.
Ishte një ndërtesë njëkatëshe në formën e shkronjës L.
— Ti do të zbresësh pak më lart, – më tha bashkëbiseduesi. – Kallarati ka dy qendra, këtu që quhet Morzë dhe tek Mapua e fshatit. Vendi tek Mapua e fshatit quhet Qafa e Ubavit, atje do të zbresësh.
Ecëm edhe pak dhe autobusi qëndroi dhe shoferi, që nga bisedat e kishte marrë vesh që isha mësuesi i ri i Kallaratit, thirri:
— Hajde mësues, se po të pret edhe drejtoresha e shkollës.
Shoferi i thirri një djali që po rrinte aty me drejtoreshën:
— Hajde, Osmën, ndihmoje mësuesin.
Unë zbrita. M’u afrua një vajzë dhe më tha:
— Ti je mësuesi?
Dhe më dha dorën e më pyeti:
— Ju jeni emëruar mësues në shkollën e Kallaratit?
— Po, – i thashë.
— Unë jam drejtoresha e shkollës, quhem Lumturi Godaj, – më tha ajo.
U afruan dhe dy a tre burra të tjerë që ishin aty dhe më takuan. Njëri ishte kryetari i këshillit popullor të fshatit, Muço Gjonbrati. Osmëni erdhi dhe mori rrobat e mia të fjetjes për t’i çuar tek shtëpia ku do banoja, që ishte përballë. Më thanë:
— Do të flesh tek ajo shtëpia atje, – duke ma treguar me dorë përballë. – Është shtëpia e mëmë Duzes, – më thanë.
— A ke dëgjuar për të?
— Jo, – u thashë.
— Është nëna e Heroit të Popullit, Mumin Selami, – më thanë.
— Po, për Mumin Selamin, heroin e popullit, dhe për katër heronjtë e Topanasë kam dëgjuar dhe lexuar, – u thashë.
Tani që shkruaj këto shënime, kujtoj kujdesin e madh që kishte ai sistem për trajtimin e mësuesve. Shefi i arsimit kishte lajmëruar dhe kryetari i pushtetit, në atë të ftohtë, priste mësuesin në rrugë. Drejtoresha, duke më thënë “natën e mirë dhe nesër do të shihemi në shkollë”, hipi në autobus dhe iku.
Njëri nga ata që ishin aty më tha:
— Ke dhe një shok tjetër në dhomë, është nënkryetari i kooperativës, e quajnë Zubi Jonuzi.
Dikush më tha:
— Mbaje vetë çelësin e shtëpisë, mos ja lër Zybiut, sepse ai harron shumë dhe do të ngelesh jashtë ndonjë natë.
— Ore, mos ke frikë të flesh vetëm, – më tha një tjetër, – se je fusharak.
— Jo, mos kini merak, nuk kam frikë, – ju përgjigja.
Zybi Jonuzi, për të cilin do të flas në vijim, ishte shoku im i dhomës. Zybiu ishte me origjinë nga Kallarati, kishte mbaruar për doktor-veteriner në Tiranë dhe ishte emëruar në kooperativën Bolenë–Kallarat dhe aktualisht ishte dhe nënkryetar i kooperativës.
Bashkë me Osmënin u ngjitëm tek shtëpia ku do të banoja. Sapo errësohej kur ne mbërritëm tek shtëpia. Ishte një shtëpi njëkatëshe, e ngritur nga toka rreth 1–1.5 metra nga përpara, sepse dhe vendi kishte pjerrësi.
Ishin dy dhoma të mëdha, ndoshta 6×10 m, të ndara me një koridor të gjerë dhe përpara me disa shkallë dhe ballkon si një verandë, me dy kolona që mbanin mbulesën e ballkonit. Shtëpia ishte e mbuluar me pllaka guri, si kudo në Kallarat. Pra, për kohën ishte një shtëpi komode. Përpara ishte një parcelë, që dikur kishte qenë tokë e mbjellë, por tani ishte një livadh i rrethuar nga të gjitha anët nga një pyll me shkurre. Nuk kishte asnjë pemë, veç një lis i lartë para verandës.
Njëra dhomë shërbente si magazinë patatesh për farë, kurse dhoma tjetër ishte dhoma e fjetjes sonë. Dhoma ishte e madhe. Në dhomën ku do të flija ishin dy susta: një mbante rrobat e Zybiut, kurse tek tjetra shtruam rrobat e mia. Ishte një oxhak i madh me dru lisi gati për zjarr. Me Osmënin ndezëm zjarrin, sepse ishte ftohtë. Dru lisi të thata dhe të trasha kishte plot në koridor dhe jashtë. Në dhomë ishte dhe një radio me bateri, që në atë kohë ishin të rralla. Osmëni e ndezi radion dhe duke u ngrohur, dëgjonim dhe radion.
Mbas pak erdhi dhe Zybiu. Dikush i kishte thënë për mua dhe erdhi menjëherë. U njohëm duke pyetur njëri-tjetrin për familjet, për shkollën. Prindërit e Zybiut rrinin në Vlorë. I ati dhe dy vëllezër ishin ushtarakë dhe një vëlla në një ambasadë.
Qysh në fillim, Zybiu më pëlqeu: ishte shumë i muhabetit dhe me shumë kulturë dhe me shumë njohuri, sidomos nga historia. Fisi i Zybiut në Kallarat ishte shumë i madh dhe i lidhur me luftën, por Zybiu, siç vura re, nuk manifestonte atë mburrjen e krahinës. Zybiu mbante një qen me emrin “Raxhi” dhe një mace, me të cilët u miqësova shpejt.
Të nesërmen, Osmëni më shoqëroi për në shkollë. Shkolla ishte larg, por mua më “hanin” këmbët për ecje. U takova me kolektivin e mësuesve. Kolektivi i mësuesve të shkollës, sapo vajta, më rrethoi me ngrohtësi dhe u miqësova shumë shpejt me gjithë mësuesit.
