RA PËR TË MOS U HARRUAR KURRË

-Kujtime për dëshmorin Ferik Strataj-

Familja fisnike e bujare Strataj në Kallarat, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, shtëpinë e saj e bëri bazë të luftës dhe rreshtoi në formacionet partizane tre djem të saj: Ferikun, Canen e Sinanin. Por Stratajt për mbrojtjen e tërësisë tokësore kishin luftuar edhe në kohëra të shkuara, siç ishin vitet 1912-1914, viti 1920, kur i ati i Ferikut, Teslimi me vëllezërit Meçan e Dule Strataj ishin përkrah luftëtarëve heroikë të Luftës së Vlorës, kundër forcave të Italisë imperialiste, derisa i hodhën në det. Po edhe çeta e Kallaratit në atë luftë komandohej nga kushëriri i tyre,Fein Çelo Strataj. Në shtratin e këtij mjedisi atdhetarësh trima lindi, u rrit e u mëkua Ferik Strataj.

Ne kallaratasit, si fshat i vogël që jemi, dallomi për një afrim më të madh e marrëdhënie të ngushta me njëri-tjetrin, por Lufta Nacionalçlirimtare na bashkoi e na vëllazëroi më shumë.

Unë kam pasur fatin që me Ferik Stratajn të kemi qënë bashkë, si në çetën territoriale “Mumin Selami” të fshatit tonë, ashtu edhe radhët e Brigadës së 8 Sulmuese partizane.

Nga ajo kohë e për atë kohë ruaj shumë kujtime të bukura e të paharruara. Ato ishin vite të zjarrta betejash heroike kundër pushtuesve nazifashistë të vendit tonë dhe bashkëpunëtorëve të tyre për çlirim, liri e pavarësi.

Sot, pas 65 vitesh, kujtimet e atyre kohërave vijnë si një jehonë nga thellësia e më shumë se 6 dekadave të ngarkuara me lavdi, kujtime të pashlyeshme që do të tranmetohen në vite nga brezi në brez.

Lidhja ime me Ferikun ka qënë jo vetëm si bashkëfshatarë, por më shume edhe si bashkëluftëtarë të një ideali të madh me armë në dorë për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj nazifashistë dhe ndërtimin e një bote të re. Ndërsa me Sinanin, vëllain e vogël të Ferikut, kam një nga kujtimet më të bukura të jetës: në moshën e rinisë jemi pranuar të dy së bashku, në një ditë shkurti 1943, anëtarë të Organizatës së rinisë komuniste të fshatit.

Në krahasim me mua, Feriku ishte më i madh në moshë. Kishte kryer 3 klasë shkollë(1917-1920) dhe shërbimin ushtarak(1930-31). Për të ndihmuar familjen ekonomikisht, kishte punuar ca kohë në Himarë e pastaj në një shoqëri italiane ndërtimi në Ujë të Ftohtë të Vlorës. Puna aty i kishte hapur një horizont më të gjerë në krahasim me ne. Ai kish ndier në kurrizin e tij shtypjen e shfrytëzimin kapitalist, veçanërisht nga sipërmarrësit e administratorët italianë. Prandaj i ishte ngjallur urrejtja ndaj tyre. Feriku merrte pjesë në grevat e organizuara,bashkë me punëtorë të tjerë. Ky qe shkak që u pushua nga puna dhe u kthye në fshat. Dhe prandaj Feriku me familjen e tij që në fillim përqafoi Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe me ndërgjegje të plotë se, për t’i sjëllë lirinë e vërtetë atdheut të robëruar, duhej shporrur pushtuesi i huaj. Për këtë ai u bë një nga pjesëtarët e njësitit luftarak, të krijuar në prill 1942 në fshat, i cili më vonë u shndërrua në çetë territoriale. Feriku, me moshën dhe pjekurinë e tij, kishte më shumë shoqëri e afrim me Ormën Ribajn, Veip Memushajn, Maze Jonuzajn, Adil Petanajn, Barjam Toçajn, Fuat Petanajn, Kapo Habilajn etj. Sigurisht që në çetë ai kish shoqëri me të gjithë. Komandanti dhe komisari i çetës, Veip Balili e Kasëm Demiraj, e mbanin afër Ferikun, e kishin krah të djathtë, këshilloheshin e i merrnin mendim për çdo gjë, sepse ai kishte përgatitje e njohuri shumë të mira nga ana ushytarake.

