HISTORIKU I KALLARATIT

Një vepër për kujtesën, identitetin dhe trashëgiminë e brezave –

Nga Besnik Gjonbrataj

Nën drejtimin e Shoqatës Atdhetare dhe Kulturore “Kallarati”, para pak ditësh u botua libri “Historiku i Kallaratit”, një vepër e gjerë që synon të dokumentojë historinë, jetën, traditat, kulturën dhe zhvillimin e komunitetit kallaratas në rrjedhën e shekujve.Grupi hartues i Historikut përbëhet nga Prof. dr. Rami Memushaj, Seit Jonuzaj, Enver Strataj, Luto Demiraj, Çize Xhaferaj, Pëllumb Gjonbrataj, Lefter Hysaj, Besnik Gjonbrataj dhe Llambro Hysaj.

Redaktor i veprës është Prof. dr. Rami Memushaj, ndërsa ballina është realizuar nga Saimir Strataj.

Botimi i Historikut është mbështetur financiarisht nga: Lavdosh Jonuzaj, Alket Memushaj, Arianit Rjepaj, Besnik Strataj, Bako Xhaferaj, Ermal Memushaj, Ksenofon Xhaferaj, Lulëzim Xhaferaj, Ylli Demiraj, Riza Memushaj, Selman Memushaj, Alban Dautaj, Besnik Gjonbrataj, Gerald Dautaj, Gjergj Dautaj, Gjergj Leskaj, Rezart Tozaj dhe Xhuljeta Gjonbrataj.

Historiku është shtypur në shtypshkronjën “FILARA”, Tiranë.

NJË VEPËR PËR HISTORINË E NJË KOMUNITETI

“Historiku i Kallaratit” merr përsipër të ndriçojë historinë e një fshati të Labërisë, jo vetëm nëpërmjet ngjarjeve politike e ushtarake, por edhe përmes jetës së përditshme të njerëzve, organizimit shoqëror, ekonomisë, arsimit, kulturës, folklorit, traditave dhe marrëdhënieve familjare.

Vlera e një historiku vendor qëndron pikërisht në faktin se ai sjell në vëmendje historinë e njerëzve dhe të vendeve që jo gjithmonë zënë hapësirën e merituar në historitë e përgjithshme.

Një fshat nuk është vetëm një territor apo një emër në hartë. Ai është një bashkësi njerëzore e formuar gjatë brezave, me kujtesën, zakonet, marrëdhëniet, vlerat dhe përvojat e veta.

Në këtë kuptim, historia e Kallaratit është një pjesë e historisë së Labërisë dhe, më gjerë, e historisë shqiptare. Përmes saj mund të ndiqen ndryshimet që kanë ndodhur në shoqërinë shqiptare në periudha të ndryshme: nga organizimi tradicional i komunitetit, te sundimi osman, krijimi i shtetit shqiptar, luftërat e fillimit të shekullit XX, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, periudha e pasluftës dhe ndryshimi i sistemit politiko-ekonomik.

Libri merr një rëndësi të veçantë edhe për brezat e rinj dhe për kallaratasit që jetojnë larg vendlindjes. Në kushtet e emigrimit dhe të shpërndarjes së familjeve në vende të ndryshme të botës, kujtesa historike bëhet një nga mënyrat më të rëndësishme për të ruajtur lidhjen me rrënjët.

“CILËT JEMI, NGA VIJMË DHE KU SHKOJMË?”

Parathënia e “Historikut të Kallaratit” vendos në qendër çështjen e identitetit. Hapja e Shqipërisë ndaj botës dhe lëvizja e lirë e njerëzve krijuan mundësi të reja, por njëkohësisht sollën edhe një sfidë të madhe: ruajtjen e lidhjes me vendin e origjinës.

Shumë individë dhe familje janë larguar nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. Të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe shumë bashkëfshatarë tanë, të cilët sot jetojnë në vende të ndryshme të botës. Me kalimin e brezave, largësia nga vendlindja mund të sjellë edhe zbehjen e kujtesës dhe të lidhjes me rrënjët.

Pikërisht për këtë arsye, parathënia ngre tri pyetje themelore: Cilët jemi? Nga vijmë? Ku shkojmë?

Përgjigjja ndaj tyre lidhet drejtpërdrejt me njohjen e historisë dhe ruajtjen e identitetit.

Kallarati paraqitet si një nga fshatrat e vjetër e me emër të Labërisë. Në karakterin e banorëve të tij vihen në dukje ndershmëria, modestia, paqësoria dhe trimëria. Njerëz të lidhur me punën dhe jetën e thjeshtë të fshatit, por njëkohësisht të gatshëm për të mbrojtur vendin dhe lirinë e tyre kur koha e ka kërkuar.