Drejtoresha më thirri në zyrë. Më pyeti sa për njohje me mua dhe më dha detyrat. Do të jepja matematikë dhe fizikë në shkollë dhe një klasë kujdestarie, klasën e shtatë. Shkolla ishte me nga një paralele, mësuesit ishin kryesisht vendas.
Ishin mësues atëherë: Çize Xhaferi dhe bashkëshortja e tij Violeta Rjepaj (atëherë nuk ishin martuar, ishin të fejuar). Çizja jepte histori-gjeografi, kurse Violeta ishte mësuese në fillore. Bilal Breshani jepte gjuhë-letërsi, kurse Levzat Velaj nga Vlora jepte kimi-biologji. Mësuesit e tjerë ishin Burbuqe Qejvani, Proletare Habilaj dhe Hamit Muharremi, të cilët ishin mësues në fillore. Hamiti më kujtohet se e bënte mësimin mbasdite.
Çizja, Bilali dhe Levzati njihnin vëllanë tim, Kujtimin, dhe më pyetën çfarë e kisha dhe ku ishte me punë. Fillova me pasion punën. Mësimin e bëja me shumë pasion dhe përgatitesha me mjaft dëshirë. Nxënësit më respektonin, më dëgjonin me vëmendje dhe zbatonin me dëshirë çdo porosi timen.
Mbasditja ishte e vështirë për t’u kaluar. Në fshat nuk kishte asnjë lloj gjallërie dhe aktiviteti. Madje, aty nuk kishte ndonjë vend, si në Armen, ku të mblidhej rinia që të luanin futboll ose të zhvillohej ndonjë aktivitet tjetër. Të rinjtë ishin blegtorë dhe shtegtonin dimrit me bagëti, ndërsa beharit ishin në mal.
Vatra e kulturës ishte një dhomë e vjetër anës rrugës, por nuk frekuentohej dhe nuk kryente ndonjë funksion. Nuk kishte fushë futbolli.
Zura miqësi me Shaqo Hasanaj (nga Vranishti), shitës në MAPO-n e fshatit, që e kisha afër. Në MAPO merrja vezë apo prodhime të tjera blegtorale si gjalpë e djathë. Shaqua ishte njeri shumë dashamirës dhe kishte nevojë për shoqëri si dhe unë, dhe zumë menjëherë miqësi, si jabanxhinj që ishim të dy. Shaqua atëherë vazhdonte shkollën e mesme me korrespondencë në Vlorë. Mbasdite shkoja tek MAPO dhe i bëja konsultime Shaqos, dhe e mbyllnim konsultimin me ndonjë gotë konjak e me meze llokume. Më vonë erdhi shitës Gjolek Memushi nga fshati.
Shpesh venim me Zubiun tek nënë Zankua, halla e Zybiut, një plakë e urtë, fisnike dhe bujare që na priste me dashamirësi. Ajo jetonte me vajzën që ishte rrobaqepëse. Unë, meqë më “hanin duart” për punë dhe për ta ndihmuar nënë Zankon, një mbasdite në fund të vitit mësimor (qershor), i korra grurin në baçen e saj.
Shpesh të shtunave mbasdite dhe të dielave (e shtuna ishte ditë pune) dilja shëtitje gjatë rrugës automobilistike deri afër Kuçit, ose në kodrat përreth, ose nga pasarela kaloja matanë lumit dhe shëtisja nëpër pyll.
Një ditë në pyll matanë lumit pashë një godinë dykatëshe dhe me mur të punuar mirë, por siç dukej, ishte djegur gjatë luftës. Të jepte përshtypjen se pronari i saj kishte qenë dikushi. Kur pyeta, mora vesh se pronari i saj kishte qenë një mësues i vjetër, patriot me emër në krahinën e Vlorës, Meçan Selami (Qejvani) quhej, ishte babai i mësuese Burbuqes dhe vjehrri i Sihat Tozaj, atëherë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Vlorës.
Më vonë lexova për Meçan Selamin: “Meçan Selami (Qejvani), pas mbarimit të shkollës fillore të Muradies në Vlorë, me porosi të Ismail Qemalit, dërgohet në Korfuz për shkollim të mëtejshëm, bashkë me Halim Xhelon, si nxënës të shkëlqyer. Të mëkuar me ndjenja atdhetare, bashkë me Halim Xhelon, më 1911 kthehen në atdhe dhe bashkohen me çetat e lirisë në luftë kundër pushtuesve turq. Merr pjesë në ngritjen e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë më 1912 në Vlorë. Ishte një nga mësuesit e parë të shkollës shqipe në krahinë. Pjesëmarrës i qëndresës së kallaratasve kundër bandave shoviniste greke më 1913–14. Më 1919 është midis atyre që rrëzuan flamurin italian dhe ngritën flamurin shqiptar në shkollën e Kallaratit, akt për të cilin u arrestua dhe u internua në Itali. Anëtar i shoqërisë “Shtizat e Qytetërimit” dhe “Mbrojtja shkollore”, që drejtohej nga shoku i tij Halim Xhelo. Në Luftën e Vlorës më 1920 ishte sekretar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” që kryesohej nga Osman Haxhiu, dhe delegat në Kongresin e Lushnjës. Pas vitit 1920 vijon mësimdhënien në shkollat e Bregdetit. Pjesëmarrës i Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit. Si antizogist, mori pjesë në Lëvizjen e Fierit më 1935. Më 1941–42 caktohet kryetar komune në Gostivar. Me fillimin e Luftës Antifashiste, kthehet në vendlindje. Zgjidhet kryetar i këshillit antifashist nacionalçlirimtar të Kallaratit deri në mbarim të luftës.
Një të dielë shkova tek fshati i vjetër, që ishte djegur nga grekët më 1914 dhe ishte braktisur nga banorët. Ky kishte qenë si një qytet i vogël, me shtëpitë të sistemuara afër njëra-tjetrës. Fshatarët, pas djegies, i kishin ndërtuar shtëpitë e reja më poshtë, por muret gjendeshin akoma aty.
