HISTORIA MUND TË RISHKRUHET, JO TË RIBËHET. Nga Petrit Qejvani

PetritQejvaniDebati mbi rishkrimin e historisë , ndonëse nuk është i ri, herëpashere dëndësohet dhe merr karakter të ashpër polemik dhe jo çdo herë shkencor. Veçanërisht tani në prag të 100-vjetorit të pavarësisë ai merr ngarkesë të re, pasi është momenti për rivlerësimin  e  disa figurave historike për shkak të politizimit që u është bërë në diktaturë. Sikur kjo zhurmë të bëhej thjesht për objektivitet shkecor, do të ishte një gjë ë mirëpritur dhe e dobishme. Por kjo është dhe gracka ku mund të bjerë nje rishkrim i saj, kësaj here politizuar nga ana e kundërt. Dhe sinjalet nuk mungojnë.

 Arsyet pse mund të rishkruhet historia  janë dy:

 Ë para: për të riinterpretuar fakte të njohura, por të interpretuara njëanshëm, gabim me ose pa dashje. Ë dyta: për të interpretuara fakte të reja, të panjohura më parë, dokumente të zbuluara rishtaz. Këto janë arsye shkencore. Por ka dhe një arsye joshkencore: për ta falsifikuar atë për intresa revanshi politik nën petkun e defalsifikimit. Dyshim që nuk është pa gjë. Dhe këtu, më tepër se për ngjarjet, bëhet fjalë për figurat historike, “pronë” e partive respektive politike, të cilat gjithmonë nuk janë në simetri të plotë me kohën, pra nuk janë në harmoni absolute me të. Nuk ka figura historike të shkëlqyera nga të gjitha anët.. Ato janë të gjitha me dritë-hijet e tyre.

 Pozitiviteti, dihet, anon nga ai personalitet, që ka kuptuar imperativin e kohës, kahjen e ngjarjeve,veprimet e të cilit ndikojnë dhe përputhen me fundin e pritshëm të një procesi ose me faktin historik. Dhe, që të mos bëjmë teori, le të zbresim në terrenin praktik, te shembujt.

Sikur të bëhej fjalë vetëm për ngjarjet dhe personalitetet e Luftës së Dytë Botërore, kjo do të ishte e nevojshme për shkak të shikimit berdh e zi të protagonistëve dhe antagonistëve të saj, por edhe për shkak të subjektivizmit të fitimtarëve, të cilët kudo, jo vetëm në Shqipëri, zakonisht kanë prirjen ta zmadhojnë e zbukurojnë fitoren. Kurse për figurat më të largëta historike, siç janë psh. ato të Pavarësisë, vlerësimet ë histëriografisë komuniste, megjithë simpatitë ose antipatitë politike, kanë më pak vend për rishikim e rivlerësim, veçanërisht ato figura  që e kishin mbaruar misionin e tyre politik për shkak se nuk jetonin më. Kurse për një pjesë që arritën deri në Luftën e Dytë Botërore dhe gabuan në qëndrimet e veta politike, duke arritur deri në bashkëpunim me pushtuesin, situata është më e komplikuar dhe vlerësimi më delikat. Sidomos për disa firmëtarë të aktit të pavarësisë kombëtare, të kthyer në kolaboracionistë. Sigurisht, mohimi i kontributit të tyre për pavarësi është i gabuar, siç është i gabuar edhe fakti që ky kontribut të shërbejë si mbulesë dhe justifikim i kolaboracionizmit në luftën për çlirim kundër nazi-fashizmit.  

 Lufta e Dytë Botërore për të djathtën shqiptare, të ashtuquajtur nacionaliste, ishte një nokaut politik. Këtu fillon ngërçi. Qëndrimi ndaj saj është dhe çelësi për interpretimin e paanshëm të ngjarjeve dhe personaliteteve përkatës. Pikërisht këtu nis problemi  në trajtimin që u bëri historiografia komuniste eksponentëve  kryesorë të së djathtës, shumë prej tyre protagonistë të ngjarjeve më të rëndësishme kombëtare, por që përfunduan si kolaboracionistë. U përmbys elita  tradicionale politiko-ekonomike dhe u ngjit në pushtet proletariati, vegjëlia,  jo paria tradicionale (veten e quajtën “Balli” për t’ia kundërvënë “rjepacakëve,” “varfanjakëve”, komunistëve) me pasoja katastrofale morale, fizike dhe materiale për të.