Historia e Kallaratit nuk është ruajtur vetëm në dokumente. Ajo jeton edhe në këngë, në kujtime, në gojëdhëna dhe në rrëfimet e përcjella nga një brez te tjetri.

Historiku i sotëm vjen pas disa përpjekjeve të mëparshme për dokumentimin e historisë së fshatit: “Historiku i Kallaratit” i vitit 1965, “Historiku i Luftës ANÇL i fshatit Kallarat 1939–1944” i vitit 1989 dhe “Historiku i Kallaratit” i Enver Stratajt, botuar në vitin 2010.

Vepra e re synon një trajtim më të gjerë, duke u mbështetur në materiale arkivore, literaturë historike në shqip dhe në gjuhë të huaja, botime të mëparshme për Kallaratin, libra të bashkëfshatarëve, shkrime të gazetës “Kallarati”, kujtime, rrëfime gojore dhe të dhëna statistikore.

Një veçori tjetër është karakteri kolektiv i saj. Përveç grupit hartues, në sigurimin e materialeve kanë kontribuar shumë bashkëfshatarë nga breza të ndryshëm, me dokumente, fotografi, kujtime, dëshmi dhe këshilla.

Në këtë kuptim, Historiku është edhe një vepër e komunitetit.

GJASHTË KRE – NJË HISTORI SHUMËSHEKULLORE

“Historiku i Kallaratit” është ndarë në gjashtë kre, secili me një numër të madh çështjesh dhe nënndarjesh.

KREU I PARË – VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM

Kreu i parë përfshin: pozitën gjeografike; relievin, gjeologjinë dhe klimën; tokën dhe burimet ujore; florën dhe faunën; varësinë administrative; popullsinë; format e pronësisë dhe taksat; bujqësinë; blegtorinë; zejtarinë; mërgimin si burim jetese; monumentet natyrore e arkitektonike; folklorin dhe kulturën materiale.

Ky kre shërben si një hyrje e gjerë në njohjen e Kallaratit. Përpara se të trajtohen periudhat historike, lexuesi njihet me territorin, natyrën, popullsinë, ekonominë dhe kulturën e tij.
Historia e një komuniteti nuk mund të kuptohet pa njohur mjedisin në të cilin ai është formuar dhe ka jetuar.

KREU I DYTË – LASHTËSIA
Në këtë pjesë trajtohen zanafilla e fshatit; vendbanimet e hershme; Pilingria; besimi fetar; onomastika,; përplasjet me fqinjët; mëhallët dhe vëllazëritë; organizimi i jetës shoqërore; familja si qelizë e shoqërisë; organet e vetëqeverisjes, si dhe figura e kallaratasit si fshatar dhe luftëtar.
Kreu përpiqet të hedhë dritë mbi rrënjët më të hershme të komunitetit dhe mbi mënyrën se si u organizua jeta familjare e shoqërore.

KREU I TRETË – NËN ZGJEDHËN OTOMANE
Kreu i tretë trajton pushtimin osman; pjesëmarrjen e Kallaratit në kryengritjet e periudhës 1432–1537; kryengritjet e viteve ’30 të shekullit XIX; kryengritjen e vitit 1847; kallaratasit në çetat e kaçakëve dhe të lirisë, si dhe përpjekjet për mësimin e gjuhës shqipe.

Në qendër të këtij kreu është një periudhë e gjatë dhe e vështirë, gjatë së cilës historia e Kallaratit ndërthuret me qëndresën dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri e identitet kombëtar.

KREU I KATËRT – NËN SHTETIN E PAVARUR SHQIPTAR
Kreu i katërt nis me shpalljen e Pavarësisë dhe vijon me luftën me grekët në vitet 1912–1916, luftimet për mbrojtjen e fshatit, pushtimin italian të viteve 1916–1920, Çetën e Kallaratit në Luftën e Vlorës dhe zhvillimet e periudhës 1920–1939.

Në të trajtohen gjithashtu gjendja ekonomike, shëndetësia, kultura dhe hapja e shkollës shqipe në Kallarat.

KREU I PESTË – KALLARATI NË LUFTËN ANTIFASHISTE
Ky është kreu më i gjerë i Historikut. Ai trajton Shqipërinë në planet e fashizmit italian, pushtimin e vendit, Luftën Italo-Greke, qëndresën ndaj pushtuesit, krijimin e këshillit antifashist dhe të njësitit gueril, rënien e Mumin Selamit, krijimin dhe veprimtarinë e Çetës territoriale “Mumin Selami”, organizatat politike në Kallarat, veprimtarinë e Ballit Kombëtar, betimin e popullit në Basha, luftimet kundër pushtuesve nazistë, operacionet e dimrit e të pranverës, pjesëmarrjen e kallaratasve në luftën partizane, humbjet njerëzore e pasurore dhe çlirimin e vendit.