Aty takova një plakë të mirë që ruante dhëntë (Pestrova Abazaj). Më kujtohet ishte ditë e bukur prilli. Pashë një plakë që kulloste dhënë. Iu afrova plakës dhe e përshëndeta. I thashë:
— Jam mësues këtu në fshatin tuaj.
Plaka më pyeti nga isha dhe, kur mori vesh që isha nga Armeni, më tha:
— Edhe djali im është në Selenicë me punë. E quajnë Lilo Abazi. E njeh?
Nga Levzati kisha dëgjuar fjalë shumë të mira për Lilon, por edhe më vonë dëgjova fjalë shumë të mira kur ai erdhi sekretar i Byrosë së Partisë së Punës në Armen. Në Armen, Lilua mbahet mend si sekretar dashamirës, që nuk nxitonte në luftën e klasave, siç kishin bërë vendasit.
Më vonë, kur unë shkova mësues në Selenicë dhe ai erdhi sekretar i komitetit të partisë aty, unë e njoha dhe vetë dhe ai kishte fëmijët nxënës në shkollën e mesme, ku unë jepja mësim. Ishte vërtet një njeri shumë i mirë.
Plaka m’u lut të pija dhallë nga një pagure metalike që kishte me vete dhe më pyeti se çfarë njerëzish kisha. Më vonë ajo plaka erdhi në Selenicë dhe dy mbesat e saja, vajzat e motrës së Lilos, i kisha nxënëse shumë të mira në gjimnazin e Selenicës.
Një ditë takova në Vlorë kushëririn tim, Asqeri Taullaraj, i cili punonte në ndërmarrjen e ndërtimit “Perlat Rexhepi” dhe ai vinte në Kuç, sepse ndërtonin një depo rezervash në mes të rrugës Kallarat–Kuç. Ata vinin çdo të hënë me makinën e tyre, prandaj dhe unë, kur shkoja në shtëpi, në Armen, shpeshherë vija të hënave me ata.
Ata kishin ndërtuar dhe një mensë dhe unë mbasdite shpeshherë shkoja për të marrë bukë gruri, djathë, gjalpë apo dhe ndonjë kile mish. Shpeshherë mbasdite dhe të dielave shkonim me Levzatin, kolegun tim nga Vlora, për peshkim në lumin e Shushicës. Gjuanim troftë lumi, që fshatarët e quanin “pestrovë”.
Një ditë na përshëndeti një fshatar, por kolegu im, që kishte dy a tri vite mësues aty dhe i njihte mirë fshatarët, i qëndroi ftohtë. Kjo më ra në sy dhe, kur ai iku, ai më tha:
— Ti nuk e njeh, por ai është kulak dhe po të na shihte dikush që bisedonim me atë, na heqin nga arsimi dhe na çojnë të punojmë në kooperativë.
— Ka fëmijë në shkollë? – e pyeta.
— Po, – më tha, – e ka në klasën e tetë, dhe më tha emrin.
— Po të tregoj një histori me këtë kulakun, – vazhdoi. – Ky kulaku kishte martuar vajzën dhe, me që këtu të huajt (jabanxhinjtë), sidomos mësuesit e huaj, i respektojnë shumë dhe kur kanë gëzime si p.sh. dasma, i ftojnë, por ai mua nuk mund të më ftonte, sepse ishte kulak, por edhe po të më ftonte, unë nuk mund të veja. Prandaj, ditën e hënë djali i tij më solli në një trastë rreth dy-tre kg mish tule viçi, mbështjellë me gazeta (qeska atëherë nuk kishte).
Më tha:
— Mësues, ke këtu ca mish, ma dha babai, sepse dje martuam motrën.
E urova për motrën dhe e mora mishin shpejt e shpejt, më tepër instinktivisht, që të mos më shikonin nxënësit e tjerë, se kush ma sillte atë torbë dhe që nuk dukej çfarë kishte brenda. Por më mbrapa më kapi frika se mos më kishin parë nxënësit që ishin në oborr dhe do të thoshin në shtëpi që mësuesi Levzati mori nga djali i kulakut një pako, ose vetë djali, apo vetë babai i tij, mund ta bënin bisedë në fshat. Prandaj vendosa t’ia kthej, por si t’ia ktheja, sepse do ta ofendoja.
Tërë kohën gjatë mësimit nuk e kisha mendjen tek mësimi, por mendoja si do t’i thosha, dhe së fundi gjeta zgjidhjen. Që të mos e ofendoja, do t’i thosha:
— Nuk kam enë ku ta gatuaj.
Në fakt unë i kisha të gjitha enët e kuzhinës, sepse gatuaja ndonjë gjë edhe për djalin, sepse unë mbaja me vete djalin që ishte nxënës në fillore. Kështu bëra. E thirra dhe i thashë:
— Shumë faleminderit, thuaj babait, por unë nuk kam enë ku ta gatuaj. Nuk kam as tenxhere dhe as tigan, prandaj merre dhe çoje përsëri në shtëpi.
Djali e mori, por të nesërmen e solli përsëri mishin, të pjekur. Fisniku, në një mënyrë e tregon veten që është fisnik. Përsëri, djali të nesërmen erdhi tek dhoma ime dhe ma dha mishin të pjekur, mbështjellë me ca gazeta të bëra gjithë yndyrë, duke më thënë:
— Merre, mësues, se e poqi nëna.
E mora përsëri, por më hyri frika akoma më shumë. Më ra e papritur, sepse po ta kisha parë që larg, që të kisha kohë të mendoja, do t’ia kisha kthyer në moment, nuk do ta kisha futur fare në dhomë. Dhe atë ditë nuk e kisha fare mendjen tek mësimi. Thosha me vete:
— Do të thonë: mësuesi Levzati dy ditë rresht po shkëmben me djalin e kulakut sende të ndryshme. Do të lindnin dyshime.