E nisëm luftën bashkë fillimisht në radhët e çetës territoriale “Mumin Selami” të fshatit. Feriku mori pjesë në të gjitha aksionet e luftimet e kësaj çete, si në çlirimin e nënprefekturës së Gusmarit, më 28 nëntor 1942, në luftën e Gjormit, më 31 dhjetor 1942, kundër forcave fashiste italiane dhe mercenarëve të Halil Alisë, në çarmatosjen e garnizoneve italiane që po kapitullonin, në shtator të 1943-shit, në Borsh, Piqeras, Lukovë e Sarandë, në aksionet kundër gjermanëve në kalanë e Borshit, në Qafë të Dërrasës, Gjirokastër, Libohovë, Përmet, Këlcyrë, Kiçok etj. Në këto veprime të çetës Feriku shquhej si një luftëtar trim e i guximshëm dhe energjik.

Pastaj, po bashkë, e vazhduam luftën në radhët e Brigadës së 8 Sulmuese partizane që u krijua më 25 prill 1944 në Sheper të Zagorisë.

Ishte një nga ditët e para të dhjetëditëshit të fundit të muajit prill, kur sekretari i organizatës së rinisë, Fejzo Rjepaj, po bënte një mbledhje me organizatën afër Qafës së Ubavit, poshtë shtëpisë së Zimo Haxhiut. Në kohën që Fejzua po na sqaronte situatën se në Frontin e Lindjes Ushtia e Kuqe e Bashkimit Sovjetik po shpartallonte ushtrinë naziste, ndërsa edhe aleatët angloamerikanë po përparojne në frontin e perëndimit dhe se edhe në Shqipëri Lufta Nacionalçlirimtare kishte marrë përpjesëtime të gjera, ishte ngritur në këmbë i madh e i vogël me armë në dorë dhe po krijoheshin kudo formacione partizane në tërë vendin, si batalione partizane e brigada Sulmuese, vjen aty edhe Feriku me dy shokë të tjerë: Shuko Karabollaj e Qamil Breshanaj. Pas përshëndetjes, Feriku, ashtu siç ishte në këmbë, na njoftoi se në Sheper të Zagorisë do formohej një formacion i ri partizan i madh i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Brigada e 8 Sulmuese, tha ai. Dhe vazhdoi: “Në Sheper kanë mbërritur tashmë një grup shokesh tanë kallaratas, si dhe shumë djem e vajza nga fshatrat e Kurveleshit, por edhe të Lunit të Vlorës. Edhe ne të tre jemi nisur nisemi për tu bashkuar me shokët në Sheper. Prandaj kush dëshiron nga ju të vijë me ne, le të bëhet gati”. Menjëherë u dëgjua zëri i Sherif Gjonajt: jam gati të vij me ju. Ky zë u pasua nga Namik Zimo Abazaj. Edhe unë veprova si këta, por kërkova të shkoja pak në shtëpi të takoja e të njoftoja nënën. Jo, më thanë, nuk ka kohë se do nisemi tani. “Ti dyfekun që të duhet, ja ku e ke , shtoi Shukua, si me shaka, s’ke pse vete në shtëpi”.

Në kohën që po niseshim, rastësisht kalon aty pranë Pashako Maze (Petanaj) – një nënë që të tre djemtë e saj i kish përcjëllë për në brigadat partizane. E ndala dhe e porosita që të shkonte te nëna ime, Selime Dautaj e t’i thoshte që Xhelua iku me shokët në brigadë, të mos bëhej merak dhe të kujdesej për motrat, vëllain, shtëpinë e mallin. Nënë Pashakua më siguroi së do shkonte menjëherë. Jepu të fala Rruzhdiut, Kasëmit, Mazes e gjithë shokëve të tjerë. “Rrugë e mbarë dhe ardhshi me fitore, djemo! Na uroi nënë Pashakua. Dhe pasi na përqafoi të gjithëve me radhë, shtoi: Isha te Xhevo Jonuzaj për ta pyetur mbase kishte ndonjë lajm nga i shoqi, Mazja, si kishin arritur në Sheper, por as ajo nuk dinte gjë. Jemi në merak të madh e me gjak të ngrirë, se i thonë luftë, e kini kokën në trastë. Urimi që na bëri ajo nënë fisnike më mbeti në mendje tërë jetën: “Rrugë e mbarë e ardhshi me fitore”.