Për herë të parë në histori paria binte nga pushteti. Ishte përmbysur rendi i gjërave. Shoku ishte i madh.  Kështuqë ata nuk mund të ishin kurrë dakord  me këtë “ndrrim vendesh”. Mirëpo e vërteta është e pamëshirshme. Dhe këtu nis edhe drama e nacionalistëve shqiptarë: te mos pranimi i faktit historik. Por dhe i pinjollëve të tyre sot në rrugën e mundimshme të “rishkrimit” të historisë, domethënë të përmbysjes së saj.  

 Në histori ka të vërteta absolute dhe të vërteta relative. Dhe të vërtetat absolute janë faktet, që janë të pandryshueshëm, ndërsa të vërteta relative janë interpretimet e fakteve. Vetëm këtu mund të ” luhet.” Por “rishkrimi” i historisë, i kuptuar si përmbysje e saj, është një aventurë mëndjelehtë, e dështuar që në nisje. Sepse historia mund të shkruhet disa herë, por ajo bëhet vetëm një herë.  Dhe ngrin. Psh. Konferenca e Pezës mund të rishkruhet, por nuk mund të ribëhet. Sepse e shkuara nuk mund të bëhet e tashme. Ajo u organizua me nismën e PKSH, në të morë pjesë komunistë e nacionalistë (bile këta dyfish në numër), atje ishte dhe E.Hoxha. Ky është fakti.  Natyrisht nacionalistëve antikomunistë, edhe atëhere , edhe sot, nuk ju vjen mirë që atë nismë e mori PKSH dhe sidomos Ë.Hoxha, diktatori i ardhshëm(!), i cili u hëngri “racionin” politik “baballarëve të kombit”. Dhe më tej, Shqipëria u çlirua nga lufta e partizanëve shqiptarë të mbështetur nga populli, por të udhëhequr nga PKSh dhe E.Hoxha. Dhe ky është një fakt. Dhe këtë duhet ta themi pa drojë. Sigurisht, as kjo e vërtetë nuk u pëlqen fare nacionalistëve të sotëm, sepse ata e dinë se është meritë dhe vlerë e madhe të çlirosh atdheun prej okupatorëve dhe kjo meritë, sipas tyre, u takonte atyre dhe  nuk duhet t’i takojë Diktatorit!..

Por historia nuk harron gjithashtu që nacionalistët antikomunistë i falën pavarësinë e Shqipërisë Italisë fashiste në një ceremoni turpi në Romë. Dhe ky është një fakt, një e vërtetë absolute, pra, e  pazhbëshme. Por kompleksi i fajit nuk i lë ta pranojnë këtë vepër antikombëtare. Ë vërtetë absolute është gjithashtu që nacionalistët bashkëpunuan me fashizmin e nazizmin. Kjo është e pandryshueshme. Dhe historianët që duan rishkrimin e historisë mundohen ta “ëmbëlsojnë” këtë akt me lloj-lloj marifetesh “shkencore”. Domethënë të korrigjojnë historinë e shkruar “keq”, me një falsifikim të ri. Mohimi i kësaj të vërtete është i pamundur, pasi ky është një fakt historik, i konfirmuar me pamje dhe dokumente autentike. Këtu nacionalistët dhe avokatët e tyre në fushën e historisë janë në pozitë të vështirë. Ata gabuan atëhere, kur nuk duhejt të gabonin dhe ky gabim nuk mund të ndreqet më, edhe po të shahet e anatemohet nga mëngjezi në darkë E.Hoxha, me të drejtë e të padrejtë.  Sepse ne nuk mund të “çlirohemi” për herë të dytë nga nazizmi (ai s’është më) për t’u dhënë “shansin” nacionalistëve shqiptarë kësaj here të luftojnë dhe të jenë ata çlirimtarët!.Emocionalisht i kuptoj nacionalistët në këtë ndërmarrje, por racionalisht bëhen qesharakë.  

Historianët e djathtë, duke përfituar nga një rast historik,100-vjetori i pavarësisë, nuk nisen nga interesa shkencore për një histori objektive, por nga synimi dhe dëshira politike për të pastruar imazhin e figurave nacionaliste prej njollave që vetë ata i vunë vetes gjatë Luftës II Botërore.  Nuk u tha PKSH të  bashëpunonin me fashizmin.