Atëherë, nga sigurimi i shtetit, kur arrestohej ndonjë, qarkullonin legjenda duke hapur fjalë se në shtëpinë e atij që u arrestua, u gjet një radio marrës-dhënës me të cilën i arrestuari lidhej me spiunazhin amerikan.
Më hyri frika se mos më provokonin ose dikush na kishte ruajtur dhe vinin e kontrollonin në dhomë dhe ma gjenin mishin. Bëja mësimin, – tha Levzati, – por mendjen e kisha tek pakua e mishit. Si do t’ia bëja? T’ia ktheja nuk kisha si të justifikohesha, sepse nuk doja ta ofendoja atë njeri aq bujar, që sistemi i kishte vënë atë epitet denigrues e poshtërues, “kulak”.
Por, se dhe do të më shihnin që i dhashë përsëri djalit të kulakut një send! Mendjen nuk e kisha tek mësimi, kisha frikë të këshillohesha me ndonjë nga shokët. Kur nga ora e katërt shoh nga dritarja që në drejtim të drejtorisë po shkonte kryetari i këshillit (pushtetit), Xha Muçua, se kështu e quanin kryetarin e këshillit.
Ai ishte plagosur në hapjen e tunelit në Ujin e Ftohtë në Vlorë kur punonte në shoqërinë italiane “Celpa” diku nga viti 1939 dhe çalonte. Ishte një njeri që na respektonte shumë ne mësuesit. Sa herë që më takonte mua, më pyeste nëse kisha ndonjë problem, a kisha dru për ngrohje, etj.
Thashë me vete, – vazhdoi Levzati:
— E paskan lajmëruar kryetarin e këshillit dhe do të vijnë të më kontrollojnë në dhomë dhe do të ma gjejnë mishin dhe do të më diskreditojnë para popullit e nxënësve, duke më hequr edhe nga arsimi.
Thashë me vete:
— Më mirë po shkoj t’ju them vetë.
Sa ra zilja, shkova menjëherë në drejtori, ku ishin drejtoresha dhe kryetari dhe ju tregova historinë. Ju thashë:
— Si të bëj tani me mishin?
— Ku e ke mishin? – më tha kryetari.
— Në dhomë, – i thashë unë.
— Sille ta hamë, – tha kryetari, – se nuk bëjmë ndonjë gabim. Fundja e dëmtojmë ekonomikisht atë që t’a ka dhënë. Ne nuk bëjmë ndonjë gabim politik.
Dhe e hëngrën të dy mishin e viçit të pjekur. Mua dhe djalit tim na lanë gjysmën e mishit. Unë e djali im hëngrëm të qetë nga mishi i pjekur i viçit, që ai njeri fisnik e bujar na e solli pa ia kërkuar njeri. Ai nuk e mori vesh kurrë që atë mish e kishin ngrënë së bashku me kryetarin e këshillit.
Dhe ky kolegu im ishte me përbërje të mirë politike, sepse babai i tij ishte internuar nga gjermanët dhe kishte vdekur në internim.
— I thashë: edhe ti paske kaq frikë, që je familje dëshmori!
Jeta ime vazhdonte e qetë në Kallarat. Puna si mësues matematike-fizike më jepte shumë kënaqësi dhe e bëja me shumë pasion. Që ditët e para gjeta ngrohtësinë e kolektivit pedagogjik, i cili kishte mësues me arsimin përkatës dhe me përvojë pedagogjike. Ishin të rregullt, zbatonin disiplinën në punë me korrektësi, ishin shumë të thjeshtë e dashamirës, por edhe të përgatitur nga ana shkencore e pedagogjike.
Drejtoresha e shkollës, Lumturi Godaj ishte e qetë, e komunikueshme, kërkuese dhe me takt pedagogjik. Ajo nxiste përvojën e përparuar, të kritikonte me takt pa të bezdisur dhe ta vlerësonte punën.
Nxënësit ishin të vëmendshëm në orën e mësimit, respektonin mësuesin dhe rregulloren e shkollës. Vinin të rregullt me uniformën shkollore, të pastër, me detyra dhe libra. Jo vetëm në shkollë, por kudo në rrugë apo në shtëpi, të respektonin me shumë mirësjellje si nxënësit, ashtu edhe prindërit e tyre.
Kur shkonim në ndonjë nga shtëpitë e nxënësve për kontroll të zbatimit të orarit të studimit, gjenim tek prindërit e nxënësve një përkrahje, mbështetje dhe shumë dashamirësi.
Një të dielë të bukur maji, drejtoresha e shkollës, Lumturi Godaj, na ftoi për drekë në shtëpinë e saj, që gjendej afër Kallaratit, në mes të një pylli me drurë përralli dhe lisa të lartë, sa kaloje urën që ndante Kuçin me Kallaratin.
Kur vajtëm atje, na priti babai dhe nëna e Lumturisë. Babai i Lumturisë ishte i veshur me rroba karakteristike labe me tirqe, kurse nëna, një nënë labe e qetë. Babai i Lumturisë më pyeti më shumë mua, sepse unë vija për herë të parë.
Lumturia një drekë të tillë ua shtronte çdo vit mësuesve të shkollës. Ishte një familje fisnike dhe shumë bujare. Babai i Lumturisë u kënaq shumë kur mori vesh që unë isha nga Armeni. Ai më pyeti për babain dhe njerëzit e tjerë të familjes.
Dreka ishte me mish keci të pjekur në hell dhe meze me të brendshme, me djathë të njomë e gjizë të freskët, me byrekë e gjëra të tjera dhe në fund kos dele të ftohtë. Ky ishte një piknik i bukur që nuk harrohet. Më kujtoi ato festat që organizonte babai im për mësuesit tanë në Armen, duke i ftuar çdo vit për një darkë me mish të pjekur në hell.
Babai i Lumturisë mua më kushtoi shumë vëmendje, si i huaj. Dhe kur unë ika nga Kallarati, babai i Lumturisë pyeste gjithmonë për mua, “armenasin”. Madje, Levzati i tha vëllait tim, Shyqos:
— Vemi tek babai i Lumturisë.