Pasi u ndamë me Pashakon, Feriku na tha: nisemi, shokë!Kështu bëmë. Me Ferikun në krye,të gjashtë ne morëm rrugën për të shkuar e për tu bërë pjesë e njërit nga formacionet e lavdishme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, siç ishte Brigada e 8 partizane. Unë nuk pata më kohë të takoja nënën, motrat e vëllain. Me ta u takova vetëm pas lufte, më 1946. S’kishe ç’bëje, lufta ashtu e kishte.

Të gjithë partizanët kallaratas u caktuan në batalionin e tretë, në tri kompani. Në kompaninë e parë u caktuan Namik Abazaj, Qamil Breshanaj, Sherif Gjonaj dhe unë, me komandant kompanie bashkëfshatarin tonë Hyso Bega. Ferikun fillimisht e caktuan skuadërkomandant në kompaninë e dytë. Edhe pse ishim në luftë dhe ai ishte i zënë me detyra, e gjënte kohën të na takonte.

Në radhët ë Brigadës së 8 Feriku mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi ajo që nga Pogoni, Sopiku, Skoreja e Konispoli në jug të vendit dhe duke kaluar me luftë qytet pas qyteti e krahinë pas krahine deri në viset veriore të Shqipërisë. Beteja më e përgjakshme ishte lufta shumëditore për çlirimin e kryeqytetit, Tiranës. Në të gjitha luftimet, Feriku ndodhej në vijën e parë të zjarrit, duke luftuar me guxim e trimëri. Ai shpalosi aftësi drejtuese, nivel të lartë arti lufte, vendosmëri e zotësi. Për këto cilësi Ferikut iu besua detyra e komandantit të kompanisë së dytë në batalionin e tretë.

Pas çlirimit të atdheut tonë më 29 Nëntor 1944, me urdhër të Komandës së Përgjithshme, Brigada kapërceu kufirin për në Mal të Zi, ku vazhdoi luftimet në përbërje të Divizionit të 6 shqiptar, kundër ushtrisë naziste në ndihmë të çlirimit të popujve jugosllavë. Luftime të ashpra u zhvilluan nga kjo Brigadë, në të cilën Feriku drejtonte kompaninë e dytë në Mal të Zi, Sanxhak e Bosnjën jugore deri në Vishegrad.

Feriku ishte një figurë atdhetare me personalitet të spikatur, me norma moraloshoqërore të shkëlqyera. Te Feriku mishëroheshin cilësi e virtyte të larta, si mënçuria, serioziteti, trimëria, korrektësia dhe të qënit energjik. Me pjekurinë e tij, fjalën e ngrohtë e të ëmbël rrezatonte edukatë dhe të impononte respekt.

Ferik Strataj punoi e luftoi gjatë gjithë jetës me besnikëri, ndërgjegje të lartë e ndershmëri, derisa ra heroikisht 60 vjet më parë, më 13 gusht 1949, në mbrojtje të kufjve të atdheut tonë, të sulmuar nga forcat ushtarake monarkofashiste greke. Ai mbeti një yll i pashuar për jetë dhe shëmbull frymëzues për brezat pasardhës.

Xhelo DAUTAJ

GAZETA “KALLARATI” Nr. 46, korrik-gusht 2009

Next Post

KUJTIMI KUJTON DHE NDERON NË 60-VJETOR BABAIN DËSHMOR

Sht Gus 11 , 2012
– TREGIM I JETUAR – “Disa njerëz edhe kur janë ndarë nga jeta, sado kohë të ketë kaluar, për veprat dhe cilësitë e tyre jetojnë midis të gjallëve në breza dhe kujtohen e nderohen prej tyre”. Një nga këta është edhe Ferik Teslim Strataj. Me Ferik Stratajn u njoha 65-vjet […]