IKONA E NJË NJERIU TË MIRË, nga Arjana Rjepaj

-Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Fiqirete Rjepajt-                

   Botuar ne gazeten Kallarati ne Nr.46,Korrik-Gusht 2009

Jam ulur  në sallon dhe po pi kafenë e pasditës duke medituar për problemet e ndryshme të punës e të familjes. Papritur sytë më shkuan tek piktura e varur në mur, në të cilën është portreti i një gruaje. Sa herë që e shoh atë portret, aq herë më pëlqen. Kjo pikturë është gjëja më e shtrenjtë dhe e çmueshme e familjes Rjepaj. Ndoshta sepse ky portret i pikturuar me aq mjeshtëri nga piktori i madh vlonjat, Agron Dine, ka shumë histori të treguara e të patreguara që janë veshur nga pluhuri i harresës. Piktura ka në fokus një grua të bukur, të veshur me kostum Lunxhe të krahinës së Lunxhërisë, në moshën 14-vjeçare, kur pridërit e saj kallaratas, Barxhul e Dudi Jonuzaj, ishin shpërgulur nga Kallarati dhe ishin vendosur në një nga fshatrat e asaj krahine. Flokët të mbledhur, këmisha e bardhë, fustanella palë-palë. Sa e hijshme!

Në ato çaste m’u kujtua një situatë me vajzën time, Anisa, kur ishte 4 vjeçe. Ne sapo ishim kthyer nga Greqia, ishim sistemuar në strehëzën tonë të re ku, midis të tjerave, ishte dhe piktura. Vajza një ditë hipi në divan, doli në krah të portretit dhe tha: -Mami a jam unë po aq e bukur sa nëna?

Të them të drejtën u trondita, sepse nuk e prisja këtë pyetje aq të sinqertë, naive të një fëmije. U stepa dhe nguroja t’i ktheja një përgjigje. Vajza më kishte ngulur sytë dhe kërkonte medoemos një përgjigje, një miratim nga ana ime. Si mund t’i shpjegoja një fëmije 4-vjeçar se bukuria e kësaj gruaje të hijshme e plot nur qëndronte tek thjeshtësia e saj. Si mund t’i shpjegoja se kjo bukuri ishte krejt natyrore, e brishtë, fisnike, jo e rëndomtë, rrezatuese e pafundme, njerëzore. A do të arrija unë të bindja vajzën se ky krahasim nuk ishte i nevojshëm?

Anisa, vajza ime erdhi në jetë falë përkujdesjes së gjyshes së saj, sepse unë kisha probleme me shëndetin gjatë shtatzënisë. Emri i vajzës ishte pagëzuar nga gjyshja e saj dhe më kujtohet që, sa herë e përkëdhelte, ajo thoshte: “Anisa është tërë mua, s’më ka lënë gjë”, Unë qeshja, thellë në shpirt e kërkoja një gjë të tillë, por me vdekjen e saj të parakohshme, ky mendim sa vinte e bëhej më i largët. Pyetja e vajzës më risolli shumë mendime, të cilat mu pështjelluan ashtu të mjegullta në kokë. Mundohesha të gjeja pika të përbashkëta në fizionominë e asaj fytyre fëmijërore me flokë kaçurrele dhe portretit që i  rrinte në krah, por edhe portretit të krijuar në mendjen time. Herë-herë më bëheshin një dhe shumë të afërta, herë-herë më largoheshin. Thuajse isha në gjendje apo në zhgjendje. Vajza qëndronte aty në divan duke më përmendur nga ai labirint mendimesh të pafundme. Mbaj mend që përgjigjja ime e momentit ishte: “Anisa, ti je e bukur, por piktura është më e bukur. Kush është e bukur dhe e mirë, mbetet gjithnjë e bukur!”

Vajza mu përgjigj: “Pra nuk mjafton të jesh vetëm e bukur, por dhe e mirë? Nëna Fiqo ka qënë shumë e mirë, prandaj ishte dhe kaq e bukur?  Po-i thashë duke e sqaruar e bindur për gjithçka.

Unë e kam njohur shumë pak vjehrrën time, sepse fati nuk deshi që ajo të jetonte midis nesh dhe të na gëzonte. Por për aq kohë sa e kam njohur, në mendjen time u skalit ikona e një njeriu të mirë e fjalëëmbël.

Tashmë kanë kaluar 10 vjet nga koha kur ajo, më 16 korrik 1999,  humbi jetën aksidentalisht në Agrinjo të Greqisë dhe ne fëmijët e saj e kujtojmë shpesh në bisedat tona, në përvjetorë, në gëzimet apo hidhërimet tona. Ajo ka qënë e do të jetë e pranishme.

Mora përsipër të shkruaja disa rreshta për gruan, bashkëshorten, nënën, motrën, e cila na mungon shumë me fjalën e saj të ëmbël, me këshillat e saj të vyera. Ndoshta mund të jem pak e vonuar me shkrimin tim, por një gjë kam kuptuar: “Të vdesësh, të vdesësh…Të vdesësh nuk është asgjë. Prandaj fillo të jetosh. Kjo është një gjë kaq e përçudnuar dhe më e gjatë”.      

Nga Arjana RJEPAJ

Botuar ne  gazeten “KALLARATI” Nr. 46, korrik-gusht 2009

 

 

 

 

Next Post

Shkolla shqipe jo vetëm në veriun katolik, po edhe në jugun ortodoks, nga Prof. dr. Rami Memushaj

Mër Tet 31 , 2012
  Publikuar më 30.10.2012 | 12:43 nga shekulli online Prof. dr. Rami Memushaj Në një intervistë për të përditshmen “Shekulli” lidhur me shkollat e para shqipe, prof. David Luka, mohon ekzistencën e tyre në jug të Shqipërisë, duke arsyetuar në këtë mënyrë: “Në jug vepronte Patriarkana Ortodokse e cila njihet […]