Kur Shyqua i tha:
— Si do të vij, se unë nuk e njoh atë,
Levzati i tha:
— Engjëlli e ka mik, ai e ftonte gjithmonë Engjëllin.
Me që Zybiu ishte nga fshati, kishte shumë lidhje me fise të ndryshme dhe, nga puna që kishte, ishte shumë i lidhur me njerëzit dhe e ftonin shpesh në shtëpitë e tyre, dhe ai merrte shpesh edhe mua. Me që nuk kishte komunikacion, ne edhe të shtunave qëndronim aty në fshat dhe bashkë me Zybiun shkonim tek xha Shahin Jonuzi, të cilin Zybiu e kishte të tijin dhe e donte dhe e respektonte shumë, sepse xha Shahini kishte mbaruar shkollë ushtarake në Itali.
Xha Shahini atëherë ishte lënë mënjanë, sepse kishte qenë oficer i mbretit Zog dhe nuk vlerësohej as për qëndresën që kishte bërë në Bestrovë së bashku me ushtarët e tij kundër fashistëve italianë, kur ata zbarkuan në Shqipëri, por, siç më thanë atëherë, ai nuk vlerësohej as për atë që së bashku me ushtarët e tij kishte braktisur frontin italo-grek, për të mos u vënë në shërbim të fashistëve. Por këto nuk ia vlerësonte njeri këtij patrioti dhe njeriu fisnik.
Më vonë, me ardhjen e demokracisë, mora vesh se figura e xha Shahin Jonuzit ishte rivlerësuar dhe m’u bë qejfi që tani qe bërë një rivlerësim e mirënjohje për aktin e tij heroik në mbrojtje të atdheut dhe qenka shkruar për veprimtarinë e tij patriotike në librin “Enciklopedia e Kurveleshit” dhe qenka vlerësuar me dekoratë.
Zybiu merrte dhe mua dhe shkonim tek xha Shahini dhe kalonim natën e shtunë dhe të dielë tek familja e tij. Na prisnin me shumë bujari dhe ne kënaqeshim, sepse shtëpia e tyre ishte një oaz gjelbërimi në mes të pyllit dhe larg nga fshati.
Vetë xha Shahini ishte një burrë i muhabetit dhe me kulturë, por dukej se ruhej shumë, sepse nuk kishte qejf të tregonte shumë për të kaluarën. Por edhe ai kënaqej me ne dhe shpesh ne loznim edhe me letra.
Zonja e tij Nënë Taibeja na kënaqte me gatimet e saj, por sidomos me mikpritjen e saj. Nuk shihje kurrë mërzitje në fytyrën e saj. Më kujtohet një djalë i xha Shahinit, e quanin Platon.
Mbas 50 vitesh, me gruan, me makinë po shkoja në Kuç dhe qëndrova tek ish-MAPO-ja dhe po i tregoja gruas time shtëpinë e mëmë Duzes, e cila ishte rrëzuar dhe mbuluar nga pylli. Kaloi një grua dhe na pyeti:
— Kë kërkoni?
I thashë:
— Nuk kërkojmë njeri, por unë kam qenë mësues këtu dhe kam fjetur tek shtëpia e mëmë Duzes.
Dhe, duke menduar se ajo mund të kishte qenë ndonjë ish-nxënëse ime, e pyeta:
— Po ju, e kujt jeni?
Më tha:
— Unë jam nga Bolena, por jam e martuar këtu në Kallarat
E pyeta:
— Me kë jeni martuar?
Më tha:
— Me Platon Jonuzin.
I thashë:
— Tek familja e Platonit kam qenë disa herë dhe kam shumë mbresa të mira edhe për xha Shahinin dhe për nënën e Platonit.
— Bëji shumë të fala Platonit, – i thashë.
Më tha:
— Kthehuni në shtëpi kur të vini nga Kuçi, sepse ja shtëpia jonë tek është, – dhe ma tregoi me dorë. – Do na bëhet shumë qejfi, – më tha.
Nuk u kthyem, sepse erdhëm vonë dhe nuk donim t’i shqetësonim.
Të dielave tek ne vinte edhe Rami Memushaj, kushëriri i Zybiut, i cili atëherë ishte drejtor në shkollën e Vajzës. Ramiu kishte mbaruar shkëlqyer UT për gjuhë-letërsi dhe më vonë UT e tërhoqi për pedagog dhe aty Ramiu shkëlqeu, duke u afirmuar si një shkencëtar i gjuhësisë.
Zybiu e respektonte shumë dhe unë zura miqësi dhe, kur unë shkova student në Tiranë, e takoja shpesh dhe një herë më mori në shtëpi dhe më dha një fjalor voluminoz rusisht–anglisht.
Në përgjithësi, njerëzit në Kallarat ishin të dashur dhe bujarë. Të ftonin në shtëpi me pak raki, djathë e gjizë dhe pak qepë e hudhra të njoma dhe me muhabet të ëmbël.
Veç xha Muços, njihja edhe shumë të tjerë që edhe sot më kanë ngelur në mendje. Njihja Sulo Hoxhën, kunati i Lilos, i cili kishte dy vajza në shkollë, shumë të rregullta në mësime, por të tërhiqnin vëmendjen me veshjen shumë të pastër dhe ishin shumë të edukuara. Njihja Tahir Kondin, Namaz Tozaj, sekretarin e partisë Bejo Xhaferi, një burrë babaxhan dhe shumë dashamirës. Mbaj mend xha Izetin, babanë e Osmënit, kovaçi i fshatit. Sa herë që kaloja në rrugën Kallarat–Kuç, përballë kovaçanës, xha Izeti më përshëndeste me shumë dashamirësi dhe me respekt.