Përmes dokumenteve dhe dëshmive, ky kre sjell një nga periudhat më të rëndësishme dhe më të dhimbshme të kujtesës historike të fshatit.

KREU I GJASHTË – KALLARATI PAS ÇLIRIMIT
Kreu i fundit trajton rindërtimin e fshatit, zhvillimin e ekonomisë private, kolektivizimin, rritjen e nivelit të jetesës, arsimin në periudhën 1945–2006, folklorin dhe sportet, ndryshimin e sistemit politiko-ekonomik, kontributin e Kallaratit pas Luftës, Shoqatën Atdhetare dhe Kulturore “Kallarati” dhe dëshmorët kallaratas.

Në këtë mënyrë, rrëfimi historik çohet deri në periudhën bashkëkohore.

KALLARATI SI IDENTITET DHE KUJTESË
Nëse gjashtë krerët e Historikut shihen si një tërësi, del në pah një element që i lidh të gjitha periudhat: ruajtja e identitetit të komunitetit.

Në kohët e hershme, identiteti ruhej përmes familjes, vëllazërisë, mëhallës, zakoneve dhe lidhjes me vendin.

Gjatë sundimit osman, ai u lidh me qëndresën, ruajtjen e gjuhës dhe përpjekjet për liri.

Me krijimin e shtetit shqiptar u shpreh përmes arsimit, pjesëmarrjes në luftërat kombëtare dhe zhvillimit të jetës shoqërore.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore u lidh me qëndresën, sakrificën dhe përfshirjen në luftë, ndërsa pas çlirimit vazhdoi të ruhej përmes familjes, arsimit, folklorit, traditave dhe marrëdhënieve ndërmjet bashkëfshatarëve.

Sot, kur shumë kallaratas jetojnë larg vendlindjes, historia dhe kujtesa marrin një rëndësi edhe më të madhe.

FAMILJA – URA QË LIDH BREZAT
Një nga mesazhet që del qartë nga Historiku është roli i pazëvendësueshëm i familjes në ruajtjen e kujtesës.
Në familje janë përcjellë emrat e të parëve, historitë e luftërave, zakonet, këngët, ngjarjet dhe traditat. Shumë prej atyre që sot dimë për të kaluarën janë ruajtur pikërisht falë tregimeve të gjyshërve e të prindërve.
Prandaj historia e Kallaratit nuk është vetëm histori e shkruar. Ajo është edhe histori e treguar, e ruajtur në kujtesën e njerëzve dhe e përcjellë brez pas brezi.
Kjo ka një rëndësi të veçantë për fëmijët dhe të rinjtë që kanë lindur larg vendlindjes. Për ta, “Historiku i Kallaratit” mund të shërbejë si një urë drejt vendit të origjinës së prindërve dhe gjyshërve të tyre.

NJË VEPËR E NDËRTUAR EDHE NGA KOMUNITETI
Grupi hartues ka pasur barrën kryesore të mbledhjes, sistemimit, krahasimit dhe redaktimit të materialeve, por në ndërtimin e librit kanë ndihmuar edhe shumë bashkëfshatarë.
Dëshmitë gojore, kujtimet, dokumentet familjare, fotografitë dhe informacionet e ardhura nga breza të ndryshëm kanë kontribuar në plotësimin e pamjes historike.

Prandaj Historiku nuk është thjesht vepër e hartuesve të tij. Ai është edhe rezultat i një përpjekjeje të përbashkët të komunitetit për të mos e lënë kujtesën të humbasë.

KALLARATI DHE LABËRIA
Kallarati në këtë botim trajtohet si pjesë e historisë së gjerë të Labërisë.
Jeta e banorëve, traditat, mënyra e organizimit, kultura, folklori dhe qëndresa kanë shumë elemente të përbashkëta me krahinën, por njëkohësisht Kallarati ka krijuar edhe veçoritë e veta, të formuara nga historia dhe përvoja e komunitetit.
Dokumentimi i historisë së Kallaratit është, në këtë mënyrë, edhe një kontribut për ruajtjen e historisë dhe të trashëgimisë së Labërisë.

TRASHËGIMIA KULTURORE QË DUHET PËRCJELLË
Folklori, këngët, zakonet, veshjet, mënyrat e punës, marrëdhëniet familjare dhe traditat nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës.
Ato janë pjesë e identitetit të komunitetit.
Ruajtja e tyre kërkon njohje, dokumentim dhe, mbi të gjitha, përcjellje te brezat e rinj.