Përpjekjet e politikanëve dhe historianëve të djathtë për të zbehur  Luftën Nacional-Çlirimtare me gjithë marifetet që përdorin, janë rropatje të mundimshme si guri i Sizifit, që nuk do ta çojnë kurrë në majë. Ajo luftë nderon popullin shqiptar , partizanët shqiptarë dhe ata që i udhëhoqën. Ajo e radhiti Shqipërinë me aleatët anglo-amerikanë. Antikomunizmi i tyre është alibi qesharake  për të justifikuar kolaboracionizmin  tyre dhe nuk i nxjerr në breg. Qemal Stafa,Vojo Kushi , Margarita Tutulani  dhe Zonja Çurre etj. janë heronj, sepse dhanë jetën për lirinë, ndonëse komunistë. Mos duhet që këta të ishin kolaboracionistë e jo komunistë çlirimtarë ?! Një logjikë e tillë është andikapate, bile antishqiptare. Por thellë-thellë kjo është një dëshmi e paqetësisë  dhe pranimit të fajit tyre.  

Tentativën për “zhbërjen” e Luftës antifashiste ata e lidhin me atë që ndodhi pas çlirimit: me vendosjen e pushtetit komunist, të diktaturës së proletariatit, falë jo vetëm meritave të komunistëve, por edhe”kontributit” të vet nacionalistëve me kolaboracionizmin e tyre. Dhe meqe dikatura bëri gabime dhe krime, ata duan t’ia heqin dhe, në pamundësi, ta zbehin ose çvlerësojnë luftën Nacional-çlirimtare, si vepër të komunistëve, (pavarësisht se partizanët nuk ishte ë thënë të  ishin patjetër  komunistë) , sepse atë e udhëhoqi PKSH. Një mision ky i pamundur. Aq sa është e pamundur që antikomunizmi kolaboracionist të quhet patriotizëm.

Në të vërtetë errësimi që pinjollët e së djathtës, dikur humbëse, duan t’i bëjnë luftës Nacional-çlirimtare dhe rehabilitimi i disa figurave të njollosura keq  me kolaboracionizmin e tyre, rreh të errësojë kontributin dhe meritën e komunistëve në këtë luftë dhe ,veçanërisht t’i heqin E.Hoxhës meritën e padiskutueshme në këtë luftë, duke e kthyer praktikisht thjesht në një diktator, pa asnjë vlerë pozitive.

Që historianët të tregojnë që janë objektivë duhet t’i njohin E.Hoxhës meritat e luftës dhe clirimit të Shqipërisë, ashtu dhe gabimet  e krimet si ai i eliminimit të kundërshtarëve politikë, siç duhet t’i njohin Zogut meritën e hedhjes së themeleve të shtetit modern, por edhe ekzekutimin e kundërshtarëve politikë si B.Curri, L.Gurakuqi, A Rustemi, Hasan Prishtina etj, pa harruar braktisjen e atdheut në një moment trgjik si dhe shitjen e trojeve shqiptare si Shen Naumi ë Vermoshi serbëve. Kështu shkruhet një histori për të gjithë dhe jo një histori “ ë djathtë” dhe një histori “e majtë”.

Një histori objektive do guxim qytetar dhe kurajo morale më tepër se shkencore, që aktualisht mungon, përtej deklaratave të historianëve  partizanë, që betohen për “të vërtetën” e tyre.  Kjo, me sa duket, do kohë të bëhet dhe, veç turpit, kjo gjë ka për të dëmtuar formimin e shëdoshë historik e patriotik të shkollarëve shqiptarë, të cilët do mësojnë dy histori të Shqipërisë, sipas rotacionit të partive në pushtet. Kështu, edhe për ca kohë, (nuk dihet sa) shqiptarët do kenë dy palë heronj e dy palë tradhtarë.  Ndërgjegja kombëtare do funksionojë siç duhet, kur të gjithë shqiptarë t’i kenë të njëjtë heronjtë dhe të njëjtë tradhtarët. Le të shpresojmë që kjo të vijë sa më shpejt.

   Nëntor 2012

Marre nga Blogu”Fjala ime”

 

Next Post

KUR SHIHET VETËM NJERA ANË E MEDALJES. Nga Petrit Qejvani

Die Shk 17 , 2013
Në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë mediat e ndryshme po mundohen të japin  kontributin  tyre  për ndriçimin e  disa ngjarjeve  dhe personaliteteve historike deri tani të pandriçuar qartë ose të vlerësura negativisht nga historiografia komuniste.  Do të ishte një gjë e dobishme sikur ky mision të ishte i pandikuar nga […]
PetritQejvani