Një ditë, një nga fshatarët, duke parë që unë merrja në dhomë Osmënin, djalin e xha Izetit, më tha:
— Kij kujdes, sepse njëri djalë i xha Izetit është i dënuar për arratisje.
Por Zybiu më tha:
— Mos ki frikë, nuk të thotë njëri gjë që merr Osmënin në shtëpi.
Osmëni e kishte shtëpinë shumë afër nesh, rrëzë një përroi. Aty rrotull shtëpisë sonë kulloste dhitë edhe Hajreja, nëna e Osmënit.
Osmëni na ftoi njëherë për darkë. Ishte freskët dhe nëna e Osmënit na gostiti fillimisht me nga një gotë me qumësht të ngrohtë, pastaj vazhdoi darka me kec të pjekur në hell dhe me raki. U kënaqëm deri vonë dhe ikëm në shtëpi, sepse e kishim shumë afër.
Shkoja me qejf në mëngjes në shkollë, megjithëse ishte larg. Kur vajta vitin e dytë, në shtator, gjatë rrugës ishte një baçë e kooperativës me fiq dhe këputja fiq të ndryshëm.
Një ditë, kur po kthehesha nga shkolla, kishte dalë një tufë me dhi që po kullosnin rreth rrugës dhe bashkë me ta ishte edhe një qen i zi që po rrinte i qetë dhe unë kalova pa problem. Por, kur u ktheva në darkë, qeni, kur më pa, u lëshua nga larg me një të lehur të frikshme dhe, kur më erdhi afër, më sulmoi, më kapi me dhëmbë për kofshe dhe ma shqeu pantallonën, por fatmirësisht nuk më lëndoi në trup.
Me zor erdhi çobani që ishte djalë i ri dhe e tërhoqi, por me shumë vështirësi. Ishte një qen i madh e shumë i egër. Çobani më kërkoi ndjesë, por unë isha trembur shumë. Arrita në shtëpi, i shqetësuar dhe i zemëruar. I tregova Zybiut ngjarjen. Ai u mërzit shumë dhe tha:
— Të nesërmen do ta zgjidhim këtë çështje.
Të nesërmen, Zybiu më mori me vete dhe shkuam në këshillin e fshatit dhe e paraqitëm ngjarjen. Kryetari i këshillit, xha Muçua e dëgjoi me vëmendje dhe u mërzit. Thirri menjëherë çobanin, i cili u justifikua duke thënë se nuk e kishte parë qenin që ishte me tufën.
— Pse nuk e lidh, – i tha kryetari, – pse e lë të lirë të sulmojë njerëzit?
Ai premtoi se do ta lidhte dhe nuk do ta linte më të lirë. Pas kësaj ngjarjeje, kalova për një kohë me frikë nga ai vend, por më pas e mora veten. Ky ishte rasti i vetëm kur u ndjeva realisht i rrezikuar në atë fshat.
Përveç ndonjë qeni të rrallë, gjithçka tjetër në Kallarat ishte e qetë, mikpritëse dhe mbresëlënëse. Fshati ishte në një luginë të bukur, rrethuar me male e pyje dhe me një rrjedhë të pastër uji që vinte nga mali.
Zybiu, që ishte si një mik, si një vëlla e si një bashkëudhëtar në atë jetë mësuesie, më ndihmoi shumë. Ai kishte qenë në Kallarat që më përpara dhe kishte lidhje të shumta. Ai më prezantoi me shumë njerëz, më mësoi zakonet e fshatit, më ndihmoi në punët praktike, por më shumë më dha sigurinë e një njeriu që nuk të le vetëm asnjëherë.
Në mbrëmje, kur të gjithë ishin nëpër shtëpi, unë e Zybiu shpesh bisedonim për historinë, për politikën, për arsimin. Kishim të njëjtën dashuri për librin dhe e mbushnim kohën duke diskutuar. Ai kishte lexuar shumë dhe më tregonte ngjarje që nuk i dija. Ndonjëherë dëgjonim radion. Ndonjëherë përgatisnim ndonjë darkë të thjeshtë me ç’të kishte fshati: ndonjë vezë, ndonjë domate, djathë, ose një gotë raki.
Të dielave ishte dita e vetme që mund të merrje ndonjë letër apo gazetë, që vinin nga posta e Kuçit me ndonjë fëmijë. Me shumë vështirësi mund të gjeje gazetën “Zëri i Rinisë” apo “Zëri i Popullit”, që unë i lexoja me shumë interes për të qenë në korent me ngjarjet e kohës.
Një gëzim i madh ishte kur vinin inspektorët nga Vlora. Ato ditë shkolla lëvizte e gjitha, bëhej më e gjallë. Edhe nxënësit e ndienin këtë atmosferë të re. Inspektorët ishin njerëz të përgatitur, por edhe të thjeshtë dhe dashamirës. Mbanin shënime, shikonin ditarët, hynin në mësime, jepnin sugjerime, por gjithnjë me takt dhe respekt për punën e mësuesit.
Një herë erdhi në inspektim një inspektor i ri që nuk e njihja. Hyri në një orë matematike të klasës së shtatë. Ora shkoi shumë mirë. Nxënësit ishin aktivë, kishin mësuar, zgjidhnin ushtrime në dërrasë, ndërsa unë i udhëhiqja. Në fund, inspektori më përgëzoi dhe më tha:
— E ke pasion mësimdhënien, shihet që e bën me dëshirë.
Kjo më mbushi me gëzim. Në fakt, mësimdhënia ishte për mua një mision, jo vetëm një detyrë. Ishte një lidhje shpirtërore me nxënësit, me dijen dhe me të ardhmen.
Mbas 40 vitesh në demokraci kisha një problem me sahatin e dritave dhe vajta në një zyrë të elektrikut. Sa u futa në atë zyrë, aty zyrtari që te dera më tha: “Prit aty. Ti je mësues Engjelli apo jo, që ke qenë mësues në Kallarat?”.
– Po, – i thashë.
– Dhe ti je Osmëni.