Në këtë drejtim, “Historiku i Kallaratit” luan edhe rolin e një dokumenti kulturor, krahas atij historik.

EMIGRIMI DHE MALLI PËR VENDLINDJEN
Emigrimi është një nga temat që lidh të shkuarën me të tashmen.
Në periudha të ndryshme, kallaratasit janë larguar nga vendlindja për arsye ekonomike dhe për të kërkuar mundësi më të mira jetese. Sot ata gjenden në shumë qytete të Shqipërisë dhe në shumë vende të botës.
Kjo shpërndarje e ka ndryshuar strukturën e komunitetit, por nuk e ka zhdukur lidhjen me Kallaratin.
Përkundrazi, për shumë familje kjo lidhje vazhdon të ruhet përmes kujtimeve, vizitave në vendlindje, marrëdhënieve familjare, veprimtarive të Shoqatës dhe tashmë edhe përmes një vepre të shkruar që përmbledh historinë e tyre.
“Historiku i Kallaratit” mund të bëhet një pikë referimi për cilindo që kërkon të njohë rrënjët e familjes së tij.

HISTORIA SI AMANET PËR BREZAT
Një nga mesazhet më të rëndësishme që përcjell ky botim është se historia nuk duhet të mbetet thjesht një kujtim i së kaluarës.
Njohja e saj duhet t’i ndihmojë brezat e rinj të kuptojnë sakrificat e të parëve dhe vlerat që kanë mbajtur gjallë komunitetin: punën, solidaritetin, arsimin, ruajtjen e gjuhës, respektin për familjen dhe dashurinë për vendlindjen.
Po aq e rëndësishme është që historia të na mësojë edhe për pasojat e konflikteve, ndarjeve dhe përplasjeve, në mënyrë që kujtesa të shërbejë jo për të krijuar ndasi të reja, por për të afruar brezat dhe njerëzit.

NJË DOKUMENT QË U LIHET BREZAVE
“Historiku i Kallaratit” ndërton një panoramë të gjerë të jetës së fshatit në kohë.
Rrëfimi nis me territorin dhe natyrën, vijon me zanafillën dhe organizimin e hershëm të komunitetit, kalon nëpër periudhën e sundimit osman dhe traditën e qëndresës, ndalet në krijimin e shtetit shqiptar dhe luftërat e fillimit të shekullit XX, trajton gjerësisht Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe vijon me rindërtimin, zhvillimin dhe transformimet e mëdha të periudhës së pasluftës e të viteve të pluralizmit.

Në gjithë këtë rrugëtim shumëvjeçar ndërthuren natyra, puna, familja, lufta, arsimi, kultura, emigrimi dhe kujtesa.

Por, përtej ndryshimeve të mëdha historike, mbetet një element që i bashkon brezat: lidhja me vendlindjen dhe ruajtja e identitetit.

Në këtë kuptim, “Historiku i Kallaratit” nuk është vetëm një përmbledhje e së kaluarës. Ai është një përpjekje për të ruajtur kujtesën e një komuniteti dhe për t’ia përcjellë atë brezave që vijnë.

Ai u kujton kallaratasve se pas çdo familjeje, çdo mbiemri, çdo mëhalle, çdo kënge, çdo vendi dhe çdo tradite qëndron një histori.

Kjo e bën librin veçanërisht të çmuar për fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e Kallaratit, sidomos për ata që jetojnë larg vendlindjes. Përmes tij ata mund të njohin rrënjët e tyre, të mësojnë për të parët dhe të kuptojnë se identiteti nuk është vetëm një emër apo një vendbanim, por një trashëgimi e krijuar dhe e përcjellë ndër breza.

Historia e Kallaratit është, në thelb, historia e njerëzve të tij: e atyre që punuan tokën, ngritën familjet, ruajtën traditat, mësuan dhe edukuan brezat, luftuan në periudha të vështira, u përballën me varfërinë e emigrimin dhe vazhduan, kudo që ndodheshin, të ruanin një lidhje me vendlindjen.

Dhe pikërisht këtu qëndron një nga vlerat më të mëdha të këtij Historiku: të mos lejojë që kujtesa e një komuniteti të humbasë me kalimin e kohës.

Ruajtja e historisë së Kallaratit është një mënyrë për të ruajtur emrin dhe dinjitetin e tij, për të nderuar brezat që kanë kaluar dhe për t’u lënë brezave që vijnë një trashëgimi të shkruar.

“Historiku i Kallaratit” mbetet kështu një dokument historik, një dëshmi e kujtesës kolektive dhe një pasuri kulturore e komunitetit kallaratas.