-Me rastin e 84-vjetorit të ndarjes nga jeta të Ramadan Rjepajt-
Fshati ynë gjithmonë ka qenë i njohur për njerëz të mirë ndër breza. Në përgjithësi, burrat e këtij fshati, por edhe gratë, me mençurinë e urtësinë e tyre, me veprat e punën, me qëndrimin atdhetar dhe trimëritë e tyre, duke punuar e luftuar për fshatin e atdheun e duke i qëndruar afër atij në çdo rrethanë, kanë mbetur të nderuar që meritojnë mirënjohje nga brezat pasardhës. Një nga këta njerëz ishte edhe Ramadan Mehmet Rjepaj, për të cilin kushdo që e pat njohur, thotë: “Ishte burrë i mirë”.Ramadani kish lindur në Kallarat më 1896 dhe u nda nga jeta në Vlorë në korrik 1970. I brumosur nga familja dhe rrethi shoqëror i fshatit me ndjenja atdhetare, ai, në moshën 24-vjeçare, ishte njeri nga pjesëtarët e çetës së Kallaratit në Luftën e Vlorës të vitit 1920 për shporrjen e imperialistëve italianë që mbanin të pushtuar Vlorën dhe rrethinat e saj. Luftëtarët kallaratas të çetës, duke përfshirë edhe djaloshin Ramadan Rjepaj, lufuan me trimëri të rrallë derisa më 3 shtator ushtria italiane u tërhoq me det dhe Vlora u çlirua. Në këtë luftë Ramadani u plagos në krah. Për pjesëmarrjen në këtë luftë dhe për plagosjen, Ramadani është dekoruar nga Kuvendi Popullor i Republikës Popullore të Shqipërisë. I kalitur në jetë me vuajtje, me halle e probleme të kohës, Ramadani kish fituar pjekurinë dhe vendosmërinë e nevojshme. Kjo e bënte atë t’u bënte ballë vështirësive dhe të orientohej drejt në qëndrimet dhe veprimet e tij. Ai përpiqej në fshat për të mbajtur shtëpinë e familjen me punën dhe djersën e tij të ballit. Më 1928 Ramadani u martua me Benë Fegen (Tozaj). Me sakrifica ngriti edhe shtëpi të re në Lëmplak më 1929. Më 1930 bëhet kryeplak i fshatit. Por për shkak të vështirësive ekonomike ,ai më vonë shkoi për të punuar në Vlorë, që të nxirrte ndonjë para për të ushqyer familjen. Por me largimin nga Kallarati ai asnjëherë nuk u shkëput prej tij, duke mbetur i lidhur ngushtë me të. Si një atdhedashës i flaktë, Ramadani e mirëpriti dhe e mbështeti Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare që nga fillimi. Ai u lidh me veprimtarë të kësaj Lëvizjeje të Qarkut të Vlorës, dhe nuk u kursye të jepte ndihmën e tij të mundshme për luftën çlirimtare kundër pushtuesve të huaj fashistonazistë, si vetë si i punësuar i sipërmarrjes së serës së Selenicës, ashtu edhe familja e tij në fshat. Shtëpia e tyre ishte bërë strehë për pritjen e përcjelljen e
Luftëtarëve të lirisë. Ramadani mishëronte cilësitë më të mira njerëzore dhe krenarinë labe. Në Kantierin e serës në Skelë të Vlorës ku punonte, ai ndihmonte shumë bashkëfshatarë për t’u punësuar, si Veip Xhaferajn, Hyso e Ferik Fegën etj. Ramadani dhe e shoqja, Bena, dalloheshin edhe për mikpritjen e ngrohtë. Shtëpia e tyre ishte gjithmonë e hapur për këdo që i vizitonte. Ramadani mbante marrëdhënie vëllazërore me të gjithë fisin e mëhallën Mërtigjin dhe më gjerë. Ai donte që të gjithë të ishin të bashkuar e të mos ndaheshin nga njeri tjetri. Brezi i shkuar ka qenë i lavdishëm. Ai brez ka bërë sakrifica të mëdha, duke përballuar rrebeshe lufte e jete. E megjithatë, të parët tanë kanë mbajtur qëndrim të shkëlqyer e nuk janë përgjunjur as para agresorëve të huaj e as para vështirësive të jetës.
Prandaj brezat e sotëm duhet të jenë krenarë për të parët e tyre, – ashtu, siç duhet të jenë krenarë për babain e tyre edhe fëmijët e Ramadan Rjepajt. Me nderim e respekt flitet edhe për brezat e rinj të familjes e fisit Rjepaj. Nga fëmijët e mbijetuar që linden e rritën Ramadani e Bena: Vizhdani, Vladimiri e Havaja gëzojnë respekt në fis e shoqëri, si njerëz të ndershëm e të punës. Ata vazhdojnë traditën e prindërve të tyre. Po ashtu, me nderim e respekt flitet edhe për bijtë e bijat e brezit të ri të fisit Rjepaj, si Fejzua-një figurë e njohur me kontribut të spikatur në lanç, drejtues i talentuar i rinisë antifashiste në Kallarat e Kurvelesh; Vjollca, Violeta, Ibro, Zoto, Banushi, Nekiu etj, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer në zhvillimin e ekonomisë, arsimit, industrisë, bujqësisë, blegtorisë etj. Njerëzit e mirë e fisnikë të çdo kohe e të çdo brezi, janë një shembull i shkëlqyer dhe burim frymëzimi për brezat pasardhës.
Respekt e mirënjohje këtyre njerëzve të ndritur të fshatit tonë!
Xhelo Dautaj
Marre nga gazeta Kallarati, Nr. 64 Shtator 2012