U takuam përzemërsisht. Ai më tha se banonte me familjen në Llakatund. Osmëni më pyeti përse kisha ardhë dhe ma zgjidhi problemin. Ngela shumë i kënaqur, por nuk e kam takuar më. Më thanë se në Llakatund ai kishte ndërtuar sera bujqësore.
Një natë na ftoi për darkë një familje kallaratase matanë lumit. Kaluam në pasarelë dhe vajtëm në mbrëmje. Aty erdhi nga Bolena dhe kryetari i këshillit të bashkuar të kooperativës, Hasan Jaçe Balili, babai i Nimet Balilit, atëherë pedagog e nëndrejtor në Shkollën e Partisë në Tiranë. Babai i Nimetit, siç tha vetë, kishte qenë në luftë në brigadën e I. Ai kishte shumë muhabet dhe shumë humor. Më erdhi shumë keq kur më vonë mora vesh që kishte humbur nipin, djalin e Nimetit, të cilin e mbanin ata në Bolenë si gjyshër. Ai kishte rënë në një humnerë në fshat.
Na kanë ftuar dhe kemi qenë edhe në shumë familje të tjera. E ruajta miqësinë me Zybiun. Dhe mbas disa vitesh, kur isha student në Tiranë, konsultova në matematikë një nipin e Zybiut, djalin e vëllait të madh të Zybiut, Seit Jonuzit, që ishte oficer në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më vonë në Vlorë ishte kryetar i veteranëve të Vlorës.
Gjatë kohës që unë isha në Kallarat erdhi një herë Estrada e Vlorës me trion e famshme vlonjate. Kooperativa u shtroi një darkë ku u ftova edhe unë. Në fund, unë mora për të fjetur aktorin e humorit Leka Kruta dhe një tjetër. Leka e vazhdonte humorin deri sa fjetëm natën vonë. Po kështu në Kallarat erdhën disa nga një kooperativë nga veriu, e cila ishte lidhur për shkëmbim përvoje me Kallaratin dhe për ta u shtrua nga kooperativa një darkë ku isha ftuar edhe unë. Mua më ftonin si mësues jabanxhi, të cilët i respektonin shumë.
Në fund të vitit mësimor ishin provimet e lirimit. Nxënësit u mobilizuan shumë për provimet, por edhe unë, duke zhvilluar pothuaj çdo ditë konsultime. Si përfaqësuese nga Seksioni i Arsimit erdhi një mësuese nga shkolla e Bolenës. Me sa mbaj mend, e quanin Lumturi Tartari. Nxënësit dolën shumë mirë, duke kënaqur mua dhe prindërit. Mbaruam vitin mësimor dhe u ktheva në Armen.
Në fund të gushtit më lajmëruan të shkoja mësues përsëri në Kallarat. Shkova përsëri në Kallarat. Ishte fundi gushtit. U paraqita në drejtori dhe fillova të përgatisja planet dhe programet shkollore. Filloi edhe viti mësimor dhe kur kishin kaluar rreth 10-15 ditë më lajmëruan të shkoja në universitet.
PËR HERË TË DYTË NË KALLARAT
Mbas disa vitesh, kur isha student në Tiranë, u aktivizova gjatë verës në një ekip për mbarështimin e pyjeve nga Bolena në Kuç. Përgjegjësi i ekipit ishte Engjëll Bimo, i cili ishte kryeinxhinier në Drejtorinë e Pyjeve të Vlorës. Në ekip isha unë dhe dy studentë të Fakultetit të Pyjeve të vitit të fundit: Rremzi Gaba nga Smokthina dhe Xhorxhi Hoxhara nga Vlora. Ne flinim në vilën e pyjores në Morzë të Kallaratit, e cila i kishte të gjitha komoditetet. Vila ishte një vilë alpine dhe me të gjitha komoditetet: me sobë kuzhine, krevate, susta, tavolina e karrike. Në ekipin tonë kishim aktivizuar edhe të rinj (nxënës), kryesisht nga Bolena. Meqë punën e kishim nga Bolena deri në Shur të Kuçit, drekën e hanim në mensën e Bolenës dhe pak herë në Kuç, sepse në Kallarat nuk kishte mensë. Matëm sasinë e drurëve, si dhe moshën e disa drurëve të cilët i shënonim me bojë të kuqe. Kishim harta të hollësishme ushtarake, ku përcaktoheshin edhe burimet dhe rrugët këmbësore. Në Pajame, një lagje e Kuçit kufi me Bolenën, atëherë ishin larguar familjet në Kuç dhe trojet me pemë ishin akoma. Kishte shumë fiq dhe arra. Kur ika nga aty për në Tiranë, mbusha një çantë sportive me arra. Kur mbaruam, atje ku buronte Shushica, unë dhe Engjëll Bimo premë një dru të trashë dhe e premë me faqe në të dy anët dhe shkruam inicialet tona dhe datën.
Disa herë vajtëm në Kuç, në Buronja dhe lart në fshat në klubin e fshatit, të cilin e gjenim plot. Një ditë u ngjitëm në malin mbi Bolenë, ishte fundi i gushtit, por atë ditë ra një dëborë e lehtë. Atje ishte një fushë e vogël të cilën e mbillte kooperativa me thekër. Nga andej kalohej shumë lehtë në Kurveleshin e Sipërm, në Nivicë e Gusmar. Aty ishte një varr i njërit nga Kurveleshi i Sipërm, vrarë nga bandat greke më 1914. Ky ishte me mbiemër Gumeni. Më tërhoqi vëmendjen, sepse ne atëherë kishim dy vëllezër në universitet me mbiemër Gumeni dhe nuk e dija nga ishin. Por kur pyeta, më thanë nga Gusmari.
Na morën dy nga nxënësit që kishim në punë për darkë dhe një ditë na mori për darkë edhe Rremziu. Rremziu e kishte shtëpinë aty afër Shushicës, ku derdhej lumi që rridhte nga Smokthina. U kënaqëm jo vetëm me mish të pjekur, por edhe me muhabet me babanë e Rremziut, që ishte një lab i zgjuar dhe muhabetçiu.
Atë vit vajta një javë me vonesë në shkollë, por nuk pata problem, sepse e fillonim vitin me punë fizike dhe e bënim në një pallat që ngrihej për pedagogët. Kishim një teknik ndërtimi me origjinë nga Vlora, me të cilin zura shumë miqësi që e ruajta deri vonë. Kjo ishte hera e dytë në Kallarat dhe Bolenë. Por shkova edhe një herë të tretë.
PËR HERË TË TRETËS NË KALLARAT
Përsëri gjatë pushimeve verore, kur isha student në universitet, një ditë takova Zybiun në Vlorë. Ai atëherë ishte transferuar në ndërmarrjen e peshkimit në Vlorë. Mbasi u çmallëm, më tha:
– Çfarë do të bësh tani beharit?
I thashë:
– Nuk kam ndonjë plan, por do punoj të marrë ndonjë lek që të blej ndonjë rrobë.
Ai më tha:
– Do të vish me mua të vemi në Kallarat dhe do të ngjitemi në malin e Bogonicës, të qëndrojmë ndonjë javë në stanet e bagëtive, sepse çobanët më kanë ftuar disa herë. Eja dhe ti, sepse do të kalojmë mirë.
– Mirë, – i thashë, – por do të vete nja dy-tri ditë në shtëpi.
Ashtu bëra. Shkova në Armen dhe u thashë vëllezërve dhe babait ku do të shkoja. Babait iu bë qejfi, sepse donte që unë të bëja një udhëtim turistik, por kishte dhe merak se mos sëmuresha. Më tha:
– Të ruajt ai shok, or bir, që të merr me vete, qenka fisnik, por kij kujdes mos ftohesh, kij dhe kujdes nga nepërkat, sepse nëpër male ka shumë nepërka.
Mora disa ndërresa, nja dy libra dhe një palë letra bixhozi dhe erdha në Vlorë ku takova Zybiun dhe të nesërmen u nisëm e vajtëm në Kallarat. Atë natë vajtëm te xha Shahini. Xha Shahini dhe e shoqja u gëzuan shumë dhe na pritën me gëzim, si zemërbardhë që ishin. Pimë raki dhe biseduam deri natën vonë dhe të nesërmen herët, sa po gdhihej, u ngjitëm lart në Bogonicë. Më kujtohet se mbi shtëpinë e xha Shahinit ishte një burim me pak ujë, por shumë i ftohtë, i cili rridhte nga dy shkëmbinj. U ngjitëm malit lart dhe sa po dilte dielli dhe ne ishim në tufën e parë. Na pritën shumë mirë, u gëzuan, sidomos për Zybiun. Dhe në mbrëmje na therën një mish, por unë nuk haja shumë mish të majmë.
Të nesërmen, me një nga barinjtë shkova në baxho, te Gurra ku ishte një burim uji që shpërthente në atë lartësi. Përpara ishte një fushë e madhe që i thoshin Valth dhe ushtarakët tanë strategë kishin dhënë mendimin të bëhej fushë aviacioni dhe që do të kontrollonte gjithë Mesdheun! Baxhoxhiu më gostiti me djathë të njomë dhe kos dele dhe më dha me vete djathë e gjalpë të freskët. U çudita që në majë mali dilte gjithë ai burim uji.
Ditën e tretë kaluam në një tufë tjetër që ishte afër majës së Bogonicës. Atë ditë, më kujtohet, bëri shumë vapë dhe kishim shumë bezdi nga mizat, që bëhen shumë agresive kur është shumë vapë. Lozëm letra dhe në mbrëmje ata therën një mish dhe e poqën në hell nën dritën e hënës. Mbasi ndenjëm edhe këtu dy ditë, shkuam në tufën e tretë dhe aty e kalonim kohën duke lozur letra. Në fund, letrat ua falëm barinjve që u gëzuan shumë, sepse me ato kalonin kohën dhe atëherë nuk gjeje letra, gjeje vetëm kur sillte ndonjë fshehurazi nga jashtë.
I them Zybiut:
– Nuk rrijmë më, sepse duhet të lahemi, prandaj nesër pa gdhirë duhet të zbresim në fshat dhe të hipim në autobusin e Kuçit.
U thamë atyre se nesër do të ikim, ata menjëherë therën një mish dhe e poqën dhe pothuaj na i dhanë neve të dyve. Pa u gdhirë u nisëm. Kur po gëdhihej, zbritëm në Kallarat. Shkuam në shtëpinë e nënë Zankos, u lamë dhe dolëm në rrugë. Autobusi nuk kishte vend, por për fat na mori një skodë nga të druve. Erdhi në Vlorë vonë. Unë nuk ikja dot në Armen, prandaj i thashë Zybiut:
– Mere mishin të mos prishet, dhe unë vajta në hotel.
———-
Me kalimin e kohës, Kallarati u bë për mua si një shtëpi e dytë. U ndava me shumë mall nga ai fshat, kur m’u dha mundësia të vazhdoja studimet e larta. Por kujtimet nga ai vend i bukur, me njerëz të mirë e me natyrë që të frymëzonte, më kanë ndjekur gjithë jetën.
Edhe sot, pas shumë vitesh, kur kujtoj Kallaratin, më rikthehen në mendje zërat e nxënësve, aroma e druve të djegur në oxhak, rënkimi i Shushicës, kënga e ndonjë çobani në mal, mikpritja e banorëve dhe qetësia e maleve që e rrethonin fshatin.
Mësuesi, thonë, lë gjurmë në mendjen e nxënësit, por ndodh shpesh që edhe nxënësit, fshati dhe jeta atje lënë gjurmë në shpirtin e mësuesit.
Kështu ndodhi me mua dhe Kallaratin.
Me respekt për të gjithë kallaratasit,
Ëngjëll Hasimaj, ish mësues në Kallarat


